Kopertina 30 tetor 2014 / Intervistë me Etrit Berishën

October 30, 2014 02:27

Kopertina 30 tetor 2014 / Intervistë me Etrit Berishën

Nga e dërguara jonë në Romë, Mira Kazhani

 

Ky Etriti… Ja një 25 vjeçar që mbron portën e një prej ekipeve elitare italiane, dhe që flet me qetësinë e dyfishit të moshës. Pas Lorik Canës, bisedojmë me portierin e Kombëtares shqiptare të futbollit, Etrit Berishën, shok i dyfishtë skuadre me Lorikun, si në Romë, edhe me Shqipërinë. Prishtinaliu që e gjeti rrugën e karrierës futbollistike në Suedi e prej andej talenti i dha njohje ndërkombëtare, ishte ndërhyrësi dhe frenuesi i i Beogradit, si para porte për ato 40 e pak minuta loje, ashtu dhe në përplasjen që pasoi. Nëse diçka mund ta shokojë këtë gjakftohtë të lindur, është vendimi i UEFA-s, por edhe këtu Etrit Berisha është i akullt: Drejtësia nuk do të jetë kundër nesh, sepse nuk është e mundur.

Me Etritin, gjithsesi, flasim edhe për tema të tjera në qendrën stërvitore Fornello të Lazios: Dieta e tij e çuditshme, Italia, shokët e kombëtares, presidenti Duka… dhe e dashura që tash për tash, ua ka prerë rrugën gocave shqiptare.

 

Mira Kazhani: Etrit, kisha krijuar përshtypjen nga ekrani që ishit më i madh në moshë. Kështu nga afër dukeni më i ri. Sa vjeç jeni?

Etrit Berisha: (qesh) Jam 25 vjeç, viti 1989. Ndoshta edhe pak nga mjekra dukem kështu.

 

Mira Kazhani: Në përvojën tënde si portier e cila nuk është e paktë, pavarësisht moshës, ju keni luajtur në Suedi, tani me Lazion në Itali. A kishit hasur më parë një situatë të dhunshme si ajo e Beogradit?

Etrit Berisha: Nuk e kam hasur direkt siç ndodhi në Beograd. Ishte një ndjenjë jashtëzakonisht e vështirë. Unë kam përjetuar pak a shumë edhe luftën në Kosovë. Dhe kur na erdhi mundësia me shku në Beograd, aty mendova: Ok, këtë rradhë do të jetë më mirë. Nuk do ketë më problem si ka pas më herët. Çdo gjë do të mund të shkonte në rregull. Mirëpo sapo i pashë ata policë, tifozë, atmosferën… Një ndjenjë e çuditshme më erdhi.

 

etriti intervista rome ditaMira Kazhani: T’u rizgjuan ndjenjat e luftës? Sa vjeç ke qenë?

Etrit Berisha: Në ato kohë kam qenë rreth moshës 8-9 vjeç, kam qenë i vogël por është një moshë që ruan shumë në memorie.

 

Mira Kazhani: Je prishtinali?

Etrit Berisha: Po.

 

Mira Kazhani: Si e kujton atë kohë?

Etrit Berisha: Ajo kohë ka qenë e tillë. Ndoshta nuk kemi patur lirinë e duhur. Si në shkollë, si në shtëpi e qytet, gjithçka ka qenë e limituar.

 

Mira Kazhani: Ke qenë më parë në Beograd?

Etrit Berisha: Jo nuk kam qenë më herët në Beograd. Ishte hera e parë për mua kjo.

 

Mira Kazhani: Dhe impresioni ishte…?

Etrit Berisha: Impresioni ishte siç u pa, nuk mund të themi shumë. Nuk mund të themi që ishte ndonjë kënaqësi e madhe.

 

Mira Kazhani: Një fakt interesant është se ju Etrit ruajtët gjakftohtësinë deri në fund. Të paktën nga pamjet filmike kështu duket. Apo jeni përleshur edhe ju, por nuk ju kemi parë?

Etrit Berisha: Normalisht për mua, ashtu dhe për çdo lojtar që ishte në atë stadium, ishim të nervozuar me ngjarjet që ndodhën aty për aty; mirëpo u mundova që të ruaj gjakftohtësinë dhe kjo është ndoshta një nga armët e një portieri. Ma thotë gjithmonë edhe trajneri që duhet të mos nervozohem dhe të ruaj gjakftohtësinë. Sepse porta është një pozicion shumë i veçantë në futboll dhe nuk duhet të humbasësh kurrë kontrollin. Në ato momente isha pak i habitur se gjithçka ndodhi sa hap e mbyll sytë. Shkova që t’i ndihmoja shokët e mi, por pashë që nga ana e lojtarëve me lojtarë nuk është se kishte ndonjë kacafytje të madhe. U mundova që të mbaja gjakrat e ftohta në mënyrë që mos kishim pasoja të mëdha.

 

Mira Kazhani: Pati pasoja të mëdha në këndvështrimin tënd?

Etrit Berisha: Po sigurisht që pati. Disa lojtarë nga ne ishin të lënduar. Pastaj mënyra sesi u sollën tifozët… ngjarja ishte rrënqethëse, mund të them, për shkak se ishim duke luajtur futboll dhe nuk ishim në ndonjë luftë aty. Për mua ishte një emocion i keq! Por të them të drejtën isha edhe pak i përgatitur për shkak edhe të mënyrës sesi u interpretua ndeshja përpara fillimit të saj. E dinim se si ishte situata mes tifozëve. Isha i bindur që edhe sikur t’ju bënim edhe një gol të vetëm atyre, të gjithë tifozët do kishin zbritur në fushë.

 

Mira Kazhani: Në 45 minuta lojë, ju në fakt e mbrojtët shumë mirë portën Etrit…

Etrit Berisha: Po mirë. Luajtëm mirë. Në fillim ndoshta kishim pak probleme, ndoshta për shkak të kundërshtarit që në letër ishte më superior. Ata kanë kualitete më të mëdha. Por ne si skuadër luajtëm më mirë. Ishim më kompaktë.

 

Mira Kazhani: Ishte shokues për ty vendimi i UEFA?

Etrit Berisha: Ishte një vendim qesharak. Një vendim që nuk do doja ta flisja tani, sepse e di që ky vendim do të ndryshojë dhe në fund do të marrim atë që meritojmë.

 

Mira Kazhani: Ku e bazon këtë besim?

Etrit Berisha: Në faktet që kemi. Isha aty, pashë gjithçka. Dhe ne që nuk bëmë asgjë të humbet ndeshja nga ana jonë, është diçka absurde. Normalisht në gjykatën e arbirtrazhit do të zgjidhet gjithçka.

 

Mira Kazhani: A jeni i kënaqur nga puna e zotit Duka? Ai po shënjestrohet jo pak…

Etrit Berisha: Unë mendoj që ai është duke bërë maksimumin. Sikurse dua një gjë të mirë për kombëtaren, edhe ai është pjesë e jona dhe normalisht mundohet të japë maksimumin.

 

Mira Kazhani: Si mund të jetë kombëtarja më e mbrojtur? Çfarë mungon në Shqipëri? Nuk ka para, investime apo ka edhe një mungesë në burime njerëzore?

Etrit Berisha: Nëse i referohemi këtij rasti, unë mund të them që Serbia si në media ashtu edhe në Kombëtare, e cila është pjesëmarrëse në kompeticione të mëdha, në atë Europian, në Botëror…. Serbia në këtë mënyrë ka një reputacion më të madh sesa Shqipëria e cila nuk ka marrë asnjëherë pjesë. Këto gjëra ndikojnë tek UEFA. Edhe pse nuk duhet të ishte kështu, por ja që fatkeqësisht ndodhemi në këtë gjendje dhe duhet të luftojmë deri në fund.

 

Mira Kazhani: Etrit, ju tani po bëheni i njohur për publikun shqiptar. Dua t’ju pyes sesi përfunduat tek porta. Gjithmonë mendoj se ata që duan futbollin, kërkojnë të jenë sulmues, mesfushorë… si përfundove në portë?

Etrit Berisha: Ka qenë një moment i veçantë kur në klubin tim në Prishtinë, aty gjithmonë isha si lojtar, dhe një ditë nuk kishte portier e madje askush nuk donte të ishte në portë. Kur pyeti trajneri, e çova dorën unë për shkak se kur luaja me shokë, bëja portierin dhe atë ditë trajneri më tha që ti nuk del më nga porta. Ka qenë një rastësi!

 

Mira Kazhani: Kur erdhi oferta e parë?

Etrit Berisha: Ishte Albert Bunjaku që në atë kohë ishte trajner në Kallmar në Suedi. Më ftuan të shkoja atje për një provë dyjavore. Pas dy javësh atje, mora kontratë që ishte për mua edhe prezantimi me futbollin europian.

 

Mira Kazhani: Si ishte hyrja në futbollin europian? Si është ai momenti kur të thonë që po, ti vlen?

Etrit Berisha: Po ishte emocionuese! Por mund të them që kam bërë shumë. Kam sakrifikuar shumë. Kur arrin diçka për të cilën ke luftu dhe ke dhënë gjithçka nga vetja derisa e arrin, është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë. Në ato momente isha mjaft i gëzuar!

 

etrit studio dita okMira Kazhani: Pas Suedisë ju vini në Lazio, ku luani aktualisht. Si duket Italia dhe italianët?

Etrit Berisha: (Qesh) Roma është një nga qytetet më të bukura në botë! Mirëpo në Suedi kam kalu një kohë jashtëzakonisht të mirë. Në Suedi jam ndje mjaft mirë por futbolli në krahasim me Italinë, nuk është në nivel të njëjtë. Kështu që kam vendosur të vij në Romë. Por ndryshimi ndodh tek sistemi dhe njerëzit, dhe këtu diferenca është shumë e madhe me Suedinë. Gjatë vitit të parë kam pasur pak problem këtu me ambjentimin. Por tani jam mirë.

 

Mira Kazhani: Ku i kishe më së shumti problemet këtu? Si ishte ajo fraza që të nervozonte: Non ti preoçupare, kështu të thonin italianët? Dhe çfarë ndodhte pastaj?

Etrit Berisha: Po, kur një italian të thotë “Non ti preoçupare” është rrezik se mundet të mos e kryejnë. Sistemi është problem. Në Suedi ishte çdo gjë e organizuar, në kohë, e sistemuar. Kurse në Itali jo dhe aq. Kjo më ka marrë aq kohë dhe energji goxha shumë, derisa jam mësu.

 

Mira Kazhani: Këtu në Itali nuk jeton vetëm. Je me një shoqe të cilën e ke njohur në Suedi.

Etrit Berisha: Po jam njoft me të në Kallmar. Tani po bashkëjetoj me të në Romë.

 

Mira Kazhani: Gocat shqiptare të mos kenë shpresë…

Etrit Berisha: (qesh) Jam mirë tash për tash!

 

Mira Kazhani: Më treguat pak më parë se ke një dietë të fortë. Psh, nëse të gjithë shokët e tu tek Lazio hanë pasta, ti jo. Ke hequr nga jeta jote miellin.

Etrit Berisha: Ka qenë një vendim i vështirë duke patur parasysh guzhinën italiane. Nuk ha prodhimet e miellit. Dhe të them të drejtën, pa miell ndihem shumë mirë fizikisht. Ndihem më i lehtësuar në organizëm dhe do të vazhdoj me këtë dietë.

 

Mira Kazhani: U reziston pastave në Itali, dhunës në Beograd. Ku e gjen këtë vetëpërmbajtje?

Etrit Berisha: Dihet, futbolli është sakrificë. Shumë njerëz mendojnë që ai është futbollist dhe sa bukur e sa gjë e lehtë. Por është një sakrificë e madhe. Privohesh nga shumë kënaqësi. Ke gjithmonë orare. Nuk je i lirë non stop. Por jemi mësuar me ketë regjim dhe disiplinë. Mua personalisht më pëlqen kur e kam jetën të organizuar. Kur kemi pushim, kuptohet që s’ka dispilinë. Por unë jam natyrë që dua ta organizoj jetën time.

 

Mira Kazhani: Çfarë të kanë këshilluar prindërit?

Etrit Berisha: Gjithçka! Ata janë për mua gjithçka. Çdo ditë që flas me ta, unë këshillohem. Kur isha në Suedi, për mua ishte krejt ndryshe nga Prishtina dhe isha vetëm. Nuk kisha as shoqen. Fillimi ishte shumë i vështirë, madje isha shumë afër kthimit në Prishtinë. Atje errësohej shpejt e ishte ftohtë. Në sezonin e dimrit atje, njerëzit në 5 pasdite nuk dilnin nga shtëpia. Për mua ishte diçka e tmerrshme. Ku erdha? Ata më ka dhënë kurajo gjithmonë. Duke marrë parasysh se çfarë rruge kisha bërë unë deri aty.

Mira Kazhani: Të kanë edukuar me ndjenjën e patriotizmit, të flamurit, të kombit. P.sh të kanë thënë që s’do e tradhëtosh kombëtaren tënde…

Etrit Berisha: Po normalisht ne e bëjmë këtë edhe në shkollë në Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë gjithçka për ne. E shohim si një gjë të madhe bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe ndoshta pas kësaj ndeshjeje, pavarësisht pasojave dhe minuseve që morëm nga UEFA, kemi fituar shumë. Kudo flitet për kombëtaren. Ne që jemi rritur në Kosovë sidomos, kemi luftu gjithmonë që ta prezantojmë Shqipërinë sa ma denjë!

 

Mira Kazhani: Por jo të gjithë futbollistët me origjinë shqiptare e mendojnë kështu. Psh, rasti Januzaj, i cili është debatuar mjaft, madje është rikthyer këto kohë sërish edhe me disa ngacmime në rrjetet sociale. Ju si e keni gjykuar zgjedhjen e tij? E njihni atë nga afër?

Etrit Berisha: Jo jo, nuk e kam takuar atë. Secili e bën zgjedhjen personale. Edhe mund ta mirëkuptoj sepse është ndryshe për ata që nuk kanë lindur në Shqipëri. Shqiptarët që lindin jashtë e kanë një ndjenjë jo sikur ne që kemi lindur aty. Ndoshta nuk e ndjejnë veten se janë pjesë e jona, si ta them, e trupit tonë. Kam takuar të tillë edhe në Suedi. Kjo gjë do të ndryshojë kur kombëtarja jonë të arrijë të kualifikohet në kampionate të mëdha.

 

Mira Kazhani: Pak më parë kur bisedonim, më the se po pret vetëm kualifikimin dhe se i ke dy fjalë me Januzajn. Pse nuk ja thua që tani?

Etrit Berisha: Ah jo. Për mua është shumë me rëndësi tani, që ata lojtarë që vijnë në kombëtare të bëjnë maksimumin. Ata që janë me dy mendje, vij e s’vij, për ne është shumë më mirë që të mos vijnë fare. Sepse tani kemi një grup të cilët e japin maksimumin, të gjithë e japin atomin e fundit në fushë për me marrë një fitore dhe për të korrë suksesin që Shqipërisë i mungon. Futbolli nuk është lojë individuale, por është lojë kolektive. Po ta shohësh kombëtaren tone, jemi shumë të lidhur mes vedi. Është një grup jashtëzakonisht i mirë.

 

Mira Kazhani: I prite të gjitha topat atë ditë në Beograd. U mërzite që golin ta bëri UEFA?

Etrit Berisha: Nuk do ta bëjë. Unë e kam një bindje të plotë që nuk do të përfundojë me kaq. E di. E kam atë bindje. Ne nuk ishim fajtorë!

 

Mira Kazhani: A ke dëshirë t’ju çosh një mesazh tifozëve shqiptarë?

Etrit Berisha: Kemi jekur shumë! Ju na përkrahni shumë. Keni qenë aty. Keni sakrifikuar shumë. Keni qenë aty në çdo lojë për të na dhënë zemër. Dhe ne po bëjmë të njëjtën gjë, që t’ju japim juve dhe vetes atë që meritojmë prej qëmoti.

Intervistën me video e gjeni KËTU

 

October 30, 2014 02:27
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*