KUSH E SHITI ‘ENIGMËN’?/ Pse dështoi pjesa shqiptare e një mega-operacioni antidroge

Gjergj Thanasi October 30, 2015 06:31

KUSH E SHITI ‘ENIGMËN’?/ Pse dështoi pjesa shqiptare e një mega-operacioni antidroge

Roja e Financës italiane në bashkëpunim me DDA (Drejtorinë Antimafia të Qarkut) e Venecias, me DCSA ( Drejtorinë Qëndrore të Shërbimit Antidrogë), me SCICO (Shërbimi Qëndror i Hetimit të Krimit të Organizuar), me Interpol Romën dhe ekuivalentin italian të NSA-së amerikane neutralizoi një organizatë kriminale shqiptare të specializuar në trafikun e heroinës afgane. Kjo organizatë ishte një zhvillim cilësor i krimit të organizua shqiptar jo aq për sasinë rreth një ton heroinë, që trafikonte çdo vit në Itali, sesa për mënyrën e organizimit, që ishte me të vërtet jashtëzakonisht profesional.

Dështimi i policisë shqiptare

Italianët me anë të Operacionit “Enigma” prangosën çdo anëtar të organizatës, që ishte në Itali. Kolegët shqiptarë çuditërisht arrestuan vetëm disa “argatë” të organizatës, por jo krerët e saj. Ky fakt është tregues i dështimit të policisë shqiptare, pavarësisht deklaratave të ndonjë oficeri italian me punë në Shqipëri, për suksese të përbashkëta. Konkretisht kolegët shqiptarë nuk arrestuan dy vëllezërit Emiljan dhe Altin Hajri, që ishin dy krerët e organizatës kriminale.

Nuk u arrestua as Fortuz Hajrin, kushëri i tyre, që ishte “shefi” i logjistikës së organizatës. Shqiptarët nuk arrestuan dot as Shahin Carën, që sipas financierëve italianë ishte personi kyç përgjejgjës për “importimin” nga Turqia të heroinës afgane. Në mënyrë figurative mund të themi se policia shqiptare arrestoi kapterrët por jo komandantin, shefin e shtabit, shefin e prapavijë-logjistikës dhe oficerin e drejtimit (rruga turke), të kësaj organizate kriminale.

Një fakt tjetër, që provon jo thjesht dështimin e policëve shqiptarë për paaftësi profesionale, por ndoshta edhe dekonspirim të operacionit është gjithashtu rezultati neto i këtij operacioni. Përveç sekuestrimit të pasurive të patundshme si vilë, kompleks turistik, pikë karburanti etj, që fundi i fundit nuk kishin këmbë për t’ia mbathur, policia shqiptare nuk kapi asgjë tjetër.

Nuk u kapën sasi të mëdha lekësh apo valutash të huaja, në asnjë nga ambjentet në posedim të kësaj organizate, ndërsa italianët i kapën euro dhe franga zvicerane organizatës kriminale në Itali. Nuk u kap asnjë armë zjarri, qoftë edhe shotgan me leje.

U kap vetëm një alamet thike për prerje mishi! Të kesh një kompleks turistik prej rreth 10 milion eurosh, të merresh me trafikim heroine me kuintalë dhe të mos mbash asnjë armë zjarri është njëlloj si të punosh te semafori e mos mbash prezervativ me vete!

Policia shqiptare nuk kapi asnjë gram drogë, jo heroinë, por as edhe një cigare hashash! Policia shqiptare, ndonëse banda ishte mjaft e sofistikuar sidomos në komunikimet ndërmjet anëtarëve, nuk kapi asnjë lap top, asnjë kompjuter, asnjë flash-drive, CD, DVD apo memorje të jashtme komjuteri, madje madje as edhe një bllok shënimesh me emrat e klientëve dhe hesapeve të drogës së shitur, parave të paguara apo, që duhet të paguheshin më vonë. Shkurt puna, çdo ambjent i kontrolluar nga policia ishte “sanitizuar” paraprakisht.

Ky fakt i pakundërshtueshëm të krijon dyshimin e arsyeshëm, që banda kriminale ishte lajmëruar të paktën disa orë para fillimit të operacionit policor. Vetëm një afat i tillë kohor do t’i mundësonte organizatës kriminale fshehjen zhdukjen e çdo sendi të paligjshëm, dhe çdo gjurme të trafikut të drogës dhe të rrjedhës së parave të nxjerra nga ky trafik.

Kompetenti – Il Consigliere

Që nga koha e piramidës së Sudes në fjalorin e gjuhës shqipe fjala kompetent mori kuptimin e njeriut që i lëviz fijet pas perdes, që këshillon e drejton keqbërësin në veprimtarinë anti-ligjore. Organizata që u neutralizua nga Operacioni “Enigma” kishte pa pikë dyshimi një njeri, që këshillonte dhe drejtonte. Ky konkluzion mbështetet në faktin e shkallës së lartë të sofistikimit të kësaj organizate, që nuk mund të arrihej nga krerët e organizatës pa përkrahje e këshillim nga jashtë. Kujtojmë se kreu i kësaj organizate kriminale dhe vëllai i tij Altin dhe Emiljan Hajri ishin të moshave 31 dhe 27 vjeç.

Përvvoja e tyre jetësore dhe drogë-trafikuese nuk ishte maksimale, përkundrazi. Shkollimi i tyre sipas burimeve italiane ishte në nivele 8-vjeçar, shkolla e mesme e ndërprerë. A mundet dy djem në moshë relativisht të re, me arsim 8-10 klasë shkollë, me një “shef” logjistike me arsim të mesëm profesional – agronomi (sipas financierëve italianë) të arrinin të ngrinin një organizatë kriminale kaq të sofistikuar?!

Organizata kriminale jashtëzakonisht profesionale

Krerët e organizatës kishin vepruar sipas manualit për të organizuar trafikun e drogës, duke zbatuar një më një rregullat bazë për të pasur një aktivitet klandestin sa të suksesshëm aq edhe të kamufluar për të mos u zbuluar.

Sipas parimit të shërbimit sekret anglez adoptuar nga shumica e shërbimeve sekrete të botës: Don’t’t put all your eggs in one basket (mos i vër të gjitha vezët në një kaçile), pra mos i rreziko të gjitha në një rast, apo lokacion të vetëm, organizata “laboratorët e përpunimit të drogës i kishte në dy vende të ndryshme në qytezën e Roverkjarës (Roverchiara) në Provincën e Varezes dhe në atë të të Morit në Provincën e Trentos.

Kishte dy baza logjistike për shpërndarjen e drogës dhe mbledhjen e parave në dy qyteza të ndryshme po në Trento. Në Padova kishin organizuar ndër të tjera kontaktet me rrjetin e blerësve me shumicë (me kile) të heroinës. Kishin baza, “magazina” shitjeje me shumicë në Breshia, Venecia etj. Po në Padova deri para nja dy vitesh banonin edhe dy vëllezërit Hajri.

Bashkë me ndarjen e rrezikut kishin zbatuar edhe parimin tipik për organizatat klandestine dhe rrjetet e spiunazhit atë të izolimit të celulave nga njera tjetra. Nëse një apo disa nga “argatët” e organizatës kriminale binte në duart e policisë edhe të donin të bashkëpunonin me policinë, do të ofronin pak informacion, pak emra, sepse krerët e organizatës nuk njiheshin nga “ushtarët” dhe këtyre të fundit informacioni u jepej me pikatore: aq sa u duhej për të kryer rolin, që u ishte caktuar (shpërndarje droge, transport parash për në Shqipëri, blerje mjetesh motorike etj). Gjithshka ishte mbështetur në parimin “need to know base” d.m.th do dish aq sa të duhet për punën, që do kryesh.

ENIGMAOrganizata karakterizohej nga një disiplinë e rreptë, gjë kjo karakterisike edhe për banda të tjera të “narkosve” shqiptarë. E veçantë ishte parimi i mosrënies në sy, i mimetizimit (maskirovka e famshme e KGB-së). Anëtarët e bandës, sidomos krerët në Itali, visheshin jo me rroba të shtrenjta marke, mbanin makina jo shumë të shtrenjta. Banonin në shtëpi normale, ndonëse bazat operative i kishin në qendër të qytetit për të mos tërhequr vëmendjen e organeve ligjzbatuese. Ata nuk bënin qejf me prostituta luksi. Nuk ishin sherrxhinj diskotekash, dhe nuk bënin shkelje të vogla të ligjit madje edhe të kodit rrugor.

Me bashkëpunëtorët dhe “klientët” e shumicës përdornin sistemin e kulaçit dhe kërbaçit, ndonëse prefronin ta përdornin “kërbaçin” vetëm në raste ekstreme. Si menaxherë të mirë e dinin se efiçenca maksimale nuk arrihet duke i trembur vartësit dhe bashkëpunëtorët, por duke i bërë bashkëpjesëtarë të suksesit (trafikut të drogës) dhe bashkëpërfitues të parave të nxjerra nga ky trafik. Në këtë kontekst evitonin nxjerrjen e fitimeve maksimale sipas parimit: tahmaja e madhe të lë pa gjë. Për krerët e organizatës siguria e moszbulimit vlente më shumë se një fitim maksimal i çastit.

Krerët e organizatës përdornin një sistem komunikimi shumë të sofistikuar për djem me 10 klasë shkollë. Ata përdornin për komunikim një kod alfanumerik. Kode të tilla me pak a shumë të njëjtën vështirësi deshifrimi, ishin në përdorim të shërbimeve sekrete lindore të nivelit të Dërzhavna Sigurnostit bullgar e poshtë dhe të shteteve kliente të tyre, deri në mesin e viteve ‘80. Për kompjuterat e asaj kohe kode të tilla ishin të vështira për t’u thyer. Si profesionistë të vërtetë, djemtë nga fshati Pjezgë i Shijakut herë pas here i ndërronin këto kode për të rritur nivelin e sigurisë dhe të mos thyerjes së kodit. Ndërrimi bëhej më shpesh sesa ABVER-i gjerman ndërronte kodet e komunikimit me U-Boot (nëndetëset e Marinës së Rajhut) gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pikërisht ky kod mbështetej në përdorimin e makinave kodifikuese të quajtura Enigma, nga e cila mori emrin edhe operacioni antidrogë i italianëve. Në këtë kontekst mund të themi se djemtë e lagjes së Çobanëve ishin më profesionistë, më zanatlinj sesa Admirali Canaris apo Dr.Gehleni nja 70 vjet më parë! Në foton ilustruese është një faqe me informacion të koduar mbështetur në një kod alfanumerik. Ky material i koduar i përket Sigurimit shqiptar dhe përmban info për kontaktet e Sigurimit shqiptar me Kamorrën napoletane për trafikimin e armëve automatike dhe antitanke.

Ajo që 30 vjet më parë ishte e vështirë edhe për kompjuterat më modernë të NSA-së amerikane, sot për fatin e keq të djemve të Lagjes së Çobanëve është lehtësisht e dekodueshme edhe për mjetet modeste të policisë shkencore italiane. Pikërisht kjo edhe “i morri në qafë” narkotrafikantët shqiptarë.

Il Consigliere

Mund të deduktojmë se këshilltari i bandës është ish polic ose oficer shërbimesh sekrete shqiptare. Ka pak të ngjarë, që dy vëllezërit të kenë blerë një homolog të ish shërbimeve sekrete lindore. Këshilltari ka njohuri të mira teorike e praktike si edhe eksperiencë në ngritjen dhe mirëfunksionimin e organizatave ilegale në këtë rast të finalizuar në trafikun e drogës. Besueshmëria e madhe te paaftësia e organeve ligjzbatuese italiane për të thyer kodin e komunikimit na lë të kuptojmë që Këshilltari i bandës ka njohuri të shumta profesionale por ato janë obsolete (të vjetëruara) ose së paku në vjetërim e sipër. Pra Këshilltari në fjalë ka vite, që nuk i ka përditësuar njohuritë e veta. Nuk mund të besohet, që dy djemtë nga fshatrat e Shijakut vetëm duke imituar filmat e Hollivudit arritën të ndërtojnë dhe të mbajnë në këmbë një organizatë kriminale kaq të sofistikuar, prandaj edhe varianti i Këshilltarit është plotësisht i besueshëm dhe real.

Dolcis in fundis

Ëmbëlsira në fund. Policia italiane për shkak të homologëve të tyre shqiptarë nuk arriti të kapin krerët e bandës, këshilltarin e saj, si edhe të kapin sasi të konsiderueshme parash të thata. Nuk arritën të kapin informacion shtesë për shkak të paaftësisë apo tradhtisë së palës shqiptare, po ashut nuk u bë asnjë hap para për të zbuluar mekanizmin, rrugët dhe mjetet sesi organizata kriminale arrinte të blinte mbi një ton heroinë në vit në Turqi. Një informacion i tillë do të kishte vlerë të veçantë madje edhe për DEA-n amerikane!

Gjergj Thanasi October 30, 2015 06:31
Komento

7 Komente

  1. Haqif Kapërtoni (dora vetë) October 30, 09:02

    Pse ky operacion funksionoi nga ana italiane dhe
    dështoi nga ana shqipëtare??? Padyahim krerët e policisë janë të përfshirë!!!!

    Reply to this comment
  2. LORA October 30, 15:23

    E kush tjeter mund te dekonspironte “Enigmen” ,pervecse mbetjeve kriminale ne rradhet e policise,te cilet orkestrohen ende nga banditet e shqup-it.
    Ka ende shume pune per pastrimin e Policise se Shtetit.

    Reply to this comment
  3. N.VJOSA October 30, 15:35

    Jo, Lora, sekretet i ka nxjerre Saimir Tahiri me Ramen….!
    Keshtu ka thene Lulushja me Brekdhjerin e Historise…!

    Reply to this comment
  4. argita October 30, 23:38

    Gazete e peshtire,ngelet duke share Tahirin,jeni bere zedhenesit e Shqupit,turp per ju,po nje gje te jeni te sigurt qe koha e tij mbaroi,bashke me kohe e psudo mashtruseve dhe genjeshtareve qe e mbajne veten per gazetare

    Reply to this comment
  5. info analitike October 31, 09:01

    “Dolcis in fundis”!!!
    nendetsja 105 mos e shperfytyro keshtu latinishten te lutem! Militantet e shkrete vazhdojne akoma me refrenin “fajin e ka Saliu” dhe refuzojne te pranojne se “rilindesit” nen mburojen e moralizmit i kane hyre trafiqeve, tenderave e grabitjeve ne menyren me te pafytyre. Nuk ka nje vendim qeveritar qe te jete marre ne interesin publik por vec ne interesin e klaneve e te miqve. Nderkohe qe i grabiten pronat pronareve te ligjshem duke ia kompensuar me nje cmim mizerabel te caktuar nga qeveria dhe duke i paguar deri ne max. 40% te prones nga ana tjeter jepen 500 ha ne Spitalle Olsi Rames. Vazhdoni me fajin e ka Berisha, Xeni, Argita e lerini te qete te vjedhin Olsin me Edin @ Co se keta vjedhin per te miren e atdheut e pastaj jane “cuna Tirone”.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*