INFORMATORI (njeriu që denoncoi i pari dhe një hetim që u dëmtua)

January 31, 2014 03:02

INFORMATORI (njeriu që denoncoi i pari dhe një hetim që u dëmtua)

Personi në foto quhet N.GJ. Ai është zanafilla e zbulimit të të gjithë grupit të killerave dhe ekzekutorëve me tritol të telekomanduar nga Vlora.N.GJ është 30 vjeç, nga Vlora, në Gusht të vitit të kaluar ai u bë për herë të parë baba. Por pak muaj më pas u desh të zhvendosej me shpejtësi nga Vlora dhe të fshihej në Durrës. Atë e kishte mbërthyer paniku, kishte prishur pazaret me Julian Sinanajn, një ‘shok’ të vetin, të cilin e njihte mirë dhe e dinte se të hiqte qafe pa u menduar gjatë. Dikur, N.GJ ishte një lloj bashkëpunëtori kyç i Sinanajt, i siguronte këtij të fundit prej vitesh mbështetjen dhe bazë, si armë, tritol, informata mbi personat që ishin shënjestruar për t’u hequr qafe. Por problemet mes tyre nisën kur N.GJ i kërkoi disa lekë borxh Sinanajt, pasi donte të blinte një automjet. Pasi e bleu, një FIAT-Punto, lekët po vononin dhe Sinanaj, i ra shkurt një ditë dhe i tha se duhej të sillte lekët e mbetura të borxhit ose do e paguante me kokë. N.GJ u tmerrua, u largua nga Vlora dhe u zhvendos në Durrës. Pasi qëndroi për disa ditë në Durrës, Sinanaj i çoi një tjetër kërcënim kësaj here me sms. Duke pasur këtë ‘sms’ në telefon,N.GJ, shkoi në Policinë e Durrësit dhe bëri denoncim. Në fillim policët  e morën lehtë. Kur N.GJ u tregonte se personi që ai po denonconte ishte një vrasës gjakftohtë dhe se jeta e tij ishte në rrezik, në fillim policët menduan se kishin të bënin me një paranojak, me një mitoman të frikësuar pa shkak. Por denoncuesi N.GJpër të bindur policët skeptikë ndaj tij, nisi të rrëfente disa histori të çuditshme…me tritol, me pagesa, me porosi, me emra personash që rezultonin të vrarë. Policët në Durrës ndoqën procedurën, njoftuan Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e vendosën Sinanajn në përgjim dhe nga përgjimet interceptuan një tjetër “sms” që Sinanaj ia dërgoi ish-bashkëpunëtorit të vetë atë ditë: ”Do të zhduk o kurvë”, – shkruhej në mesazhin që shkoi në telefonin e N.GJ. Por ky nuk ishte i vetmi mesazh që po interceptohej nga Sinanaj, ai komunikonte dhe me të tjerë persona. Analiza që iu bë komunikimeve të Sinanajt, orientoi më në fund hetimet me seriozitetin e duhur: I denoncuari Julian Sinanaj mund të ishte një vrasës gjakftohtë. Me sa duket kallëzuesi N.GJ. jo vetëm që nuk ishte paranojak, por ishte i ndërgjegjshëm sa duhej mbi pozitën e tij. Policët e Durrësit e thirrën sërish shtetasin N.Gj dhe e zbërthyen duke e mbajtur dhe në mbrojtje si dëshmitar kyç.

ngj

Parandalimi i një vrasjeje

Ndërsa N.GJ rrëfente implikimin e tij në disa vrasje së bashku me Sinanajn dhe detajonte mënyrat se si e furnizonte me armë, me tritol, me aparatura etj, hetuesit nga përgjimi telefonik që po i bëhej Sinanajt kuptuan se ky i fundit ishte shumë pranë ekzekutimit të “porosisë së radhës”. Bëhej fjalë për planin e porositur të vrasjes në Tiranë të një biznesmeni hidrokarburesh. Sinanaj po ecte në këmbë me të dashurën e vetë në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, në çantë mbante një pistoletë, ishte fare pak metra larg objektivit, agjentët ndërhynë dhe e arrestuan. Kontrolli në shtëpinë e tij në Tiranë zbuloi një bazë të vërtetë armësh dhe eksplozivësh. Sinanaj ishte në pozitë të vështirë, pasi u ballafaqua dhe me dëshmitë e dhëna nga ish-bashkëpunëtori i tij N.GJ, Sinanaj u thye dhe pranoi autorësinë e një sërë aktesh të rënda të ndodhura në Greqi si dhe zbuloi autorësinë e vrasjes së dy biznesmenëve në Vlorë në dy vitet e fundit. Ai ofroi dhe emrat e personave që e kishin porositur për këto dy vrasje. Ai i habiti hetuesit kur rrëfeu implikimin dhe dijeninë e tij dhe mbi vënien e bombave në automjetet e dy zyrtarëve shtetërorë. Në duart e hetuesve kishte rënë një “gjah i majmë”, kishin kapur “Specialistin”. 

“Specialisti” nis rrëfimin…
Vetëm për ndërtimin e bombës me telekomandë që do të shpërthente makinën e Besnik Dervishit, prefektit të Vlorës, Sinanaj ishte paguar me 20 mijë euro. Porosia për atentatin ndaj prefektit, i kishte ardhur nga Marjon Mitro, ky u arrestua pasditen e së mërkurës në aeroportin “Nënë Tereza”. Sipas Sinanajt,  konflikti mes Mitros dhe prefektit nisi kur ishte vendosur prishja e parkingut të lokalit të tij tek Uji i Ftohtë, në Vlorë. Marjon Mitros i është dashur vetëm bomba me telekomandë nga Sinanaj, pasi siç rrëfen “Specialisti” do ishte vetë Mitro ai që do e montonte poshtë automjetit të Prefektit. Për “Bombën ndaj Prefektit”, Sinanaj  thotë se nuk u pagua, pasi Marjon Mitro i kishte dhënë disa kohë më parë 20 mijë euro, për vrasjen e një tjetër “killeri vlonjat” por që Sinanaj kishte refuzuar ta kryente. Me sa duket killerat nuk vrasin dhe aq kollaj brenda llojit. Kështu që duke  bërë gati bombën  për Prefektin Dervishaj, Sinanaj në të njëjtën kohë shlyente dhe një borxh prej 20 mijë eurosh.

Më pas Sinanaj ka rrëfyer për vrasjen e biznesmenit Agron Çela një vit më parë në Vlorë, për të cilën ai thotë se është paguar 35 mijë euro. Sinanaj ka treguar se ndërmjetësit për këtë vrasje kanë qenë dy kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj, të shpallur në kërkim nga policia dhe Sinanaj nuk ka mundur të mësojë porositësin real të këtij ekzekutimi. Në gusht të vitit 2013 ai e ka pritur jashtë shtëpisë biznesmenin dhe e ka ekzekutuar me pistoletë, ndërsa Çela parkonte Mercedesin e tij. Por siç duket, kanë qenë sërish kushërinjtë Mëhillaj që e kanë porositur për një tjetër vrasje ‘Specialistin’ Sinanaj.  Sokol Veizi, një tip problematik nga Orikumi  ishte në konflikt me Mëhillajt për çështje pronësie dhe dy kushërinjtë i kanë premtuar Sinanajt ta shpërblejnë me 1 mijë e 500 metra tokë nëse ekzekutonte Veizin. Ky i fundit është vrarë me dy plumba në një lokal në Orikum në gusht të vitit të kaluar dhe më pas Julian Sinanaj është shpërblyer me një apartament në Vlorë nga dy kushërinjtë Mëhillaj pasi ‘kreu punë’ me Veizin.
Deri këtu dihet mbi rrëfimin e Sinanajt, por ai ka treguar shumë më tepër se kaq për hetuesit. Mbrëmjen e së mërkurës ai nënshkroi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe marrëveshjen për t’u shpallur bashkëpunëtor i drejtësisë dhe familja e tij kaloi në mbrojtje së bashku me familjen informatorit të parë, shtetasit  N.GJ. Edhe në këto momente ai vazhdon rrëfimin, duke u filmuar nga hetuesit, ka aq shumë për të treguar…e ka nisur zanatin që kur ishte 16 vjeç, në vitin 1997.

Hetimet u dekonspiruan…
Julian Sinanaj, “Specialisti”, ka treguar që ditën e shtunë emrat e Marjon Mitros dhe të kushërinjve Mëhillaj për hetuesit. Këta të fundit lëvizën shpejt, dhe vendosën menjëherë nën përgjim dhe vëzhgim të pandërprerë Mitron, pasi e konsideronin si një ndër personat më të rëndësishëm në skemën e organizatës së vrasësve me porosi. E njëjta gjë u tentua edhe për kushërinjtë Mëhillaj, por ata u treguan këmbëshpejtë dhe ia mbathën porsa u njoftua arrestimi i Sinanajt. Vëzhgimi i Mitros zbuloi se ai gjithashtu po përgatitej të mërkurën që të dilte nga Shqipëria, u kap në Rinas. A e ndjeu me nuhatje rrezikun Mitro apo dikush e njoftoi se “Specialisti i kishte nxjerrë emrin”? Është e vështirë të përcaktohet në këtë moment ky fakt, por mbrëmë në emisionin Opinion në TV Klan,  ministri Tahiri pranoi se ka pasur dekonspirim të aksionit. Nga ana tjetër Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar zyrtarisht dje nisjen e hetimeve brenda radhëve të policisë dhe vetë prokurorisë për dalje sekreti, ç’ka shton dyshimet se Mitro dhe Mëhillajt mund të jenë njoftuar me informacion.

Një zyrtar i rëndësishëm në organin e akuzës informoi dje DITA-n se gjatë hetimeve ka pasur probleme, madje ka përcaktuar si momentin kyç të problemeve arrestimin e Mitros. “Arrestimi i Mitros në Rinas dhe dalja e këtij informacioni ka qenë një zhvillim që i ka dëmtuar hetimet. Mitro në disa raste ka pasur rolin e ndërmjetësit dhe qëndronte mes porositësit të vrasjeve dhe ekzekutorit, Specialistit Sinanaj. Duke rrjedhur informacioni për kapjen e tij, kanë dështuar planet për të kapur personat që kanë bërë porositë që kanë paguar paratë për vrasjet tek MitroS’do mend që këta porositës, të identifikuar, tashmë ja kanë mbathur dhe i kanë shpëtuar mbikëqyrjes apo arrestimit të tyre, pasojë që nuk do të vinte në rast se nuk do të cenohej hetimi. Por publikimi i të dhënave dhe detajeve mbi këtë çështje ka sjellë dhe probleme për familjarët e personave që tashmë janë shpallur si të implikuar, ky është një tjetër problem”, – tha dje zyrtari i Prokurorisë së Përgjithshme.

Përtej këtyre problemeve që ndodhën me hetimin dhe aksionin e prokurorisë, i sigurt është fakti se tashmë në duart e organeve ligj-zbatuese shqiptare erdhi një dhuratë e çmuar: I penduari N.GJ i çoi hetuesit tek “Specialisti” Julian Sinanaj. Ky i fundit u bë i penduari i dytë i kësaj historie dhe një ndër personat kyç që çonte porositë tek Sinanaj, Marjon Mitro, është gjithashtu i arrestuar.
“Kutia e Pandorës” po mbushet çdo ditë e më shumë, “prisni, të kujtohem pak dhe për ndonjë vrasje që e kam bërë në X vit dhe që e kam harruar”, – u thotë shpesh Sinanaj hetuesve gjatë marrjes në pyetje. Sigurisht që hetuesit tregojnë durimin e duhur, e presin,  është vetëm çështje kohe, për herë të parë në Shqipëri, është duke u zbardhur zinxhiri i një numri të madh vrasjesh dhe atentatesh me tritol, është një dosje dhe hetim i paprecedentë, për të cilën aktualisht, dimë të sigurt vetëm diçka: Që ende dimë shumë pak në krahasim me atë që hetuesit kanë mësuar në 3 ditët e fundit.

 

* * *

Hetim porosive për Konomin, Çelën, grabitjet dhe shtyllën e tensionit

Grupi i organizuar kriminal i goditur nga Policia e Shtetit dy ditë më parë, hetohet edhe për serialin e krimeve të bujshme të pazbardhura ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve, apo veprave energjetike. Policia ka të dokumentuar arrestimin e Julian Sinanaj, 31 vjeç, si dhe dy porositësve dhe ndërmjetësve, ish-inspektorit të Bashkisë Vlorë, Marion Mitro dhe N. Gj. Ndërsa në kërkim janë shpallur edhe dy porositësit e tjerë të dyshuar, kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj, të gjithë nga Vlora. Por pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal dyshohet se janë edhe persona të tjerë, por hetimet vijojnë nga prokuroria. Pas deklarimit nga drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa, se ky grup dyshohet për vrasjet e Sokol Veizit në 2013 në Orikum, Agron Çelës më 2013 në Vlorë, atentatit të dështuar ndaj prefektit Besnik Dervishi më dhjetor 2013, tritolit te shtëpia e ish-deputetit Ardian Kollozi dhe dy atentate të tjera me tritol ndaj biznesmenit të ndërtimeve Ermal Brahimi, ose me emrin e ndryshuar Bashkim Brahimi në gusht-shtator të vitit të kaluar, tashmë hetimet janë përqendruar në zbulimin e atentateve të tjera të kryera në trekëndëshin Vlorë-Durrës-Tiranë.

 

Skerdilajd Konomi

Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, çështjet civile, u vra mëngjesin e 9 shtatorit 2011, në një atentat me eksploziv të telekomanduar, në bulevardin Skelë-Vlorë. Gjyqtari humbi jetën ndërsa po dërgohej në spital, kur po shkonte me makinën e tij “Benz” për në punë. Ngjarja shokoi opinionin, por edhe sot më shumë se dy vjet më pas ka mbetur pa autorë. Skema e krimit e përdorur, i përngjan atyre të grupit të fundit të goditur nga policia. Ka elementë të përbashkët që ndërthuren si në vendin ku ka ndodhur, ashtu edhe në mënyrën e ekzekutimit. Në mes të qytetit, me eksploziv të telekomanduar, një funksionar shtetëror dhe për më tepër për shkak të detyrës. Një gjyq për çështje pronash i një pale të tretë, ose pronat e vetë gjyqtarit Konomi dhe familjes së tij që pretendonte si në Vlorë, ashtu edhe në Hamallaj të Durrësit. Tashmë se ka disa të arrestuar për ngjarjen, policia po verifikon nëse gjyqtari ka pasur konflikte me porositësit e dyshuar apo nëse killeri i dyshuar është paguar për këtë krim.

 

Fredo Berberi

Përsëri një funksionar, kryekomunar i Qendrës dhe përsëri në një konflikt të dyshuar pronash. Berberi u plagos rëndë pasditen e 20 janarit, në atentatin me eksploziv të telekomanduar po në bulevardin Vlorë-Skelë dhe në mënyrë publike. Kryekomunari lëvizte me fuoristradën e tij “Benz ML”. Ishte akuzuar se kishte abuzuar në dhënien e pronave në bregdet dhe madje kishte konflikte të hapura edhe me banorët. Kjo është pista kryesore ku përqendrohen hetimet. Ndaj edhe sipas burimeve policore, ka indicio që të çojnë tek grupi kriminal i goditur si porositës dhe Julian Sinanaj si autor. Grupi hetimor vijon të marrë dëshmi dhe të mbledhë prova për të dokumentuar ngjarjen e bujshme.

 

Xhemal Çela

Grupi kishte aktivitet të theksuar kriminal edhe në qytetin e Durrësit. Në momentin e arrestimit, Julian Sinanaj përgatitej të ekzekutonte me armë në kryeqytet një biznesmen të njohur karburantesh nga qyteti i Durrësit. Ndërsa mëngjesin e 23 janarit, një shpërthim i fuqishëm eksplozivi i telekomanduar hodhi në erë autoveturën “Citroen” të ndërtuesit Xhemal Çela, teksa ky dilte nga shtëpia në zonën e plazhit, aksi Ura e Dajlanit-Plepa, afër plazhit “Iliria”. Përsëri një vend i hapur publik dhe me shumë dëshmitarë. Shënjestra ishte një biznesmen i njohur në këtë qytet prej vitesh, ndërsa humbi jetën dy ditë më pas në spital. Pista e hetimit, rivalitet në biznes dhe heqja qafe për ndërtimet në zonën bregdetare.

 

Shtylla e tensionit

Festohej ndërrimi i viteve, Viti i Ri më 31 dhjetor 2013. Dy ditë pas debatit të ashpër në parlament për buxhetin. Shpërthimi i fuqishëm në Ndërlalaj të Milotit, për pak sa nuk palosi një nga shtyllat e interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Por vetëm një nga këmbët u këput, sepse 16 kallëpe me peshë 6 kg nuk shpërthyen në këmbën tjetër. Policia gjeti të varura edhe dy kartonë ku ishin shkruar parullat “Taksat” dhe “Nafta”, pikërisht dy objektet e debatit në parlament për buxhetin. Akti u cilësua terrorist dhe politik, por prej asaj dite nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen. Policia po heton nëse grupi i Julian Sinanaj ka dorë edhe në këtë ngjarje, si dhe lidhjet e tij me të arratisurin Ilir Kupa nga burgu grek dhe aktivitetin e dyshuar të tij në Shqipëri kohët e fundit.

 

Grabitjet

Dy grabitje të bujshme me distancë prej dy javësh në aksin Tiranë-Durrës. Dy sulme prej profesionistësh të vërtetë dhe me skenar. Në banesën e Julian Sinanaj, te “Rruga e Kavajës”, u gjetën të gjitha materialet e domosdoshme për të kryer një krim me të gjitha mënyrat. Madje edhe jelek antiplumb. Pikërisht në grabitjen e 7 janarit në Durrës, katër autorët e maskuar ishin veshur si komando, me antiplumb, me armë e pajisje policie. Plagosën dy kambistë dhe u morën 100 milionë lekë sapo dolën nga banka. U arratisën drejt Milotit dhe makina u gjet në fshatin bregdetar Adriatik. Kurse më 24 dhjetor, për Krishtlindje, 4 persona të maskuar si “babagjyshë”, sulmuan qendrën tregtare TEG në Tiranë, ku në një argjendari morën mbi 300 mijë euro flori. U dyshua se mund të ishte grupi i të arratisurve nga Greqia, por ka indicio se mund të jetë përfshirë edhe Julian Sinanaj.

 

Kryepolici Artan Didi: Ka indicio edhe për ngjarjet e tjera, po hetojmë

I pyetur nga gazeta “Dita” rreth operacionit të koduar “Megaoperacioni”, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, tha se prej kohësh punohej me gjurmime dhe ndjekje të të dyshuarve, me të dhëna operative dhe bashkëpunim nga qytetarët. Kurse interesimit nëse grupi në fjalë është i përfshirë edhe në ngjarjet e tjera të bujshme të kohëve të fundit, nga vrasja me tritol të telekomanduar e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, atentati ndaj kryekomunarit Fredo Berberi, biznesmenit të ndërtimeve në Durrës, Xhemal Çela, që vdiq në spital, hedhja në erë e shtyllës së tensionit të lartë në Milot më 31 dhjetor, dy grabitjet e bujshme të kambistëve në Durrës dhe qendrës TEG në Tiranë, kreu i Policisë së Shtetit iu përgjigj se “ka indicio për të gjitha këto ngjarje dhe po hetohet për zbardhjen e plotë dhe besohet se së shpejti do të ketë rezultate konkrete”. Didi tha se ky është një grup i strukturuar kriminal, i organizuar mirë dhe hetimet do të jenë intensive për ta zbërthyer plotësisht. “Nuk mund të flasim për detaje konkrete, sepse çështja është nën hetim. Por mund të them se bashkëpunimi me qytetarët ka dhënë rezultat, ashtu sikurse puna operative në terren për zbulimin dhe goditjen e këtij grupi. Ngjarjet e tjera të ndodhura me armë apo eksploziv, qofshin edhe grabitjet, janë në proces dhe po mblidhen prova në një hetim intensiv”, tha kryepolici.

Të arrestuarit e grupit kriminal:

Julian Sinanaj, 31 vjeç, Vlorë, i dyshuar si killer me pagesë

N. Gj., 30 vjeç, Vlorë, i dyshuar si ndërmjetës

Marion Mitro, 42 vjeç, Vlorë, porositës, ish-inspektor bashkie

 

Në kërkim nga policia:

Genis Mëhillaj, 43 vjeç, Vlorë, i dyshuar si porositës

Andon (Erion) Mëhillaj, 39 vjeç, Vlorë, porositës

 

Vrasjet e dyshuara:

Vrasja e peshkatarit Sokol Veizi, më 26 gusht 2012, në Orikum

Vrasja e të riut Agron Çela, më 20 gusht 2013 në Vlorë

 

Atentatet me eksploziv:

Eksplozivi në banesën e Ardian Kollozit, më 1 qershor 2013

Eksplozivi në automjetin e prefektit Besnik Dervishi, 13 dhjetor 2013

Eksplozivi në motoçikletën e Ermal Brahimaj, 24 tetor 2013

Eksplozivi në automjetin e biznesmenit Ermal Brahimaj, 31 gusht 2013

 

Pas tritolit në makinën e biznesmenit italian, hetohen konfliktet e kromit 

Një biznesmen italian është pronari i automjetit që u shpërthye me tritol mbrëmjen e së mërkurës në “Rrugën e Kavajës”. Policia ka zbardhur dje identitetin e tij dhe dyshon se shkak janë bërë konfliktet për biznesin e kromit me disa persona të tjerë në këtë biznes. Sipas policisë, automjeti tip “Fiat Punto” i përket 35-vjeçarit Lorenco Compagno. Italiani është marrë katër orë në pyetje nga policia për të dhënë dëshminë e tij nëse ka ndonjë person të dyshuar apo konflikte të mundshme që mund të kenë sjellë si pasojë vendosjen e tritolit. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:05, në një rrugicë dytësore përballë xhamisë te “Rruga e Kavajës” në kryeqytet. Automjetit sipas hetimeve paraprake i ishte instaluar rreth 150-200 gram tritol në krahun e shoferit. Në momentin e shpërthimit fatmirësisht nuk ka pasur persona brenda tij dhe as kalimtarë pranë pasi automjeti ishte i parkuar në anë të rrugës. Dyshimet e para bien mbi dy persona të shpallur në kërkim dhe që kanë njohje me biznesmenin italian, me të cilin ishin në konflikt për tregtinë e kromit.

 

 

January 31, 2014 03:02
Komento

1 Koment

  1. Horri i Bulevardit January 31, 06:52

    Te frikesuarit kercenojne familjaret e te pandehurve, se vete kercenuesit e friksuar, jane ne dileme, se kush do tja heqe koken.
    Duke qene hallka e krimit, kercenuesit e friksuar, po bejne cdo gje ti mbyllin gojen te pandehurve, qe si duket i kane matur forcat me shtetin dhe me kete matje forcash, kane pare se kete rradhe, shteti e ka seriozisht.
    Nga kush kane frike kercenuesit e kercenuar, kush jane ata qe kane kercenuar seriozisht, kercenuesit e familjareve te te pandehurve?.
    Une e di, edhe 1 miljon shqiptaret e dine, se kujt i ka hyre frika ne palce.
    Te pandehurit po flasin, se e kane pare qe te fortet lart, i lane ne balte, biles po i kercenojne me jetet e familjareve, ata po flasin dhe duhet te flasin, se nuk e besoj qe jane budallenj si ish gardisti Llupo, qe besoi se Saliu do ta mbroje, jo kur Llupo te shohe pretencen ne gjyqin qe shume shpejt do hapet, kur te shohe se 25 vjet, jane vite, qe femija i tij do te rritet pa baba, atehere do ti bie murit me koke, por edhe ai kur te shohi se kete ka rene ne shtet, me siguri do te flase qe te mundohet ti ule denimit te tij ndonje 10 vjecar.
    Fundi i zinxhirit eshte kapur, koka e zinxhirit, do te mundohen ta kepusin ndonje hallke te zinxhirit te krimit, por me siguri ne cdo levizje ata do te lene shenja hetimi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*