UL S(H)ALA, UL !

May 31, 2013 00:02

UL S(H)ALA, UL !

Viktor Malaj

“Bëje gënjeshtrën sa më të madhe, tregoje thjeshtë, përsërite disa herë dhe do të shihni se do ua besojnë” – Adolf Hitler

Prej shumë kohësh është thënë se gënjeshtrat më të mëdha tregohen para zgjedhjeve, gjatë luftës dhe mbas gjuetisë. Lidhur me këtë të fundit, me gjuetinë, prej njëqind vjetësh, në Shqipërinë e Veriut qarkullon një gojëdhënë e tillë: Dy burra të Shalës (zonë e Dukagjinit) sapo u kthyen nga gjuetia, i thirrën në një Kuvend burrash të të gjithë zonës. Para se të niste kuvendi, dikush i pyeti nëse kishin vrarë gjë. Njëri prej tyre tha se kishin vrarë një lepur sa një gomar. Njëri nga të pranishmit, që iu duk gënjeshtra shumë e madhe, ndërhyri duke thënë: Ul Shala, ul!

Gjuetari e pa veten ngushtë dhe tha se, ndoshta lepuri s’ishte sa një gomar, por sa një dash ishte vërtetë. Atëherë, një i pranishëm tjetër që s’i duronte gënjeshtrat, ia përsëriti kërkesën e parë, duke i thënë: Ul Shala, ul! Po mirë,- tha gjuetari,- ma lini të paktën sa një qengj. Jo, jo,- thirri një kuvendar tjetër,- jo sa një qengj, por sa një lepur. Po, mirë pra, po e lë sa thoni ju,- pranoi gjuetari. Ishte radha të fliste i pari i kuvendit. Dhe ai i tha gjahtarit: Vetëm tani mund të rrish në kuvend me burrat!

Më kujtohet kjo histori sa herë ndjek fushatën elektorale në Shqipëri dhe pyes veten se si është e mundur që disa burra analfabetë, para një shekulli, e pranuan dikë në kuvend vetëm pasi tha të vërtetën, ndërsa ne e mbajmë “gjuetarin” tonë në krye të vendit prej kaq kohësh dhe, jo vetëm s’e detyrojmë të na thotë të vërtetën, por ia duartrokasim gënjeshtrat e përditshme, të përvitshme dhe të pafundme me shumë entuziazëm.

Të gjithë politikanët premtojnë më shumë se ç’mund të bëjnë, por Sali Berisha jo vetëm premton gënjeshtra, por gënjen për çdo gjë, gënjen gjithkund, gënjen edhe pa nevojë. Gënjeshtrat e tij janë jo vetëm të mëdha dhe jo vetëm për të ardhmen (që sot për sot nuk mund të verifikohen) por janë edhe për të shkuarën e afërt, lehtësisht të verifikueshme, moralisht të papranueshme dhe politikisht të dënueshme.

Vini re diskursin e tij politik dhe të disa ndihmësve të tij pa dinjitet: “Kemi ndërtue dhjetë mijë kilometra rrugë… kemi ndërtue 1300 shkolla, 400 spitale….kemi…kemi..”.

Të kesh ndërtuar dhjetë mijë kilometra rrugë do të thotë t’i biesh Shqipërisë (me rrugë) cep më cep, mbi tridhjetë herë. Të kesh ndërtuar 1300 shkolla do të thotë se ke ndërtuar një shkollë të re në çdo dy fshatra të Shqipërisë, ose mbi njëqind shkolla në çdo qark. Të kesh ndërtuar 400 spitale do të thotë se ke ndërtuar afro 35 spitale në çdo qark, apo mbi dhjetë spitale në çdo rreth.

Sikur gënjeshtrat e Sali Berishës të ishin realitete, atëherë në rrethin tim nuk do të kishte ndodhur që për 22 vjet të ndërtoheshin vetëm katër shkolla dhe asnjë spital. Sikur Sali Berisha të mos gënjente, nuk do të kishte ndodhur që fëmijët e fshatrave të Kukësit të shkonin në shkollat fillore të Kosovës dhe disa fëmijë të Konispolit të shkonin në shkollat e mesme të Greqisë, me mikrobusët e Greqisë. Nuk do të kishte ndodhur që një turiste e huaj të humbte jetën në Dukagjin për mungesë spitali dhe mjeku (që dikur kanë qenë funksionale). Kur na gënjen kaq shumë dhe kaq shpesh për të shkuarën, që mund të verifikohet, na i ka dhënë të gjitha mundësitë të marrim me mend se sa të mëdha janë gënjeshtrat e tij për të ardhmen.

Sikur Sali Berisha të mos gënjente për këto dhe për shumë të tjera, punët e Shqipërisë do të ishin ndryshe. Gënjeshtrat e tij për të shkuarën janë po aq të mëdha sa ato për të ardhmen, sa gënjeshtra e heqjes së vizave për të vajtur në Amerikë. Por, tashmë, faji nuk është i tij pse na gënjen. Faji është i yni pse na pëlqejnë gënjeshtrat, pse i duartrokasim gënjeshtrat dhe pse ndjekim nga pas gënjeshtarin.

Në mënyrë që Shqipëria të bëjë përpara (pa gënjeshtra) dhe që shqiptarët të jenë më dinjitozë në sjelljet e tyre dhe në marrëdhëniet e tyre me botën, ka ardhur koha (për të mos thënë se ka kaluar) që t’i thuhet Sali Berishës, në kor: UL SALA, UL!

****

MOS IA HIQNI BERISHËS SHANSIN PËR TË IKUR!

Sokrat Habilaj

Edhe duke qenë krejt asnjë asnjanës, edhe duke qenë ithtar apo kundërshtar i tij, nëse për një moment do të duhej të gjykoje me logjikë krejtësisht të ftohtë, gjëja më e pamundur do të ishte që të thoshe një arsye vërtet bindëse për të justifikuar qëndrimin e mëtejshëm të Berishës në pushtet. Përkundrazi. Nuk mundet të gjendet asnjë kundërshtar apo i përkëdheluri i tij, familjar apo tej gardhit të tij që të mos e pranojë në heshtje apo me zë se Berisha duhet të iki! Duhet të iki për fajet dhe pafajësitë e tij, për arritjet dhe mëkatet e tij, për arsye politike dhe njerëzore. Thjesht duhet të iki.

Së pari, ai duhet të iki që të ketë mundësi t’i hedhë një sy raportit të sikletshëm që ka me veten e tij. Berisha në muzgun e jetës, duhet t’i krijojë vetes shansin që i zhveshur nga parzmorja e pushtetit, t’i hedh një sy njerëzor portretit të tij në vite. Ashtu tragjikisht i ndarë siç është mes dy sistemeve, me portretin e jetës së tij para, ai duhet të kërkojë ca përgjigje nga ai portret: Çfarë ishe ti, komunist apo demokrat, sekretar i partisë komuniste apo kryetar i Partisë Demokratike, i përkëdheluri i regjimit që iku apo frymëzuesi i sistemit të ri, pjesë e ingranazheve të djeshme apo çmontues i tyre. Ai duhet ta bëjë këtë patjetër. Nëse në këtë botë mund të jesh edhe i dyzuar, në botën tjetër nuk mund të ikësh kështu. Nuk mund të ikësh pa i lënë pas dyzimet dhe maskat. Por që të mundësohet kjo ai duhet të jetë, qoftë edhe për pak kohë, jashtë pushtetit.

Së dyti, ai duhet të iki edhe që të ketë kohën e mjaftueshme për të gjykuar mbi raportet e vështira që krijoi me shqiptarët. Tej gjykimit që kanë dhënë të tjerët, Berisha duhet t’i mundësojë vetes qasjen e një gjykimi individual ndaj atyre që kanë ndodhur nën hyqmin e tij. Ai duhet ta pyesë veten nëse qeverisja e parë ishte apo jo një turravrap i shëmtuar drejt modelit të kohës që lamë pas. Duhet të pyesë veten nëse mundej ose jo të shmangej viti 1997 dhe bashkë me të edhe jetët e ikura, përdhosja e shtetit dhe ulja e dinjitetit tonë deri në nivelin e baltës. Duhet ta pyesë veten nëse në mandatin e dytë dhe të tretë, i përmirësoi gabimet e mandatit të parë, apo thjesht u bë më praktik, duke ia parë më shumë hairin pushtetit. Duhet të pyesë veten pse kur flitet për Zogun, thuajse harrohet fare qeverisja e tij dhe përmendet vetëm akti i tij me Shën Naumin. Mos ndoshta ndodh edhe me të e njëjta gjë dhe pas njëqind vitesh njerëzit nuk do kujtojnë asgjë nga Berisha, veç Shën Detit?

Duhet t’i lejojë vetes mundësinë të pyesë, çfarë ndodhi që u qëllua në 21 Janar nga ato dritare nga ku nuk ishte qëlluar as në kohën e Zogut, as nën pushtimin italian e gjerman, as në kohën e Enverit. Ndoshta ai vazhdon të mendojë se ju prek nderi i kullës, por kur të jetë njeri pa pushtet do ta kuptojë se ajo kullë nuk është e tij.

Së treti, ai duhet të iki që të lirojë nga servilizmi shpifës shumë njerëz dhe me këtë veprim t’ua mundësojë rikthimin e një lloj dinjiteti njerëzor. Berisha duhet t’ua mundësojë lirinë edhe lloj-lloj gazetarëve dhe analistëve që duke shkelur mbi profesionin fisnik të medias, masturbojnë me veten sa herë përmendin emrin e tij. Ose së paku ai duhet të sqarojë veten se në këtë katund ku jetojmë, si ka mundësi që ai të adhurohet prej tyre kaq shumë, ndërkohë që jo rrallë herë ndodh që ata të shkelmojnë edhe atë që u ka bërë kokën, kur e shohin se thjesht nga mosha, a për arsye të tjera, nuk u nevojitet më. Me intuitën e tij, por edhe për shkak të moshës, ai duhet të kuptojë se këta servilë të lindur, edhe atë që u ka bërë kokën e mbajnë në krye të qoshes, për sa kohë ai ka para, ndërsa po të jetë duar thatë, a thjesht një pensionit i rëndomtë, e fshehin tutje në aneks, apo edhe më keq. Kjo duhet të shtyjë në mendime Berishën, gjë e cila nuk mund të ndodh për sa kohë ai ende ka…pushtet.

Së katërti, ai duhet të iki që të tregojë se edhe ai, nuk është gjë tjetër veçse një nëpunës, i cili u thirr në një kohë të caktuar. Ky termi “nëpunës” natyrisht nuk është shumë i gjetur, mund të gjendej edhe një term tjetër, por ai kurrsesi nuk është një prijës shpirtëror, ikja e të cilit të bëhet kaq e vështirë. Edhe Papa iku dhe bota nuk u ndalë. Edhe të gjithë drejtuesit e Lindjes kanë ikur dhe jeta ka vazhduar.

Ka edhe shembuj të mos-ikjes në vende aspak demokratike, por ne mendojmë se ata shembuj i kemi lënë pas dhe i përkasin një bote nga e cila kemi një përvojë të keqe. Ai duhet të iki edhe për motive thjesht shqiptare. Duhet të bëjë këtë për të na hequr nga memoria imazhin e një prijësi që nuk ikën, sepse ne kemi kujtime të këqija nga një imazh i tillë. Madje një kujtim të tillë e kemi si makth.

Së pesti, ai duhet të iki që t’i mundësojë vetes luksin që në kohën e mbetur, të zbresë tek njerëzorja e tij. Njeriu në pleqëri, ka dëshirën e pashmangshme që të vrapojë drejt fëmijërisë së vet, drejt rinisë së vet, por Berisha nuk mundet. Nuk mundet sepse i ka këmbët të lidhura nga pushteti dhe që të mos e privojë veten nga kjo e drejtë, ai duhet të iki.

Së gjashti, ai duhet të iki sepse më në fund e ka zgjidhur edhe problemin e pasardhësit të tij, duke e lënë partinë në duar të sigurta. Po të hidhni një vështrim nga PD-ja, gjendja nuk është aq shqetësuese sa mund të mendohet. Ndërsa brenda partisë së tij ka grindje e prapaskena, ndërsa herë forcohet njëri krah e herë tjetri, Berisha e gjeti zgjidhjen, duke e bërë fakt të kryer udhëheqësin e ardhshëm. Duket se ky udhëheqës është as më shumë dhe as më pak, por Kastriot Islami, i cili ka avantazhin e madh sepse vjen nga ato shtigje ku ka shkelur ai. Është një zgjidhje aspak origjinale, por krejtësisht e sprovuar, nëse do të besonim gojët e liga që thonë se kështu u shfaq edhe vet Berisha.

Pas këtyre arsyeve, a duhet të biem ende në kurthin idiot, të iki ose jo, Berisha!? Të gjithë ne robtë e gjallë, kemi nevojë për ca çaste vetëgjykimi, a vetëvlerësimi, para se “të thyejmë qafën” për në botën tjetër!

 

***

Përgjigje mesazhit të Sali Berishës si “bashkëfajtor”

 Ti do ikësh nga kjo jetë duke marrë atë që meriton

Nga Mero Baze

 

Më ka ardhur disa herë mesazhi elektoral i Sali Berishës, dërguar përmes kompanive celulare, dhe kjo më bind se ai nuk ka bërë një listë të selektuar të mbështetësve të tij, por ia ka dërguar gjithkujt. Edhe pse niveli i mesazhit ishte shumë mediokër dhe i përciptë, kishte dy fjali që meritonin një përgjigje. Është fjalia e parë dhe fjalia e fundit. Mesazhi fillon me fjalinë: “Së bashku arritëm shumë…” dhe mbaron me fjalinë… “Mirëpres sugjerimet tuaja për këtë mandat”. Dhe meqë këtë mesazh e ka publik për të gjithë, dua të mos ndaj me të disa nga arritjet e tij dhe të jap për këtë sugjerimin tim.

 

Së pari zoti Berisha, gjatë këtyre tetë viteve nuk keni vjedhur bashkë me gjithë shqiptarët, por vetëm me Familjen tuaj, me djalin, vajzën, gruan, mbesat e saj, nipërit dhe deri kushërinjtë e shtatë. Keni qeverisur së bashku si një pushtet tribal, i pacipë, i pamoralshëm, i pangopur, i pafytyrë, i pamëshirshëm dhe i pashpresë për shqiptarët. Nuk e keni bërë këtë bashkë me shqiptarët, që u drejtohesh në mesazhin tënd, por me tribunë tënde, me atë që riktheve Shqipërinë nën çatinë e një regjimi kleptokrat dhe antiligjor, ku vritet për të vjedhur dhe vidhet për të riqëndruar në pushtet. Shqiptarët nuk ta kanë borxh t’i ribësh bashkëfajtorë në këtë histori.

 

Nuk e ke bërë bashkë me ta Gërdecin. E ka bërë yt bir, baxhanaku yt, shoku i ngushtë i djalit, vartësi yt, Fatmir Mediu, dhe ta kanë mbrojtur ushtarët e tu në gjykata, ata që kanë shitur gjakun e vëllezërve dhe familjarëve që vdiqën me idenë se ëndrra e Dhjetorit 1990 do të triumfonte në këtë vend. Mos i bë shqiptarët bashkëfajtorë në këtë krim.

 

Nuk e ke bërë bashkë me shqiptarët shitjen e Shqipërisë për 1 euro tek klientët e Familjes tënde. Nuk kanë shitur shqiptarët kompani fiktive nga 1.7 milionë euro, për të pastruar paratë e korrupsionit, por e ka bërë studioja e vajzës tënde për Fazlliçin, i cili ia ka dalë të pushtojë bregdetin e Adriatikut, si serbo- boshnjaku i parë që prek ëndrrën sllave për të dalë në Adriatik përmes Familjes suaj.

 

Nuk i kanë kërkuar shqiptarët ndonjë biznesmeni pakistanez 3 milionë euro për firmën e babait, por ja ka kërkuar vajza jote, mos i bëj shqiptarët ortakë në këtë kusari. Nuk paguhen shqiptarët 17 mijë dollarë në muaj fiktivisht si pedagogë dhe ekspertë, por paguhet jot bijë dhe dhëndëri yt, pasi biznesmenët në hall të Shqipërisë nuk dinë si t’ia faturojnë lekët në mënyrë që t’u duken të pastra.

 

Nuk ka ndodhur që shqiptarët të organizojnë mbrëmje bamirësie duke u vënë gjoba biznesmenëve në hall dhe të mos i bëjnë kurrë transparente paret që mbledhin, por e ka bërë jot shoqe. Mos i bëj shqiptarët bashkëfajtorë në këtë krim, se ata ndajnë me njëri- tjetrin kafshatat, ndërsa jot shoqe bën biznes me varfërinë dhe fatkeqësinë e tyre.

 

Nuk ke persekutuar biznesmenë dhe gazetarë bashkë me shqiptarët. Arritja jote më e madhe është se ke mundur të falimentosh dhe të nxjerrësh nga tregu biznesmenë normalë vetëm se ata nuk ishin klientë të Familjes tënde. I gjobite, u more bizneset, i nxore nga tregu dhe ua dhe ato biznese njerëzve të Familjes tënde, të cilët duke qenë të paaftë dhe zullumqarë, sot e kanë shndërruar Shqipërinë në një piramidë të madhe ekonomike dhe financiare. Se biznesi ka rregullat e veta dhe nuk ka për Kushtetutë çantën e zezë të yt biri, që shëtit si fantazmë gjobash nga një zyrë në tjetrën.

 

Nuk ma kanë djegur makinën shqiptarët, por shoferi i gruas dhe djalit tënd, truproja i Familjes tënde, nuk ma kanë prishur biznesin shqiptarët, por ti personalisht, nuk më kanë gjobitur shqiptarët, por një ushtar i Ridvan Bodes dhe Gim Shehut, të cilët nuk kanë për të shpëtuar dhe sikur të bëhen nesër truproja të Edi Ramës. Mos i fajëso shqiptarët për këto palaçollëqe që ke bërë se nuk i ke bërë bashkë me ta.

 

Nuk ke vrarë bashkë me shqiptarët më 21 janar. I mbyllur pas xhamit të blinduar me një frikacak të paburrë, si Lulëzim Basha, keni urdhëruar me qetësi vrasjen e Aleks Nikës, Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës dhe keni plagosur 36 vetë. Nuk e ke bërë bashkë me shqiptarët këtë masakër. E ke bërë vetë, e ke bërë si një vrasës gjakftohtë dhe do ta paguash. Nuk të shpëton dot as Edi Rama, as Ilir Meta, as Adriatik Llalla, as Zaganjori dhe as ndonjë avokat i yti, këtu apo në Uashington e Bruksel. Ke punë me ata që ke vrarë dhe që kanë qenë përballë teje, jo me ata që të vijnë pas për ndonjë kockë. Do ta paguash ti nëse këtu vendoset shteti ligjor, ose pasardhësit e tu dhe pushteti yt tribal nëse e lë Shqipërinë të degradojë në shtet tribal. Nuk e ke bërë bashkë me shqiptarët këtë krim.

 

Nuk na kanë shpallur shqiptarët puçistë më 21 janar, mua dhe kolegët të mi, Presidentin e Republikës, kryetarin e SHISH, Prokuroren e Përgjithshme dhe këdo që pa dhe provoi krimin tënd. Na ke shpallur ti si një i paburrë dhe frikacak që doje të laje gjakun nga duart e tua. Nuk kemi për të ta falur.

 

Nuk i kanë manipuluar shqiptarët provat e 21 Janarit, nuk kanë prishur ata gjilpërën e pistoletës vrasëse të komandantit të Gardës, nuk kanë ndërruar ata tytën e armës, nuk kanë fshirë ata serverin e kamerave, nuk kanë mbajtur ata peng policët e plagosur që të mos i dorëzoheshin drejtësisë. E ke bërë ti si një kriminel gjakftohtë për të mbuluar krimin që bëre. Mos i bëj shqiptarët bashkëfajtorë.

 

Nuk i kanë manipuluar shqiptarët gjykatat, nuk i kanë shpallur ata të pafajshëm vrasësit e 21 Janarit, e kanë bërë dy ushtarë të Familjes tënde në gjykata, të cilët do të ndëshkohen njësoj si ti. Mos ua lë shqiptarëve këtë përgjegjësi.

 

Nuk kanë vjedhur shqiptarët vota dhe nuk kanë ndryshuar ata rezultatin pasi është shpallur fituese një palë. Ata votuan opozitën në Tiranë, por ti nga makthi për të pastruar historinë e një vrasësi në detyrë si Lulëzim Basha, preke zgjedhjet dhe votat e qytetarëve. E bëre vetë, me duart e tua, me ushtarët e tu, me bindjen tënde se mund të bësh çfarë të duash me këtë popull. Është e vërtetë se e ke mposhtur shpirtin e protestës në këtë vend dhe e ke vrarë atë duke i imponuar një opozitë marifetxhinjsh, por nuk ke mundur të bindësh dot asnjë shqiptar që nuk ke vrarë dhe ke vjedhur për të mbajtur pushtetin. Urrejtja për gjithë çfarë ke bërë po fle e patrazuar në zemrat e shqiptarëve. Atë nuk e zbut dot as autobusi mavi i Edi Ramës dhe as rotacioni pa entuziazëm i pushtetit. Ti do ikësh nga kjo jetë duke marrë atë që meriton.

 

Dhe meqë kërkon një sugjerim për këtë mandat, po ta jap: Lëre Shqipërinë të ecë në rrugën dhe fatin e saj, dhe jepi shanse vetes që të gjykohesh nga ligji dhe vota e shqiptarëve. Kjo do ta bëjë më të lehtë fundin dhe më të sigurt të ardhmen e pasardhësve të tu. Ndryshe ke për ta lënë fatin tënd në dorën e zemërimit dhe urrejtjes së paarsyeshme, dhe fatin e pasardhësve të tu në mëshirë të tribalizmit që mund të kthehet në institucion në këtë vend, falë pushtetit tënd të ndyrë familjar që instalove. Merre si këshillë dashamirëse, se pas 23 qershorit mund të kesh nevojë dhe për dikë për të pirë kafe. Ata që ke rrotull s’ke për t’i parë më as si ushtarë dhe as si servila. Janë nisur për tek oborri i ri i pushtetit, siç i ke mësuar, të lehin atje ku hanë dhe të hanë pas shpine atë që i ka ushqyer, pasi bie nga kali. Jepi vetes një fund me aq dinjitet sa ke mundësi t’i japësh, pasi kurrë nuk është vonë të kuptosh se je njeri i vdekshëm dhe pas teje nuk është mirë të mbetet gjithmonë qameti.

May 31, 2013 00:02
Komento

1 Koment

  1. sali berisha May 31, 20:08

    jo sjam une punoku vertet jams shtremberu dh e me asht rrit hunda po une sgejjej genjej bukur

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*