SHËNIM: Kur mbyllen sytë dhe hapet goja

Bedri Islami October 31, 2015 06:25

SHËNIM: Kur mbyllen sytë dhe hapet goja

Dy vëllezër nga Shijaku, drejtues të një rrjeti të gjërë narkotikësh, e po ashtu me një shtrirje të gjerë, që nga Afganistani e deri në veriun e Italisë, pasi morën të gjithë atë që mund të merrnin, tashmë nuk dihet se ku janë. Arben Frroku, po ashtu një njeri i dënuar për krimin e vrasjes, dikur mik i afërt i bosëve të Policisë së Shtetit, po ashtu është larguar pa e ditur kush adresën e tij. Dy ndihmësit e narkotrafikantëve, po ashtu janë të larguar në drejtim të paditur. Një biznesmen në Fier, i dënuar me vite të gjata burgimi në Itali, pasi shëtiste i lirë dhe zotëronte mijra metra katrorë tokë, tani është nën survejim. Një deputet i shumicës, ende i burgosur, pret gjykimin e tij në një shtet tjetër, në Belgjikë. Dhjetra deputetë të opozitës, ndonëse të harruar nga pushteti, janë aktualisht drejtues dhe zotërues të pasurive të mëdha financiare. Kushdo e di se si janë bërë punët, megjithatë pak gjë lëviz nga vendi.

Menjëherë pas këtyre ngjarjeve kanë ndodhur bllokime pasurish, urdhëra të prokurorive për ndalime etj etj.

Dy gjëra të bëjnë përshtypje në të gjithë këtë lëvizje marramendëse, ku janë të përziera me njëra-tjetrën, si në një lëmsh të madh, politika, krimi, financa, dhuna, arroganca dhe pushteti.

Do të ishte naivitet i pa masë sikur të pranohej se pas gjithë këtyre të “fshehtave” të njohura qëndrojnë gjithnjë strukturat e Policisë së Shtetit, si një kompleks i së keqes. Do të ishte naive të mendohej, po ashtu, se këta banditë të politikës dhe të financës, e më pas të krimit, janë pa lidhje brenda për brenda strukturave të drejtësisë dhe të hetimit.

Unë bëj pjesë në njerëzit që i respektojnë strukturat e Policisë së Shtetit, megjithëse, për fat, nuk kam pasur kurrë të bëj me to. As në të shkuarën e largët e as në të tashmen. E di po ashtu se ata qindra mijra fidanë dhe bimë të rritura marihuane, në të gjithë hartën shqiptare, të cilat po shkulen nga policët, kërkojnë jo vetëm mund, por edhe guxim; kërkojnë më shumë se punën e zakonshme të heqjes së të keqes. Ndaj, u heq kapelen. Ashtu si ka edhe eprorë të lartë, të cilët, nuk i kanë hyrë kësaj pune për të bërë pasuri, por sepse aty e kanë gjetur veten. Dhe, duhet pranuar se, mes tyre, ka dhjetra e qindra djem të edukuar, të formuar, që bëjnë pjesë në atë që mund të quhet sakrificë për shtetin.

Duke lënë mënjanë respektin për Policinë e Shtetit, ajo që të bën përshtypje janë dy gjëra të rëndësishme:

E para, goja që rri hapur, kur duhet mbyllur.

Nuk është e rastësishme që Arben Frroku, pak çaste para dhënies së dënimit me burgim të përjetshëm, merr rrugën dhe kalon kufirin, si çdo qytetar i zakonshëm. Në të gjithë botën, nga njëra fazë e gjykimit në tjetrën, kur ende asgjë nuk është mbyllur, ka një verdikt për mos largimin nga vendi. Por “enigma” qëndron në të dhënën që ia kanë përcjellur atij se dënimi do të jetë drastik. Në këtë rast ata që kanë hapur gojën mund të jenë vetëm ata që e dinin dënimin që do të jepej. Nuk e dinte dhe nuk kishte se si ta dinte një polic i zakonshëm, aq më pak një polic në pikën e kalimit të kufirit.

Dy vëllezërit nga Shijaku dhe dy ndihmësit e tyre, po ashtu, janë larguar duke pastruar gjithçka. Të duket se po kontrollohet një shenjtëri, pasi gjithçka është e pastër. Pas shpinës së tyre dikush e ka hapur gojën. Nuk është rreth i gjerë i atyre që e kanë ditur se arrestimi do të bëhej në një ditë të caktuar. Ka qenë rreth i paktë, dhe ky rreth i paktë, nuk është më punë vetëm e Shërbimit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por edhe i prokurorisë.

Pra, ky është problemi ynë i madh në drejtësinë shqiptare: Gojët e hapura, përmes së cilave mbështetet krimi. Dhe mbështetet duke iu kundërvënë shtetit, përmes detyrës që të ka dhënë shteti.

Problemi i dytë: Menjëherë pas ngjarjeve që sollëm më sipër, janë vënë në lëvizje elementët e tjerë të drejtësisë, duke vënë sekuestro mbi pasuritë e të dyshuarve.

E kam thënë edhe herë të tjera: A duhet pritur kaq gjatë?

Dy vëllezërit shijakas, për shembull, nuk kishin asnjë adresë pune, asnjë të dhënë financiare se si kishin arritur të bënin gjithë atë pasuri, me resurse fantastike, pasuri përrallash. Ishte diçka që dukej gjithë ditën e ditës se në të gjithë këtë pasuri kishte diçka të mistershme, që shteti e ka për detyrë ta zbulojë. Por zakonisht shteti i bie pas një kuponi tatimor kafeje në lokale lagjesh.

E njëjta gjë me pasurinë e Mark Frrokut. Do të duhej të ndodhte riaktivizimi i ngjarjes në Belgjikë që shteti të vihej në lëvizje për të bërë pyetjen, dhe e bën në fund, kur duhej bërë që ditën e parë, “si e vuri pasurinë Mark Frroku”?

Ndodh gjithnjë kështu: Pasi kemi një ngjarje, atëherë vihet në lëvizje pyetja se si dhe nga se e bëri pasurinë.

Por pasuria, sidomos ajo e patundshmja, është një gjë që nuk fshihet. Sepse ndërtesa luksoze e vëllezërve shijakas nuk futet në thes. Se pasuria e “biznesmenit” fierak, dënuar me vite të gjata burgimi, nuk ishte një “dhjetëshe” që futej në xhep, por mijra katrorë tokë.

Sa pasuri të tilla ka drejtësia jonë, sidomos strukturat tona financiare, para syve?

Me qindra.

Askush nuk e di se si e kanë vënë pasurinë njerëzit e politikës sonë. Askush nuk i di burimet e vilave luksoze, makinave super të shtrenjta, jetës marramendëse, depozitave në parajsat fiskale dhe, mjerisht, askush nuk pyet për këtë.

Nëse në rastin e parë të dekonspirimit, është goja që hapet, në rastin e dytë, janë sytë që mbyllen.

Të dyja janë krime kundër shtetit dhe përtallje me varfërinë njerëzore. Të dyja bëjnë antiligjin dhe, përmes tij, antishtetin. Gojët që hapen dhe sytë që mbyllen i kushtojnë shtetit një minimum prej 4 miliardë eurosh në vit.

Ky përcaktim i njërit nga studimet e specializuara për çështjen shqiptare, e bën të dhimbshme.

Kjo përcakton qartë se xhepat e të varfërve po grisen nga mospasja, ndërsa xhepat e të pasurve po fryhen nga zullumi. Vetëm një e katërta e shpërfaqjes së këtij krimi në dobi të vendit, është shumë më e madhe se ajo që kemi pritur nga çdo lloj reformimi.

Nuk mund të luftohet korrupsioni nëse strukturat financiare e shohin pasurimin e paligjshëm si një çështje vetëm të drejtësisë.

Nuk mund të luftohet krimi ekonomik nëse drejtësia i lan duart prej tij, si një çështje e financave.

Shteti i së drejtës, ai shtet që është premtuar tash e 25 vite, po largohet gjithnjë e më shumë prej nesh, po bëhet një ëndërr e frikshme, dhe, edhe kur fillon e bëhet diçka e arritshme, e kuptojmë se e gjitha kishte qenë një flluskë, përmes së cilës mund të shohim vetëm përkohësisht ngjyrat, e më pas, zezimin. Është e kotë pyetja: Deri kur?

Sepse edhe pritja ka një cak, ashtu si besimi ka një kufi.

Mos qoftë e thënë të shkelet caku dhe të shembet kufiri i besimit.

Bedri Islami October 31, 2015 06:25
Komento

8 Komente

  1. aqifi October 31, 14:22

    Me pelqeu shkrimi i sotem sepse tregonte qarte qe ne kete vend e ha me i dobeti.

    Reply to this comment
  2. aqo October 31, 14:24

    Kesaj i thone:ku ishe,asgjekundi;cfare pe? Hic asgje.

    Reply to this comment
  3. hajdari October 31, 14:25

    Cdo dite e me teper
    Po forcohet bindja
    Se te tatepjeten
    Ka marre Rilindja

    Nje milione votave
    Shum shpejt ja bene gropen
    Por fiaskon e madhe
    E paten me drogen

    I rane Lazaratit
    E nisen me buje
    Me tutje s’ben dot
    As veren ne uje

    Lepurushin e Rames
    Tahirin minister
    Baronet e droges
    E kane nen kapister

    Makine e ministrit
    Shperndan kokaine
    Rekord boteror
    E q.. Kolumbine

    Tahirit pa frike
    Sot i drejton gishtin
    Se k’tyre Shijaksve
    I ka ruajtur bishtin

    Kur kap nje viktime
    Me nje rrenj ne oborr
    Nuk kap dot nje bande
    Qe shet nje vapor

    Rilindjes per dreq
    I jan hapur palet
    Ndaj njerzit po thone
    I marrte muti shalet

    Reply to this comment
  4. N.VJOSA October 31, 14:27

    O @hajdar, po me embel o Hajdar, me embel…
    Se e grive fare Rilindjen me keto vjershat e tua…
    O Hajdar, me fjale eshte e lehte lufta kunder Droges, por Realiteti eshte pak ndryshe , o derman…
    Hashashi, ashtu sic eshte perhapur ne Shqiperi, nuk ka Tahir e nuk ka Polici ti beje derman, por sidoqoft trafikantet duhet të dine se kur i zbulon, do perballen me ligjin…Po degjoja sot nje lajm, se edhe ne Austri ka raste te veçanta, por shteti vepron, por kurrsesi nuk mund te krahasohet me Shqiperine…
    Prandaj o Hajdar, duhet ta shohim realitetin ashtu sic eshte dhe policia shqiptare te beje aq sa mund te beje, sepse neper kembe ka akoma kriminele qe orkestrohen nga banditet e Shqupit…
    A me kuptooooooon, o @Hajdar?!…

    Reply to this comment
  5. hajdari October 31, 14:28

    Ku ta gjej te emblen
    Per ket qeveri
    Cdo dite qe kalon
    Zi edhe me zi

    Tenderat dhe droga
    Edhe koncesionet
    Keta paskan ditur
    Gjithe makinacionet

    Ne fillim s’u duken
    Djemka fort te hedhur
    Per dy vjet u bene
    Mjeshtra per te vjedhur

    Sa fituan zgjedhjet
    Dhe kaluan klasen
    Popullit te parit
    Thelle ne bire ja rrasen

    Ne zgjedhjet e tjera
    S’do kene sy e faqe
    Nuk kalon dy here
    Miu ne mustaqe

    Reply to this comment
  6. arben October 31, 14:29

    AH MORE, PO PESHKU QELBET NGA KOKA.

    Reply to this comment
  7. Demi October 31, 18:52

    I modh HAJDARI

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*