4 Korriku dhe një fishekzjarr për Ambasadorin Lu

July 3, 2016 19:14

4 Korriku dhe një fishekzjarr për Ambasadorin Lu

 

Nga Rafael Floqi*

 

Sot, kur po mbushen 240 vjet nga Pavarësia e SHBA-së , dua të uroj më fort 4 Korrikun, ditën kur Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë, e cila shënon lindjen e këtij vendi 240 vjet më parë. Ishte 4 Korriku i 1776, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike.

Ndaj kur të jeni duke parë fishekzjarrët të shpërthejnë në ajër më 4 Korrik, ju mund të filloni të ndiheni disi më patriotë si amerikanë dhe si shqiptarë duke vlerësuar lirinë, pavarësinëdhe drejtësinë për të gjithë. Amerika ka bërë një rrugë të gjatë për të arritur të bëhet ky vend i madh, ndoshta  në asnjë mënyrë krejt i përsosur por në përmirësim.Dhe ky 4 Korrik, mes fishekzjarrëve na le të kuptojmë se demokracia është një udhëtim drejt lirisë pa kthim.

Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve është njëri ndër dokumentet, ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë, që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetesën dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti, i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Në këtë datë të shënuar historike e politike për mbarë njerëzimin, e sidomos, për shqiptarët e veçanërisht për ne shqiptaro-amerikanët Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një nga ngjarjet e cila përjetohet me ndjenja të veçanta vlerësimi dhe mirënjohjeje nga populli shqiptar i Shqipërisë, Kosovës dhe i kudondodhur në trojet e veta dhe në diasporë.

Të kalojmë tani në Shqipëria. Në këtë kohë krize politike, ka një përpjekje për të kanalizuar debatin rreth kundërshtarëve të reformës dhe mbështetësve të saj, duke i etiketuar, disa si “proamerikanë” dhe disa si“antiamerikanë”. Në fakt në tërësi ky klasifikim është spekulativ dhe shumë larg së vërtetës. Thelbi i debatit nuk është se kundërshtarët e reformës janë kundër SHBA e BE, meqë Brukseli dhe Uashingtoni mbështesin reformën në Shqipëri.Thelbi i krizës është se, a duhet të jenë ndërkombëtarët, apo partitë politike shqiptare, përzgjedhëse të gjyqtarëve dhe prokurorëve? Ç’na mëson 4 Korriku për këtë?

Shpallja a pavarësisë së SHBA-ve, shënon lindjen e modelit shtetëror të bazuar në vlerat universale të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, mbreti ose pushteti, dhe si të tilla ato mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas dëshirës e qejfit të qeverisë, ose mbretit, pasi, sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi.

Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara hodhi e poshtë këtë besim ose nocion, njëherë e mirë, duke shpallur se të drejtat, personit dhe popullit nuk i jepen nga qeveria, por nga vetë Krijuesi.Përveç rëndësisë historike, vetë fjalët e shprehura në Deklaratën e Pavarësisë kanë një domethënie të madhe.

Fjalët e 33-vjeçarit, Thomas Jefferson, se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, dhe gëzojnë nga Krijuesi disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat ato të jetës, lirisë dhe përpjekjeve për lumturi,” të botuara nga Kongresi Kontinental më 4 Korrik 1776, janë vetëm një shembull i frazave kuptimplote të Deklaratës së Pavarësisë.

Ky dokument nuk ishte as deklaratë lufte, dhe as deklaratë e pavarësisë amerikane nga sundimi britanik: “Shtetet e Bashkuara kishin vepruar si një vend i pavarur edhe para Pavarësisë. Prej më se 1 viti vazhdonte lufta kundër sundimit britanik. Por më 4 Korrik 1776 u bë një deklaratë zyrtare se nuk do të kishte kthim prapa”.

Që nga ai moment amerikanët e kanë marrë shumë seriozisht lirinë. Megjithatë, amerikanët nuk e shohin origjinën e tyre si komb të lidhur me fitoren ushtarake. Në vitin 1776, kur u shpall Pavarësia, duheshin ende 6 vjet para se Britania të pranonte disfatën.“Në atë kohë John Adams, një prej baballarëve të kombit amerikan, pat thënë se aspekti ushtarak nuk ka rëndësi, dhe se revolucioni i vërtetë ishte ndryshimi që ndodhi në zemrat dhe mendjet e amerikanëve para vitit 1775”.

Megjithë rëndësinë simbolike që kishte 4 Korriku për amerikanët, Kongresi nuk e shpalli atë si festë kombëtare deri në vitin 1870. Ndërkohë, kjo datë ishte shndërruar në një simbol të lirisë në një mënyrë të paparashikuar më parë.

Një simbol lirie kaq aktual tani për gjendjen në Shqipëri tani. Ambasadori amerikan, DonaldLu, i cili ka qenë shumë aktiv në inkurajimin e PD-PS për t’i dhënë fund odisesë me reformën në drejtësi, ka lëshuar disa ditë më parë (kur i ka ardhur në majë të hundës) një deklaratë, ku pohon se hartuesit e këtij drafti po përballen me presione politike. Diplomati amerikan apelon që ndryshimet kushtetuese të zbatohen me përpikmëri, ndërsa politika të punojë ditë e natë për të miratuar sa më shpejt reformën në drejtësi.

Deklarata e tij erdhi gjatë një konkursi për historinë amerikane.“Në Shqipëri po ndodhin ndryshime të rëndësishme, tha ai. Kohët e fundit pata një bisedë me një mik timin shqiptar. Ai është një prej atyre që punojnë për reformën në drejtësi, duke shkruar ndryshimet kushtetuese, të cilat shpresojmë se do të ndryshojnë vendin.. Shpresoj që do të ndihmosh të shkruhet historia e njerëzve të zotë që sakrifikuan çdo ditë, për muaj dhe vite për reformën, për të ndryshuar këtë vend. Ashtu si Hamilton-i në SHBA edhe ata po punojnë nën presionin e kolegëve të tyre dhe politikanëve të fuqishëm për të shkruar Kushtetutën e këtij vendi, e cila do të zgjasë për shekuj”.

Ambasadori Lu i bëri thirrje politikës të punojë për ta përfunduar  këtë reformë. “Shqipëria po kalon faza shumë të mira. Prandaj i bëj thirrje politikës të punohet ditë e natë për reformën gjyqësore. Reforma gjyqësore duhet të zbatohet që të ketë rezultate”, apeloi ai.

Por pse 4 Korriku është aktual për shqiptarët? Si shqiptaro amerikan kur mësoj nga lajmet se ambasada amerikane, ka shtypur një projekt- kushtetutë të Shqipërisëdhe ua ka shpërndarë deputetëve, ndjehem i dyzuar midis dashurisë për vendin tim të vogël dhe vendin tim të madh. Nga njëra anë më vjen rëndë, se si luhet me fjalët sovranitet e ç’ kuptim u japim. Dhe me kujtohet fjala e një pedagogu amerikan te gazetarisë, kur me thoshte se sa relativ është ky koncept, (ishte koha e ndërhyrjes amerikane në Grenada ). Gjyko vetë, më thoshte, cili është sovraniteti i Grenadës, po ai i Rusisë?

Nuk do ta doja kurrë vendin tim, një ”republikë bananesh” dhe as asnjë ambasador për guvernator. Megjithatë është e vërtetë që në Kushtetutë të Shqipërisë, do sanksionohet dorëzimi i një pjese të sovranitetit të vendit nga politikanët shqiptarë tek institucionet perëndimore. Nuk është një gjë e këndshme, por është një nevojë për të shkuar drejt një drejtësie më të pavarur, pasi aty kemi mbërritur.

Por duke lënë jashtë dyzimit tim pikërisht ne këtë 4 Korrik e kuptoj pse bëhet kjo ndërhyrje në pamje të parë e pa takt, e kuptoj se pa një sistem të pavarur drejtësie nuk ka shtet të mirëfilltë, se shteti ka rënë. E kuptoj se kjo ndërhyrje është një “toughlove”e një vëllai të madh, për një vëlla komb të vogël, që si fëmija ka nevojë për dorën e dikuj që të mësojë të eci. Atëherë kuptoj më mirë. Më mirë sesa një palo, apo palaço-parlament, pse bëhet kjo ndërhyrje jo aq diplomatike.

Dhe 4 Korriku më bën ta kuptoj më mirë atë. Ta kuptoj edhe përgjigjen e asaj pyetjes latine për gjyqtarët dhe drejtësinë , “Quisipsocustodiem?”(Kush do t’i kontrollojë gardianët?)

E kuptoj dhe ambasadorin Lu,  pse përmend Hamiltonin, e kuptoj pse ai u drejtohet të rinjve shqiptarë, e kuptoj pse ai është i zhgënjyer nga levantizmi i politikës sonë. E kuptoj atë që edhe ai e ka kuptuar, se fjala besë ka lindur aty ku nuk ka besë. E kuptoj më mirë dhe pesimizmin e Konicës që thoshte se “Shqipërinë e bënë idealistët, shpëtoi nga rastësia dhe po e varrosin politikanët”.

Dhe besoj se edhe pa e ditur thënien e këtij shqiptaro-amerikani të madh Ambasadori Lu, kuptoj gjë që dhe politika amerikane e ka kuptuar, ndaj e toleroj dhe i jam mirënjohës, në emër të gjithë shqiptarëve, që nuk po e lë Shqipërinë të bjerë në atë që s’ia thoshte dot goja Konicës, në vetë- shkatërrim, në “self-distruction”.

Ndaj kur u kthehem fjalëve të amerikanit të madh, Aleksandër Hamilton,e kuptoj më mirë rëndësinë e 4 Korrikut, i kuptoj më mirë dhe fjalët e një prej etërve të vendit tim të madh, kur në letrat “Letrat e Federalistit, në faqen78, shkruan,“…pavarësia e gjyqtarëve mund të jetë garanci thelbësore ndaj pasojave të depresioneve të rastësishme të shoqërisë, jo vetëm në rastin e shkeljeve të Kushtetutës.

Nganjëherë këto shkelje nuk janë më shumë sesa cenime të së drejtave private të kategorive të veçanta të shtetasve për shkak të ligjeve të padrejta dhe të njëanshme. … Çdo njeri i matur duhet të çmojë gjithçka që synon të krijojë ose të forcojë këtë frymë në gjykatat, pasi askush nuk mund të jetë i sigurt se nesër nuk do të jetë viktimë e frymës së padrejtësisë, paçka se sot ai mund të nxjerrë ndonjë përfitim prej saj. Çdo njeri duhet ta ndjejë tani se prirja e pashmangshme e kësaj fryme [të padrejtësisë] është gërryerja e themeleve të besimit publik dhe privat dhe zëvendësimi i tij me mosbesimin dhe pasigurinë e përgjithshme.” Duken si fjalë të shkuara për Shqipërinë sot, vërtet, apo jo?.

Ndaj nuk më duhen, as mua, as Shqipërisë pavarësisht prirjeve politike, as fjalët e sheqerosura në hipokrizi triumfatoree elokuente, rilindase të Ramës, as kapja pas qimes së kashtës dhe paranoja e Bashës, as manovrat tinzare “me sovranitet” prej skileje plakë të Berishës, e as fjalët plot miradije dhe me torba bosh të Metës. Shqiptarëve u duhet super-njeriu që kërkoi më kot Migjeni, i duhet ai që lind nga një ideal pozitiv, për një kohë të re , që s’qenka aq e re, na duhet ajo, çka amerikanet po na e mësojnë. Ajo që ata e dinë prej 240 vjetësh, se liria individuale sigurohet, kur “Populli vihet përpara Shtetit”.

Në frazën ndoshta më të famshme të nxjerrë nga teksti i Shpalljes së Pavarësisë Amerikane, mete cilën fillojnë dhe pyetjet e provimit të nënshtetësisë amerikane, thuhet se, “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe mundësia për të ndjekur suksesindhe lumturinë”.

Mesazhi kryesor i kësaj dite si për amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës është se këto mund të jenë fjalët më me rëndësi në historinë e njerëzimit – “se Perëndia dhe natyra, dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti – jo vetëm amerikanëve por të gjithë njerëzve kudo, u ka falur të drejta themelore dhe të pamohueshme. Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore dhe në ushtrimin e tyre në mbështetje të qytetarëve”.

Sot 4 Korriku për shqiptaro-amerikanët është si një Ditë Falënderimesh, e cila shijohet më së miri pa bujë, por duke medituar për Shqipërinë, për Dheun e Atit, për Dheun e Nënës pikërisht para 21 Korrikut.

Sot është koha, siç thoshte Napolon Bonaparti kur “Asgjë nuk është më e vështirë dhe prandaj më e vlefshme, sesa aftësia për të vendosur.” Prandaj le ta lëshojmë një fishekzjarr në këtë 4 Korrik sot,edhe për mikun Lu,-se, duke theksuar se liria vjen nga drejtësia. Dhe Gëzuar!

 

*Autori është kryeredaktor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës

July 3, 2016 19:14
Komento

5 Komente

  1. MBAJE VETEN FLOQ ?! July 3, 22:38

    zoti Floqi e lexova me interes kete artikull por u zhgenjva

    Edhe ne kohen Partise Punes i kisha shume bezdi furcet sidomos kur je brenda keshtjelles.

    Nuk eshte ndonje merite e juaja ti beni ditirambe Amerikes kaq shume ne nje kohe qe Shqiperia eshte shume me keq se ne kohen e Enver Hoxhes.

    Nuk eshte sekret te thuhet qe ne Shqiperi pas 1992 vendi me shume drejtohet nga ambasadoret qe e kthyen kete vend ne Republike ambasdoriale.

    Dihet gjithashtu se ambasdoret amerikane kane qene me te fuqishmit se ato te vendeve te tjera pra kane dhe ato pergjesine tyre ne kete katastrofe kombetare.

    Pra me nje fjale le ta gezojme Festen e 4 Korrikut por kjo do ishte “full” nqs se dhe shqiperia te ishte te pakten me mire se ne kohen e enver hoxhes.

    …………….

    Ajo qe beni gabim ju te “kulles fildishte ” eshte se bei barazimin midis krimeve te berishes dhe gabimeve te Rames qe bie ndesh me frymen e 4 korrikut.

    Shprehja juaj qe e keni perifrazuar:

    “se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta”

    ju pyes : Ku e gjeni ju te drejten zoteri te barazoni kriminelin berishe me kundravajtesin edi rama??

    Gezuar festen i nderuar Floq amerike,shqiptare dhe shqiptaro-amerikane por ju lutem mos kaloni ne ekstaze ne nje kohe qe Amerika eshte ne ditet me te mira dhe aleatja e saj e vogel eshte ne dite te zeze

    Reply to this comment
  2. Guri July 4, 06:32

    Nje shkrim brilant dhe mjaft domethenes. Keto qe thuhen ketu duhet te kuptojme dhe te perqafojme ne, por sidomos deputetet tane, dhe problemi i Reformes ne Drejtesi lehtesohet dhe zgjidhet ne menyre te pa diskutueshme. Pervoja e mikut tone te madh, Amerikes, eshte jetike per ne, madje me shume se “sovraniteti” i pretenduar, me te cilin po abuzohet kohet e fundit, pikerisht nga ata qe e kane bere lecke sovranitetin e Shqiperise edhe perpara Fazlliçeve. E pergezoj artikullshkruesin edhe per gjuhen shqipe, te cilen e ka ruajtur lavderueshem. Le te jete shembull per gjithe shqiptaret, jo vetem per ata te diaspores, por veçanerisht per snobet tane te gazetarise dhe te politikes.

    Reply to this comment
  3. A.GRAMSH July 4, 10:05

    ÇOBANI I VIÇI DOLLIT dhe KAUBOJSAT AMERIKAN
    (Studjuar sipas teorise se ‘LLO LLO LLO-se)
    ——————–
    Ç’eshte teorija e LLO LLO LLO-se?
    ”Nje fshatar provincial ish ne borxh te madh qe smund ta oaguante kurre aqe me teper ne afat.Huadhenesi e hodhi ne gjyq dhe rrezikonte sekuestrimin e ‘kulles’ dhe femijeve bashke.Disa ‘miq’ i rekomanduan si te vetemen rruge shpetimi nje ‘Avokat’ te huaj qe ish me emer ne Bote! E takoi ‘avokatin’ dhe dy kushtet ishin:-Gjate gjithe seancave gjyqesore kur te pyetej ‘fshatari’ do perdorte vetem ne vend te pergjigjes LLO LLO LLO! dhe kushti i dyte po qe se gjyqi fitohej shuma e madhe do ndahej me dysh.

    Gjyqin e fitoi ‘fshatari’ dhe si dem shperblim mori nje shume te madhe me ‘arsyen’ se ish vene ne ‘loje’ personaliteti i nje njeriu me te ‘meta mendore’!

    Sa dolen jashte ‘Avokati’ i kerkoi sipas kontrates gjysmen e shumes,ndersa SALIU ju pergjegj me te njejten gjuhe qe e kish mesuar ‘avokati’:LLO LLO LLO !

    Pas 25 vjetesh Berisha qe e ka luajtur ‘rrolin’ ne perfeksion Gabon vetem ne nje gje me ‘avokatin’ e tij:Avokati ka pasur kliente edhe ‘miq’ edhe BIN LA DEN,edhe Sadamin edhe Gedafin qe kishin derdhur MILIARDA ne kurriz te popujve (ashtu si tek ne qe perjetojme mjerimin e pasurija perfondon jashte nga fullanerija) per te pasur ‘imunitet’ ne perjetesi por kur ju pergjegjen ‘avokatit’:LLO LLO LLO -SHKUAN NE LITAR! Kaubojsat edhe kur nuk kane me asnje interes nuk e pranojne kurre ‘humbjen dhe pas lene toke te djegur’!

    p.s-Sa i takon hartimit te mesuesit Floqi me ambasadore ne nje vend pa shtet te krijojne pershtypjen e predikuesve te ‘TESTIMONI DI GEOA’ ose pordhe me rigon e demoKroaci ne AmeriQi!!

    Reply to this comment
  4. SH.KOLONJA July 4, 11:43

    E VETEMJA VLERE e ‘pa dukeshme’ e shkrimit eshte:Niveli i shkolles arsimit e inteligjences shqipetare te para viteve ’90 pjese e se ciles eshte edhe autori qe per fatin e keq si shume te tjere ‘BIKESHKALE’ ‘Nuk ua nxe goja ta thon’!

    Reply to this comment
  5. Fatherland July 4, 12:21

    USA ne kohen e Hoxhes si burimi i gjithe keqiave te botes, si armik popujsh e rreziku madhor per Shqiperine!
    USA ne kohen post-komuniste si burimi i drejtesise mbi bote, si shpetimtar popujsh dhe udherrefyes per Shqiperine!
    Dy qendrime aq te kunderta por me nje objekt, USA!
    Komunizmi neper zyrat e shtetit, flamurin shqiptar perbri flamurit jugosllav, pastaj sovjetik me pas kinez pa e lene kurre vetem!
    Post-komunizmi neper zyrat e shtetit, kravatat e politikes, tavolinat ku ka flamur shqiptar, ka patjeter dhe ate amerikan. Si per huq qe flamuri shqiptar mos mbetet tek por te ciftohet patjeter…
    Sikur te jete ndryshe se boll ky realitet qesharak anti-pro USA!
    Ti uroje festen e 4 korrikut USA presidenti, kryeministri, ne ambasaden amerikane ne Tirane por pa ushtrine e bythqireve servile gazetar, opinioniste nga pas!
    Te kemi mardhenie miqesore normale!
    Pa e bere USA as gogol e as oksigjenin e jetes Shqiperise!
    Ta provojme nje here e do fitojme dicka qe kurre nuk e kemi patur te amerikanet ndaj nesh, respektin per nje popull mik e jo talljen per nje politike ose armike ose servile njelloj qesharake ne te dy variantet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*