4 operacione në 12 orët e fundit: Kapet drogë, goditet banda e vjedhjes së makinave në Tiranë

November 1, 2017 11:37

4 operacione në 12 orët e fundit: Kapet drogë, goditet banda e vjedhjes së makinave në Tiranë

 

Në 12 orët e fundit në Tiranë, Përmet e Dibër, Policia e Shtetit ka kryer 4 operacione për goditjen e trafikut të narkotikëve dhe një grupi me aktivitet të fortë kriminal në fushën e vjedhjes së automjeteve.

Gjatë deklaratës për media, drejtori për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, Josif Shtrëmbari bëri me dije se në  Tapizë është bërë kontrolli e më pas arrestimi i Astrit Vocës, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë.

Nga kontrolli i ushtruar iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 .1 kg kanabis sativa. Droga ishte e presuar në katër pako. Vocës iu gjet edhe një kartë identiteti e falsifikuar.

Nga hetimet e kryera u identifikuan dhe arrestuan bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Ata janë:

– Burim. B, 34 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë;

– Shukri. S, 23 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë.

Këta dy shtetas kishin marrë me qera një automjet të markës Volkswagen, me targa të Kosovës dhe po ndiqnin shtetasin Astrit Voca, për t’i krijuar siguri gjatë kohës që do udhëtonte me autobus për në Kosovë.

Gjithashtu forcat policore të Tiranës arrestuan në flagrancë shtetasin Erald Beta, 30 vjeç. Nga kontrolli fizik iu gjet dhe sekuestrua 2.8 gramë lëndë e dyshuar Kokainë. Në banesë iu gjet edhe një armë zjarri pistoletë, Zaztava.

Në Përmet, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë policore nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Veis Pipa, në fshatin Panarit, u gjet një qese me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa. Në afërsi të banesës, në vendin e quajtur “Përroi i Gropëzit” u gjetën të hedhura në një ambient të hapur 4 thasë plastmasi, me ngjyrë të zezë brenda të cilëve kishte cannabis.

Pesha totale e lëndës rezultoi 30 kg.

Specialistët e Hetimit të Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin Veis Pipa, 33 vjeç.

Goditet banda e vjedhjes së makinave

Në Tiranë dhe në Dibër, gjatë operacionit të koduar “Kamionçina”, u godit një grup me veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së automjeteve.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, si rezultat i një pune  policore disa mujore zbuluan dhe dokumentuan me prova ligjore veprimtarinë e grupit kriminal që vidhnin automjete dhe më pas i çmontonin për pjesë këmbimi.

Mjetet vidheshin në Tiranë dhe më pas dërgonin në një servis në fshatin Blliçe Peshkopi. Në bashkëpunim me Policinë e Dibrës u arrestuan 4  persona dhe u shpall në kërkim 1 tjetër.

Ata janë:

– Ferit Dauti, 44 vjeç, banues në Blliçe Dibër (i dënuar më parë);

– Mehmet Dauti, 20 vjeç, banues në Blliçe Dibër;

– Ervis Dauti 19 vjeç, banues në Blliçe Dibër;

– Hasan Elezaj, 49 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë ) si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. Gj., 48 vjeç, banues në Tiranë

Në servisin e shtetasit Ferit Dauti, në fshatin Blliçe të Peshkopisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mjete dhe pjesë të disa makinave të tjera. Në sajë të punës hetimore të mirëorganizuar u dokumentua me prova ligjore se këta shtetas janë autor, të:

– Ngjarjes të ndodhur në 3 mars 2017, ku gjatë natës në rrugën “Sitki Çiço” kanë vjedhur mjetin tip “Benz”;

– Ngjarjes të ndodhur në 13 gusht 2017, ku në rrugën “Arkitekt Sinani”, është vjedhur mjetin tip “Benz”;

– Ngjarjes të ndodhur 7 shtator 2017, ku në rrugën “Selman Riza“, është vjedhur mjeti furgon tip “Benz”;

– Ngjarjes të ndodhur në 23 tetor 2016, ku në rrugën “Myslym Keta”, kanë vjedhur mjetin furgon tip “Benz”;

– Ngjarjes të ndodhur në 23 tetor 2017, ku kanë vjedhur automjetin tip kamionçinë ‘Mercedes Benz’.

Policia e Shtetit vijon punën për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë, e në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë falas në numrat 112 dhe 129, kur konstatojnë paligjshmëri, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

November 1, 2017 11:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*