Refugjatët, Meta: Shqipëria do kontribuojë brenda kapaciteteve

May 23, 2016 11:14

Refugjatët, Meta: Shqipëria do kontribuojë brenda kapaciteteve

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i pranishëm në Konferencën e Kryeparlamentarëve të Bashkimit Europian që po mbahet në Luksemburg, gjatë një ndërhyrjeje në sesionin e parë të saj, foli për krizën e refugjatëve dhe për kontributin që po jep Shqipëria.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se kriza e refugjatëve ka nevojë për një strategji të mirëkoordinuar evropiane dhe     se qytetarët evropianë duhet të kenë besim te BE e të qëndrojnë larg alternativave nacionaliste e ksenofobiste.

“Shqipëria do të kontribuojë brenda kapaciteteve të saj dhe sipas nevojës së partnerëve tanë evropianë. Jemi     në kontakt të vazhdueshëm me fqinjët tanë Italinë dhe Greqinë. Kriza e refugjatëve ka nevojë për një strategji të mirëkoordinuar evropiane. Moskoordinimi i lë vend pasigurisë dhe rrjeteve të trafikut dhe terrorizmit. Qytetarët evropianë duhet të kenë besim te BE dhe të qëndrojnë larg alternativave nacionaliste e ksenofobiste. Kriza e refugjatëve kërkon zgjidhje konkrete, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme”, deklaroi ndër të tjera Ilir Meta

Duke u ndalur tek përvoja shqiptare, kur mëse një milion refugjatë të zhvendosur dhe viktima të luftës nga Kosova vërshuan në Shqipëri, na siguron, theksoi Meta, se dhe me mundësi modeste mund të menaxhohen flukset     e papritura migratore.

Nga ana jonë, theksoi ai, janë marrë një sërë masash, përfshi një plan kontingjence dhe një ‘Njësi e Emergjencave Civile” me funksione raportuese. Shqipëria ka forcuar gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme bashkëpunimin e saj të ngushtë me autoritetet italiane për parandalimin dhe menaxhimin e flukseve migratore, të finalizuar me një Memorandum Mirëkuptimi.
Sa i takon bashkëpunimit me Greqinë ai është gjithashtu i çmuar dhe i vazhdueshëm, theksoi kryeparlamentari, pasi ata janë prekur shumë nga kjo krizë, dhe mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në kufinjtë tanë.

Duke iu referuar takimit në Tiranë me Komisionerin e BE-së për Migracionin, Dimitris Avramopoulos, Meta tha se ndamë mendimin e përbashkët se për zgjidhjen e krizës   së migracionit nevojitet një qasje europiane plotësisht e koordinuar dhe një reagim i mirë-integruar.
“Nëse BE ia lë flukset migratore një sërë vendeve individuale, kjo do të krijojë kushtet e nevojshme për pasoja të mundshme destabilizimi dhe do të nxisë rrjetet e trafikut që lulëzojnë në mjedise të pasigurta. Pasiguria,   paqëndrueshmëria dhe mospajtimi në qasjen tonë krijojnë çorientim për migrantët dhe pasiguri për shoqëritë tona”, theksoi kreu i Kuvendit.

Si përfaqësues të parlamenteve, nënvizoi ai, ne duhet t’u ushtrojmë presion qeverive tona që të jenë më konkrete   në lidhje me masat e përbashkëta që ndërmarrim, të tilla si forcimi i kapaciteteve tona të shqyrtimit të imtësishëm, ekzaminimit dhe regjistrimit, ndërkohë që duhet të rrisim në mënyrë drastike   bashkëpunimin tonë, sa i takon     strukturave të inteligjencës dhe sigurisë. Kjo do të thotë se nevojitet një koordinim akoma më i fortë     për parandalimin dhe zbulimin e kontrabandistëve, trafikantëve   dhe elementëve keqdashës me një rrezik të mundshëm terrorist, nënvizoi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, në konferencen e kryeparlamentarëve të BE-së, ku merrte pjesë edhe Presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker.

May 23, 2016 11:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*