5 nëntor 1975, pushkatimi i gjeneralëve Balluku, Dume e Çako

Kujtim Boriçi November 5, 2012 11:17

5 nëntor 1975, pushkatimi i gjeneralëve Balluku, Dume e Çako

Arkiva:Drejtuesit kryesorë të ushtrisë u arrestuan si pjesëtarë të ‘Grupit puçist e antiparti’ në ushtri

Anëtarët e Presidiumit rrëzojnë kërkesën e tre gjeneralëve që kërkuan tu falet jeta.

 

Si sot 37 vite më parë, përkatësisht më 05.11.1975, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë refuzoi kërkesën për falje për tre Gjeneralët e dënuar me vdekje, dhe firmosën pushkatimin e Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos. Para Haxhi Lleshit dhe anëtarëve të tjerë të Presidiumit, Aranit Çela, Prokuror i Përgjithshëm, ka argumentuar fajësinë e tre Gjeneralëve dhe argumentet për dënimin me vdekje të tyre. Në fund, të gjithë firmosën dënimin me pushkatim, duke mos i marr në konsideratë kërkesat me shkrim të Ballukut, Dumes e Çakos që kërkonin faljen e jetës. Nga arkivat shtetërore, përkatësisht nga  “Fondi i Sigurimit të Shtetit për veprimtarinë e grupit të Beqir Ballukut, viti 1973-1974”, e ‘Arkiva e Presidiumit të Kuvendit Popullor”, po japim materialin në vazhdim debatet në Presidiumin e Kuvendit Popullor në mbledhjen e 5 nëntorit 1975 dhe vendimin për dënimin me vdekje të tre Gjeneralëve, drejtuesve kryesorë të ushtrisë shqiptare.

AKUZAT E SIGURIMIT

Në fillim, Presidiumi mori në shqyrtim kërkesën e Beqir Ballukut e dy kolegëve të tjerë për falje duke vazhduar me informacionin zyrtar(përgatitur nga Sigurimi i Shtetit) e vendimin e gjykatës. Referuar dokumenteve sekrete, në informacion, mes të tjerave thuhet:“… Përveç krimeve kundërrevolucionare, antiparti e antishtetërore, duke shfrytëzuar postet e larta që kishin në parti, pushtet e ushtri, të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako kanë rënë edhe në batakun e krimeve ordinere, si kusarë dhe shpërdorues nga më të përçmuarit. Kështu, duke filluar për një kohë të gjatë vetë dhe të shoqëruar nga familjet dhe rrethi i tyre miqësor, kanë ngrënë në shtëpitë e pushimit të oficerëve në Durrës, Pogradec e Tiranë ushqime pa paguar asnjë lekë nga xhepi i tyre. Këta qelepirxhinj, here pas here gjatë vizitave për qejfe jo vetëm që kanë konsumuar ushqime pa pagesë, por sikur këtë kishin çiflig të tyre merrnin edhe me vete produkte të ndryshme ushqimore. Në mënyrë të veçantë, secili prej tyre ka kryer edhe këto vjedhje në dëm të pasurisë socialiste”.

PËR BEQIR BALLUKUN

Në material, ndër akuzat që renditen për Beqir Ballukun janë:“I pandehuri Beqir Balluku: Ka përvetësuar 30.895.80 në degën ekonomike; 1.497 lekë në shtëpinë e pushimit në Pogradec; 1.281. 10 lekë në SHQUP dhe sektori i kulturës 3.898.40 tekë në klubin sportiv “Partizani” dhe 14.143.60 lekë në shtëpinë e pushimit Durrës. Gjithsej ky hajdut ka përvetësuar vetëm në dëm të pasurisë socialiste 51.715.90 lekë. Po kështu, dëmet që i kanë ardhur ekonomisë në ushtri nga kryerja e veprimeve dhe dhënia e urdhrave të kundër ligjshme nga ana e tij arrijnë shumën 235.789 lekë. Kështu, në kundërshtim me dispozitat ligjore, ai ka urdhëruar që të bëhej trajtimi i futbollistëve të rinj gjatë vitit 1971-1972, duke u shpenzuar pa të drejtë nga arka e shtetit shuma prej 16.355 lekë; ka ndryshuar punimet ndërtimin e palestrës të sport klubit “Partizani”, duke u bërë në kundërshtim me preventivin, shpenzime të tepërta në shumën 20.117 lekë. Po kështu, për të kënaqur tekat e tyre, ka urdhëruar që të ndërtohen dv banja me avull të tipit “Sauna”, që kanë kushtuar 199.337 lekë. Krahas shumë veprimeve të tjera, i pandehuri Beqir Balluku, i zhytur në llumin e degjenerimit politik morale material, ka arritur deri atje sa të merret edhe me veprime të ulëta matrapazllëku, duke këmbyer rripat e mesit, çantat ushtarake, këpucët e çizmet ushtarake në civile që i ka marrë nga dega ekonomike. Ky armik e vjedhës ka arritur deri atje sa të marrë pa pagesë e në kundërshtim me çdo rregull, orendi të ndryshme shtëpiake dhe të kërkojë të marrë për vete e suitën e tij produkte ushqimore nga ekonomitë ndihmëse të ushtrisë e në kooperativat bujqësore kur shkonte, të vrasë lopë e qe, gjoja të egra të kooperativës bujqësore Divjakë të Lushnjes për t’i ngrënë në familje dhe t’i shesë shtëpisë qendrore të ushtrisë popullore prodhimet e bahçes së tij. Akoma më të poshtra, skandaloze dhe të turpshme janë veprimet imorale që ka kryer ky armik, nga ku del qartë degjenerimi i plotë i këtij përbindëshi.

PËR PETRIT DUMEN

Ja disa nga akuzat për Dumen:“I pandehuri Petrit Dume: Ka përvetësuar 7.264.30 lekë në shtëpinë e pushimit të oficerëve Pogradec, ku për vite me radhë vetë dhe i shoqëruar nga familja e persona të afërt, ka ngrënë ushqime pa paguar dhe ka marrë artikuj ushqimorë pa pagesë; 5.820.60 lekë në degën ekonomike të MMP, nëpërmjet marrjes së materialeve të ndryshme pa pagesë; 908.60 lekë në SHQUP nëpërmjet marrjes pa pagesë të librave; 2.732 lekë në klubin sportiv “Partizani”, ku ka marrë pa pagesë materiale të ndryshme; 11.593.60 lekë në shtëpinë e oficerëve Durrës duke ngrënë ushqim pa pagesë ai dhe familja e tij dhe ka shtruar bankete. Këto vjedhje arrijnë shumën 28.319.60 lekë. Po kështu, duke shpërdoruar pozitën zyrtare, ky i pandehur ka kryer veprime që kanë dëmtuar rëndë veprimtarinë normale të organeve të administratës shtetërore dhe ekonomisë ushtarakë në shumën 46.039 lekë. Përmendim urdhrin për prishjen e palestrës të klubit “Partizani” në shumën 9.686 lekë, kryerjen e shpenzimeve të jashtëligjshme për ngritjen e fushës së tenisit në shtëpinë e pushimit Pogradec në vitin 1971 në shumën 36.353 lekë, etj”.

PËR HITO ÇAKO

Akuza për Hito Çakon:”I pandehuri Hito Çako: Ka përvetësuar pasurinë socialiste në shumën 17.348.40 lekë dhe konkretisht 6.346 lekë në degën ekonomike të MMP. Ashtu sikurse të pandehurit Beqir Balluku e Petrit Dume, edhe ky kusar ka kryer veprime në kundërshtim me detyrën zyrtare, duke i sjellë arkës së shtetit një dëm në shumën 5.496 lekë. Veç dëmit ekonomik, ky armik ka dëmtuar rëndë edhe veprimtarinë normale në degën ekonomike dhe në SHQUP, duke mbajtur dhe marrë pa pagesë për vite me radhë në përdorim shtëpiak disa orendi. Nga SHQUP herë pas here ka blerë në sasi të mëdha artikuj ushqimorë defiçitarë, duke e kthyer këtë në një dyqan të shitjes me pakicë.Kjo është sinteza e drejtimeve kryesore, ku grupi armike antiparti i komplotistëve, të kryesuar nga Beqir Balluku dhe me bashkëpunëtorë kryesorë Petrit Dumen, Hito Çakon e Rrahman Parllakun për një kohë të gjatë kanë zhvilluar veprimtarinë e tvre armiqësore e antiparti, me pikësynim rrëzimin me anë puçi të pushtetit popullor, likuidimin e socializmit e diktaturës së proletariatit, restaurimin e kapitalizmit, vendosjen e diktaturës borgjezo-revizioniste në Shqipëri dhe dorëzimin e vendit tonë armiqve të jashtëm”.

GJYQI SPECIAL

Referuar dokumenteve arkivore të kohës, seanca gjyqësore në Gjykatën Speciale Ushtarake ndaj gjeneralëve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku, ndonëse mbështetur në ligjet e kohës, në një farë mënyre ishte vazhdim i gjykimit të bërë në forumet partiake.  Gjithçka që ka ndodhur në gjykimin më shumë se njëmujor( 3. 1.1 975 deri 5. 2. 1975), është pasqyruar në pro proces-verbalin e firmosur në shkurt 1975. Në çdo dy ditë, të pandehurit merreshin në pyetje për akuzat e formuluara….

PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR

Pas vendimit të Gjykatës Speciale Ushtarake (me dënim me vdekje, me pushkatim,  për Ballukun, Dumen, Çakon dhe 25 vjet dënim për Rrahman Parllakun), tre të parët i bëjnë kërkesë për falje jete Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kjo kërkesë merret në shqyrtim më 05. 11. 1975. Më poshtë po e japim të plotë proces-verbalin e kësaj mbledhjeje, marrë nga arkiva. Proces Verbal i mbajtur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Datë 5 nëntor 1975. Në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (kryetar), Rita Marko(nënkryetar), Telo Mezini (sekretar), Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Hamdi Bozo, Nuredin Hoxha, Pilo Peristeri, Spiro Moisiu, Zina Fanja (anëtarë). Kryetari Haxhi Lleshi: Këtë mbledhje e bëjmë për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Ushtarake për të dënuarit me vdekje, grupin tradhtar  të përbërë nga Beqir Balluku, Petrit Dume, Hit Çako, të tre të dënuar me vdekje. Të tre kanë bërë lutje për falje jete. Aranit Çela, kryetar i Gjykatës së Lartë, do të na shpjegojë se si ka shkuar gjyqi, që Presidiumi të mund të vendosë. E keni fjalën juve, shoku Arianit.

Arianit Çela: Unë kam marr me vete dhe dënimin, por është dyzetë faqe, një volum i tërë, ta lexoj?

Kryetari: Jo, jo.

Aranit Çela: Gjykata e posaçme përfundimtare e dënoi Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon me vdekje, Rrahman Parllakun me 25 vite burg. Gjykimi u zhvillua gjatë 10 ditëve, që nga 25 tetori deri sot ora 09:00 dhe u zhvillua sipas ligjit. Të gjithë të pandehurit në fjalën e fundit u shprehën se u janë krijuar të gjitha mundësitë për t’u shprehur për mbrojtjen. Gjykata u desh të shqyrtonte një masë materialesh të shkruara. Gjithsej u shqyrtua një material prej 18 volumesh, mbi 3000 faqe të shkruara me dorë, prova të llojeve të ndryshme, dy kaseta plot. Karakteristikë e veçantë e këtyre proceseve gjyqësore ushtarake, bazueshmëria në radhë të parë, jo në thëniet e të pandehurve, por kryesisht në dokumente. Çdo të thotë kjo? Ky është një nga gjyqet, ndër rastet e rralla, që në të tilla punë, siç është tradhtia, zhvillohet kryesisht vetëm në bazë të dokumenteve, natyrisht, të tjerat patën influencën e tyre. Të gjitha akuzat mbështeteshin në dokumente dhe kjo ide u tregoi të pandehurve në hetuesi e në gjyq të pranojnë. Nuk kishin nga të lëviznin. Sa mundoheshin të dredhonin, menjëherë u nxirrnin dokumentet. Këtu duhet theksuar se organet e hetimit, lidhur me këtë proces kanë zhvilluar një punë të mrekullueshme. Ata, duke mos kursyer as diturinë,  as mundësitë fizike, zhvilluan një hetuesi me nivel të lartë shkencor dhe shumë të zgjuar. Vetë mungesa e ndërtimit të procesit gjyqësor dhe aktakuza e lehtësuan shumë punën e gjykatës. Sepse qe një punë e zorshme. Ishte e pamundur, dhe tre muaj gjyq të bëje, nuk ia dilje. Të katër të pandehurit u detyruan të pranojnë fajësinë  e tyre të plotë. Ata mundoheshin të dredhonin, por u vihej dokumenti para dhe pastaj thoshin: “Këtë e kam bërë”. Se nuk kishin si të kundërshtonin, ndonëse shtonin se “kjo nuk është e bërë me qëllim”.

Rita Marko: Ata çdo gjë me ndërgjegje e kanë bërë.

Aranit Çela: Me ndërgjegje e kanë bërë, por qëllime nuk kemi pasur, thoshin. Por dokumentet ua përplasën të gjitha këto.  Në fjalën e fundit që iu dha atyre, të  katër pranuan plotësisht se kanë kryer krime shumë të rënda, për të cilat thanë se është i justifikuar çdo lloj dënimi dhe e lanë çështjen në fund në dorë të gjykatës, në dorën e drejtësisë së Partisë… Dokumente që te këta ka pasur predispozicion armiqësor, janë të hershëm. Kjo nuk është çështje e një viti apo dy. Për Beqir Ballukun doli qartë dhe ai i pranon të tëra, që predispozicioni i tij armiqësor ka filluar që më 1974-ën. Ai del i implikuar me jugosllavët. U gjetën edhe shkresa të shumta që ta bënin ta pranonte. Këtë shkresë ia ka dërguar Teki Kolanecit, letër nga Beogradi. Ka treguar se menjëherë ka bërë planëzimin e lëvizjes DSK (Drejtim Sekret i Trupave) që do të lëvizë në Gjirokastër. Divizioni do të largohej që të futeshin divizionet jugosllave. Dhe u thoshte shqiptarëve, me qëllim që t’u bëhej vend forcave jugosllave. Me funksionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, mori të gjitha masat, u ka bërë planet, dhe të gjitha janë të shkruara në letër ato. Mbas asaj kanë ardhur këtu, se këtu u zhvillua një debat. Për ta lidhur atë, iu tha “Po mirë. Pse e bëre këtë?”. Po ja, tha, pata besim se më thirri Tito!!!  Beqir Balluku ka pasur një takim personal me Titon, pa e thirrur Kristo Themelkon, vetëm ky  shefi i Shtabit të Jugosllavisë dhe është vënë përpara. Ai thotë që më vunë përpara një situate të paditur, më nxorën harta dhe më thanë që grekët kanë ardhur në kufi, do të sulmohet Shqipëria… Këta te tjerët thonë këtu pranojnë që kanë dhënë urdhër për lëvizje divizionit, regjimentit të Pogradecit për në Përmet edhe forcat e Divizionit të Gjirokastrës për lëvizje një pjesë të forcave se nuk arrita t’i lëvizja të gjitha.

Rita Marko: Domethënë në bazë të urdhrit të Titos.

Pilo Peristeri: Dhe thonë që e ka bërë pa qëllim.

Aranit  Çela: Prishën dhe makineritë që ishin për këta, se ato duheshin për ti bërë gjërat afife. Kishin marrë shumë materiale dhe Koço Theodhosi ua kishte dhënë në kundërshtim me qeverinë. Kanë marrë nga rezerva shtetërore tubacione e çfarë nuk kanë bërë për nevojat e tyre, që të bënin stadiume dhe palestra…

Kryetari: Ata thoshin se ushtria ka ligjet e veta.

Pilo Peristeri: Na vodhën dhe një transformator atëherë.

Rita Marko: Ehu, sa lëndë druri kanë vjedhur në sharra e gjetkë.

Aranit Çela: Në lidhje me veprimtarinë armiqësore në frontin ideologjik. Këtu që, edhe ajo që doli në Plenum, po këtu janë më të kualifikuara gjërat, se kanë në dokumente. Nga dokumente u provua se kishte një garë se kush të përkthente e të shpërndante më tepër materiale revizioniste. Nga një kontroll që u bë nga qeveria dhe rezultati që morëm në gjyq në gjashtëmujorin 1974, Drejtoria e Zbulimit kishte shpërndarë 30 mijë copë libra të vendeve kapitaliste , revizioniste. Përveç saj, kishte 176 copë libra të shpërndarë, ku 90 për qind e këtyre materialeve i përkisnin burimeve revizioniste sovjetike pas vitit 1960… Beqir Balluku u dërgonte letër reparteve, u thoshte këtyre shefave që të lexonin “përkthimin ‘Lexoni psikologjinë ushtarake’, libër i përkthyer në shqip, ishte një libër i shkëlqyeshëm…”. Si more t’u mbylltë dhe që të lexoje atë libër! Ishte i poshtër dhe sikur revizionist të mos ishte, prapë ata kanë psikologjinë e tyre. Ishte shtet 200 milion. Ç’punë kemi me ta?

Kryetari: Po këta ç’thonë?

Aranit Çela: E kemi bërë, thonë, se sipas koncepteve tona ka një të vërtetë absolute të dhënë me këto çështje, që është e përbashkët për të gjithë shtetin. Petriti në mes të gjyqit mbronte këtë, që “…mendimi im, zoti gjyqtar, në radhë të parë në ushtri, është edukimi ushtarak”.

Po si, more, mendim ushtarak? Domethënë në radhë të parë pushka, “Lufta bëhet me pushkë”….

 

SOM 1

“Pas një analize në Byronë Politike e Komitetin Qendror të Partisë, paraprirë nga letërkëmbimi ‘sekret’ mes Mehmet Shehut, Hysni Kapos dhe Enver Hoxhës, ushtarakët madhorë të përfshirë në të quajturin ‘Grupi Puçist në Ushtri”, u cilësuan ‘armiq’, që ‘donin të bënin puç e të merrnin pushtetin’. Si të tillë, ata u shkarkuan nga funksionet politike e shtetërore dhe u arrestuan në sallën e Pleniumit”.

 

SOM 2

“Gjeneralët Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çakon, bënë kërkesë Presidiumit të Kuvendit Popullor për falje jete. Në mbledhjen e zhvilluar më datë  05. 11. 1975, Presidiumi i Kuvendit Popullor, pas relacionit të Aranit Çelës, refuzoi faljen e jetës. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975, për tradhti të lartë ndaj Atdheut. Eshtrat iu gjetën në verën e vitit 2001”

 

SOM 3

DETAJ 1

VENDIMI I GJYKATËS

Gjykata e Posaçme përfundimtare i dënoi Gjeneralët Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çakon me vdekje, ndërsa Rrahman Parllakun me 25 vite burg. Gjykimi u zhvillua gjatë 10 ditëve, përkatësisht që nga 25 tetori 1975 deri. Sipas proces-verbalit zyrtar të mbajtur gjatë gjykimit, Gjykata shqyrtoi një material prej 18 volumesh, mbi 3000 faqe të shkruara me dorë, prova të llojeve të ndryshme, e 2 dy kaseta.

 

 

BEQIR BALLUKU
Beqir Balluku u lind më 14 shkurt 1917, në Tiranë. Studioi në Shkollën Teknike të Tiranës. U përfshi në lëvizjen komuniste qysh gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak në Tiranë (vitet 1940‑1942). Më 20 maj 1943 u caktua Komandant i Batalionit partizan “Krujë-Ishëm”; më 18 shtator 1943 u emërua Komisar i Brigadës së Tretë dhe më pas Komandant i Brigadës së Dytë. Më 28 janar 1948 ishte emëruar Kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Kreu në Moskë Akademinë Ushtarake “Voroshillov”. Në Kongresin e Parë të PKSH‑së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1952, ministër i Mbrojtjes Popullore. Një vit më pas mori gradën “Gjeneral Kolonel”. Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor. Në korrik të vitit 1974 ai u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975, për tradhti të lartë ndaj Atdheut. Eshtrat iu gjetën në verën e vitit 2001.

 

PETRIT DUME

Petrit Dume u lindi në Starje të Kolonjës. Në moshë të re filloi veprimtarinë me çetën Kolonjës, pastaj u bë Komandant i Batalionit partizan ‘Hakmarrja’. Pas çlirimit, kreu me sukses Akademinë Komando-Shtabi Gjitharmëshe në Moskë. Nga vitit 1953 deri më 1974, kreu detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Në vitet 1948-1974 ka qenë deputeti i Kuvendit Popullor, anëtar i Komitetit Qendror dhe në vitet e fundit edhe kandidat i Byrosë Politike të KQ të PPSH. Në vitin 1974, Petrit Dume së bashku me Beqir Ballukun e Hito Çakon arrestohen si armiq të popullit, pasi mendohej se kishin në plan të rrëzonin pushtetin. 11 muaj pas arrestimit dhe gjykimit, vendoset që Petrit Dume, bashkë me Beqir Ballukun dhe Hito Çakon të pushkatohen.  Më 5 dhjetor 1975, Petrit Dumes së bashku me dy gjeneralët e lavdishëm të luftës dhe të drejtimit të ushtrisë shqiptare, Beqir Balluku e Petrit Dume, pushkatohen dhe eshtrat e tyre futen në një varr, në një fshat të Vlorës.

 

HITO ÇAKO

U lind më 3 mars 1923, në Progonat të Kurveleshit. Mbaron arsimin e mesëm në Sarandë, ku punon si shegert deri në fillim të Luftës.

-Rreshtohet që në fillimet e para me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ku më 28.05.1944 arrin në detyrën e Komisarit të Brigadës së 5-të. Më 9 maj 1945, Çako emërohet Komandant i Divizionit të Parë. Mbaron tre Akademi Ushtarake, përkatësisht atë “Frunze” në Moskë (1950-1954), Akademinë “Voroshillov” po në Moskë (të cilën e nisi pas tre vitesh punë), e më vonë Akademinë Detare të Leningradit. Grada e Gjeneralit i është dhënë me Vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, më 15 janar 1962. Ka kryer detyra të tjera të larta, si drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, deri në dënimin si “armik”.  Më 5 dhjetor 1975, Hito Çako me dy gjeneralët Beqir Balluku e Petrit Dume, pushkatohen. Më 18 korrik 2000, u gjenden eshtrat.

 

Kujtim Boriçi

Kujtim Boriçi November 5, 2012 11:17
Komento

1 Koment

  1. tirona e re July 1, 11:24

    Po Beqir Balluku nuk ka qene kurr antikomunist. E kan mor n,qaf.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*