5 shkaqe për impotencë dhe disa këshilla

February 7, 2018 03:07

5 shkaqe për impotencë dhe disa këshilla

Impotenca mund të ketë shumë shkaqe të ndryshme fizike. Çrregullimet kronike hormonale dhe ulja e nivelit të testosteronit, që vihet re në burrat me moshë të avancuar, mund të shkaktojë impotence. Kush rrezikohet tjetër nga impotenca?

1-Impotenca mund të shfaqet pasi burri ka kaluar një aksident ose një sëmundje, në të cilën janë dëmtuar nervat qe marrin pjesë në refleksin erektil.

2-Në rastet e rënda të diabetit, kur niveli i larte i glukozës në gjak i dëmton këto nerva, burri bëhet impotent.

3-Përdorimi i alkoolit vazhdimisht dhe me doza të larta, si dhe përdorimi i barbiturateve, mund të dëmtojë trupin dhe të çojë në impotencë.

4-Burrat e operuar për kancer të prostatës, shpesh, vuajnë nga impotenca.

5-Burrat që mjekohen për të ulur tensionin arterial të lartë mund të provojnë efekte negative në refleksin erektil nga këto barna.

Sido që të jetë, një burrë që fillon të provojë episode impotence të herëpashershme duhet të bëjë një ekzaminim fizik komplet. Duhet përcaktuar nëse shkaku është neuropsiqik apo fizik. Për të gjitha situatat që u përshkruan më sipër ka mjekim specifik.

Më shpesh, shkaqet e impotencës janë emocionale ose psikologjike dhe në një farë mënyre lidhen me ankthin. Ankthi mund t’i ketë rrënjët në konfliktet e fëminisë, në periudhën e zhvillimit Oedipal (marrëdhëniet nënë-djalë). Mund të lidhet me një eksperiencë të mëparëshme seksuale të dështuar, me një zhgënjim të rëndë nga gruaja që dashuron, etj.

Ankthi mund të vije edhe nga morali rigid i një burri që nuk dëshiron të bëjë seks të “pistë”, me gruan e tij të “bukur” dhe nuk është i zoti t’i pajtojë këto të dyja. Ankthi mund të jetë krejtësisht jashtë sferës seksuale. Nervozizmi ose depresioni i një burri lidhur me punën, ose me çdo problem tjetër që shkakton presion psikologjik të madh mbi të, mund ta bëjë burrin impotent.

Impotenca ngelet një problem seksual serioz, pikërisht sepse është një shfaqje shumë komplekse.

Është me shumë rëndësi të kuptohet, se një burrë nuk konsiderohet impotent po qe se vetëm, rastësisht, nuk arrin të ketë një ereksion. Ky është një fenomen universal tek burrat. Vetëm nëse problemi vazhdon dhe fillon të shkaktojë stres në marrëdhënie, mund të jetë koha për të shkuar tek doktori.

Çifteve, që shkojnë ne seks terapi ose ne çift-terapi, për te luftuar me disfunksionin erektil te partnerit mashkull, u mësojnë të rindërtojnë jetën e tyre seksuale pa penetrim. Kur çiftet e mësojnë dhe e praktikojnë këtë sjellje seksuale, ata ndjejnë se komunikimi i tyre seksual dhe intimiteti midis tyre është përmirësuar. Ata bisedojnë më shume, ndajnë më shumë probleme midis tyre dhe qëndrojnë më shumë me njëri-tjetrin. Si rezultat gruaja përgjigjet në mënyrë më efektive seksualisht dhe është më e kënaqur. Kjo është plotësisht e besueshme po te kemi parasysh faktin, që shumica e grave nuk arrijnë dot në orgasmë vetëm me penetrim. Ka çifte që kënaqen plotësisht seksualisht dhe pa penetrim seksual.

Alternativa tjetër është Viagra që ndryshe quhet Sildenafili. Ajo rrit aftësinë e burrit për të arritur ereksionin, që është një çlirim i mrekullueshëm dhe i afron partnerët me njëri-tjetrin. Kur Viagra erdhi ne skene, edhe për meritën e padiskutueshme te Nobelistit shqiptar Ferid Murad, përdorimi i saj “ngjalli shumë të vdekur”. Shume burra riprovuan ereksionin që e kishin humbur prej kohësh. Gjërat shumë shpejt morën drejtim për së mbari. Penetrimi u vu përsëri ne fokus dhe seksi u be një qellim i arritshëm për shume meshkuj, qe për shume kohë kishin hequr dore prej tij.

Por Viagra nuk duhet marrë pa këshillimin dhe dozimin e sugjeruar nga një mjek kompetent.

b.m. / dita

February 7, 2018 03:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*