60 vjet më parë, tragjedia e Mynihut

February 7, 2018 17:04

60 vjet më parë, tragjedia e Mynihut

 

Bato Tomasheviç

Tragjedia e Mynihut njihet si një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e futbollit. Më 6 shkurt të vitit 1958, avioni i British Airways, me skuadrën e Manchester United në bord, në kthim nga Beogradi, u nda më dysh në tentativën e tretë për t’u ngritur nga pista e aeroportit. Si pasojë humbën jetën 23 persona, nga të cilët 8 lojtarë, 3 anëtarë të stafit, 8 gazetarë dhe 4 anëtarë ekuipazhit. Ndër të mbijetuarit ishte edhe legjenda e futbollit britanik, Bobby Charlton.

I mbijetuar nga ky aksident ishte dhe përkthyesi i ekipit të Manchester United, malazezi Bato Tomasheviç, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar. Në atë kohë Batoja shërbente si diplomat i Jugosllavisë në Mbretërinë e Bashkuar. Batoja dashuronte një angleze, por nuk e lente qeveria e Beogradit të martohej. Sidoqoftë, ai arriti të martohej me vajzën që donte, Madge, me të cilën jetoi deri në fund të jetës në Angli. Në një libër mbi jetën e tij dhe zhvillimet politike në rajon, nën titullin “Jetë dhe vdekje në Ballkan” (të cilin unë kam pasur shansin ta sjell në shqip afro dhjetë vite më parë), Bato Tomasheviçi ka përshkruar si askush tjetër para tij se si ndodhi aksidenti. Në vijim po e botojmë të plot këtë episod, ashtu siç e ka shkruar Batoja në vetë të parë. /Përktheu dhe përgatiti për botim Xhevdet Shehu

 

Bela Miklosh, një agjent udhëtimesh me origjinë hungareze, erdhi në Konsullatë dhe të kërkonte viza për skuadrën e futbollit të Manchester United, drejtorin e tij Matt Busby dhe zyrtarë të tjerë të klubit, të cilët do të shkonin në Beograd për një ndeshje të Kupës së Europës me skuadrën kampione jugosllave Crvena Zvezda (Ylli i Kuq). Ai kërkoi viza edhe për ekuipazhin e avionit me turbohelikë që ishte marrë me qira për të transportuar skuadrën e Mançesterit dhe një grup të madh gazetarësh sportivë për në Beograd. Mikloshi, një mesoburrë i këndshëm që kishte për detyrë të rregullonte të gjitha procedurat e udhëtimit dhe të sistemimit, tha se ishte zakon që, kur një skuadër shkonte në një vend socialist, një punonjës i ri i ambasadës t’i shoqëronte ata, t’i ndihmonte me përkthim, në shërbimin doganor e kontakte të tjera.

“Do të isha shumë mirënjohës dhe do të ndihesha shumë i lehtësuar nëse ti do të vije me ne, si i ftuari ynë, për të qenë ‘udhëheqës i këtij turneu’,” tha ai.

Duke kuptuar menjëherë se ky do të ishte një shans ideal që të përpiqesha dhe zgjidhja problemin tim, pranova me një zell që duhet ta ketë befasuar atë.

***

Disa ditë më vonë unë mora një tren për në Mançester dhe u takova në stacion me gëzim me Bela Mikloshin, i kënaqur që nuk e kisha lënë në baltë. Shiu i madh, për të cilin ky qytet është i njohur, bashkë me një mjegull të dendur, më dhanë të kuptoja se nuk do të shihja asgjë nga Mançesteri në vizitën time të parë. Punë e madhe, thashë, do ta shoh kur të kthehem. Pasi zura hotel, Mikloshi më çoi në stadiumin e Old Trafford-it për të takuar Mat Basbin, futbollistët dhe gazetarët që do të niseshin të nesërmen në mëngjes herët. Mat Basbi më bëri përshtypje menjëherë me sjelljen e tij të ngrohtë dhe të çiltër. Në një atmosferë miqësore në sallën e pritjes të klubit unë bëra ç’ishte e mundur t’u përgjigjesha të gjithë futbollistëve: çfarë iu interesonte të shihnin në Beograd, çfarë dhuratash mund të blinin për gratë dhe fëmijët, çfarë hoteli dhe ushqimi pëlqenin, sa ishe i sigurt po të dilte jashtë në mbrëmje? Siç ma donte puna si diplomat, por edhe patriotizmi, unë u përpoqa ta paraqes qytetin me anët e tij më të mira, ndonëse isha i ndërgjegjshëm që ai, ndoshta pas Tiranës, ishte nga kryeqytetet europiane më pak tërheqës.

Më tej, gjatë udhëtimit, u ula pranë Tomi Tejlorit (Tommy Taylor), qendërsulmuesit të shkëlqyer ndërkombëtar të Mançesterit, i cili kur pa se po qëndroja në këmbë, lëvizi një ndenjëse më tutje për të më hapur vend – duke u ndjerë zot shtëpie, i lashë të gjithë pasagjerët e tjerë të zinin vendet e para. Nga kolegët e mi të ambasadës që i ndiqnin më nga afër ndeshjet e futbollit dhe ishin dukshëm ziliqarë për udhëtimin tim, dija që ai ishte një njeri i famshëm në moshën njëzet vjeç.

Avionët me turbohelikë të viteve pesëdhjetë fluturonin në lartësi më të ulëta se reaktivët, ndaj udhëtarët pësonin ca trazira të pakëndshme. Por, udhëtimi ynë për në Beograd, me një ndalesë të shkurtër për t’u furnizuar në Mynihun e mbuluar nga bora, ishte më i rehatshëm se ç’pritej. Gazetarët, më së shumti të ulur nga fundi i aeroplanit, ia kërcitën shakave dhe ishin në gjendjen më të mirë shpirtërore, falë edhe pirjes së uiskit që serviri kamerieri Tomi Kejbëll.

Në aeroportin e Beogradit të paktën njëqind njerëz kishin dalë t’i uronin mirëseardhjen Manchester United-it të famshëm. Përfaqësuesit e Yllit të Kuq ishin aty në gatishmëri dhe kishin sjellë plot përkthyes, kështu që nuk kishte shumë nevojë për mua. Lojtarët hipën në autobus deri në hotelin e ri Metropol, i cili ndërkohë ishte rrethuar nga dhjetëra tifozë futbolli – gjithsekush e ndiente se kjo ndeshje ishte një ngjarje e madhe për futbollin jugosllav dhe për kryeqytetin. Unë u lehtësova kur pashë se do të isha i lirë ta kaloja kohën të nesërmen me biseda në Ministri.

Por bisedimet e mija qenë krejtësisht pa dobi. Ishin lejuar disa përjashtime në të kaluarën, por vetëm për ‘peshq më të mëdhenj’ se unë, për një çift ambasadorësh, me ndërhyrjen e vetë Titos. Mua më duhej të zgjidhja midis martesës dhe karrierës.

Kur u shpjegova situatën, anëtarët e familjes sime ishin në favor të kësaj të fundit, duke menduar se si një diplomat i ri mund të zgjidhja vajza të bukura nga çdo pjesë e vendit.

“Ç’të keqe kanë vajzat e shëndetshme dhe të pashme malazeze?” donte të më mbushte mendjen nëna.

Krejt papritmas, parë nga detyra që kishte, një nga të paktët që më këshilloi të kundërtën ishte Slobodan Peneziç, i shoqi i Zinës dhe mik i Stanës, i cili ishte ministri serb për Punët e Brendshme.

“Nëqoftëse ti do një vajzë, Bato, mos e humb kohën duke bredhur andej-këndej për këshilla. Martohu me të! Punë tjetër do të gjesh. Mba mend fjalët e mija: suksesi më i madh në jetë – më i madh se ai i karrierës – është të gjesh lumturinë personale. Një person që nuk arrin këtë është i dështuar në jetë.”

***

Të nesërmen shkova të shihja ndeshjen si mik i përgjegjësit të Crvena Zvezdës. Stadiumi ishte mbushur plot e përplot me njerëz të lagur nga shiu i madh që binte. Dy minuta pas fillimit, Dennis Viollet goditi një pasim që i bëri Tomi Tejlor duke mposhtur portierin e shquar ndërkombëtar Beara. Tifozët vendas ranë squk. Por e keqja do të vinte më pas. Pas pesëmbëdhjetë minutash, Bobi Çarlton bëri një nga ato gjuajtjet e tij bombë dhe, vetëm para se të mbaronte gjysma e parë e lojës, disa lojtarë bënë që një gjuajtje nga këndi të përfundonte në rrjetë. Në gjysmën e dytë, lojtarët pa emër të Crvena Zvezdës u zgjuan papritmas dhe dominuan tërësisht lojën. Tri herë portieri Herri Greg iu desh të nxirrte topin nga rrjeta. Rezultati përfundimtar, i vulosur 3 me 3, donte të thoshte që Junajti, që kishte fituar më përpara ndeshjen brenda kundër Crvena Zvezdës, kalonte në raundin tjetër të Kupës Europiane. Gjithsesi, lojtarët e Beogradit ishin të kënaqur që i kishin mbajtur kampionët anglezë në presë të briskut në një kohë që futbolli anglez ishte në kulmin e tij.

Atë mbrëmje Crvena Zvezda dha një darkë për të dyja skuadrat dhe zyrtarët e tyre në Kafenenë Skadarlija, e famshme për muzikën e saj të jevgjve dhe për mishin e pjekur në zgarë. Përjashta ishte një natë e ftohtë dhe e lagësht shkurti, por brenda ishte një ngrohtësi marramendëse, një atmosferë mjaft e gjallë, më se miqësore.

Kur ne u mbartëm të nesërmen në mëngjes në avionin e kohës së Elisabetës, gazetarët u bënë sërish gërshet në fund të avionit, ndërkohë që lojtarët më së shumti zunë mesin e tij. Të gjitha vendet shihnin nga kabina e pilotit me përjashtim të katër vendeve më pranë tij, që u zunë nga stafi i avionit dhe ishin përballë pasagjerëve. Unë u ula në radhën e parë, mu përballë kamerierit Tomi, me të cilin bisedoja gjatë fluturimit. Ndërkohë që fluturonim për në Mynih, unë mendoja që ky udhëtim nuk e kishte zgjidhur mëdyshjen time.

Ndërsa i afroheshim aeroportit, një nga dy stjuardesat tërheqëse njoftoi që do të ndaleshim për t’u furnizuar dhe do të çlodheshim paksa në ndërtesën e terminalit. Kur ne u mbartëm sërish me një gjendje humori, duke mezipritur të ktheheshim në Mançester, u ulëm në të njëjtat vende. Të qeshurat, shpotitë dhe bisedat shoqërore u fundosën si me magji sapo u ndezën motorët e avionit. Ora shënonte afërsisht 3 pas mesdite të ditës së enjte, 6 shkurt 1958.

Prej aty ku isha ulur, nëpërmjet një dritareje rrethore mund të shihja rrotullimin e helikave të fuqishme, anët e tyre të mprehta vetëm disa centimetra më tutje. Ato më krijuan një gjendje alarmi. Një numër mekanikësh rrinin përreth aeroplanit, duke u përkulur dhe këqyrur diçka. Pastaj ata u larguan. Vazhdonte të binte një borë e dendur, ashtu si dhe kur u ulëm. Gjithë ç’mund të shihja përmes dritares ishin shtjellat e mëdha të dëborës dhe një bardhësi e paanshme në një sfond të errët.

Uturima e motorëve erdhi duke u shtuar ndërsa aeroplani u nis të ngrihej, pastaj  papritmas ra poshtë, thua se i kishin shterur fuqitë. Piloti filloi të frenonte me mundim nëpër një zvarritje torturuese derisa ndaloi. Kapiteni ynë na kërkoi ndjesë dhe na tha se do të ktheheshim në terminal ku do të na duhej të prisnim edhe ca derisa stafi i riparimit të gjente problemin. Ne dolëm jashtë, por pas dhjetë minutash u kthyem sërish në bordin e avionit, ndërsa kapiteni na garantoi se çdo gjë shkonte për bukuri.

Me një zhurmë shurdhuese elizabetiani rriti shpejtësinë, por në momentin që duhej të shkëputej, motorët sërish humbën fuqitë dhe ne shkamë dhe u rrokullisëm frikshëm deri sa më në fund ndaluam në buzë të pistës. Pasi avioni u rimorkiua deri në terminal, qe një lehtësim për ne të ndienim prekjen e tokës sërish duke përshkuar rrugën deri te ndërtesa.

“Mendoj se këtë radhë ata do ta shikojnë mirë si është puna,” më tha Tom Tejlori ndërsa ishim duke pritur në këtë pushim të detyruar që na ofronte kompania. Por vetëm pas pesë minutash ne na bënë zë të ktheheshim në aeroplan duke i lënë të paprekura nëpër tryeza ato që kishim porositur. Me vete thashë se ç’dreq problemi teknik ishte ky që mund të rregullohej aq shpejt. Të tjerët mund të kenë menduar të njëjtën gjë, por anglezët, të shquar për vetëkontrollin e tyre, shkuan aty duke qeshur e bërë shaka. Gjithsesi, e kisha një ndjesi që kjo hare ishte disi e sforcuar.

Ndërkohë që përgatiteshim për shkëputjen e tretë, pashë që disa njerëz po shkëmbenin vendet me shpejtësi. Kishte një gjendje të tensionuar pritjeje. Motorët filluan të zhurmojnë sërish, helikat të rrotullohen duke hapërdarë tutje flokët e mëdhenj të dëborës. Punonjësi i shërbimit Tomi dhe unë i hodhëm një sy të shpejtë njëri-tjetrit dhe, për kushedi përse, ai tha: “A ndërrojmë vendet?” Të dy u ngritëm njëherësh dhe ndërruam vendet, kështu që tani unë isha me shpinë nga kabina e pilotit.

Aeroplani filloi të lëvizë duke rritur gradualisht shpejtësinë. Gjëmimi i motorëve erdh e u bë i fortë e më i fortë derisa më në fund ne na u duk sikur u ngritëm në fluturim. Pastaj zhurma ndryshoi dhe filluam të përplasemi. Më vonë u tha se kjo zgjati pesëdhjetekatër sekonda, por mua mu duk si një jetë e tërë. Më kujtohet që u përpoqa të ngrihem, por nuk arrita. Dritat u fikën. Në errësirë, çantat dhe valixhet nga raftet e tyre filluan të bien mbi kokat tona dhe unë humba ndjenjat.

Erdha në vete kur preka tokën. Në fillim nuk po kuptoja se ç’kishte ndodhur: nuk isha ende në gjendje të kuptoja që isha gjallë. Ndërsa instinktivisht u përpoqa të prek këmbët, kuptova që ende isha i lidhur në ndenjësen time: bashkë me mua edhe ndenjësja ishte flakur një njëqind metra tutje nga forca e shpërthimit. Në njëfarë mënyre arrita ta çliroj veten dhe të heq një copë metali që më kishte mbërthyer njërin gju. Kur u ngrita në këmbë pashë se nuk kisha rroba në trup, madje edhe këpucët e mija me lidhëse ishin shqyer nga shpërthimi, ndërsa isha i mbuluar nga gjaku. Pashë përreth se ku ishin të tjerët. Pas meje nuk kishte asgjë përveçse fusha të bardha; përpara copërat e hapërdara të aeroplanit dhe dhjetëra zjarre: para se të nisej aeroplani ishte furnizuar me mijëra litra karburant. I zhveshur, përveç rripit të mesit dhe ca zheleve të mbetura, eca me mundim drejt mbeturinave të avionit. Në atë gjendje të turbullt që isha, nuk më shkonte mendja te rreziku i shpërthimit të serbatorëve të karburantit. Munda të shihja trupat e shtrirë rreth e rrotull dhe dëgjoja klithmat e të plagosurve. Nëpër mugëtirë, me gjuhëzat e flakëve në sfond, e gjitha kjo i ngjante një skene nga ferri. Disa futbollistë rendën drejt meje të përndezur sikur shtinin me flakë nga kokat e tyre: ata ishin lyer me benzinë.

Me duar u përpoqa të fshija gjakun që më rridhte nga plagët mbi ballë dhe që më mjegullonte shikimin. Nga çarja e buzëve dhe thyerja e dhëmbëve të parë goja më ishte mbushur me gjak dhe m’u desh të bëja një përpjekje të stërmundimshme për të hapur gojën që të mos mbytesha. Gjaku më rridhte pa pushim nga plagët e tjera dhe shpina filloi të më dhimbte po aq sa edhe gjuri. Ndërsa po humbja më shumë gjak dhe dhimbjet po shtoheshin, ishte e pamundur të lëvizja. Qëndrova i heshtur, pa ndihmë dhe i pazoti për të ndihmuar ndokënd, i tmerruar nga pamjet përreth. Përtokë pranë meje shtrihej trupi i pajetë i punonjësit të shërbimit, Tomit, që më kishte kërkuar të ndërronim vendet. E njoha vetëm nga uniforma. Disa nga lojtarët me plagë më të lehta rendën përpara, duke thirrur në panik për Mat Basbin. Nga dritat e flakëve njoha Vera Lukiçin, gruan e atasheut jugosllav në Londër, e cila po udhëtonte gjithashtu nga Beogradi për në Mbretërinë e Bashkuar. E ikur nga mendja, e mbuluar me gjak, ajo vraponte si e çmendur përreth duke thirrur për vajzën e saj dy vjeçe, Vesnën. Para përpjekjes sonë të tretë për t’u ngritur, unë e kisha parë atë të ulur në fillim të avionit, duke përqafuar fort vajzën e saj të vogël. Pak më vonë pashë Herri Gregun të dilte nga mbeturinat e avionit duke mbajtur në duar Vesnën e vogël.

***

Pastaj shpëtimi mbërriti në formën e një makine që mua m’u duk si një kamion i hapur. Të vdekur e të plagosur u vendosën aty së bashku. Arrita të njihja Bobi Çarltonin, Rej Udin, Herri Gregun dhe Denis Violetin. Bobi dhe Rej nuk dukeshin të plagosur, por të tjerët kishin gjak në fytyrat e tyre. Të gjithë ishin tejet të shqetësuar dhe pyesnin njëri-tjetrin dhe mua se ç’kishte ndodhur me lojtarët e tjerë dhe sidomos Mat Basbit.

Kur mbërritëm në spitalin e famshëm Rechts der Isar të Mynihut, një ekip kirurgësh dhe mjekësh të tjerë, të drejtuar nga Profesor Georg Maurer, ishin duke na pritur. Na çuan me shpejtësi brenda dhe unë u gjenda i shtrirë në një tryezë me rrota në një sallë të madhe operacioni. Ua ngula sytë kirurgëve ekspertë të njohur në përdorimin e bisturive ndërsa presin mishin e pacientëve të tyre pa ndjenja. Pasagjerë të tjerë, të vdekur a të gjallë, ishin shtrirë në barrela të tjera në këtë dhomë të madhe.

Një mjek erdhi të më shihte. Ai nuk fliste anglisht ndërsa unë dija vetëm nja dy fjalë gjermanisht, por kur dëgjoi që unë isha nga Jugosllavia m’u drejtua rusisht, të cilën unë e kisha studiuar në shkollën e mesme dhe në fakultet. Në mes të asaj skene ankthi, me të plagosur që klithnin dhe ofshanin nga të gjitha anët, ndërsa punonte mbi mua fliste tejet i qetë në rusisht, duke rrëfyer përvojën e tij në Frontin Lindor, kapjen e tij dhe kohën në një kamp përqendrimi. Megjithëse unë doja shumë ta pyesja për plagët e mija dhe nëse do të mbijetoja, nuk e ndërpreva këtë rrëfim në të kaluarën: nuk e bëra që ai të mos mendonte se unë kisha frikë, të cilën një malazez nuk e shfaq kurrë.

Pas pak ai tregoi për atë që kishte konstatuar:

“Gjuri yt i majtë është thyer, ndërsa i djathti është dëmtuar. Çarjet në fytyrë, në kokë dhe në trup janë sipërfaqësore. Dhëmbët e përparmë do t’i rregulloni më vonë. Dhimbjen në shpinë do ta shqyrtojmë nesër, por nëse ju i lëvizni gjymtyrët, nuk ka thyerje. Kaq për sot. Më duhet të shkoj te një pacient tjetër. Ti do të jetosh!”

Këto fjalët e fundit magjike më mbushën me një ndjesi të shkëlqyer lehtësimi dhe lumturie. Infermieret më shtynë në një korridor ku kishte edhe pasagjerë të tjerë të plagosur. Ato më hoqën me kujdes nga barrela dhe më vunë në një si govatë metalike nën një duzinë poçash drite – për të neutralizuar hipoterminë dhe parandaluar pneumoninë. Gjatë gjithë asaj nate që e kalova i shtrirë i zhveshur në korridor në ngrohtësinë që lëshonin llampat, nuk pushova së uruari veten që ia kisha hedhur vdekjes edhe njëherë. Problemi që më kishte çuar në Beograd tashti më dukej i pakuptimtë në krahasim me tragjeditë e familjeve që atë ditë humbën djemtë, burrat, baballarët. Atë natë, për herë të parë, u ndjeva tërësisht i lirë, pa asnjë lloj detyrimi ndaj shoqërisë që më kishte mbajtur sërish mes saj. Mynihu kishte zgjidhur mëdyshjen time: sapo të arrija në Londër do të martohesha, natyrisht kur të isha në formë të mirë, ndërsa Madga do të më kishte mua.

***

Mëngjesin tjetër, pasi bëra rrezet X, u vendosa në një dhomë me lojtarët e plagosur më pak: Bobi Çarltonin, Rej Udin, Denis Violetin dhe Albert Skanlonin. Erdhën aq shumë gazetarë për të na intervistuar, sa që ne mezi gjenim kohë të bisedonim me njëri-tjetrin deri pasdite vonë kur vizitorët u larguan. Lojtarët ishin të tronditur dhe të pikëlluar nga humbja e shumë shokëve dhe drejtuesve të skuadrës, ndërsa shumë të shqetësuar ishin për fatin e atyre që ishin plagosur më rëndë, siç ishte Mat Basbi, i cili ngjante si një baba për ta: “Si po shkon ai burri i vjetër? Mund ta shohim?” pyesnin ata. Natyrisht, ishin të merakosur edhe për të ardhmen e tyre, nëse plagosjet do të dëmtonin karrierën e tyre. Ata ishin të gjithë djem të shkëlqyer dhe modestë, ende pa përvojën e duhur në jetë krahasuar me mua, një veteran njëzetetetë vjeçar i luftës. Si i tillë unë bisedoja më shumë me Denis Violetin pasi ai ishte i interesuar për tema të ndryshme nga të cilat unë merrja vesh krahas futbollit. Ai ishte i etur të dëgjonte mbi përvojën time si partizan si dhe për rolin që luajti Mynihu për ngjitjen e Hitlerit në pushtet.

Çdo ditë ne çoheshim për kontrolle të mëtejshme, për të na ndërruar fashot dhe bërë analiza. Rrezet X treguan se vertebrat e mija ishin ngjeshur gjatë zbritjes së vrullshme: unë tani isha dy centimetra më i shkurtër se para aksidentit.

“Kur të kthehesh në Londër do të kesh nevojë për fizioterapi. Pas kësaj, duhet të ecësh dhe të mos shtosh në peshë,” më këshilloi doktori.

Profesor Maureri dhe stafi i Rechts der Isar, përveç trajtimit të shkëlqyer mjekësor, bënë ç’është e mundur që edhe ne të kënaqeshim sa të ishte e mundur më shumë. U soll një dentist në spital që vinte këllëfë porcelani, që ishte fjala e fundit në teknologjinë dentare, për të më vënë dy dhëmbët e mi të parë. Pa asnjë dyshim, dhëmbët e mi të vënë, dukeshin më të mirë se origjinalët. Kur mbërrita në Stacionin Viktoria, ndonëse ecja ende me një bastun, kisha një buzëqeshje tërheqëse. Në platformë për të më përshëndetur ishte shumica e ambasadës, përfshi Ambasadorin Vejvoda, si dhe Madgën që qëndronte pranë tij. Unë isha tepër i emocionuar nga interesimi i tyre. Pak kohë më vonë, unë i njoftova ata se do të martohesha.

 

February 7, 2018 17:04
Komento

1 Koment

  1. nje pyetje ... February 8, 06:15

    Me beri pershtypje kjo fjali nga fillimi
    .
    “”ishte zakon që, kur një skuadër shkonte në një vend socialist””

    Pyetja eshte kjo;

    Deri kur do te vazhdoje
    ta quajme Shqiperine me urrejtje vend “komunist”
    dhe Jugosllavine me perkedhelje vend “socjalist”

    Kur do mbaroje ky fjalor makartist-elezbiberist-xhaferrdevist ??

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*