70 vjet më parë, Kristo Frashëri dhe një copë historie
Nga Arkiva
Qemal Poçi është një emër i njohur si toksikolog, dhe si i tillë është prononcuar herë pas here në DITA.
Vdekja e profesor Kristo Frashërit, e nxiti atë të dërgojë në redaksi një foto nga koha e luftës, më saktë një vit pas saj, e nëntorit 1945 në Kukës, ku janë anëtarët e shtabit të Brigadës XI Sulmuese. Le të sqarojmë emrat e fotografisë:
Në rreshtin e parë, nga e majta:
-Minir Dema, komisar batalioni
-Dilaver Radeshi, komandant batalioni
-Dilaver Poçi, zv.komisar brigade
-Halil Pulaj, komisar brigade
-Xhevat Ahmataj, komisar batalioni
-Sul Domi, operativ i brigadës
-Haki Driza, shefi i armatimit
Rreshti i dytë sipër, nga e majta:
-Jano Andoni, komisar i kompanisë së shtabit
-Fajko Zajmi, intendenti i brigadës
-Shefqet Kruja, oficeri informativ i brigadës
-Kristo Frashëri, agitpropi
-Poshtë ulur, Qemal Poçi, korrier i shtabit të brigadës
Ja tek jemi 70 vjet më pas, në një epokë krejt tjetër dhe kur fatet e këtij grupi shokësh kanë qenë nga më të ndryshmet. Sot kryhen homazhet për dërgimin në banesën e fundit të trupit të historianit ndoshta më konsistent, më prodhimtar dhe njëherësh ndër më të respektuarit e fushës, në një moshë të shtyrë 96 vjeçare që i ka dhënë mundësinë edhe në nxjerrë në dritë disa nga punimet e tij më serioze.
Dimë që historia mund të kishte qenë krejt tjetër për Kristo Frashërin. I përjashtuar nga parti që në vitin 1942, Frashëri u dërgua për riedukim në çetën e Pezës me një zarf në dorë dhënë nga Enevr Hoxha, brenda të cilit ishte një letër për komisarin e saj. Frashëri duhej ta dorëzonte letrën të pahapur. Ai e bëri vërtet këtë, por 60 vjet më pas gjeti në AQSH letrën me këtë përmbajtje:
“Person i rrezikshëm, mbajeni nën kontroll, po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe. Enver!”
Me fjalë të tjera, ndryshe nga shoku i ngushtë i grupit të të Rinjve, Anastas Lula, Kristo Frashëri shpëtoi për një zemërgjerësi të të tjerëve, ose një instikt i brendshëm që e shtyri të punonte për luftën pa u përzier në përplasjet politike. Erdhi në Tiranë në vitin 1927 nga Stambolli, ku kishte lindur, dhe deri në momentin e fotos, ku cilësohet punonjës i agitpropit (agjitacion propagandës), kishte kaluar shumë dallgë.
Po disa emra të tjerë? Dilaver Radeshi, kolonel i njohur, do të kritikonte veprimin e heqjes së gradave nga regjimi komunist në vitin 1966 dhe do të burgosej. 22 vjet më pas kësaj fotoje, Radeshi do të shquhej si grevist urie në Spaç për kushtet e këqija në burg.
Dilaver Poçi, gjeneral dhe drejtor politik i ushtrisë, u internua e pastaj u burgos pasi nuk kishte lexuar “tezat e zeza” të Beqir Ballukut, edhe pse e kishte marrë atë. Pra, mungesë vigjilence?! Edhe Sul Domi u godit në të njëjtën periudhë.
Dr.As.Prof. Qemal Poçi përfundoi studimet e larta për veterinari ushtarake si dhe një vit specializim në Bashkimin Sovjetik. Iu kushtua shkencës ndërsa ka mbajtur detyra të rëndësishme në mjekësinë ushtarake.
Rikthimi tek një foto e 70 viteve më parë, është jo vetëm një formë homazhi modest për Kristo Frashërin, por edhe një ftesë për të mos e harruar njerëzit dhe historinë e këtij vendi, aq më tepër që, ironikisht, profesori i paharruar ndërroi jetë në vetmi…/A.K
Asgje per t’i krenuar:kriminelet e kukesit po dall in ne foto.
Paska shpetuar mire nga Jago.!Ka mesuar nga mbreti uzurpator i Hamletit,qe i dergonte mandaten me vete.Pas 90 duhej te mbronte edhe uzurpatorin,kjo qe c`qe!!!!!!
Te habit shprehja e fundit: Nderroi jete ne vetmi!? Me sa dime i ndjeri kishte tre femije dhe ata jane kujdesur per te. A nuk duket sikur duke thene shume fjale per profesorin kalohet pa dashje ne fyerje te te afermeve? Mbase jam gabim por keshtu me tingellon mua.