A qan burri?

November 4, 2018 14:02

A qan burri?

Nga Çapajev Gjokutaj

Fjala ‘burrë’ në shqip përdoret edhe si sinonim i forcës dhe vetpërmbajtjes. Parë kështu burrit nuk i kanë hije të qarat. Madje të qarat e tij në publik perceptohen si turp a koritje.

Në fakt nuk kemi të bëjmë me një dukuri thjesht shqiptare. Prirja për ta perceptuar burrërinë si të papajtueshme me vajtimet dhe të qarat haset dhe në popuj shumë më të civilizuar. Sondazhet tregojnë se në Britani, psh, një grua qan deri në 64 herë në vit, kurse te burrat kjo shifër priret të jetë pesë herë më e ulët.

Duket se ky shpërpjestim gjinor nuk vjen aq nga biologjia, sa nga mentaliteti, zakonet, morali etj. Eshtë mentalitet që e privon burrin nga një instrument i fortë shkarkimi. Qysh në antikitet Hipokrati i atribuonte të qarës aftësinë ta pastronte trurin e njeriut nga ‘lëngjet e këqia’ dhe agresiviteti, kurse Aristoteli pretendonte se e qara kthjellon mendjen.

2.

Burrit i ka hije loti, por jo të qarat e vajtimet; këto janë për gratë, thotë  një qëndrim tradicional.

Nuk është e rastit që në disa krahina, kur vdes dikush, burrat zhvendosen tek ndonjë fqinj a i afërm. Gjithsesi pak larg, të mos dëgjojnë vajtimet e grave se ligështohen e mund të qajnë dhe ata.

Burri nuk duhet të qajë me të madhe, por a nuk qe burrë Lekë Dukagjini që, kur vdiq Skënderbeu ‘si i marrosur nga hidhërimi, rendi në shesh të qytetit e, duke çjerrë krahërorin e duke çkulur mjekrën dhe flokët’ dha lajmin e kobshëm?

Vajtime të tilla, bërë prej burrash që çkulin mjekrën e çjerrin krahërorin, kanë qenë të zakonshme, madje gati-gati të detyrueshme, gjatë gjamës, një rit vdekjeje që mbijetonte në malësitë e veriut deri në mesin e shek XX.

Duket se zakoni ‘burri s’qan se s’është grua’ është disi i vonë dhe më shumë se ndjenjave të burrit, i ka shërbyer pushtetit të tij. Fshihi ndjenjat që të dukesh më i fortë e më autoritar.

Po cili është ai autoritet që mund të caktojë se ç’duhet të ndjejë njeriu, si duhet të qajë e si të qeshë; sikur të ishte kukull teatri, marionetë dhe jo njeri prej mishi e gjaku?

Por përtej dilemës ‘të qajë apo të mos qajë burri?’, shfaqet një tjetër, shumë më jetike. A duhet që njeriu, burrë a grua qoftë,  t’i shfaqë përjetimet e veta natyrshëm, si t’i vijnë, – doemos pa bezdisur të tjerët dhe pa dëmtuar veten -, apo duhet të hyjë në kallëpe zakonesh e normash dhe të sakatosë jetën e vet e ta bëjë më të varfër e më të shkurtër seç është?

3.

Dilema  ‘duhet të qajë apo jo burri’, më sjell ndër mend një ngjarje që tregohej shpesh në familjen tonë, kur isha fëmijë.

Në vitin 1940 vëllazëria e tim eti ra në telash me ushtrinë greke. Im ungj, i madhi, kishte parë një togë grekësh tek po hynin në avllinë e shtëpisë fqinje, në kodrën përballë.

Me që e dinte se te fqinjët atë ditë ishte vetëm e zonja e shtëpisë me fëmijët, mori belçikun dhe u nis të ishte i pranishëm. Pa bërë as njëqind hapa dëgjoi ulërimat e fqinjës. Gabimisht mendja i tha se ishte punë nderi, ndaj nisi të shtinte.

Toga u largua, por po atë ditë u lëshua urdhër arresti për burrat e shtëpisë. Për t’i shpëtuar përndjekjes,  im atë dhe dy vëllezrit morën gra e fëmijë dhe bujtën tek një mik, shtëpia e të cilit ishte disi larg e mënjanë. Në darkë, kur sa ishin ulur të hanin, ia behën grekët dhe i arrestuan.

Ndërkohë që të tre vëllezërit po  i largonin duarlidhur e të shoqëruar, mikpritësi u ngjit në çukën përbri shtëpisë dhe ja dha kujes: Korbi ū për ju, o miq! I ziu ū, i ziu, o miq!

Kjo ka ndodhur tetë vjet para se të lindja unë, megjithatë vajiklithmë i atij burri, që nuk pata rast ta njihja, ka jehuar e jehon në kujtimet e mia.

Sa isha fëmijë e përjtoja fuqishëm. Mbase edhe nga që tek ai vajtim shkreptinin dy ngarkesa të kundërta.

Më njerën anë shquanin elementë gotikë e të frikshëm: kuja e një burri që, si angullimë ujku përhapej nëpër natën pus e jehonte nëpër hone atje, larg fshatit e buzë asgjësë.

Më anë tjetër gjallonte një hapsirë e butë e njerëzore,  mbushur me dashuri dhe keqardhje për miqtë, dy ndjenja këto aq të sinqerta e aq të thella sa që hynin në kufijtë e dhimbjes.

Kur u rrita dhe profesioni më shtyu të lexoja jo pak për shenjat, për kuptimet dhe nënkuptimet e fjalëve dhe të gjesteve, kuptova se vajtimi i atij burri shfaqej e rishfaqej në kujtesën time edhe nga që ishte shenjë shumëkuptimshe e lojcake, përcillte jo të njëjtin mesazh tek ata që e perceptonin.

I zoti i shtëpisë e përjetonte vajtimin e vet si dhimbje për miqtë, por edhe si shfrim dufi që ia morën mysafirët nga sofra e ai s’bëri dot gjë t’u dilte zot.

Tre vëllezërit e arrestuar e përjetonin si shprehje dashurie e keqardhjeje për ta, por edhe si premtim: mos ikni me kokën pas, grave e fëmijve do u dal krah.

Gratë e përjetonin si dhimbje e si shpresë, si kumt që u thoshte se mbijetesa në ditët dhe muajt që do pasonin nuk kërkonte thjeshtë bukë dhe ujë, por përkujdesje e ngrohtësi njerëzore.

Sot e kësaj dite nuk e kam gjetur dot se si e përjetonin ushtarët e huaj vajtimin e atij burri. Shpresoj të mos ketë patur të drejtë strategu kur tha se ushtarët duhet t’i lenë ndjenjat në xhepat e rrobave civile.

4.

Në vdekjen e Fatos Arapit u publikua dhe një foto e Xhevahir Spahiut që shpërthente në lot para njoftimit të vdekjes.

Duket sa paradoksale, aq dhe therëse të vajtosh njerin nga poetët e shquar të shqipes para një lajmërimi vdekjeje krejt të rëndomtë, ngjitur në shtyllë, krahas lajmërimesh për për punë e halle të përditshmërisë.

Shikuesi e ka vështirë të thotë: Spahiu është gjendur rastësisht aty dhe i tronditur nga lajmi i beftë ka shpërthyer në të qara?

Apo, me që sëmundja e ka privuar nga e folura e dikurshme, gjithë ngjyrime e mprehtësi, ka zgjedhur të flasë me foton?

Më saktë, të protestojë kundër heshtjes shumëvjeçare të shoqërisë dhe të institucioneve për një personalitet të përmasava të Arapit.

Sido që të jetë, fakti mbetet fakt: Poetët janë metaforë më vete, nxisin mendimin edhe kur heshtin.

Gjithsesi, përtej çastit të fiksuar në foto, lidhja mes Spahiut dhe Arapit është e gjatë dhe e shumfishtë.

I lidhte një miqësi njerëzore, ndjenjë që buronte nga mendime, qendrime, pëlqime madje edhe temperamente të përafërta.

I lidhte Vlora dhe deti, hapsira të përbashkëta të fëminisë së tyre dhe burime të begata lirizmi.

I lidhte parapëlqimi për poezinë metaforike, të pasur në mendim dhe të stërpikur me ndjenjë.

Të dy parapëlqejnë poezinë e ngarkuar me tension të brendshëm. Tension që buron jo thjesht nga përmbajtja, nga pëlqimi për dramatiken, por po aq edhe nga struktura e vargut. Fjala sikur ndjehet ngushtë nën trysninë e mendimit.

S’di të thuash nëse është rastësi që që të dy shkëlqejnë sidomos në lirikat për detin dhe për dashurinë. Dashuri të përjetuara si dhimbje, si kujtim dhe si mungesë.

E kaluar nga jeta tek vargjet, lidhja mes Fatos Arapit dhe Xhevahir Spahiut, do të jetojë gjatë.

*****

Botuar nga Dita

November 4, 2018 14:02
Komento

8 Komente

  1. pak durim November 4, 14:55

    Ku e ke fjalen o Capajev se ajo fytyra qe duket vetem syri, me duket si e Ilir Metes. Mos valle ka filluar te qaje Iliri se do ta heqin nga presidenca?!

    Reply to this comment
  2. Dodona mbi Tomorr November 4, 15:16

    Jo se do t’a heqin nga presidenca Ilir Meten por se po kerkohet te hapet dosja e 21 Janarit dhe Ilir Meta eshte nder te paret qe do te hetohet!Ja pse po vajton Iliri dhe nuk ka kush e ngushellon , bile as Monika vete nuk e ngushellon dot. Te shpresojme qe do ti ktheje edhe ky parat qe ka grabitur!

    Reply to this comment
  3. Bogonica November 5, 01:00

    Burri loton,nuk qan!Si do qofte nje shkrim qe shpreh jo vetem ndjenjen e Xhevos,por edhe te autorit te shkrimit.Xhevair Spahiu eshte xhevair!I vetmi burre nga poetet dhe shkrimtaret qe u ka kerkuar falje lexuesve te tij per ndonje te pavertete qe e ka shkruar ndryshe.Komplimente autorit.

    Reply to this comment
    • Precizim November 6, 13:50

      Xhevahir Spahiu, emer dhe mbiemer turk, nje poet medioker, per tekste kengesh,
      me the/
      te tha/
      tralala/
      tralala.

      Keta demokratet e Partise se Punes, qe e drodhen e sperdrodhen, dhe e pane me ne fund qe sado qe u munduan i takojne, asaj kohe. Ky Capajevi i rruajti edhe nja tre kater shtepi nga demokracia….

      Reply to this comment
  4. Denis November 5, 05:33

    Shkrim leshi.Na qit koken me ste qarjen e katunarit che. Spahiu.

    Reply to this comment
  5. Dora November 5, 18:04

    Loti I burrit nuk eshte lot krokodili

    Reply to this comment
  6. Nga Nin Gj. Rajta November 6, 12:55

    Loti i burrit
    (Refleksione)

    Ishin ditë qershori të ngarkuara me atmosferën e ndezur të zgjedhjeve parlamentare. Ato po afronin me shpejtësi dhe kësaj radhe ishin veçanërisht të rëndësishme pasi bartnin mundësinë për t’i dhënë fund tranzicionit tonë të stërzgjatur, i cili, ç’është e vërteta na kishte lodhur.
    Media e shkruar dhe elektronike po përpiqej të pasqyronte sa më të plotë këtë atmosferë. Atë pasdite të vonë TVSH-ja transmetoi një kronikë të gjatë nga takimi elektoral i një partie të mazhorancës në Tiranë. Pamjet nga ekrani jepnin masën e madhe të njerëzve që kishin mbushur plot e përplot sheshin dhe brohoriste e shfrenuar oratorët politikanë, duke bërë të pamundur dëgjimin e fjalës së tyre, dhe kësisoj zhvlerësonin vetë takimin, i cili duhej të ishte një bashkëbisedim për alternativat me të cilat do të konkurronte partia në pushtet. Në këtë vështrim, takime të tilla ku mbizotëron rrëmuja, janë formale, disi absurde, tërësisht jashtë funksionit të tyre. Rinia, e cila për natyrën e saj, nuk e pranon formalitetin, çuditërisht mbushte radhët në këto tubime. Dhe kjo ndodh sepse ajo shpreson shumë dhe ka durimin për të pritur ditë më të bukura.
    Tek ndiqja emisionin, në momentin që rinia u shfaq në ekran, mikut tim i vezulloi një pikë loti, të cilin e fshiu lehtë me shuplakën e dorës. Ndoshta malli për të bijën, por jo… Shkaku i asaj gjendjeje kishte përmasa të tjera. Ajo ishte një revoltë e brendshme, për shpërfytyrimin e rinisë në këto dy dekada, ajo ishte një akuzë që binte kundër politikanëve tanë, të cilët, të zhytur në imoralitetin e kohës, po i plagosin shpirtin, të tashmen dhe të ardhmen e saj.
    Loti i mikut tim, më tronditi. Eh, loti i burrit!
    Gjatë jetës kemi provuar gëzime të mëdha dhe jemi lumturuar si fëmijë. Por kemi provuar edhe gjëma që s’i mban guri as druri, të tilla që të bëjnë një grusht njeri. E në kësi rastesh kemi parë burra të ngrysur përballë vigut me trupin pajetë të njeriut të shtrenjtë, të shpërthejnë në piskama rrëqethëse të ritit të lashtë. E megjithatë, rrallë herë kemi parë lot në sytë e tyre, sepse loti i burrit është i rëndë.
    – Pse ky ligështim Bacë?! – e pyeta.
    Ai nuk foli. Prej vitesh jeton në vetmi. Dhe në këtë moshë vetmia ta gërryen shpirtin ngadalë, është e frikshme, e trishtë.
    – More ç’bëhet kështu me ne?!- pyeti nervoz dhe u kthye nga unë. Do bëjmë ndonjëherë shtet apo jo? – pasoi me po atë ton.
    Si për analogji me çështjen e mikut tim, solla ndër mend një çështjen time, të cilën s’e zgjidhëm kurrë (pavarësisht ankimimit në të gjitha instancat) për faktin se nuk pranuam të paguanim ryshfet. Së fundi, kryetari i njësisë bashkiake, pa asnjë argument, jo vetëm që nuk e zgjidhi çështjen, por tha se kudo që të shkonim atë përgjigje do merrnim. I thamë se qëndrimi i tij fliste për mungesën e shtetit tek ne, dhe kjo ishte drama jonë.
    Me mikun tim ndanim të njëjtin shqetësim.
    Takimi elektoral vazhdonte. Televizioni po transmetonte këtë tubim. Monotoninë e këtyre takimeve sikur e thyen pak rinia, pjesëmarrja e saj. E rininë tone ku nuk e gjen, udhëkryqeve të botës me mjerimin mbi shpinë, sepse mjerisht, shoqëria jonë u “ofroi” Kazino, Baste sportive e gjithfarë lloj gjërash të tjera, vetëm punësim jo. Politika i shpërfilli. Kjo është e dhimbshme. E ata, pra, besojnë shumë sepse është tipar i moshës tyre te re, besnikëria deri vetëmohim. Duke parë masën e të rinjve qe shfaqej ne ekran, ndoshta miku meditoi thellë për fatin e saj, ndaj një pike loti i rrodhi në sy.
    Pas pak filloi debati televiziv. Nuk paraqiste shumë interes për teleshikuesin. Pak a shumë dihej se ç’udhë do të merrnin diskutimet e të dyja palëve kundërshtare, të cilat mbronin me fanatizëm alternativat e tyre. Shpeshherë debati “degjeneronte” nga përfaqësuesit e maxhorancës, për gjëra të ndryshme, jashtë temës së debatit, duke menduar se përballja e tyre me përfaqësueset e opozitës, do të ishte më e besueshme para elektoratit, por kjo në të vërtetë po jepte efekt të kundërt. Dy ministrat përfaqësonin maxhorancën qeverisëse duke paraqitur “një mal me arritje” si dhe shifra pafund të “realizimeve” në të gjitha sektorët e jetës së vendit. Njëri nga ata (me gjasë ishte caktuar të bënte zhurmuesin) bëri të pamundur dëgjimin e zërit të përfaqësueseve të opozitës, të cilat me dinjitet dhe qetësi u përballën në atë debat. Qëndrimi i dy zonjave, Kodheli dhe Seseri, ishte i natyrshëm, i shpenguar sepse ishin të vërteta dhe të besueshme në argumentet e tyre. Pastaj debati të linte shije të hidhur tek lexoje me kujdes cinizmin dhe ironinë e ministrit Ruli, ndaj Seserit, ç’ka vetëm sa ulte vlerat e tij profesionale dhe qytetare përballë publikut. S’pritej kurrsesi një qëndrim i tillë, për shumë arsye. Me këtë, ai dëshmoi se i mungoi serioziteti debatit.
    Seseri erdhi nga larg me një dëshirë të bukur, t’i shërbejë vendit të saj me përkushtim. Ajo me këtë gjest tregoi se është nga ata lloj njerëzish të veçantë që e harron vetveten para të tjerëve. A nuk është kjo karakteristikë e martirëve? Dhe vetëm ata kanë ideale të mëdha (Zotërinj, mos ju prish qetësinë kjo fjalë?!) Për hir të së vërtetës duhet thënë se ideali të bën të fortë, të bën të lirë. Ai është pika kulmore e logjikës.
    Ardhja e Seserit, përcjell një mesazh të madh. Ajo i jep krenarisë sonë kombëtare impulset që i mungojnë, sepse ajo është tronditur thelle, këto dy dekada, nga ikja e shqiptarëve larg vatrës ku kemi lindjen dhe vdekjen, djepin dhe varrin. Në këtë nismë të guximshme ka diçka hyjnore, sepse kështu janë martirët o P. Ç, o gazetar i dështuar me delir te madhështisë, që shkruan aq paturpësisht në atë paçavuren tënde. Turp, për nder.
    Dy ministrat vazhdonin ta vështirësonin artificialisht debatin. Ruli, profesor në ekonomi, hiqej sikur mbante në dorë çelësat e dijes në këtë shkencë dhe se të tjerët duhej pa tjetër t’i bindeshin atij, t’i përuleshin, sepse eksluzivitetin e ka vetëm ai. Profesori harron se brezi që po vjen, me gjithë rezistencën që i bëhet, për të mos i pranuar kapacitet e tyre në shumë plane, për të mos u sfiduar. Ata do ta bëjnë Shqipërinë! Këtë mesazh përcillte ai debat. Përfaqësueset e opozitës kishin avantazhin se i përkisnin llojit të politikanit me integritet moral, ç’ka i mungon politikanëve tanë në tërësi. Ato e njihnin ekzaktësisht varfërinë dhe plagë të tjera të rënda të shoqërisë dhe të krijonin përfytyrimin se kishin guximin për t’u ndeshur me to.
    Është e vërtetë që barazia midis njerëzve tashmë konsiderohet paradoks, por duhet nënvizuar se edhe polarizimi i skajshëm i shoqërisë është antinjerëzor. Një personazh i Paucovskit thoshte :“ Askush nuk duhet të pështyjë gjak që një grup njerëzish të notojnë në pasuri”
    Midis meje dhe mikut tim kishte pllakosur një heshtje, të cilën asnjëri nuk po e dëbonte. Debati në televizion u mbyll.

    Nin Gj. Rajta

    Reply to this comment
  7. anticensurë25642654 November 6, 17:46

    Çapajev Gjokutaj
    qan çapi,qan,sepse ju nuk e hapni gojën!!
    qan çapi qan sepse ju jeni më anti shqiptarë se vetë gërku e sërbi!!
    shkruani për tradhëtinë që po na bëhet ditën për djell dhe jo për pordhë syfyri!
    “Meta dekreton Helidon Bendon në krye të SHISH-it”atij shqiptarit shëmbëllor që ka mësuar greqishten në mënyrë të shkëlqyer pa shkollë!!
    ndoshta e ka ndihmuar gjyshja që ka mbruar fakultetin e asfalisë!?
    kush e di?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*