75 vjet më parë/ Hyrja e qeverisë së Enver Hoxhës në Tiranë

November 29, 2019 13:08

75 vjet më parë/ Hyrja e qeverisë së Enver Hoxhës në Tiranë

Peter Lucas

Festimi për çlirimin e Tiranës filloi herët në mëngjesin e 28 nëntorit 1944, kur gjashtë aeroplanë bombardues anglezë Halifax fluturuan ultaz mbi qytet dhe hodhën fletushka me përshëndetje dhe urime. Aeroplanët, të cilët kishin kontribuar aq shumë për fitoren partizane, mandej u ulën mbi fushën e aviacionit dhe hodhën pako me ushqime që u rrëmbyen menjëherë nga shqiptarët e uritur.

Pavarësisht se bombarduesit anglezë nuk u ulën, aeroporti tashmë ishte i hapur një ditë përpara kur Kapiteni Xhejms Hudson zbriti me një C-47 me furnizime dhe tre reporterë. Ishte e njëjta ditë kur rreshteri Vangjel Qiriazi fluturoi për në Bari dhe në një udhëtim të parakohshëm u kthye në Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht se në Tiranë kishte ushqime – me çmime shumë të kripura – kishte mungesë të bukës. Furrat dhe dyqanet që ishin mbyllur gjatë luftimeve nuk ishin rihapur, ndërsa tregtarët dhe qytetarët nervozë prisnin mbërritjen e Enver Hoxhës dhe të ardhmen që sillte ai.

Pas ikjes së aeroplanëve anglezë, u dëgjuan 21 të shtëna topash, kryesisht të kapur nga gjermanët dhe italianët, kur Hoxha në krye të një grupi komandantësh të tij hyri në Tiranë për paradën e fitores. Ishte zgjedhur kjo ditë pasi ishte përvjetori i ditës së vitit 1912 kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane në qytetin e Vlorës.

Hoxha, kryekomandant i ushtrisë dhe kryetar i një qeverie të përkohshme shqiptare, kishte veshur një uniformë të re me një rrip mesi Sam Browne dhe me një kapele të stolisur me një yll të kuq. Kishte dorashka. Këpucët e tij shkëlqenin. Ai rrezatonte besim, sikurse duhej ta kishte. Ai ishte kthyer tashmë në qytetin që ai kishte qenë i detyruar ta linte pas pushtimit italian. Atëherë ai kishte vetëm një dyqan të vogël. Tashmë sundonte gjithë vendin.

Hoxha kishte mbërritur më herët në Tiranë nga Berati. Ndërsa largohej nga Berati atij iu bë një përcjellje e ngrohtë nga partizanët që brohorisnin dhe banorët që ishin rreshtuar anë rrugës dhe i jepnin atij lule ose ia hdhnin në rrugën ku ecte. Prej andej ai dhe suita e tij përshkuan me ngadalë rrugën gropa-gropa dhe urat e prishura për të mbërritur në kryeqytet. Zakonisht udhëtimi nga Berati në Tiranë zgjat tri orë. Por, për shkak se rrugët dhe urat ishin aq shumë të dëmtuara, Hoxha e bëri atë për dy ditë, duke kaluar një natë në Elbasan. Hoxha dhe grupi i tij u nisën nga Berati më 26 nëntor. Ata udhëtuan në makina dhe motoçikleta me kosha të kapura gjermanëve dhe italianëve. Këto makina do të mbeteshin prapa pasi ura mbi lumin e Osumit ishte hedhur ne erë. Pasi kaluan lumin me mushka dhe me trap, ata hipën në një autobus që priste në anën tjetër. Autobusi do të mbetej prapa kur ndeshën një urë tjetër të prishur. Ky rit u përsërit disa herë në të gjitha urat e dëmtuara ose të shkatërruara gjatë rrugës. Pasi kaluan natën në Elbasan, Hoxha dhe grupi i tij u nisën sërish drej Tiranës. Ata kaluan nga Qafa e Kërrabës dhe mandej në Mushqeta ku mbeturinat e luftës së fundit ishin ende të hapërdara anës së rrugës gjithë dredha.

Enver Hoxha e përshkruan kështu atë që pa:

“Përgjatë rrugës ne pamë tanke dhe autoblinda të përmbysura, makina të djegura të zhvendosura paksa për të hapur rrugën, pirgje me gëzhoja mitralozësh, helmeta ushtarësh të armikut, e kështu me radhë. Sa më shumë i afroheshim Tiranës, gjithnjë e më shumë do të shiheshin armët e armikut të shkatërruara në të dy anët e rrugës. Kishte diçka të bukur dhe simbolike në këtë skenë. Fitimtarët kalonin krenarë midis armëve të thyera dhe mbeturinave të pushtuesve të mundur”.

Hoxha u prit nga Mehmet Shehu dhe Myslim Peza në rrethinat e qytetit. Të dy udhëheqësit luftëtarë i bënë Hoxhës një përshkrim të betejës. Shehu tregoi me gisht dy tanke italiane të kapura nga partizanët. Tashmë ato manovroheshin nga partizanët.

Peza qëndroi në krah të Hoxhës kur filloi parakalimi i udhëheqësve në qytet. Shehu kaloi mbrapa. Baba Faja, kreu bektashi i qeshur dhe qejfli i verës, ishte në radhën e parë bashkë me Dr. Omer Nishanin, i cili ishte emëruar Ministër i Punëve të Jashtme. Koçi Xoxe, një teneqepunues nga Korça që tashmë ishte gjeneral, shtyhej për një vend në krah të Hoxhës, siç bëri dhe Gjeneral Spiro Moisiu, shefi i shtabit të Hoxhës. Këta burra kishin qenë ndër të parët që u bashkuan me Hoxhën kur ai doli malit për të filluar luftën kundër italianëve dhe gjermanëve dhe qëndruan pranë tij gjatë gjithë kohës. Stefani marshonte në radhën e dytë ose të tretë, në varësi të pozicionit. Përkrah tij në më të shumtën e rrugës ishte Shehu, Kapiteni anglez Markus Llajën, një oficer rus dhe një jugosllav.

Turmat dolën të shihnin Hoxhën dhe komandantët e tij kur përshkonin sheshin Skënderbej. Njerëzit në përgjithësi nuk ishin entuziastë dhe mirëseardhja nuk ishte aq e ngrohtë sa pritja që i ishte bërë atij në Berat. Populli i Tiranës, përgjithësisht simpatizant i Ballit Kombëtar, ose edhe Mbretit Zog, ishte në një gjendje shock-u. Ata panë se ishte e zorshme të besoje që këta burra, kjo ushtri çapaçulësh, këta komunistë të kishin qenë aq të zotë sa të mundnin Ballin dhe të detyronin gjermanët të braktisnin Tiranën. “Populli i Tiranës u çudit fort se si këta njerëz që kishin zbritur nga malet kishin marrë qytetin,” thotë Kukiçi. Dhe atje ishte dhe Tomi që marshonte përkrah Hoxhës edhe pse i treti a i katërti. Kjo tregonte se sa i afërt ishte Tomi me Hoxhën”.

Hoxha, i cili ngrihej mbi shokët e tij shqiptarë, kapardisej në ballë. Ai dhe grupi i tij përshkuan rrugën e gjerë që ende quhej Bulevardi Musolini deri te Sheshi Skënderbej. Xhamia atëherë ishte e dëmtuar, maja e minaresë së saj ishte këputur. Kulla e Sahatit përbri xhamisë  ishte goditur gjithashtu nga predhat e mortajave. Aty kishte më shumë njerëz në anët e rrugës. Hoxha u drejtua nga Hotel Dajti ku ishte ngritur një tribunë. Pak ditë më parë robërit kishin hequr trupat e gjermanëve të vrarë si dhe të kuajve dhe karrocave nga ana ballore e hotelit. Tribuna e ndërtuar me ngut qëndronte pikërisht në vendin e dikurshëm të një pike të fortë të gjermanëve përpara hotelit. Prej aty Hoxha, stafi i tij dhe të ftuarit specialë ndoqën paradën e fitores. Tribuna ishte stolisur me beze kuq’ e zi, ngjyrat e Shqipërisë, dhe me flamujt e Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë.4

Hoxha ngjiti shkallët e tribunës. Një grup shpalosi flamurin shqiptar, një shqiponjë e zezë me dy krerë në një sfond të kuq dhe mandej e ngriti atë. Hoxha dhe të tjerët nderuan ushtarakisht. Hoxha, në qendër të vëmendjes, i rrethuar nga komandantët dhe shtabi i tij, iu afrua mikrofonit. Ishte momenti i tij. Në të majtë të Hoxhës qëndronte Dr. Nishani. Në të djathtë ishte Koçi Xoxe. Në të djathtë të Xoxes qëndronte Stefani. Ai kishte vënë shkujdesshëm mënjanë një kapele piloti dhe mbante veshur një xhaketë piloti prej lëkure që kishte flamurin amerikan në sup. Me ato rroba të huazuara padyshim nga ndonjë pilot amerikan që ai kishte ndihmuar për ta shpëtuar, Stefani dukej se spikaste në tribunë pothuajse sa gjeneralët e Hoxhës, në mos më shumë.

Kukiçi qëndronte midis popullit në turmën që priste fjalimin e Hoxhës dhe paradën që do të vijonte më pas. Po kështu edhe tetari Gus Ruci. Ruci kishte mbërritur në Tiranë nga Berati me biçikletë një natë më parë. Ai kishte udhëtuar gjithë ditën, por gjithsesi e kishte përshkuar rrugën më shpejt se Hoxha. Ai dhe një partizan që kishte sjellë biçikleta në Berat, kishin udhëtuar së bashku, duke ngarë me hope biçikletat e tyre, herë duke i ngarkuar ato në kamiona, ndërsa lumenjtë i kishin kaluar me trap. Ai kishte numëruar pesë ura të hedhura në erë nga Berati në Tiranë. Në Tiranë, Ruci u takua me kushëririn e tij, Vangjelin, që ishte në Brigadën e 8-të dhe që pak ditë më përpara kishte luftuar me gjermanët në Mushqeta. Ruci shkruan në ditarin e tij: “Ai tha se në kolonë ishin tre mijë gjermanë, njëmijë ishin vrarë, rreth treqind u kapën rob, ndërsa pjesa tjetër ende bredh lart e poshtë nëpër male për të shpëtuar kokën. Shumë prej tyre ka të ngjarë të kenë vdekur nga urija”.

Rreth 30-40 mijë njerëz prisnin të fliste Hoxha. Për shumicën e njerëzve në qytet Hoxha nuk ishte më shumë se një njeri i çuditshëm. Njerëzit nuk e dinin se kush ishte ai, megjithëse kishin dëgjuar plot për të. Dhe ato që kishin dëgjuar ishin nga makina propagandistike e gjermanëve dhe ballistëve, ndaj dhe nuk ishin të mira. Nga mënyra se si ishte veshur, mënyra se si ngjante, mënyra se si e mbante veten, ai mund të shëmbëllente me ndonjë prej pjesëtarëve të ushtrive që kishin kaluar nëpër Shqipëri.

Turma ishte hapërdarë në bulevard dhe mbushte parkun përballë tribunës. Altoparlantët ishin vendosur nëpër shtyllat e dritave dhe në qoshet e rrugëve  përreth hotelit. Njerëzit që nuk mundën të ishin pranë tribunës mblidheshin rrotull altoparlantëve të ndryshëm.

Hoxha mori mikrofonin për të folur në momentin e duhur.

Sid Feder i Associated Press-it, i cili përcillte ngjarjen, shkruante me kabëll drejt Romës që Hoxha “hyri sot në kryeqytetin e çliruar me premtime sfiduese nga kryeministri i ri që Shqipëria është gati të luftojë për të mbrojtur kufijtë e saj jugorë me Greqinë”. Feder e përshkruan Hoxhën si një “ish-mësues që udhëheq si Ushtrinë Partizane edhe qeverinë që mori pushtetin në kryeqytet në 32 vjetorin e shpalljes së pavarësisë shqiptare.

“Duke folur nga tribuna në ballë të hotelit luksoz Dajti i cili ngjan disi me ato të Miami Beach, Hoxha iu drejtua një mase njerëzish prej 30-40 mijë njerëzish në Bulevardin Musolini në kryeqytetin e parë në Europë të çliruar tërësisht nga partizanët e vet”, raportonte ai. Feder njoftonte se “Hoxha gjithashtu premtoi qeveri demokratike për Shqipërinë”. Feder theksonte gjithashtu praninë e Stefanit, edhe pse bën një ngatërresë të emrit të tij me atë të qytetit të tij të lindjes. Ai shkruan se Hoxha “hyri në qytet duke ecur në këmbë gjatë gjithë gjatësisë së Bulevardit Musolini me stafin, oficerët Aleatë, përfshi edhe Kapitenin Thomas Stefan Laconian ose Laconjan, ndërsa turma hidhte lule dhe brohoriste”.

Radio reporteri Morris Rozenberg i Degës së Luftës Psikologjike (PWB) të OSS-it llogariste që turma përballë Hotel Dajtit ishte te rreth 30 mijë njerëz. Rozenbergu, në raportin e të njëjtës ditë për radio Barin, shkruan: “Hoxha tha se qeveria do të punojë për rindërtimin e menjëhershëm të vendit me reforma ekonomike, sociale dhe kulturore dhe populli do ta kontrollojë vendin  në mënyrë demokratike. Lëvdoi aktet heroike të UNÇSH-së e cila tashmë po përzë gjermanët e fundit nga veri-perëndimi i vendit. I foli popullit për ndihmën e Aleatëve në çlirimin e Shqipërisë nga gjermanët dhe mburri në mënyrë të veçantë Ushtrinë e Kuqe dhe partizanët jugosllavë dhe tha se Shqipëria duhet të jetë aleate me Titon”.

Vëzhguesit aleatë theksojnë që Hoxha bëri shumë lëvdata për Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk kishte kontribuar fare për fitoren e partizanëve, dhe mezi përmendi – pa le të falënderonte – Britaninë e Madhe ose Shtetet e Bashkuara që në të vërtetë kishin ndihmuar. Ishte një shenjë e qartë se të gjithë vëmendjen e kishte drejtuar për ta futur vendin në orbitën e Titos dhe Stalinit, larg perëndimit. Hoxha jetonte me frikën se mos anglezët pajtoheshin me pretendimet greke për ndarjen e Shqipërisë jugore, të cilën grekët e quajnë Epiri i Veriut. Hoxha dyshonte se mësymja e komandove angleze gjatë bregdetit në verë ishte një prelud për gllabërimin nga ana e grekëve nën udhëheqjen angleze të jugut të Shqipërisë.

Pas fjalimit të Hoxhës ushtria kaloi në revistë. Parada përfshiu Brigadën e Parë, të 4-t, të 8-të, të 12-të dhe të 15-të të ushtrisë partizane. Të gjitha brigadat, me përjashtim të njërës, mbanin flamurin shqiptar – një shqiponjë e zezë me dy krerë në një sfond të kuq. Një nga njësitë mbante drapërin dhe çekanin, flamurin e Bashkimit Sovjetik. Ata pasoheshin nga Batalioni Antonio Gramshi, një njësi e ushtarëve italianë që iu bashkua partizanëve në një brigadë dhe që mori emrin e Gamshit, një poeti dhe komunisti italian me origjinë shqiptare. Pas Batalionit Gramshi vinin dy tanke të vegjël të kapur italianëve, si dhe një njësi dezertorësh armenë nga ushtria gjermane.

Stefani njoftoi me radio Fulcin se ndonëse parada kishte qenë “krejt madhështore”, populli që e shihte atë ishte më pak se entuziast. “Dukej sikur populli ishte i shushatur. Brohoritjet që unë dëgjoja tingëllonin gati si të imponuara nga rrethanat. Nuk ishte ai entuziazmi i papërmbajtur i demonstruar në jug”.

Nuk vonoi dhe të gjitha figurat udhëheqëse shkuan në hotel për një pritje festive ku shpërtheu një debat mbi ekspozimin e flamujve në kryeqytet. Anglezët, në një shfaqje të “unitetit”, në rezidencën britanike gjatë paradës ekspozuan flamurin amerikan krahas atij britanik. Mosngritja e flamurit të Bashkimit Sovjetik, anëtari i tretë i aleancës Aleate, çoi në protestë nga ana e rusëve. Si sovjetët dhe shqiptarët iu ankuan Stefanit, i cili tashmë ishte oficeri amerikan me gradën më të lartë në Shqipëri. Stefani i bëri kabëll Fulcit dhe i rekomandoi që ose anglezët të valëvisin flamurin e Bashkimit Sovjetik, ose të ulin atë me yje dhe shirita. Në një farë mënyre çështja u zgjidh dhe në hotelin me ornamente të Dajtit pritja vazhdoi. Ishin aty Hoxha dhe të gjithë gjeneralët dhe kolonelët, të veshur me uniformat e tyre më të mira. Disa, si Shehu, sollën gratë, megjithëse shumica nuk vepruan kështu. Ekziston një fotografi e rrallë e Fiqret Shehut të ulur midis një çifti oficerësh anglezë dhe Shehut në një tavolinë të pajisur mirë me ushqime. Stefani kishte ndryshuar uniformën me një enkas për pritje, sikurse bënë edhe togerët Kukiç dhe O’Kifi si dhe kolonelët anglezë Markus Llajën dhe Alan Palmer. Oficerët aleatë u përzien me gjeneralët shqiptarë si dhe disa oficerë sovjetë dhe jugosllavë që ishin të gatshëm. Stefani ftoi radio-operatorët e tij shqiptaro-amerikanë Xhorxh, Gus Ruci dhe Albert Tolie. Tre radio-operatorët ishin të vetmit njerëz të thjeshtë në atë pritje. Kamerierët me bluza të bardha të hotel Dajtit, që kishin punuar për italianët, shërbyen darkën nëpër tavolina të mbushura me enë të bukura prej porcelani. Rakia, uiski, vodka, konjaku dhe vera derdheshin lumë kur ngriheshin dolli njëra pas tjetrës për çlirimin e Tiranës.

Pritja koktejl/drekë ishte e para dhe e fundit e këtij lloji në Tiranë. Hoxha dhe stafi i tij nuk do të takoheshin dhe nuk do të përziheshin më me Aleatët në ndonjë ngjarje si kjo.

Kapiten Stefani kontrolloi njësinë e OSS-it në legatën amerikane. Ky grup përbëhej nga ai vetë, togerët Kukiç dhe O’Kif, si dhe një dyzinë burrash të tjerë, të cilët praktikisht të gjithë ishin shqiptaro-amerikanë dhe mund të flisnin shqip. Grupi i OSS-it ishte planifikuar të qëndronte në vend, derisa një grup civilësh i diplomatëve mund ta zëvendësonte atë.

28 nëntori i vitit 1944 në shumë mënyra ishte pika më e lartë në jetën e Stefanit. Kulmin e arriti kur ai u pasqyrua në një rrëfim të Associated Press-it nga Feder mbi Hoxhën ku përmendet roli i spikatur i Stefanit. Boston American, ku Stefani kishte miqtë e tij gazetarë nga koha kur punonte në restorantin e tij në Boston, e mori shkrimin e Associated Press-it dhe i shtoi komentet e veta. Dielli, gazeta e përjavshme shqiptaro-amerikane e Bostonit, ribotoi shkrimin e Boston American-it nën një fotografi të Stefanit me një mbishkrim domethënës që lexonte: “Studenti vendor i drejtësisë bëhet njeriu kyç në Shqipëri”.

Përktheu dhe përgatiti botimin Xhevdet Shehu

November 29, 2019 13:08
Komento

4 Komente

  1. Arben November 30, 12:06

    PUSHTIMI SLLAVO-KOMUNIST I SHQIPETAREVE,

    AKOMA NUK JEMI LIRUAR PREJ TIJ

    SHIF E SHKRUAJ.

    Reply to this comment
    • Shmil Gurra December 3, 19:30

      E DHIMBSHME, ARBEN!

      NJË PUSHTIM SHKOLLOR
      që nga ana e enveristëve quhet CLIRIM, pa turp e me një krenari të egër antikombëtare.

      Reply to this comment
  2. IP December 5, 12:39

    Pushtimi SerboSaliBerish deshtoi pas kontrabandes me nafte etj me Miloshevicet dhe Arkanet. Reoffend 28-29 Nentori dhe kujtimi I burrave e deshmoreve te atdheut qe luftuan e rane per clirim nga okupatoret e para e pas 1912.

    Reply to this comment
  3. Mark .UK December 8, 19:43

    NE KET VITI FILLOJ OKUPIMI KOMUNIST, QE PO KA PASOJAT EDHE SOT.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*