8 Marsi, Rama: Pas 23 qershorit, politika të reja për mundësi të barabarta

Redaksia Online March 8, 2013 12:40

8 Marsi, Rama: Pas 23 qershorit, politika të reja për mundësi të barabarta

Kryesocialisti Rama uron të gjitha femrat për 8 Marsin, duke theksuar barazia mes gruas dhe burrit mbetet ende një sfidë e hapur. Në një postim në Tuiter dhe Facebook, Rama vendos krahas fotos së tij me nënën dhe bashkëshorten, edhe ato sfida që janë evidentuar në programin e Rilindjes dhe PS synon t’i përmbushë pas 23 qershorit.

“Në mes të dy grave më të rëndësishme të jetës sime dua t’u uroj me gjithë zemër gëzuar 8 Marsin të gjitha nënave, grave e vajzave të këtij vendi, ku sot më shumë se asnjëherë në gjithë këto vite lirie mbetet e hapur sfida e barazisë mes gruas e burrit. Sfida e krijimit të mundësisë së vajzave të vogla në zonat e vështira për të ndjekur shkollën njësoj si djemtë. Sfida e lehtësimit të barrëlindjes për nënat e pasiguruara ngase të papuna dhe e uljes së papunësisë femërore në tërësi. Sfida e trajtimit josdiskriminues të vajzave e grave kur konkurrojnë me djem e me burra për një vend pune. Sfida e rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe e zgjerimit të kuotës së tyre të përfaqësimit në këshilla vendore apo parlament. Dhe padyshim, sfida alarmante e ditëve të sotme përballë dhunës e krimit në familje që rëndon egërsisht mbi vajzat e gratë. 27 gra të vrara në vetëm vitin e 100 vjetorit të pavarësisë janë një kambanë buçitëse për shoqërinë dhe për ne, socialistët e progresistët shqiptarë në radhë të parë. Do të ndërmarrim një politikë të re qeverisëse të barazisë gjinore e të shanseve të barabarta me votën e 23 qershorit për të rilindur Shqipërinë dhe do të hedhim hapa shumë domethënës në këtë drejtim. Falë edhe një grupi të fortë grash e vajzash që do të jenë pjesë e skuadrës sonë kombëtare për një Rilindje Shqiptare dhe do të luajnë rol kyç në qeverisjen tonë. GËZUAR!”, shkruan Rama.

 

Redaksia Online March 8, 2013 12:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*