80 vjet nga dita e parë e Migjenit në Pukë

Sefer Pasha April 18, 2016 20:30

80 vjet nga dita e parë e Migjenit në Pukë

Shënime për librin e Idriz Ahmetajt për Lulin e Vocërr me personazh Zenel Islamin)

 

“….lene Zenelin të rrojë në jetën stërgjyshore, mos e merr në qafë me e hyp ndër majat më të nalta nga mundet të thejë qafën i dëshpëruem….”/ Migjeni

 

Prej qëmoti, 80 vjet më parë, më 18 prill të vitit 1936, u nis prej mëhallës së Fretërve në Shkodër për në Pukë Millosh Gjergj Nikolla. Pikërisht më 18 prill miqtë e Migjenit do të mblidhen në Pukë për ta kujtuar mbërritjen e poetit të madh në qytetin verior, ku ai do vazhdonte të shkruante e thagma e famës së veprave të tij do të përhapej në shumë vende të botës. Kanë kaluar kaq mote e nuk dihen shumë hollësira për atë ditën e bekuar kur poeti i papërsëritshëm mori valixhet, librat, ndërresat e ato pak të holla e u nis për në Pukë. Për Migjenin janë shkruar mijëra faqe e përsëri ka hapsira për kërkime. Në cilën orë u nis poeti nga Shkodra, me ç’mjet, kush e përcolli, ku e piu kafen, a u bë ndonjë ndalesë gjatë udhës, si u ndje në kthesat e Gomsiqes, a e njihnin udhëtarët, ç’biseda u bë bën gjatë udhëtimit dhe cila qe ajo ora e madhe kur ai shkeli në Pukën e tij të dashur? Ne cilën pikë të gjeografisë së qytetit qe stacioni kur hodhi këmbën e mbarë në visin e bukur, ku era e prillit e ledhatoi e që mbeti në historinë e letërsisë shqipe si një fajkua,i cili nuk vjen më. Para se të mbrrinte në Pukë Migjeni kishte shkruar letërsi. Por asnjë studjues i tij nuk na thotë se si e priti poeti i madh detyrën e re të mësuesit larg Shkodrës. A erdhi ai në Pukë i revoltuar apo hopthi e me dëshirë kur kishte probleme me shëndetin? Ani çka! Kurrqysh që në krye duhet thënë se poeti brilant sido që të ketë ndodhur edhe nëse ka ndonjë hije misteri për transferimin e tij në Pukë, ai në këtë qytet gjeti të mesmen e artë, shkroi kryeveprat. Kur Hemnguej shkruante në kafenetë e Parisit tregimin “Një vend i pastër e plotë dritë”, Migjeni do të shkruante nën dritën e qiririt “Lulin e Vocërr”. Pikërisht më 18 prill 1936 Migjeni do të shkel në Pukë dhe po në këtë datë “Illyria” boton shënimin “Për së shpejti do të qarkullojë libri i vjershave “Vargjet e lira” prej shkrimtarit të ri, Migjenit. Shpirti i Migjenit synonte lartësitë e Tërbunit. “Vetëm dritë, vetëm liri, pa asnjë hije dhe pa asnjë pengesë” do të shkruante dikur Shileri.

18 prilli i vitit 1936 kur Migjeni si lis i ri zabeli mbrriti në Pukë me atë buzëqeshjen dhe trishtimin e tij prefekt e që nisi ta bëj të bujëshme biografinë e këtij qyteti, aq sa edhe sot si në balada thonë se Migjeni ka lindur në Pukë. Për historianët e artit ai mbetet subjekt studimi. “Migjeni ishte tjetërlloj, ka shkruar Ismail Kadareja. Ai nuk kishte as xhybe peshkopi, as frak e cilindër, as njohje gjuhësh të jashtëzakonshme… dhe as historira zhurmëmëdha dashurie”. Si poet Migjeni me një gjenetikë të veçantë e me një tis misteri si krijues, nuk u çorodit nga trauma e izolimit në Pukë. Në qytetin verior me çaste ngazëllimi e me tejpamësi, ai me gjuhën e ngjyrave, nuk eci praptazi, por me energji pozitive shkroi kryeveprat e tij hyjnore për shqiptarët. Një muaj pasi Migjeni mbërrin në Pukë, në maj të vitit 1936, ai shkruan prozën “Në zezonin e mizave” e mrekullitë e tjera do të vijnë njëra pas tjetrës. Poeti ekzotik dhe misterioz u kërkon me shkrim organeve të arsimit se ai si shërbëtor i arsimit në Pukë duke qenë i vobektë kërkon që t’i rritet rroga se nuk i mjafton për të jetuar.

Krijuesit nga Puka vazhdojnë të shkruajnë për Migjenin që magjepsi brezat me ato që shkroi në Pukë midis të tjerave “Zeneli” dhe “Luli i Vocërr” me personazh Zenel Islamin. Pikërisht në këtë 80 vjetor të shkeljes së profetit Migjen në Pukë, autori Idriz Ahmetaj ka hedhur në tregun e librit monografinë “Zeneli ynë i paharruar” kushtuar nxënësit të Migjenit, Zenel Islamit, që u bë për poetin personazhi më i dhimbshëm në krijmtarinë e tij gjeniale. “Zeneli” dhe “Luli i Vocërr” e vepra të tjera të përfshira në librin “Novelat e qytetit të veriut” janë sipari skicat biografike të vetë jetës së poetit, e cila natyrisht pati kosto të lartë për poetin, që u nda nga kjo jetë në moshën 27 vjeçare. “Arratisja” në Pukë e çoi poetin drejt të mbinatyrshmes. Edhe vëzhgimet këmbëngulëse të autorit Idriz Ahmetajt për personazhin e papërsëritshëm të Migjenit, Zenel Islamit, flasin për aftësitë paranormale të poetit madhështor, që po katapultohej si Ylli i Mëngjesit mbi malin e Tërbunit. Ndofta Puka i dha luksin gjeografik me ato fabula e që Migjeni i gjeti vetëm aty e pa ato mbase nuk do të qe bërë ai që u bë. Puka u shndërrua në laborator për talentin gjenial të poetit të habitshëm. Punët “Zeneli” dhe “Luli i Vocërr” janë metaforë e qashtër kundër të keqes së kohës e plazmojnë  e përcjellin mesazhe makbethiane për këto kohë të trazuara në të cilat po jetojnë shqiptarët. Me këtë epshmëri vjen për lexuesin monografia kushtuar nxënësit të Migjenit, Zenel Islami, në librin “Zeneli ynë i paharruar”. “Sipas malit shtron dëbora” thonë pukianët. Migjeni i madh pikasi tek nxënësi i tij Zeneli qibarin e këndellshëm të Dedajve, që me bëmat e tij në shkollë “e shikon me sy pllumbi dhe kishte dashtë t’i fal diçka mësuesit”. 80 vjet më parë gjeniu i letrave Migjeni i bën ekografinë kohës në të cilën jetoi. Gjithëçka që shkroi e bëri me efekte mahnitëse, me simbolizëm, mprehtësi e emocionalizëm. Ai dha pamje të bukura të jetës së trishtuar sikur të qe në një shkencë ekzakte. Talentin e ka pasur me pashë. Kohës i ka prerë atë kostum që i shkon. Superylli Migjen qe në Pukë i paparashikueshëm. Nuk i rrëshqiti kohës, por u përballë me të. Si poet pati këndin e tij optik. Edhe misteret mirfilli janë të ëmbla në poezitë që ai la pas. Me ato që shkroi në Pukë e gjetkë e detyruan Migjenin shëndetlig, kur e pa se nuk kishte më  kohë, të mos bëjë “pushim zjarri”. Puka qe për të një minerë ari. Risia qe se ai diti t’i zbuloi dramat siç bëri me Zenelin, të cilat i përshkruan bukur në librin e tij Idriz Ahmetaj.

Data 18 prill erdhi. Shprehje e emocioneve të brendshme të migjenianëve po shprehen me shumllojshmërinë e veprimtarive kushtuar kësaj dite të shënuar, kur këmba e poetit shkeli në qytetin verior. Artdashësit e Migjenit në kërkim të shpirtit binjak do të udhëtojnë nga Shkodra për në Pukë me një makinë nga ato të vitit 1936 me të cilën udhëtoi poeti kombëtar. Të tjerët janë në kërkim të dhomës ku fjeti, të lokalit ku hëngri darkën e parë, kush qenë pritësit nga Puka, ku e kaloi mëngjesin e datës 19 prill, ç’ditë qe, kush e priti tek dera e shkollës, cili qe drejtori që e prezantoi me kolegët, përshtypjet e nxënësve kur ai dha orën e parë të mësimit, ç’u tha në korridoret e shkollës, cili qe momenti kur Zenel Islami u përball me mësuesin dhe më vonë me “Tolstoin”, që do ta përshkruante në prozën e tij e do ta bënte të pavdekshëm si personazh mitik. Gjithçka do të jetë e stilit të Migjenit. Megjithëse poeti ka përdorur metoda universale, të zotët e shtëpisë janë me tone origjinale. Sfidë dhe mirënjohje për poetin e madh që më 18 prill të vitit 1936 i tha tungjatjeta Mekës së tij, ku për fat dhe muza e tij shkëlqeu. Nëse gjetkë ka një farë heshtjeje për Migjenin, në Pukë ka festë. Sa mirë do të ishte që edhe varri i tij të ishte në një nga kreshtat e Pukës. Puka është qyteti, i cili nuk mund ta kuptojë veten pa lavdinë e poetit të madh. 80 vjet më parë erdhi me një valixhe në duar e pa u njohur nga askush. Por pas kaq motesh ai është krenaria e qytetit verior dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Vëllai im, Luan Pasha, që banon në Çikago të Amerikës, kur i thashë se do ta festojmë ditën kur shkeli këmba e Migjenit në Pukë, ai më porositi që në emër të tij të vendosësh një tufë me lule më datën 18 prill, ditën kur do të inagurohet  në Pukë, busti i Migjenit së bashku me Lulin e Vocërr,  nxënësin e tij të dashur, Zenel Islamin.

Sefer Pasha April 18, 2016 20:30
Komento

3 Komente

  1. demo April 20, 03:45

    Ule steken,katunar! Migjeni lexohet ne shkollat shqiptare;Heminguej eshte nje oqean,ku lundron gjithe bota.

    Reply to this comment
  2. Petro Luarasi April 20, 10:39

    Artikull interesant dhe mbresëlënës për Migjenin e Pavdekshëm. Po shtoj vetëm një sqarim për autorin, i cili shprehet:”Por asnjë studjues i tij nuk na thotë se si e priti poeti i madh detyrën e re të mësuesit larg Shkodrës. A erdhi ai në Pukë i revoltuar apo hopthi e me dëshirë kur kishte probleme me shëndetin?…” Ju z.Sefer Pasha a e keni dëgjuar per librin ”Migjeni”- te pergatitur nga Skënder Luarasi, biografi i parë dhe kunat i Migjenit? Po ta kishit lexuar atje ka mjaft sqarime edhe per hamendesine tuaj. p.sh. ”Për vjetin mësimor 1935-1936 (Migjeni)u transferua në Shkodër, në shkollën ‘’28 Nëndor’’. Edhe së këtejmi kërkoi ta shkëmbente vëndin me ndonjë mësues në Pukë, sipas këshillës së disa shokëve, se ai vis malor do t’ish i shëndetshëm për gjoksin e tij të prekur. Në Pukë shkolla punonte gjatë stinës verore mars-nëntor, dhe dimërin ai mund ta kalonte në qytet. Megjithëse më vonë u pendua për këtë kërkesë (se më 12 janar i shkruante një shoku në Tiranë ( Skënder Luarasit, shikoni letren me posht ) t’i thoshte shefit të arsimit fillor (Filip Llupi), që të mos ja merrte parasysh lutjen për transferim nga Shkodra), më 14 janar, me urdhër telegrafik të Ministrisë Nr.675/V u transferua në Pukë. Këtu shkroi, më 16 qershor 1937, këngën e tij të fundit’’Nën flamujt e melankolisë‘’. .(*)(*)Rolin e veçantë të S.Luarasit në këtë çështje e kanë përmendur studjues si p.sh Rinush Idrizi në Migjeni,1992,f.201’’ Zotni Luarasi,
    Ma parë dëshëroj që të Ju gjejë kjo letër të kënaqun në çdo pikëpamje-mbasi e që e dij mirfilli se çdo me thanë I pakënaqun në të gjitha pikëpamjet.
    E dyta-Unë jam gati t’I lëshoj në shtyp kangët e mija.Tue qenë se Ju,kur ishit këtu, më premtuet se do ta merrni përsipër me folë me ndoj botonjës, si për shembull me Gutembergun, unë tashi po Ju kujtoj at gja tue Ju thanë se jam gati.Dhe Ju pata thanë se të hoplla nuk kam(këtë Ju përsërita që ta dinitë regulloheni në bashkëfjalim me botonjësin).Vjersha janë 35 copë.Mbas mendimit tim, po qe se asht formati I librit 20×13.-si dëshëroj unë-vjershat mund të shtypen në 90 faqe.Kjo barrë, që po Jua ngarkoj,asht e vetëdëshrueme nga ana e Juej, e unë do të Ju jem mirënjohtës dhe në rasë mossuksesi në këtë punë.Por,Ju lutem, të më lajmëroni përfundimin e bashkëfjalimit që të dij të rregullohem.
    Dëgjova se keni qënë n’ Austri, për çashtje…ma mirë mos ta thom, se ndoshta mund të gabohem.A kish ndryshue Vjena, o njerzët? Por besoj se ma tepër keni ndryshue Ju se Vjena.
    Ju lutem për gjegje.
    Të fala dhe nderime
    M.Nikolla

    Adresa:Millosh Nikolla
    Shkolla ‘’28 Nënduer’’
    Sh.

    P.S Po qe se takoheni me z.(Filip) Llupin, shefin, Ju lutem t’i thoni se tash ma nuk më duhet transferimi për Pukë.

    Reply to this comment
  3. Totila April 20, 19:48

    Demo !
    Mesoje edhe ti se MIGJENI nuk ka nje te dyte ne bote per ato skicat e tij te Jashtezakoneshme .
    “Bukuria qe vret ” ,vetem kjo ,pa leri te tjerat ishte PRELUDI I kohes se viteve 30-te .
    Ai vertet jetoi 27 vjet por me ato qe shkroi ai duhej sikur kishte jetuar 270 vjet !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim