820 tërmete në dy javë

July 18, 2018 15:18

820 tërmete në dy javë

Tërmetet e njëpasnjëshme vazhdojnë të lëkundin Shqipërinë e Mesme në këtë sezon veror. Kjo situatë ka shkaktuar frikë tek njerëzit, por sizmologët shprehen se nuk ka vend për panik.

“Epiqendra e tërmetit të djeshëm ishte rreth 11 km në verilindje të Peqinit. Ai i datës 4 ishte 5.1, kurse ky 4.7. Kjo diferencë në magnitudë tregon edhe një diferencë në energjinë e rrezatuar. Pra, nuk është se ka qenë më i rrezikshëm se ai i pari”, u shpreh sizmiologu Edmond Dushi për tch.

Por sa normale është kjo vazhdimësi lëkundjesh sizmike?

“Shpeshtësia e këtyre tërmeteve është më e madhe në raport me ato që kanë magnitudë më të madhe. Pra, ka një ligjshmëri që sa më e vogël të jetë magnituda aq më shpesh i presim”, shpjegon Dushi.

Tërmeti i djeshëm me epiqendër në Peqin ishte i izoluar, pa lëkundje të tjera pasuese. Ndryshe nga tërmeti në Gjirin e Lalzit dy javë më parë.

“Që nga ai moment e deri tani që po flasim janë regjistruar dhe vazhdojnë regjistrohen, por me një intesitet shumë të ulët dhe në frekuencë e në magnitudë, 820 ngjarje”, tha Edmond Dushi.

Tërmetet janë të paparashikueshme dhe nuk mund të themi a do të vijojnë, por duke qenë se Shqipëria është vend aktiv në aspektin tektonik, tregon sizmiologu, mund të aktivizohen zona të tjera në vend.

o.j/dita

July 18, 2018 15:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*