Shqipëria dhe Pranvera e vitit 1981 në Kosovë

June 12, 2019 12:42

Shqipëria dhe Pranvera e vitit 1981 në Kosovë

Bedri Islami

Pa as më të voglin dyshim, viti 1981 dhe sidomos pranvera e tij, ka qenë viti i provës për shqiptarët e Kosovës.

Përgjithësisht, secila dekadë e ka gurin e vet themeltar, ose më saktë, ka një datë ose një moment të caktuar, që vendos pikëmbështetjet e së ardhmes. Për shqiptarët në Kosovë ka ndodhur disi ndryshe: një ngjarje ka mbajtur mbi vete më shumë se dy dekada dhe si duket, do të vazhdojë të mbajë mbi vete edhe shumë vite të tjerë. Demonstratat e pranverës , mars – prill 1981, janë pikënyja e viteve që erdhën më pas, dhe si të tilla ata kanë mbetur në kujtesën e kombit dhe në dëshminë historike të tij.

Prej këtij viti, duam apo nuk duam, jemi të vetëdijshëm ose jo, kanë rrjedhur të gjitha ngjarjet e tjera madhore që lidhen me Kosovën dhe, një pjesë e rëndësishme e tyre, edhe me Shqipërinë londineze.

Viti 1981, me pranverën që nisi me 11 mars, për të shkuar më pas tek ditët e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit, kishte në vete farën e hedhur të shumë ditëve të ardhshme, që dha fryt, shumë më tepër se sa ishte menduar 17 vite më pas, në qershorin e vitit 1999.

Them se ka qenë një vit provë, sepse, në strukturat iluzore që kishte krijuar regjimi i Beogradit, do të ngrihej një brez, i cili nuk do të ishte kurrsesi i humbur, për të bërë më tej atë që kishin dashur etërit e tyre. Ky brez, thellësisht romantik dhe krejtësisht atdhetar, doli nëpër rrugë për të filluar një jetë ndryshe. Ishte një brez që dëshmoi historikisht se nuk kishte humbur asgjë në Kosovë dhe se kështu nuk mund të vazhdohej më.

Beogradi, pas dhunës së tankeve njoftoi për 11 të vrarë. Një shërbëtor i tyre në Prishtinë, Vllasi, tha se ishin vrarë vetëm nëntë vetë. Në se kishte filluar kështu gjakshëm, nuk do të kishte të ndalur. Romantikës dhe atdhedashurisë së një brezi të ri, Beogradi i kundërvuri tanket, dhunën policore, vrasjet, burgimet, arrestimet, gjakimet, dënimet e ashpra, dhe, si për të mos mjaftuar e gjithë kjo, filloi procesin e jashtëzakonshëm fëlliqës të diferencimit.

Kërkohej të diferencohej vëllai nga vëllai, ati nga djemtë, fëmijët nga prindërit, miqtë nga miku, shokët nga shoku, të afërmit nga të largëtit, të zakonshmit nga të pazakonshmit, kërkohej të bëhej gjithçka e diferencuar.

Dosjet e diferencimit janë diku, por mbi të gjitha janë njerëzit që i kanë vuajtur mbi vete gjithë barrën e këtij diferencimi. Gjithçka që donte të krijonte regjimi i Beograd-Prishtinës qëndronte në mundësinë që, të pazakonshmit të ishin të huaj për Kosovën, të lëçiturit e saj; ndërsa pushtimi, si e zakonshme, të kishte të drejtën e qytetarisë.

Këta njerëz,të pazakonshmit, të prangosur, të gjakuar, ashtu si edhe të afërmit e tyre, djemtë apo vajzat nëpër burgjet serbe, u ndjenë të vetmuar,qoftë edhe përkohësisht, e megjithatë, të dy pjesët, edhe ata që ishin jashtë e të burgosur, edhe ata që ishin të burgosur e me mendimin se çfarë do të bënin më tej kur të ishin të lirë, kishin në atë kohë një shpresë, një sfond ku mbështetej halli i tyre, kishin momentin e tyre të pritjes për mbështetjen. Duam apo nuk duam sot, e pranojmë apo nuk e pranojmë, fakt ishte se ata këtë mbështetje e kërkonin dhe e prisnin nga shteti amë, Shqipëria.

***

Kryengritja shqiptare në ish Jugosllavi, në fillimin e viteve 80 ka qenë pa dyshim, njëra nga ngjarjet, rreth së cilës e për të cilën janë bërë analiza të shumta, me të janë marrë e sigurisht do të merren njerëz të mendimit nga të gjitha fushat, por njëkohësisht edhe spekulantë; janë marrë shkrimtarë e sociologë, historianë, protagonistë, gazetarë, janë ringritur ngjarjet, duke filluar që nga mbrëmja e 11 marsit dhe deri tek arrestimet masive, janë ngritur teza të ndryshme hipoteza të sakta e nga më të çuditshmet, ka patur gjykime e paragjykime, hipoteza nga më të çuditshmet dhe nga më të pazakonshmet, ka patur fillimisht çirrje dhe përbaltim institucional, pastaj heshtje por kurrë mbrojtje institucionale në Kosovë. Tezat, hipotezat, pikëpyetjet, hamendjet, thëniet, gjykimet dhe debatet nga më të ashprat dhe nga më të vrullshmet, kanë qenë për rolin dhe qëndrimin e shtetit shqiptar.

Që në fillim janë hedhur të gjitha pyetjet e mundshme dhe janë synuar të gjitha dilemat e hipotekuara .Në të vërtetë është bërë përpjekja, herë serioze dhe herë e rreme, për të sqaruar disa nga momentet më thelbësore të qëndrimit të shtetit shqiptar ose për të përbaltur ato. Pak ose aspak janë bërë përpjekje për të ditur gjykimin e njerëzve të zakonshëm në Shqipëri, të mendimit intelektual, si i kanë pritur ata ngjarjet e pranverës kosovare, si kanë depërtuar ato në thelbin e jetës së tyre të zakonshme. Ishte merak spontan, njerëzor ose i organizuar, apo e vërteta qëndron diku në mesin e tyre? Kishte më shumë se hall, brengë, shqetësim a mërzi, kishte diçka më shumë vetes dhe përtej së zakonshmes… kishte thjeshtë brengë njerëzore apo edhe kombëtare…

Tek qëndrimi i njerëzve të thjeshtë ndoshta asnjëherë nuk është ulur si duhet mendimi i sociologëve, gazetarëve, dijetarëve, sepse, në pamjen e parë ata nuk duken edhe aq interesante, ata nuk përbejnë ” ngjarje”, pra nuk kanë në vete ankthin e zbulimit të së vërtetës, nuk përbëjnë lajm, nuk kanë mister… megjithëse kjo nuk është aspak e  vërtetë. Ndoshta më shumë se kudo tjetër tek njerëzit e zakonshëm, politika bën vendin e vet nëpërmjet shfaqjeve që nuk janë edhe aq të dukshme politikisht, por që në të vërtetë bëjnë vetë thelbin e politikës.

Le të sjell dy shembuj të mëvonshëm: Në vitin 1991, pas lëvizjes studentore dhe ndryshimeve jetike politike, të dy partitë e mëdha, demokratike dhe socialiste, në programin e tyre elektoral, kishin edhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Partia Demokratike e kishte shumë më të theksuar, shumë më të dukshëm dhe krijoi mendimin se, pas fitores së saj, zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare, ishte punë e disa pakkohëve. Megjithëse e kishte kaq shumë të afishuar këtë, kjo nuk e pengoi atë, përkundrazi e ndihmoi që, në votimet e 22 marsit 1992, të merrte rreth 70 për qind të votave të shqiptarëve.

Katër vite më pas, të dy partitë e mëdha politike shqiptare, krejt ndryshe nga 4 vite më parë, nuk e kishin as në kontekstin me të largët, çështjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe vetë Kosova kalonte në planin e dhjetë.

Kjo sepse, të dy partitë politike e dinin se, në rrethanat e krijuara, afishimi i një qëndrimi të tillë, sillte humbjen e votave.

Nuk është koha të analizoj se çfarë ndodhi në katër vite, që solli një regres të tillë, të dhimbshëm kombëtar, por shembujt i solla për të patur një lidhje mes asaj që quhet e zakonshme e nganjëherë e rëndomtë, kur analizojmë e ndalemi tek ngjarjet e marsit 1981, qëndrimi i qytetarëve të thjeshtë dhe mendimit politik zyrtar.

***

Natyrisht, për cilindo lajm përbën dilema e shtruar atëherë, në se kishte dijeni Shqipëria zyrtare për atë që po përgatitej të ndodhte në Kosovë? A kishte dijeni Enver Hoxha, përse strukturave të tij, se viti 1981 do të ishte njëkohësisht edhe viti i kryengritjes shqiptare?A ndikuan strukturat e fshehta të shtetit shqiptar në organizimin apo thjeshtë nxitjen e kryengritjes dhe afishimin e parullës Kosova-Republikë apo të thirrjes tjetër “Republikë,Kushtetutë- ja me hatër- ja me luftë”. A kanë qenë të përgatitura dhe të instruktuara organizatat ilegale që u vunë në ballë të demonstratave nga strukturat e fshehta të shtetit shqiptar? A kishte në Tiranën zyrtare përkrahjen e duhur kërkesa për republikën e Kosovës apo shteti shqiptar ishte kundër krijimit të një shteti të dytë shqiptar në Ballkan? Përkrahja e shtetit shqiptar ishte e vonuar apo në kohën e duhur? E gjithë ajo që ndodhi në polemikën e madhe mes shtetit shqiptar dhe shtetit jugosllav ishte thjeshtë një retorikë ideologjike apo pas saj fshihej edhe çështja kombëtare…

Unë do të mundohem të sjell disa nga përjetimet e njëzet e pesë viteve më parë, ashtu si i kam përjetuar unë, qoftë si qytetar i zakonshëm, qoftë si gazetar. E di se për disa do të jetë disi e pazakontë, ndoshta edhe jashtë rrjedhës së trysnisë politike që përçohet ndaj shtetit shqiptar të atyre viteve, mirëpo unë do bëj mundim të sjell atmosferën ashtu si ishte në ato ditë, ashtu si është përjetuar nga unë dhe njerëzit rreth meje, nga shokët e mi gazetarë, por edhe nga njerëzit e shquar të artit, shkencës, historisë. Do ia lejoj vetes, që ashtu si i kam ndjekur, dhe ashtu si i kam analizuar më pas, të sjell edhe mendimin tim për ato që ishin aso kohe në mendimin politik zyrtar, duke shfrytëzuar të drejtën nga takimet e mëpasme që kam pasur me disa nga protagonistët në Shqipëri të këtyre ngjarjeve, mes të cilëve edhe me ish presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia. Të gjitha këto nuk i sjell për të nxitur një mendim ndryshe ose një mendim “për”, por të sjell, sado pak, ato të vërteta që ose janë thënë ndryshe, ose janë thënë të cunguara.

Le të nisim me atë që përjetuan njerëzit e zakonshëm…

Në mesin e muajit mars të vitit 1981, ata që punonin një kat më poshtë në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” vunë re se,në sektorin e jashtëm, i cili ishte në katin e sipërm, kishte një lëvizje më shumë se të zakonshme, kishte një lëvizje përgjithësisht më të ndjeshme se herët e tjera. Zakonisht ndodhte kështu, kur kishte ngjarje të rëndësishme. Aq më tepër se, shumë më shpesh se më parë, kishin filluar të vinin funksionarë të rëndësishëm të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, të cilët, jo rrallë herë, nuk ndaleshin as në zyrën e kryeredaktorit të gazetës, që ndodhej në katin e dytë. Megjithatë, nuk ishte vërejtur ende asgjë e jashtëzakonshme nëpër rradhët e artikujve, të cilët, në më të shumtën e rasteve, nuk kishin ndonjë gjë të veçantë. Edhe fakti që, përgjegjësi i sektorit ë jashtëm, ishte thirrur dy herë, brenda ditës, tek shefi, nuk përbënte ndonjë lajm, sepse kjo kishte qenë shpesh një rutinë e zakonshme.

Zakonisht , nga ora nëntë e mëngjesit, djemtë e gazetës, si i thërrisnin miqtë e tyre të afërt, mes të cilëve edhe kryeministri i mëvonshëm i Shqipërisë, zoti Berisha, shkonin të pinin kafenë e mëngjesit, në kafenenë e Lidhjes së Gazetarëve, ku kishte më shumë zhurmë se në të gjitha kafenetë e tjera. “Zhurmëtarët” zakonisht ishin Pëllumb Bataj i “Bashkimit”,( nuk e di se ku është tani) Filip Çakuli i “Hostenit”, i cili kishte zakonisht një mosmarrëveshje në javë me shefin e tij dhe të kritikuarit prej tij, dhe shefi i sotëm i gazetës berishiste Fahri Balliu, që aso kohe ishte gazetar special i “Zërit të Popullit”. Ishte vënë re se prej dy ditësh, gazetarët e sektorit të jashtëm të “Zërit të Popullit” apo të “Bashkimit” ose nuk po vinin fare, ose pinin një kafe, tepër shpejt dhe iknin. Ndërsa ata të RTSH, sektori i jashtëm, që vinin nganjëherë për kortezi gazetareske, meqë kishin klubin e tyre, nuk dukeshin.

Përgjithësisht, në sektorët e jashtëm të shtypit punonin aso kohe gazetarë nga më të mirët, të aftë dhe patriotë,si u dëshmuan shumë prej tyre në vitet që erdhën. Në “Zëri..” ishte i njohur Shaban Murati ,në “Bashkimi” ishte Napoleon Roshi, në RTSH ishte Bujar Muharremi.

Megjithatë, fjalët kishin filluar të rridhnin, më shumë jo nga kanalet zyrtare, se sa nga “rebelët” që ndiqnin herë pas here, kanalet radiofonike të huaja. Kishte filluar të flitej se ne Prishtinë kishte pasur demonstrata dy apo tri ditë më parë, mirëpo nuk dihej më tepër. Njëri nga shokët e mi, që kishte qëndruar deri vonë për të ndjekur thuajse të gjitha stacionet radiofonike që mund t’i kuptonte, më tha, se në Prishtinë kishte pasur një demonstrim të studentëve, por ajo kishte qenë për kushte më të mira jetese dhe ushqimi dhe si duket, nuk kishte pasur asgjë politike.

***

Thënë të vërtetën, unë kisha disa kohë që isha përgatitur për një udhëtim në Kosovë, i cili, si më kishte thënë shefi im i atëhershëm, Namik Dokle, do të bëhej në fundin e muajit mars. E dija se në atë grup do të ishte edhe Vera Kapo, bija e numrit dy të dikurshëm PPSH-së, Hysni Kapo dhe nëna e gazetarit të sotëm Andi Bushati, Xhafer Dobrusha, pedagog në Universitetin e Tiranës, që drejton sot Federatën e Arsimit dhe disa të tjerë.

Kishte disa kohë që marrëdhëniet në dy anët e kufirit ishin në një pikë të lartë intensifikimi. Kishte më shumë se pesë vite që mes dy qeverie, në Beograd dhe në Tiranë, kishte një periudhë zbutjeje dhe, si duket, të dy palët kishin llogaritur të ndikonin tek njëra-tjetra, përmes atyre që e quanin më të rëndësishme. Qeveria e Beogradit mendonte të ndikonte në Shqipëri duke dërguar aty, përmes strukturave të ndryshme, një nivel më të ngritur jetese, njohje më të gjerë të botës, hapje më të ndjeshme; ndërsa qeveria e Tiranës kishte menduar të ndikonte përmes shkallës së kulturës, njohjes reciproke, artit, gjuhës, traditës, duke pasur gjithnjë në anën e saj, përkushtimin e pakufishëm të shqiptarëve matanë kufirit për shtetin amë. Këtë masë përcaktuese nuk e kishte llogaritur, ose e kishte përllogaritur keq, qeveria e Beogradit, ndërsa e kishte ditur shkëlqyeshëm qeveria e Tiranës. Në Tiranë kishte filluar të rrëzohej paragjykimi se “një shqiptar në Jugosllavi ishte një titist” dhe nuk shihej si një kundërshtar ideologjik, megjithëse shteti shqiptar e dinte fare mirë se, në mesin e të ardhurve, jo pak ishin të tillë.

Pranimi i gjuhës së përbashkët shqipe, ribotimi, pa asnjë redaktim kritik i teksteve të historisë së Shqipërisë dhe pranimi i teksteve të njëllojta , thuajse në të gjitha lëmitë ansamblet artistike që ishin më të shpeshta se asnjëherë, këngët që ishin përgjithësisht mbi bazën e teksteve me ndjenjë të theksuar kombëtare, si ishte ajo e Pjetër Gacit “Kaçanik o shkëmb e gurë…”, pritja e jashtëzakonshme që i bëhej Nexhmije Pagarushës dhe rihapja e shpejtë e këngëve të saj… të gjitha këto ishin më të se të prekshme dhe të pranueshme nga njerëzit e zakonshëm.

Kishte shumë kohë që në shtypin shqiptar, duke pasur edhe një censurë të kujdesshme, nuk shkruhej kurrë negativisht për Kosovën ose për njerëzit e saj. Termat që dolën më vonë, pas viteve 90 për Kosovën ose për shqiptarët e Kosovës, atëherë as nuk njiheshin dhe as nuk lejoheshin të përdoreshin. Edhe kur flitej për masakrën e 4 shkurtit bëhej kujdes të evitohej emri i Xhafer Devës, sado që shumë gjëra ishin të ditura. Fakti që u vu re më pas, se gjatë gjithë kohës që regjimi i Hoxhës ishte në pushtet kishte bërë vetëm tri përmendore të mëdha për individë të shquar të periudhës së Pavarësisë dhe se që të tre kishin ardhur nga viset shqiptare të Kosovës, përkatësisht busti i Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe Isë Boletinit, apo fakti që Enver Hoxha, në shënimin e tij për Monumentin e Pavarësisë kishte kërkuar që, krahas Ismail Qemalit, të vihen në qendër të monumentit edhe figura e luftëtarit nga Kosova, kishin qenë të prekshme për njerëzit. Sado që mund të ishe dakord me regjimin, nuk mund as të ishe kundër veprimeve të tilla, të cilat, sado që mund të kishin, ashtu si u tha më pas, nënshtresa të tjera, përsëri, në kohën e dhënë, ishin të mirëpritura.

Nga ana tjetër, në universitetin e Prishtinës ishin mysafirë dhe jepnin leksionet e tyre korifejtë e mendimit shkencor shqiptar, ëndërrimi i plejadave shqiptare në Kosovë, si Eqrem Çabej dhe Aleks Buda, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Kristo Frashëri, Rexhep Meidani, dijetarët më të shquar të shkencave albanologjike, historike, ribotohej Kadare dhe Agolli dhe veprat e plota të Poradecit, Migjenit, Naim Frashërit.

Vijon numrin e ardhshëm

Botuar sot në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

June 12, 2019 12:42
Komento

9 Komente

  1. Kosova Republike duhet ti bashkohet dheut amè June 12, 14:17

    Po pres te lexoj pjesen e dyte … Bedri po te lexosh “Krushqit jane te ngrire” te I.Kadarese ke shume informacione te marre nga zbulimi jone ne ate periudhe. Personazhet dhe ngjarjet te shpjeguar aty jane reale dhe me kujtohet qe dikush qe e njihte shume mire Kosoven u skandalizua nga dekonspirimi qe ishte bere personave ne fjale ne ate liber. Historia e mjekes dhe te shoqit profesor eshte e vertete dhe isamili nuk u shqetesua as te nderronte presjen nga ç’kishte lexuar ne dosjet sekrete

    Reply to this comment
  2. genta June 12, 17:04

    Per keqeardheje te thelle, akoma me fabula te Zeit Te Popullit. Po ate se demonstratat e 81se ne Kosove jane organizue nga serbimet jugosllave dhe te ndihmuara nga Sigurimi tani edhe gomaret e dine.Ate qe cdo shqipetar i kosoves tanime e din dhe e ka kuptuar eshte se Demonstarate e 81 ishin fatale per Kosoven.Ata qe ishin protogonist kryesor dhe qe ben burg tani jane politikjt kryesor te Kosoves dhe jane fatkeqesia esai.Levizja marksisto-leniniste e kosoves qe shoku Bedri e udhehoqi per nje kohe eshte dhe mbetet fatekeqesia dhe turpi historik iKosoves.

    Reply to this comment
    • bislimi June 12, 17:44

      Genta, je në një mendje me gjithë klanin titist të Kosovës, me Azem Vllasin, që i quan kështu etj. Asnjë prej atyre që organizuan demonstratat e marsit të vitit 1981 nuk është sot në pushtet…të gjithë kanë qenë të burgosur politikë, unë jam një prej tyre…kemi qenë miq të Ukshin Hotit dhe jemi dënuar se kërkuam bashkimin me Shqipërinë.

      Në Kosovë nuk ka patur lëvizje ML, por të gjithë jemi dënuar si nacionalistë, irredentzistë, shqiptaro mëdhenj, etj, e jemi denuar pikërisht nga ato që përhapën pas luftës idenë se viti 1981 kishte qenë i organizuar nga udb-ja.

      Lëvizja e ka pasë për nder që një figurë e shquar si B.Islami e ka udhëheqë atë në vitet më të vështira, në kohën e luftës.

      Nëqoftëse nuk e di , moj Genta, kjo luftë është fituar, pikërisht prej këtyre njerëzve që i burgosi Serbia dhe u rrjeshtuan në luftë me thirrjen e këtyre njerëzve.

      Demonstratat e vitit 1981, ashtu si të vitit 1968, si të vitit 1956, si qëndresa e vitit 1945, janë majat e nacionalizmit në Kosovë.

      Ti nuk besoj se e di moj Genta se regjimi i Titos vrau 45 mijë shqiptarë në 40 vite dhe se në luftë u vranë 12 mijë e 300 vetë, kemi 5 mijë të zhdukur…

      Reply to this comment
      • Mollosi June 12, 19:21

        Mos e permend qendresen e kosovareve gjate vitit 1945 sepse ne ate kohe per Enverin dhe komunistet e tij ata ishin prishesit e “dashurise (miqesise) se perjetshme me jugosllavet”.

        Reply to this comment
    • bislimi June 12, 17:45

      Genta, je në një mendje me gjithë klanin titist të Kosovës, me Azem Vllasin, që i quan kështu etj. Asnjë prej atyre që organizuan demonstratat e marsit të vitit 1981 nuk është sot në pushtet…të gjithë kanë qenë të burgosur politikë, unë jam një prej tyre…kemi qenë miq të Ukshin Hotit dhe jemi dënuar se kërkuam bashkimin me Shqipërinë.

      Në Kosovë nuk ka patur lëvizje ML, por të gjithë jemi dënuar si nacionalistë, irredentzistë, shqiptaro mëdhenj, etj, e jemi denuar pikërisht nga ato që përhapën pas luftës idenë se viti 1981 kishte qenë i organizuar nga udb-ja.

      Lëvizja e ka pasë për nder që një figurë e shquar si B.Islami e ka udhëheqë atë në vitet më të vështira, në kohën e luftës.

      Nëqoftëse nuk e di , moj Genta, kjo luftë është fituar, pikërisht prej këtyre njerëzve që i burgosi Serbia dhe u rrjeshtuan në luftë me thirrjen e këtyre njerëzve.

      Demonstratat e vitit 1981, ashtu si të vitit 1968, si të vitit 1956, si qëndresa e vitit 1945, janë majat e nacionalizmit në Kosovë.

      Ti nuk besoj se e di moj Genta se regjimi i Titos vrau 45 mijë shqiptarë në 40 vite dhe se në luftë u vranë 12 mijë e 300 vetë, kemi 5 mijë të zhdukur…

      Sa të rrosh do të mësosh..

      Reply to this comment
      • Mal Uka June 12, 19:27

        Beslim nuk po te njof por shkrimi i yt po me jepe mjaftueshem mundesi me e dijte qe shneten ne koke
        e ki pase te shitun ne beograd Ne kohen kur shqiperija e Enver Kungjit kishin halle per tja hanger koken njai tjetrit
        ne kosove u kurdis taksirati me demostrata qe prej ateher e deri sot kurr su nal vuejtja pra nje popull ra ne burg gjithecka perjetoj veq keq dhe zotni pjesa e madhe e qytetarve jan jasht shteti dhe atje ku jetojn nuk kan as komb as fare e fise po kan drejtesi e demokraci Kershtu pasevitet e 70 -ta kosova kishte perparue shume Ai perparim e pate pengue fashizmin serb dhe sherbimet sekrete te kohes qe duhej pertoke
        autonomija duhet me u vra rinija duhej me u mbylle shkolla duhet me u damtue shendeti dhe shqiptarve
        ne kosove per jete me u humbe vullneti Po ta them te verteten kurr nuk isha komunist Eh dua me te thane
        se nuk ia epe doren askujt qe ka ma gjak te pastert
        shqiptari dhe ate krenari e rris e kultivoj dhe e deshmoj
        me plot argumente Po qe tash po i kthehem shkrimit
        te Bedri Islamit Per kosoven me Shkrue e me fole
        bedrija eshte sikur me fole dhija cka eshte tagjija !
        Shqiprija me sistemin e vet stalinist te asai kohe
        kish pase qen ferri i pa spjegueshem i jetes vdekje
        te shqiptarve anej Ne kosove pase viteve te (80ta )
        Ne kosove gradualisht do vijne hibridpersonalitete
        Qe iu bane prag e pengese elites intelektuale ne
        krye me tmadhin Ibrahim Rugova Ne vitin 1993
        Stalinist e shqiperise dhe Enveristet e kosoves
        u moren vesh mes vehte per ndihma reciproke
        LPK-istat financiarisht ti ndihmojne ppsh stalinist
        Qe kur ta rexojne Berishen dhe marrin pushtetin
        Socijapisat do ua kthejne argatet per ta rexue
        Rugoven pa pase meshire cka po e gjane kosoven
        Bedri islami eshte kallauz ne LPK per te forcue
        pushtet me sociapisa Dhe Rogneristave tua mundesohet pushteti adalet qe shqiptaret prej zori
        po ikun qe 20 vjet ! Sot tu epet mundesija nga kosova ikun krejt rinija Bile ma shume se kur ikshin prej zullumit nga serbija Pushtetaret e shqiprise bashk me ata te kosoves sot popullin do i inkuadrojne ne europe si
        majmuna jo si shqiptar !

        Reply to this comment
        • Ballist qe nuk e ha Mishin e Pules . June 13, 09:21

          nuk paska vetem Shqipnia Mark. uk
          por edhe kosova paska Mal uka ……….
          haaaaaaaaaaaaaaa

          sa shume ngjajne ————

          enveri Mal nuk te lente me ik prej shqipnie ..
          si thu ti Mal ? gabim e ka pas ?

          Reply to this comment
          • Mal Uka June 13, 12:03

            Balist, nuk po ze vete kush cka han ti ! Ha cka te duesh ,
            por kur dur te shkruajsh e don me polimizue thueje
            qellimin kjarte dhe paraqite interesin kombetar si e shef
            Une nuk e dij me kan me krahason ti Eshte problem i yti !Ketu kam thane se me fole per kosoven e viteve te tetdhjeta e perpara Bedrija eshte si me blegrue dhija e
            me kallxue cka eshte tagjija Zotni para viteve te 80 te
            gjith na ne kosove kishim pasosha dhe nuk ishim te interesuem per ta braktise kosoven Por per ta ndertu
            e per ta bere vende te jetes se lumtur ! Kuptohet se
            vuejtjet prej serbosllavise kan qene teper te medha
            Ato i kan perjetue baballaret tane ! Prej kohes kur Enver
            Hoxha Behet vella me Milladinin dhe ia nrron emnin
            para shqiptarve dhe e quen Ali Lexo TITISTET !
            Per vellezerit serb brigadat Shqiptare te Enver kulufit
            ishin ne sherbim te qetnikve ! Lexo per masakrat e Tivarit , Lexo kohen e imfombyrose , Akcionin e tepricave te prodhimeve, akcinet e armeve deri ne
            vitin 1966 kur i dekoruari me kongres nga enver Hoxha
            Aleksaner Rankoviq e then qafen e rrexohet !
            Ketu shqiptaret fillojne per te marre fryme ma lirshem
            por jo si republikat tjera ! Po pase viteve te 70 secili
            vit sillte perparim per kosoven Fabrika, punesim ,
            shkollim , shendetesi Kjo e mundonte klasen qetnikofashiste serbe Dhe demostratat e vitit 1981
            qofte edhe pa dashje u bane sherbetore te serbise !
            The Enver Hoxha si ka lejue te del populi jasht
            Ai i ka frenue me zor E na ne kosove nuk kermi deshte
            si popul me dale jasht se pse e kishim mundesin
            me pasosha qe krejt boten ta shetisje dhe ne
            Andaj te flasin burgosat cka eshte lirija kete dredhi
            e ka Bedrija se e ka mesue Partija ! Nuk jam nostalgjik
            i te kalues Por 40 vitet e pase demostratave e luftes
            qytetaret e kosoves Jetojne keq dhe po tu hapet dera
            do e braktisin kosdoven A me kuptove i nderuar
            qe une ty nuk po te krahasoj me kerkan !
            krahasim me shqipnine Populli te ju Ishte burg !

  3. Kosova Republike June 13, 13:40

    Genta me shoke….Gabim i jashtezakonshem te minimizohen e injorohen demostratat e 81 qe e nxorren lakuriq ne sy te botes problemin kosovar. Ka pasur nje pjesemarrje popullare dhe nje dhune te skajshme te policise e ushtrise serbo-jugosllave. Kjo ngjarje eshte shkendija e luftes per çlirimin e kosoves.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*