85 vjetori i Duro Mustafait

February 21, 2018 19:15

85 vjetori i Duro Mustafait

Nga Luan Çipi

Duro Mustafai, ka lindur në “Lagjen e Re” në qytetin e Vlorës, më 21 shkurt të vitit 1933. Mësimet e para i kreu në shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri” në vendlindje. Përfundoi me rezultate shumë të mira Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan dhe Shkollën e Lartë, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (Dega”Gjuhë-Letërsi”), në Universitetin Shtetëror Tiranë.

Fillimisht punoi si mësues i letërsisë dhe drejtor shkolle, në qytetin e tij të lindjes dhe më pas, po aty, në drejtimin e rinisë së rrethit të Vlorës.

Krijimtarinë letrare e ka nisur qysh në bankat e shkollës, duke shkruar vjersha e tregime në organet letrare të kohës si në gazetën “Pionieri”, në revistën letrare “Nëntori” dhe në gazetën letrare “Drita”. Për më shumë se 60 vjet pa shkëputje, ndofta duke vendosur një rekord, është marrë me gazetari. Ka punuar redaktor në gazetën “Zëri i Popullit”, kryeredaktor i gazetës “Drita” për gati 7 vjet, kryeredaktor i gazetës “Shqipëria” (për diasporën) në Ministrinë e Punëve të Jashtme (derisa doli në pension) dhe më pas, deri në ditët tona, kryeredaktor i gazetës “HORA” dhe i revistës me të njëjtin emër, organe periodike të shoqatës Atdhetare Kulturore Vranisht i Vlorës.

Për sa e gjykoj unë, profesioni i mirëfilltë, specialiteti i ngushtë superior i Duro Mustafait është gazetaria. Këtu i ka shokët të rrallë, nga që nuk i numërohen artikujt, kryeartikujt, skicat, portretet, vëzhgimet, fejtonet dhe reportazhet gjurmëlënës, ku ka pasqyruar saktë dhe bukur ngjarje, ka nxjerrë përfundime dhe ka shtruar rrugëzgjidhje të drejta.

Ai është gazetar veteran, i hershëm e me kohështrirje të gjatë. Kur botoi shkrimin e parë në gazetën “Letrari”, me titullin “Treni erdhi në Elbasan” ishte 14 vjeç (nxënës i Shkollës Normale të Elbasanit) dhe deri në ditët tona, nuk e ka ndërprerë të shkruarin. Janë shtatë dekada pune në fushën e gazetarisë dhe ai, përsëri shkruan. Firma e tij gjendej përherë në organe të rëndësishme të shtypit të viteve të para fill pas çlirimit të vendit, po ashtu gjendet ende shpesh edhe në ditët tona. Për Duro Mustafain “Gazetaria është pasion që të ndjek gjithë jetën e s’të ndahet gjer në frymëmarrjen e fundit.

Ai që ka për të folur edhe mund të shkruaj” Ai thotë: “Ata që dinë të shkruajnë, nuk dinë të heshtin, se gazetari është gazetar. Për një Ministër, arsyeton ai, a çdo kuadër tjetër pas daljes ne pension p. sh, thuhet “ish ministër”, “ish drejtor”, apo “ish gjeneral”. Për gazetarin nuk ka vend parashtesa “ish”. Gazetari ngelet gazetar në çdo kohë, në çdo qeveri, e në çdo sistem shoqëror, gjersa ndahet nga jeta. Gazetari, vazhdon Durua, është pasqyra e jetës, po është gjithashtu një mision i rëndësishëm në dobi të shoqërisë”.

Kështu, duke biseduar për probleme profesionale të gazetarisë bashkëkohore me shokun tim të dashur të fëmijërisë, të shtohet interesi dhe kureshtja, për këtë pionier të gazetarisë shqiptare, që ka gjithashtu përvojën e drejtuesit shoqëror e pedagogut, po që modestia karakteristike e njerëzve të ditur e me vlerë, bën që të deklamojnë fare pak për punën dhe jetën e tyre, natyrshëm me mjaft interes për gazetarët e rinj. Për të zbuluar disa fakte të jetës së tij, më shërbyen pohimet e shokëve për të. Kështu (siç kam hulumtuar në faqet e internetit, 3 vjet më parë), gazetari Bujar Qesja, për kolegun Duro Mustafa, njëkohësisht pedagog i tij në gazetari ka shkruar në adresë të Duros:

‘’Është dëshira e jashtëzakonshme imja, për të uruar përvjetorin e lindjes suaj, profesori im i dashur. Të kujtoj me dashuri dhe shumë mall. Kujtoj modestinë tënde, profesionalizmin e pa konkurueshëm, atdhedashurinë, karakterin e palëkundur, por mbi të gjitha trajtimin që na bëtë ne, brezin e ri të gazetarëve, duke na trajtuar si fëmijët tuaj. Buzëqeshja jote më ka mbetur e gjallë dhe sa herë e kujtoj, më jep forcë e kurajë të besoj në profesionin tonë, që ka brenda mjeshtërinë dhe aftësinë tuaj. Jetë të gjatë Duro Mustafait, burrit zotni, penda e fortë e gazetarisë shqiptare…’’.

Po me dashuri e respekt flasin për të, ish studentët, po edhe kolegët e kujtojnë dhe e vlerësojnë me fjalët më të mira edhe e cilësojnë si gazetar, ndër më të shquarit, por edhe si njeri me ndjenja të larta njerëzore, Kanë shkruar për të në organe të shtypit qendror, në kohë të ndryshme: Bedri Dede, Agim Shehu, Xhevahir Spahiu, Irfan Bregu, Përparim Hysi, Gëzim Llojdia, e të tjerë…

Ai është gazetar veteran, i njohur në disa dekada. Që kur botoi shkrimin e parë në gazetën “Letrari”, mr titullin “treni erdhi në Elbasan” ishte 14 vjeç (nxënës i Shkollës Normale të Elbasanit) dhe në ditët tona, nuk e ka ndërprerë të shkruarin. Janë shtatë dekada pune në fushën e gazetarisë dhe ai, përsëri shkruan, firma e tij gjendej përherë në organe të rëndësishme të shtypit të viteve që jetoi, po ashtu gjendet ende shpesh edhe në ditët tona në organe të ndryshme të shtypit .Për Duro Mustafain “Gazetaria është pasion që të ndjek gjithë jetën e s’të ndahet gjer në frymëmarrjen e fundit, ai që ka për të folur edhe mund të shkruaj” Ai gjithashtu thotë:” ata që dinë të shkruajnë, nuk dinë të heshtin, se gazetari është gazetar. Për një Ministër, arsyeton ai, a çdo kuadër tjetër, pas daljes ne pension psh, thuhet “ish ministër”, “ish drejtor”, ai “ish gjeneral”. Për gazetarin nuk ka vend parashtesa “ish”. Gazetari ngelet gazetar në çdo kohë, në çdo qeveri, e në çdo sistem shoqëror, gjersa ndahet nga jeta. Gazetari, vazhdon Durua, është pasqyra e jetës, po është gjithashtu një mision i rëndësishëm në dobi të shoqërisë”

Po gazetari dhe publicisti Duro Mustafai, njëkohësisht është dhe një shkrimtar i mirëfilltë e produktiv. Ai është bashkautor i skenarit të filmit artistik “Gunat përmbi tela”, film i prodhuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” në vitin 1976; autori i librit “Edhe ti do bëhesh gjysh”, botuar nga Shtëpia Botuese Hora në vitin 2005; autor i librit me tregime “VRANISHTI NË SYTË E MI”, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”; librin me poezi UDHËVE TË JETËS SIME”, botuar nga “HORA PRESS”, në vitin 2008; romanin “Nën qiellin e Prishtinës” (Ditari i një dashurie të përgjakur), botime “Toena” në vitin 2009 dhe ditarin familjar “Fëmijët që do bëhen gjysh”, botuar nga “HORA PRESS”, qershor 2009, albumin “VRANISHTI NË FOTOGRAFI”, librin “NE, GAZETARËT E ATYRE VITEVE” etj. Ai ka botuar deri tani gjashtëmbëdhjetë libra. Dhe librat e tij, të thurura bindshëm në mendim dhe të projektuar bukur për botim, sipas meje, do vazhdojnë të shtohen në numër çdo vit. Ai ka në dorë për përpunim: “Çfarë kam parë dhe çfarë nuk kam parë në Kubë “(Kujtime, përshtypje, mbresa); “Kujtimet e Shokëve”; “Intervistë me veten dhe të tjerët” (grimca jete, në jetën e shkrimtareve dhe artistëve). Këtu përfshihen edhe kujtimet për “dashnoren e Vlorës”, gjuhëtaren historiane, Nermin Vlora, etj.

Për punët e tij gazetareske e letrare, autori Duro Mustafai ka merituar vlerësim me medalje e urdhra nderi. Veç vlerësimeve me tre urdhra “Naim Frashëri” (Kl. I,II,III) dhe disa medaljeve në fushën e krijimtarisë publicistike e letrare, në muajin dhjetor 1914, Bashkia e Vlorës i dha Duro Mustafait titullin: “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”.

Duro Mustafai, ndonëse i moshuar, bënë pjesë ndër ata të paktët gazetarë bashkëkohor cilësor, që është ende aktiv dhe shkruan rregullisht e tërheq vëmendjen e lexuesve të shumtë, për tema të rëndësishme me interes publik edhe në ditët tona.

Paraqita fare të përmbledhur veprimtarinë gazetareske dhe letrare të Duro Mustafait. Po kjo, megjithëse një veprimtari brilante, që do ta bënte krenar këdo, nuk do ta prezantonte të plotë mikun tim të mirë. U shpjegova, se njohja e afërt me të është qysh nga bankat e shkollës fillore. Më kujtohet koha kur ishim në rrethet letrare, teatrore dhe muzikore të Shtëpisë së Pionierit në Vlorë, me drejtues mjeshtrin e madh, kompozitorin Tish Daija, muzikantin vlonjat Themistokli Mone dhe dramaturgun Minush Jero. Durua, qysh atëherë dhe më pas, i dalluar në punët me rininë, me atë trup atletik e të shkathët, i bukur dhe shumë miqësor e dashamirës, ishte i gatshëm për të ndihmuar këdo, duke qenë dhe vet nxënës i dalluar në mësime dhe me prirje letrare të shfaqura. U ndamë disa vjet në shkollën e mesme, kur ai u shkëput në Elbasan dhe unë në Tiranë dhe u takuam sërish në Vlorë pas mbarimit të Universitetit. Ai këtë radhë erdhi dhe me Katin, bashkëshorten, mësuese bukuroshe, të njohur e të vlerësuar në Elbasan, me të cilin pati dy fëmijë, një nip dhe tri mbesa dhe gjithnjë një mirëkuptim të plotë.

Karakteristikë dalluese e përhershme e Duros ka qenë dhe është dashuria për atdheun, shokët, kolegët, bashkëqytetarët, për farefisin dhe bashkëfshatarët e origjinës së tij. Të gjitha këto ndjenja dashamirëse, njerëzore e humane, (pa marrë vet asgjë) kanë gjetur aq bukur vendin e tyre në faqet e shtypit dhe të librave, ku buçet jehona e zërit të tij të ëmbël. Ja si e shpreh ai këtë, në një poezi:

“..Kur të iki, me vete s’kam për të marrë asgjë,

Por, në se për shoqërinë, diçka kam lënë,

I lumtur do të isha, të lija një zë,

Që të fliste me dashuri edhe për gurët që flenë…”

Ka mbi njëzetë vjet, që me Duro Mustafain dhe të tjerë pensionistë vlonjatë të mirë, takohemi disa herë në javë dhe kalojmë vërtetë çaste të lumtura. Shokët tanë, me të cilët pimë thuajse çdo ditë kafe e çaj, po ndonjëherë takohemi me raste festash, gëzimesh familjare dhe datëlindje të njëri-tjetrit, janë thuajse të gjithë gati bashkëmoshatarë dhe miq e shokë të vjetër, ardhur prej vitesh me punë e familjarisht në Tiranë. Bisedat tona, përgjithësisht, vërtiten rreth Vlorës dhe ngjarjeve e bëmave të kahershme atje, kur ne punonim dhe kontribuonim për familjen dhe shoqërinë.

Ishte një kohë, kur shkrimtari ynë i nderuar edhe pse pensionist, merrej me përpunimin përfundimtar të romanit “NËN QIELLIN E PRISHTINËS”. Ky libër, për mua, më i arriri si vepër në gjerdanin e artë letrar të Duro Mustafait, kishte nisur të shkruhej qysh në vitet tetëdhjetë (dhe të botohej me fashikuj në revistën Nëntori), kur ndihej e organizuar kundërshtia kosovare ndaj dhunës serbe. Subjekt i përpunuar dhe i pasuruar është aktual dhe me guxim tenton, për një bashkim njerëzor e human, në zgjidhjen paqësore e dashurore të atmosferës tradicionale tejet armiqësore midis popujve fqinjë.

Kjo ndjenjë paqësore mirëkuptimi, është princip pune e mendimi për Duron. Kështu veproi ai edhe, si kryeredaktor i gazetës dhe revistës “Hora”, ku me qëndrimin këmbëngulës të tij, të botuesit vranishtjot, inxhinierit të kulturuar e bujar, Besnik Hasanaj dhe të anëtarëve të tjerë të redaksisë, praktikisht ka unifikuar deri mosmarrëveshje e keqkuptime, duke sjellë, siç e ka princip të përhershëm Durua, harmoni e bashkim paqësor, larg ndikimeve ekstreme partiake.

Dhe, me që jemi te “HORA”, dua të them pa ndjell xhelozi, si një tjetër pohim pozitiv për Duro Mustafain, se ato dy organe, për mua, janë thuajse të përsosura, me përmbajtje të larmishme, me rubrika interesante, me lajme të freskëta e të dobishme, që përfshijnë deri ngjarje historike specifike, kuriozitete shkencore, këshilla mjekësore, ngjarje sportive, etj. dhe rreken të mbulojnë deri vranishtjotin, labin e himarjotin e fundit, në skajin më të largët të globit. Edhe si paraqitje: me letër të zgjedhur, katër ngjyra të pëlqyera, me faqosje profesionale dhe me shumë faqe, këto organe, ngelen në krye të si shoqeve të tyre. Ato e tejkalojnë dukshëm kufirin e një fshati.

Siç dallohet më lart, pa përjashtim dhe në mënyrë përfaqësuese, si në të gjitha zhanret e krijimtarisë gazetareske e letrare të Duro Mustafait, në shkrimet e tij, tipar dominues ka dashamirësinë e përhershme. Ai gjithnjë ka shkruar duke demonstruar talent e mjeshtëri të rrallë, pasion, po dhe mirëkuptim e kujdes.

Do të përfundoja me pohimin tim të palëkundur se, gazetari i vjetër, i ditur e produktiv, Duro Memet Mustafai, ish pedagogu i Degës së Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, është pa mëdyshje, një prej shkrimtarëve, poetëve më të hershëm, më produktiv e më të dashur dhe sidomos, një prej gazetarëve më të spikatur e më të nderuar të publicistikës shqiptare.

 

 

February 21, 2018 19:15
Komento

7 Komente

  1. N.VJOSA February 21, 19:41

    Rrofsh ta te duash vet o Duro Mustafai!…
    Nuk kam per ta harruar kurre dashurine dhe mbeshtetjen tende per ne ish gazetaret e rinj!…Midis tyre dhe per mua!
    Ti je sot 85 vjec, por ne Zemren tende te madhe mbetesh i ri
    DHE NJE NJERI F I S N I K !…

    Reply to this comment
  2. alphade February 22, 03:33

    Nga larg, i dashur Duro te uroj per 85 vjetorin e ditelindjes tende. Jete te gjate e suksese ne fu-
    shen pasionante te gazetarise. Bashke jemi njo-
    hur ne vitet e rinise ne shkollen pedagogjike “Lu-
    igj Gurakyqi”, ne Elbasan. Ju ishit ne vitin e katert,
    ndersa une ne vitin e pare. Me vone punuam ne
    Vlore,Ti ne rini,ndersa une ne aresim. Kujtimet me
    te bukura ruaj nga Vlora,pavaresisht se nuk kam qe-
    ne nga ai rreth. Pas tre-kate vitesh te ndare per sresye
    te ndjekjes se shkollave u takova perseri me ju, Duro
    dhe me Pellumb Bitrin. Besoj se ju kujtohet ne rrethana
    “speciale” . Keni shkruar nje artikull te gjate per ate vizite
    te paharruar…….! Vite me vone perseri fati e solli te tako-
    heshim si miq te vjeter ne Tirane me detyra e sektore te
    ndryshem. Tash, besoj se e ke pak a shume nje kuader
    te plote per zbuluar cili jam ….!!!!!
    Edhe nje here,i dashur Duro,te uroj nga zemra per kete
    85 vjetor,jete te gjate,shendet e pleqeri ye bardhe……!
    Te fala shokeve,…….!!!

    Reply to this comment
  3. alphade February 22, 08:36

    Komenti im……

    Reply to this comment
  4. Krist February 22, 20:30

    Po vijoj me fjalen e zotit Duro:Por ne se per shoqerine,dicka do linja….do isha i lumtur.-Po zoti Duro,ke te drejte te ndihesh i lumtur,sepse ke lene…dhe shume ,per ne.pra per shoqerine.Po ju tregoj konkretisht: Ne vitin a larget 1985,mu krijua nje problem i pa drejte,me shtetin (konkretisht me “Pasurine e shtetit”-Tirane.Me sorrollatnin dhe nuk me zgjidhnin problemin.Shkova edhe ne komitetin exekutiv,deri tek kryetari.por megjithese te gjithe me jepnin,parimisht ,te drejte,me interpretonin ligjin,qe i pengonte ata,te me jepnin hakun tim.Mendja me tha,te shkoj nje here tek gazeta Zeri Popullit,kur kalova andej,per ne shtepi.Fola me nje dezhurn dhe me tha,nuk je ne vendin e duhur,por meqe kembengula,me drejtoi tek redaksia ekonomike.U futa ne ate zyre,pa njohur njeri.Ishin nja kater,apo pese burra.kerkova shefin,te cilit i shpjegova problemin.Te gjithe,me shikuan me habi,me dhane te drejte,por me pyeten,po ketu,pse ke ardhe.?Erdha per te vertetuar a kam te drejte,tani qe e thate edhe ju,do i drejtohem gjygjit.I falenderova dhe bera te dal.Dale,dale,or djale,prit pak sa te bisedoj ne telefon.Mori telefonin dhe mbasi iu pergjigjen ,kerkoi Sekretarin e presidiumit te kuvendit popullor,me duket quhej Tozaj.Bisedoi me te,me ze shume te ulet,nuk degjohej gje.Mbasi mbylli telefonin,me tha:Shko qe tani ne presidiumin e kuvendit,tek dezhurni thuaj me dergoi Duro Mustafai nga Zeri i Popullit,me pret shoku Tozaj….dhe vijoi,degjo djale.nese nuk mbaron pune,une do t’i paguaj te gjitha sa te takojne,sepse te takojne dhe do fitosh se s’ben,ndryshe une nuk do punoj me gazetar.Shkova te dezhurni,pa folur akoma,nje burre i vjeter me tha :Krist… (ma dinte edhe emerin),shko tek zyra….me dha adresen dhe terhiq parat.Kur shkova tek zyra,perseri si me magji,me priste nje grua (e njenjta qe me kish pritur dikur,por qe me thonte se ligji….t tje.)me coi te arketarja,e cila i kishte bere gati parate.E po kjo mbrekulli,thashe me vehte dhe u nisa per tek zyra te falenderoja Duron.Dezhurni me tha,Duroja doli per pune,por sic duket priste te vije,prandaj me porositi:Thuaj Krist…,te falenderoj shume qe u bere sebep te tunden disa burokrate.Kjo qe jo mbrekulli,por habija ime,kush duhet te falenderoje dhe kush po me falenderon!Vajta disa here ta takoj,por asnjehere nuk pata mundesine,nuk e di pse,por une bej fajtore,modestine e gazetarit Duro.Prandaj zoti Luan,meqenese druheshe se nuk e ploteson dot krejt portretin e Duro Mustafait,besoj se ky tregim imi,i ve vulen gazetarit,njeriut te punes misionarit,,nuk jam i letrave qe ta percaktoj te plote portretin tij.Ju faleminderit.

    Reply to this comment
    • DURO MUSTAFAI February 23, 16:03

      Megjithese kane kaluar vite dhe mua s’me kujtohet plotesishte ngjarja ( qe bene pjese tek detyra e gazetarit), ju falenderoj per fjalet e mira.Qofsh perhere i lumtur.Duro Mustafai.

      Reply to this comment
  5. Fatmiri February 23, 17:35

    Duro Mustafait!,Urime per 85 vjetorin e lindjes .E kam lexuar me shume deshire gazeten “Drita”dhe per pak kohe e mbaja edhe koleksion.Por me shume me ka bere pershtypje shkrimi : “…Heroi i katert i kodres se kuqe …..”nje shkrim per Muharrem Llanajn , nje histori paksa e cuditeshme , per nje “hero ” qe edhe pse une e kisha njohur e biseduar me te , nga qe e kisha komshi dhe ishim me te njejtin profesion , nuk e kisha digjuar nga goja e tij , kete histori , qe u be e njohur vetem mbas vdekjes se tij! Perse u mbajt e fshehte per shume vite historia e ketij njeriu!?… Pergjigjen e jep ti Duro ne shkrim …Sepse ishte mendimi i kohes qe
    heronjte duhet te vdesin ne lufte!
    Te pershendes : Fatmir Xhamballati

    Reply to this comment
  6. Fatmiri February 23, 17:38

    Duro Mustafait!,Urime per 85 vjetorin e lindjes .E kam lexuar me shume deshire gazeten “Drita”dhe per pak kohe e mbaja edhe koleksion.Por me shume me ka bere pershtypje shkrimi : “…Heroi i katert i kodres se kuqe …..”nje shkrim per Muharrem Llanajn , nje histori paksa e cuditeshme , per nje “hero ” qe edhe pse une e kisha njohur e biseduar me te , nga qe e kisha komshi dhe ishim me te njejtin profesion , nuk e kisha digjuar nga goja e tij , kete histori , qe u be e njohur vetem mbas vdekjes se tij! Perse u mbajt e fshehte per shume vite historia e ketij njeriu!?… Pergjigjen e jep ti Duro ne shkrim …Sepse ishte mendimi i kohes qe
    heronjte duhet te vdesin ne lufte!Tragjike!
    Te pershendes : Fatmir Xhamballati

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*