9 TETORI / Një nga datat e pavdekshme të historisë së muzikës

Agim Likaj October 12, 2015 21:15

9 TETORI / Një nga datat e pavdekshme të historisë së muzikës

Në datat e historisë së muzikës mbetet përherë e përkujtuar edhe ajo e 9 tetorit 1940. Plot 65 vjet më parë, në njërën nga lagjet buzë lumit Mersey të Liverpool-it, u lind John Winston Lennon-i, leader-i i katërshes epokale, e vetëpagëzuar me emrin Beatles.

Shumëkush i vitlindjeve ’40 dhe ‘50 e përjeton ende të gjallë atmosferën elektrizuese të viteve ‘60 dhe fillimviteve ‘70 që “injektoi” grupi i famshëm i katërshes së djelmoshave liverpulas John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr (emri i vërtetë i këtij të fundit është Richard Starkey, por u mbiquajt Ringo për shkak të unazave të shumta që ai kish qejf t’i vinte nëpër gishta).

Përpara pak ditësh, një miku im, Sali Hoxha, më pyeti nëse kisha ndoçka për të shkruar për Beatles-at. Me t’i thënë se do të shkruaja diçka për 75-vjetorin e John Lennon-it, atij iu ngacmuan kujtimet mbresëlënëse të atyre viteve kur, ai, një djalosh rreth të njëzetave të moshës, rrekej t’u jepte kuptim dhe ideal ëndrrave të veta teksa, fshehurazi e në klandestinitet të plotë, dëgjonte e fërshëllente nëpër buzë hitet e magjishme që prodhonin sivërsnikët e tij ishullorë. Tepër i entuziazmuar përsa i thashë, ma ktheu: “Do të bësh shumë mirë, Gim!”.

Unë dhe brezi im i vitlindjeve ‘60 patëm fatin sa ta ceknim dhe përjetonim jehonën kohëgjatë që ky grup i mrekullueshëm la pas.

Por e shijuam, ama!

Beatles-ave, me Lennon-in në krye, si më intelektuali i grupit, u jemi të gjithë mirënjohës jo vetëm për këngët dhe albumet e tyre sa fantastike po kaq edhe tokësore, por, mbi të gjitha, për mesazhin njerëzor me prirje reformuese për shoqërinë që ato përcillnin te njerëzit anembanë globit, madje edhe tek ata që radha e parjes së dritës së diellit të kësaj bote do t’u vinte më vonë. Mjaft të kujtojmë që kritika muzikore i quajti djelmoshat si “…muzikantët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, pas Beethoven-it…” dhe se qeveria britanike, me humorin tipik anglez si “… malli më i mirë i eksportit anglez në botë…”, për të parë dhe vlerësuar si duhet madhështinë dhe gjenialitetin e papërsëritshëm të këtij grupi, palca e të cilit ishte Ai, Lennon-i me tru mbiintelektual dhe me vetëdije të mbindjeshme.

Këngët Love Me Do, Obladí Obladá, Michelle, Penny Lane, Yellow Submarine, Hey, Jude!, Ticket To Ride, Let It Be, Imagine, A hard day’s night, etj., i frymëzuan të rinjtë për të rikërkuar dhe rigjetur idealet, duke u thënë atyre se jeta ia vlen të jetohet kur ajo motivohet nga shpresa, besimi dhe dashuria.

Cilido, që dëshiron ta ketë të qartë udhën dhe synimin e jetës, le të dëgjojë hitet e Lennon-it dhe Beatles-ave. Thelbin dhe gjithçka filozofike dhe ekzistenciale do ta gjejë në tekstet dhe notat e këngëve të tyre të pavdekshme.

 

Agim Likaj October 12, 2015 21:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*