A pasohet Vettingu nga hetimi penal dhe a do të përfshihet SPAK?

November 30, 2018 18:00

A pasohet Vettingu nga hetimi penal dhe a do të përfshihet SPAK?

Njerëzit perceptojnë se shumë subjekte të drejtësisë kanë përfituar nga profesioni i tyre dhe kanë krijuar pasuri të paligjshme.

A mjafton që këta njerëz të nxirren nga sistemi i drejtësisë dhe kaq, apo do të ketë një proces të dytë që do të merret me ta ligjërisht për pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme? Çfarë pritet të ndodhë me këta njerëz?

E ftuar në Top Channel, kryetarja e komisionit t Helsinikit, Erida Skëndaj i është përgjigjur kështu”

“Vettingu është përgjegjësi administrative, por kjo nuk e përjashton detyrimin që ka shteti me anë të organit të Prokurorisë që të hetojë penalisht, sepse nëse ka vepër penale, atëherë duhet të hetohet. Prokuroria heton me nismën e saj kur shikon ato të dhëna tronditëse për një pjesë të këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, për një pasuri goxha marramendëse të vendosur jo vetëm gjatë karrierës së tyre si gjyqtarë e prokurorë; por heton edhe me kallëzim penal të organeve që po bëjnë procesin administrativ”, tha Skëndaj.

Por, a do t’i ketë objekt hetimi këta persona SPAK-u?

“Deri para disa muajsh na rezulton vetëm një çështje e dërguar nga organet e vettingut në Prokurori, për

një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që gjatë hetimit administrativ i dolën probleme të përgjegjësisë penale, dhe për këtë person u vendos mosfillimi i procesit penal. Për të gjithë subjektet e tjera që ne kemi parë në media sa i takon pasurisë tejet të lartë, nuk kemi asnjë informacion nëse ka filluar apo jo paralelisht hetimi penal nga organi i Akuzës. Ndaj mendoj se krijimi i SPAK-ut do të kontribuojë në këtë proces, sepse Prokuroria nuk është një institucion që vihet në lëvizje vetëm me kallëzim. Kur ka vepra të rënda duhet të vihet në lëvizje automatikisht”, tha Skëndaj.

A ka ndikim politik në procesin e Vettingut?

“Bazuar mbi aspektin ligjor mbi të cilin e kemi shqyrtuar ne, nuk kemi parë nota të aspektit politik. Megjithatë, në mënyrë kategorike dhe absolute kjo nuk mund të përjashtohet. Ajo që ju ngrini me të drejtë ka të bëjë me pjesën e proporcionalitetit. Pra, nëse gjyqtarët apo prokurorët kanë bërë shkelje të rënda, për të cilat nuk mund të justifikohet qëndrimi në detyrë; apo shkeljet kanë qenë disi më të lehta dhe në funksion të parimit të proporcionalitetit nuk mund ta çojmë deri në shkarkim. Këtu ne kemi parë standarde të dyfishta”, u shpreh Skëndaj.

E pyetur nëse po ndodh një lloj dystandardizimi në lidhje me kualifikimin e disa prej këtyre njerëzve të drejtësisë, Skëndaj tha se raporti është fokusuar në rreth 65 për qind të vendimeve të dhëna nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Sigurisht i kemi parë të dyja aspektet, edhe personat që janë skualifikuar, edhe ata që janë konfirmuar, me një lupë shumë të kujdesshme për të parë pikërisht nëse ka pasur standarde të dyfishta. Edhe pse nuk është e thjeshtë që këto standarde të dyfishta të identifikohen në këtë fazë fillestare të procesit”, shpjegoi Skëndaj.

Por pse atëherë për disa raste rivlerësimi janë shqyrtuar vetëm një apo dy, nga tre kritere në total që ka procesi i vettingut? A është kjo një “mbyllje syri”? A mund të hidhen hije dyshimi se ka pasur favorizime?

“Kjo ka pasur një justifikim të caktuar. Ndoshta vettingu është fokusuar vetëm në një kriter, sepse edhe me një të tillë – nëse nuk e përmbush, – mund të skualifikohesh. Problemi është në fakt se, a mos ndoshta paragjykohet procesi duke fokusuar vettingun pikërisht tek ai kriter, për të cilin hetimi administrativ i organeve të vettingut ka dalë me probleme, siç ka qenë konkretisht kriteri i pasurisë? Sa i përket kësaj, edhe në raportin tonë kemi një qasje të dyzuar. Ka ekspertë të angazhuar në monitorim dhe që thonë se, në kuadër të transparencës para publikut dhe për të mos e paragjykuar procesin në frymën kushtetuese dhe të ligjit të vettingut, është në mënyrë të natyrshme i konceptuar në këto kritere dhe nuk mund të ndahen për të parë një apo dy, kur ato kanë probleme dhe më pas sjellin shkarkim. Qasja tjetër ka qenë që ligji i vettingut parashikon shkarkimin qoftë edhe me një kriter, në funksion edhe të parimit të ekonomiksit dhe të shpejtësisë së procesit, atëherë përse do të duhej të analizoheshin dy kriteret e tjera, kur qoftë edhe me njërin, kur ke një pasuri të pajustifikueshme dhe burime të paligjshme për krijimin e kësaj pasurie, mund të shkarkohesh automatikisht. Unë personalisht i përkas rrethit të juristëve që mendojnë se vettingu do të duhet të bëhet me të trija kriteret”, deklaroi Erida Skëndaj.

Çfarë ndodh nëse Strasburgu detyron rikthimin e të përjashtuarve?

“Nga informacioni që ne kemi, një pjesë e këtyre çështjeve kanë shkuar në Gjykatën e Straburgut. Megjithatë, ligji i vettingut dhe Kushtetuta nuk e parashikojnë si një hapësirë ligjore që nëse kjo gjykatë jep një vendim në favor të subjektit të përjashtuar, të kenë një mekanizëm që siguron rivendosjen e të drejtave, që detyron organet ta rishikojnë vendimmarrjen e tyre dhe ta kthejnë në sistem. Nuk e di nga pikëpamja e debatit juridik sesi mund të ndodhemi në një situatë të tillë. Mund të quhet një boshllëk (vakuum) ligjor, e ndoshta edhe vet Gjykata e Strasburgut, e cila nuk jep vetëm dëmshpërblim dhe kompensim monetar për shkeljen e të drejtave të njeriut, edhe në rastin e subjekteve mund të japë dëmshpërblim, mundet që të urdhërojë me masë të përgjithshme autoritetet shqiptare që të parashikojnë një mekanizëm që siguron rivendosjen e plotë të të drejtave të subjekteve të shkelura”, shpjegoi Skëndaj.

l.h/ dita

November 30, 2018 18:00
Komento

3 Komente

  1. Ergys November 30, 18:15

    Ne vendin tone duhet nje permbysje totale dhe me dergimin ne banken e te akuzuarve te shkelesve dhe abuzuesve me ane te pushtetit.Nqs duam te ndertojme nje shtet me themele te forta dhe perspektive per te ardhmen e femijeve duhet te shkallmohet komplet abuzimi kriminal i politikaneve dhe gjyqesorit duke u finalizuar me denimin e tij.Dhe ndertimin e nje gjyqesori te depolitizuar dhe guardian te ligjit dhe kushtetutes.

    Reply to this comment
  2. MH November 30, 20:21

    Te gjithe te korruptuerit qe kan pasuni te pa justifikushme nga paga e punes.T’iu konfiskohet direkt ne buxhet te shtetit dhe ti sherbehet njerezve ne nevoj,te vorferve.
    Nese nuk vendoset ne kete forme dhe permbajtje.Fitingu t’ia marrin kanges me fyll.

    Reply to this comment
  3. te flasim si njerez November 30, 21:18

    O zonja Skendaj! Themi se jemi ne demokraci, themi se po ndertojme shtetin ligjor dhe se drejtesia eshte dhe vendos per çdo gje. te gjithe e dime tani , bile ma merr mendja dhe ata qe kane vdekur ne keto vite pas 1992, se vidhet,vritet, shitet e blihet, dihen dhe njerezit, te pakten ata ne krye e ish ne krye, por do te tregoj nje gje se mund te jeshe e vogel ne moshe. Enveri shahet si diktator, 29 nentorin ajo kryetarja e Shkodres e quan dite te zeze, mbi njerezit e ketyre 45 vjeteve para -90-es hidhet balte me vend e pa vend sa na eshte bere e neveriteshme jeta qe ……., por ne kohen e Enverit, ligji te denonte me burg ne qoftese vidhje mbi 2000 leke te asaj kohe. Po sot? Ta fillojme nga me i madhi parave Fullani, pastaj me politikane e sherbetore te ture, me prokurore e gjykates e meradhe. Sot ligji denon nje plake 70 vjeçare qe i gjendet hashash, kur dhe hashashi ne shume vende po legalizohet, ndersa miljarderet tallen me njerezit. Desha te theme: e keni seriozisht se do ndeshkohet hajdutet, kriminelet dhe bashkepuntoret e tyre ne kete vend?. Nuk e besoj dhe pse; sepse ata te CEZ-it jane per qejf, ate Xhiken e rrugeve e mbajten brenda dhe e nxorren jashte dhe nuk theme per ata qe sollen kete gjendje e akoma birbilojne, prandaj edhe shqiptaret e ndershem le te çnderohen se ndryshe nuk i dilet me. KJo eshte rruge e pakthyeshme, kus te vjedhe me shume. Ne ekonomine e tregut s’ka me vella, moter, nene , baba; para parase te gjithe jane te barabarte, para ligjit vetem te varferit qe s’i kane parate.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim