A ekziston opinioni publik në Shqipëri?

May 16, 2017 10:32

A ekziston opinioni publik në Shqipëri?

 

Nga Moikom Zeqo

 

Titulli i mësipërm është një pyetje e beftë, e natyrshme dhe njëkohësisht pyetje e tmerrshme.

Opinioni publik ka të bëjë me pushtetin e katërt, pushtetin e fjalës së shkruar dhe të mediave elektronike. Por pushteti i katërt i kapërcen kufijtë mediatike.

Opinioni publik ka të bëjë me substancën morale të kombit dhe të qytetarëve.

Opinioni publik lidhet me procesin e pandalshëm të ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv.

Opinioni publik është gjithmonë një apel i madh dhe i vërtetë.

Opinioni publik është përditshmëria si problematikë. Opinioni publik është problematika si ardhmëri.

Opinioni publik ka të bëjë me ekzorcizmin e të gjithëve dhe të secilit.

Opinioni publik është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Opinioni publik është syri ynë i brendshëm i sendeve dhe i shpirtit për të parë me kriticizëm dhe logjikë çdo pengesë, çdo deformim, për të hedhur tej dhe për të kundërshtuar të keqen. Opinioni publik është më i barazvlefshëm me lirinë se sa vetë ligjet.

Pozitivizmi juridik që zotëron sot tërë jetën politike të planetit mbështetet mbi postulatin se ligjet e mira e bëjnë një shoqëri më të mirë.

Unë mendoj se pozitivizmi juridik gjithsesi nuk duhet mbivlerësuar. Ndoshta e kundërta është akoma më e vërtetë, që shoqëri e mirë i bën ligjet e mira, deri në atë shkallë, deri në atë kuptim që ekzistenca formale e këtyre ligjeve mund të anulohet, mund të mos jetë një praktikë, sepse karakteri formal i ligjit është i ndërvarur dhe nuk mund ta mbizotërojë realitetin e gjallë. Forca e opinionit publik është shumë e madhe në raport me shkallën e qytetërimit të çdo vendi dhe të çdo populli.

Në sistemet totalitare opinioni publik është i tjetërsuar si opinion partiak. Gjithashtu pozitivizmi juridik është një pozitivizëm totalitar.

Opinioni publik parakupton pluralitetin e ideve dhe lirinë e mendimit.

Opinioni publik është debat dhe kundërshtim opinionesh. Opinioni publik pa kontradiktën në vetvete nuk mund të jetë i vërtetë.

Aty ku nuk është kontradikta nuk është as opinioni publik.

Në shoqëritë posttotalitare hapen horizonte dhe krijohen mundësi të mëdha për lindjen dhe zhvillimin e opinionit publik.

Nga viti 1991 e këtej shtypi i lirë dhe media elektronike kanë krijuar një përvojë në thelb të dyzuar të opinionit publik. Duket se fjala është e lirë dhe nuk ka pengesa për opinionin publik.

Por opinioni publik shqiptar është kaq i deformuar dhe i mangët saqë unë me trishtim dhe jo pa dëshpërim mund të them se gati dyshoj në ekzistencën dhe efektivitetin e opinionit publik.

Së pari: opinioni publik strukturohet nga transparenca informative, nga liria informative dhe jo nga kaosi informativ dhe anarkia. Më vjen keq, por gati tërë gazetat dhe mediat elektronike në Shqipëri kanë një kaos dhe anarki informacioni si dhe shpërpjesëtime të brendshme në substancën publicitare dhe profesioniste të lajmeve.

Përgjithësisht llojet e lajmeve kanë të bëjnë me sferën e jetës dhe skandaleve personale të vipave të politikës (për fat të keq asnjë gazetë, asnjë TV nuk flet për platforma ideore apo nisma të mirëfillta politike të politikanëve).

Sfera e dytë e dukshme e tabloideve ka të bëjë me kronikën e zezë, vrasjet, prostitucionit, drogën etj. etj.

Sfera e tretë ka të bëjë në informacione të zbehta kulturore të seksit, të reklamave etj. etj.

Pra substanca mediatike nuk pasqyron problemet e vërteta reale të shoqërisë shqiptare dhe krijon shpërpjesëtime të të vërtetave të pjesshme, duke mbuluar me tym disa të vërteta shumë më të thella.

Së dyti: Këto vitet e fundit është krijuar një dukuri e tmerrshme, që ka të bëjë me klientelizmin e mediave dhe të shtypit. Fare lehtë mund të dallosh që shtypi dhe TV-të janë të ndarë sipas klaneve, janë të pronësuar sipas rrymave, që lidhen kryesisht me politikën dhe mund të them me bindje se kishte të drejtë Faik Konica kur dy vjet para se sa të vdiste shkroi një parodi për gjoja shtypin e lirë duke thënë se “përralla e shtypit të lirë është një shpikje e idealistëve të mëdhenj, por aspak e praktikës së shtypit”.

Ky cenim i tmerrshëm dhe i llahtarshëm i lirisë së shtypit është gati njëlloj totalitarizmi i ri mendor.

Duke patur parasysh këto që thashë më sipër del qartë se opinioni publik shqiptar është i kërcënuar nga pengesa të mëdha. Pa u çliruar nga këto pengesa nuk mund të flitet për një opinion publik të vërtetë.

Opinioni publik duhet kështu të gjejë vetveten, të realizohet si i tillë. Kjo gjë ende nuk ka ndodhur në Shqipëri.

Mbasi të bëhet një opinion publik i vërtetë dhe i besueshëm mund të shtrohet çështja që ky opinion të ndikojë si katharsis mbi politikën dhe shoqërinë shqiptare.

Ky opinion publik është më i rëndësishëm se sa sistemi shumëpartiak i një vendi demokratik.

Opinioni publik është më i rëndësishëm se sa konceptet bazë pozitë opozitë, është më i thellë dhe i rëndësishëm se sa të ashtuquajturat debate në Parlament etj. etj.

Opinioni publik nuk ka të bëjë thjesht me politikanët, por ka të bëjë me rritjen e procesit qytetërues të vetë popullit.

Pavarësisht nga fakti se në shtypin dhe mediat elektronike të Shqipërisë janë ngritur probleme të mëdha që paraqesin premisat e opinionit publik unë pa u treguar skeptik mund të them se opinioni publik në Shqipëri është akoma një ëndërr dhe një premisë, nuk duhet të dëshpërohemi dhe të mos shpresojmë, nuk duhet të biem në fatalizëm, por jemi shumë larg kuptimit të vërtetë të opinionit publik.

Këtë opinion publik nuk e përfillin politikanët por për fat të keq ky opinion publik nuk ndikon aq shumë edhe te vetë populli.

Më tremb fakti se vetë shija e lexuesve është orientuar drejt sensacioneve boshe dhe një informacioni shterpë.

Po bëhet një reduktim i një mediokriteti të pashembullt gjoja në emër të shtypit të lirë.

Po triumfon idea e një imoraliteti dhe absurditeti të konceptimeve logjike.

E di që është një proces tepër i vështirë dhe i komplikuar. Por nuk jam naiv që të vetëkënaqem dhe të luaj rolin e një opinioni publik të paqenë, të ngatërroj surrogaton me qenien e vërtetë të opinionit publik.

 

May 16, 2017 10:32
Komento

7 Komente

  1. cuf dabjoni May 16, 16:21

    O Moikom kujt i duhet opinion publik kur nje gazete jo pa auditor si DITA, ofron perdite vetem opinionet e R.Qoses, B.Islamit, P.Xhufit, M Zeqos…I.Haxhise e dikur te te ndjereve K.Frasheri e A.Stefani…… se harrova dhe Skenderbeun e Ri

    Reply to this comment
  2. betixho May 16, 19:51

    NJE NGA KOKAT ME TE MEDHA ENCIKLOPEDIKE TE SHQIPTAREVE BASHKE ME QOSEN.
    INTELEKTUAL ME MENDIM TE THELLE FILOZOFIK,ME TRAJTIME BAZIKE DHE KONCEPTUALE POTHUAJSE NE TE GJITHA FUSHAT.
    NUK GJEN TE MOIKOMI UJE DHE SOROGATE POR THELLESI DHE ARGUMENT.
    ATO QE THOTE MOIKOMI PER 3-4 SFERAT E OPINIONIT PUBLIK TE EMETUARA NGA MEDIA SI SHTREMBERIME TE RELITETIT TE OPINIONIT PUBLIK,UNE I KAM KONSTATUAR VETE NE NJE VEND EUROPIAN QE MBAHET SI ELITA E KULTURES BOTERORE.24 STACIONE QE KAM NDJEKUR UNE QELLIMISHT PER TA KRAHASUAR ME MEDIAT TONA,MUND TE THEM PA ASNJE HEZITIM,SE TA KA ENDA TE NDJEKISH PROGRAMET E TYRE MBASI TE GJITHA MERREN ME PROBLEME POZITIVE QE TREGOJNE NJE JETE TE SHENDETESHME MORALE POLITIKE ESTETIKE,ARTISTIKE DHE RRALLE,SHUME RRALLE MUND TE TE KAPE SYRI DUKURI NEGATIVE,KU TEK NEVE MBIZOTEROJNE.KY RAPORT KRAHASUAR ME NE, DUKET I PERMBYSUR DHE ESHTE SHUME I DREJT KONSTATIMI QE JEP Z.MOIKOM,SE NUK KEMI NJE PASQYRIM TE VERTETE E TE DREJT TE OPINIONIT BUBLIK NE MEDIA,POR NJE SHTREMBERIM DHE DENATYRIM TE TIJ,DHE KEJO BEHET PIKERISHT NGA AMORALITETI I MEDIAVE QE LIDHET ME KORRUPSIONIN DHE POLITIKEN,GJE QE POPULLI SHQIPTAR DO TA VUAJE EDHE PER SHUME KOHE,NESE NUK UDHEHIQEMI NGA ATO QE THOTE AKADEMIKU I NDERUAR.

    Reply to this comment
  3. Aliu nga Selenic May 16, 20:14

    Keta jan ajka e Kombit more Cuf! Po ke te degjojme Lubonjen apo Anti Bushatin. Ahe me fale duhet te degjojme Prec Zogaj qe genjen e mashtron dhe ndarrron ne diten per dialle.!.
    Kure te permendesh R.Qosen. P,Xhufin, M.Zeqon, Izet Gaxhine dhe te tjer qe ti i permende kujdes leje shtather gojen.!

    Reply to this comment
  4. vasili May 16, 22:05

    E ke tjere gjate,si nje leksion teorik,per opinionin publik or akademiku yne,kur dhe ti vet,nuk guxon te ballafaqohesh me te.
    Me shkrimet apo bisedat e pafundme ne media,qe jane bere monopol,ne shumicen e tyre,i disa emrave te sterkonsumuar deri ne neveri te skajeshme oer opininonin publik(ka dhe emisione qe te ngjallin alergji qe ne titull,sic eshte ´´Te pa ekspozuarit´´,ku dalin pafundesisht te njejtet surreter,qe i lejojne vehtes te thone cdo marrezi,aty dhe anti-ligjore te sigurte se nuk kane per te pesuar asgje.)
    ,debatojne lexues te zakonshem cilesore, pjese e ketij opinioni,por qe kurre nuk marrin pergjigje nga autoret,per opoziten qe u bejne atyre.
    Kjo nuk eshte vecse nje mendesi anadollake mesjetare,ku beu vec flet dhe eshte pa vesh.
    Kjo tabu ne media eshte dhe me e keqe se nje diktature politike e kohes.
    Dhe kryeministri i vendit, vet e pranon kete komponent jetik demokratik dhe debaton jo rralle me lexuesit.Vecse kam nje verejtje,qe ay merret me alabak,apo me ndonje nivel rapsodik,duke i u shmangur debatit krucial,ku e fton intelektuali i paanshem me argumentet e veta.
    Prandaj z. Zeqo,do tju isha mirenjohes,te dija mendimin tuaj,si mund te thyhet kjo tabu,qe e ka asfiksuar pothuajse te gjithe median tone,duke mos debatuar me lexuesin cilesor..

    Reply to this comment
  5. vasili May 17, 11:14

    Mund te me thoni,cfare kishte komenti,qe nuk doni ta botoni?
    Pervecse ish,nje dialog me argumument jetesor dhe pergjithesues dhe me gjuhe qytetare..

    Reply to this comment
  6. G.Karagjozi May 17, 19:17

    Ju lumte ,jeni i aritur dhe i sakte ne shume Analiza e Fillozofime. Ju lexoj me shume kenaqesi dhe njeriu rishikon bindjet dhe formimin e tij me Filozofine Tuaj. Je si te rallet ne Medien e lire qumeshtore Shqipetare…

    Reply to this comment
  7. Kasandra May 19, 03:07

    Opinioni publik!
    Le ta shikojmë pak më konkretisht çfarë përfaqëson ky term. Ai përbëhet nga publiku dhe opinioni që ka ky publik për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve publike ekonomike, politike, kulturore, kombëtare etj., ose për probleme të veçanta si taksat, punësimi, feja, gjakmarrja etj. Publiku është populli në tërësinë e tij, punëtorët, fshatarët, nëpunësit, intelektualët, sipërmarrësit, prodhuesit dhe tregtarët privatë etj. Opinioni gjithëpopullor ose i pjesshëm matet herë pas here për nevoja të dryshme nëpërmjet sondazheve përafërsisht të sakta (plus-minus 3%) , zgjedhjeve, referendumeve e të tjera nëpërmjet të cilave mësohet mendimi dhe qëndrimi i unifikuar i një numri domethënës i publikut pro ose kundër. Praktika tek ne ka treguar se publiku kur është pyetur e ka thënë fjalën e vet sipas bindjeve, përvojës dhe informacionit që ka pasur. Si konkluzion askush nuk mund të injorojë as publikun as opinionin publik në punën e tij. Prandaj të gjithë faktorët që ndikojnë në përpunimin e opinionit publik janë shumë aktivë. Një prej tyre janë mjetet e informacionit që informojnë por edhe përforcojnë opinionet egzistuese, ndihmojnë shkëmbimin e mendimeve edhe nëpërmjet debateve, ku argumentet mbështesin vlerat dhe rrëzojnë surrogaten ose gënjeshtrën. Ka problemet e veta por në përgjithësi kjo bëhet tek ne jo vetëm nga njerëzit e shtypit por edhe nga shumë faktorë të tjerë opinionformues si grupet e interesit, organizatat joqeveritare, organizatat e masave, instituconet fetare, por edhe nga udhëheqësit politik me influencë ose individë me tendenca kontradiktore që ngjallin debate dhe specialistë për çështje të caktuara, autoritete shkencore, letrare, artistike etj. që parashtrojnë mendimin e kualifikuar në fushën e tyre, nga njerëz të mirinformuar për situata të caktuara, propaganda gojore derë më derë, një situatë e çastit, informacionet dhe faktet e reja që serviren herë pas here dhe komentet mbi to që mund të kalojnë në sitë më mirë se tani etj. Këto dhe të tjera që nuk janë përmendur godasin mbi publikun dhe opinionin publik i cili nuk është fletë e bardhë. Baza e formimit të tij ka rrënjë më të thella dhe më rezistente se të gjithë faktorët e lartëpërmendur siç janë faktorët e jetesës e të ambjentit rrethues, njohuritë dhe përvoja nga e kaluara, qëndrimet dhe vlerat e përftuara nga ajo përvojë, edukata dhe tradita familiare, shkolla dhe fryma e saj laike, ngjarje të mëdha historike aktuale ose të shkuara, historia dhe faktorët që përcaktojnë shpirtin, moralin dhe forcën që mbrojnë dhe zhvillojnë popullin tonë në rrugën për emancipim të vazhdueshëm. Janë disa çështje për të cilat opinioni publik shqiptar është i padiskutueshëm madje nuk ka nevojë as për sondazhe siç është postulati “Feja e shqiptarit është shqiptaria!” etj. Kasandra.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

FOTO E DITËS