A është hepatiti ngjitës?!

May 8, 2020 10:34

A është hepatiti ngjitës?!

Hepatiti është një sëmundje që karakterizohet nga inflamacioni (infeksioni) i mëlçisë. Hepatiti është një term i përgjithshëm që i referohet çdo inflamacioni të mëlçisë. Shumë sëmundje dhe faktorë të ndryshëm mund të shkaktojnë inflamacionin e mëlçisë, ku ndër më të shpeshtat janë hepatitet që mbeten të padiagnostikuara dhe trajtuara në kohë.

Në vijim të shkrimit, mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për “DITA” rastet në të cilat hepatiti është ngjitës dhe rrezikshmërinë që e karakterizon, si dhe masat që duhet të marrim për të frenuar në kohë ndërlikimet që kjo sëmundje mund të shkaktojë në shëndetin tonë.

Hepatitet janë ndër patologjitë që hasen shpesh në popullatë. A janë ngjitës?

Për t’iu përgjigjur pyetjes nëse hepatiti është ngjitës ose jo, fillimisht duhet ta klasifikojmë atë në hepatit infektiv dhe joinfektiv. Shkaktarët infektivë të hepatitit zakonisht janë viruset. Në këto raste flasim për hepatit viral. Ekzistojnë disa lloje të hepatitit viral, më të zakonshmet prej të cilave janë hepatiti A, B dhe C.

Çfarë mund të veçojmë për secilën nga këto forma të hepatitit sa i takon efektit ngjitës?

Sëmundjet virale në përgjithësi janë ngjitëse. Hepatiti A është shumë ngjitës. Zakonisht përhapet nga personi në person përmes rrugës fekalo-orale, domethënë përmes kontaminimit fekal të ushqimit. Hepatiti A është zakonisht një hepatit i butë dhe shumë njerëz nuk e dinë që janë të infektuar. Virusi eliminohet nga organizmi me shpejtësi dhe nuk shkakton dëme afatgjata. Higjena e mirë për larjen e duarve ndihmon në parandalimin e hepatitit A. Kujdes duhet treguar në këto raste me përdorimin e ushqimeve të papërpunuara dhe me ujin.

Në rastin e hepatitit B dhe C transmetimi nga personi në person ndodh përmes lëngjeve të trupit ose gjakut. Mënyra më e zakonshme për t’u infektuar është përmes seksit të pambrojtur dhe përdorimit të gjilpërave të njëjta (për shembull përdoruesit e drogave, tatuazhet, etj).

Hepatiti B dhe C transmetohen gjithashtu edhe nga nëna e infektuar tek foshnjat e tyre gjatë lindjes në rreth 95 për qind të rasteve. Mënyrat më pak të zakonshme janë përdorimi i përbashkët i veglave të rrojës ose furça e dhëmbëve. Edhe pse seksi i pambrojtur është mënyra më e zakonshme për t’u infektuar nga hepatiti B, infeksioni ka më shumë të ngjarë për njerëzit që kanë shumë partner seksi.

Shumica e të rriturve që preken nga hepatiti B zhvillojnë forma të buta, ose të mesme të sëmundjes dhe më pas virusi eliminohet në mënyrë spontane. Megjithatë rreth 10 për qind e pacientëve nuk janë në gjendje të eliminojnë virusin e hepatitit B, duke zhvilluar kështu një infeksion kronik. Kjo mund të shkaktojë komplikacione serioze të mëlçisë deri në dështim të punës së saj (insuficiencë) apo kancer të mëlçisë.

Rreth 25 për qind e rasteve që zhvillojnë formën akute të hepatitit C, e eliminojnë virusin nga organizmi, ndërsa pjesa tjetër është e destinuar të zhvillojë formën kronike, e cila më vonë mund të shkaktojë edhe komplikacione serioze të mëlçisë.

Hepatiti kronik e sulmon mëlçinë ngadalë, përgjatë shumë viteve pa shkaktuar simptoma klinike. Nëse infeksioni nuk diagnostikohet dhe nuk kurohet, shumë pacientë do të zhvillojnë dëmtime të pakthyeshme të mëlçisë.

Megjithatë, terapitë e reja antivirale kanë hedhur një hap shumë cilësor në trajtimin e formave kronike të hepatitit B dhe C, duke parandaluar kështu edhe komplikacionet e mundshme. Hepatitet virale diagnostikohen mjaft lehtë nëpërmjet testeve të gjakut.

Përveç viruseve që i përmendëm më lart, nga se mund të shkaktohen tjetër hepatitet?

Përveç viruseve, hepatiti mund të shkaktohet edhe nga parazitët infektivë (siç është për shembull Plasmodium spp, Schistosoma spp), por që nuk janë ngjitëse nga personi në person. Po ashtu edhe hepatiti i shkaktuar nga alkooli (hepatiti alkoolik), nga medikamentet (hepatiti medikamentoz ku më i shpeshtë njihet hepatiti nga paracetamoli), apo nga toksinat e ndryshme (helmet) nuk transmetohet nga një person në tjetrin. Prandaj, përgjigja e pyetjes “A është hepatiti ngjitës?, do të varet absolutisht nga lloji i hepatitit.

Cilat janë shenjat klinike që duhet të na orientojnë drejt sëmundjes së hepatitit?

Në varësi të llojit të hepatitit do të jenë disi edhe shenjat klinike të tij. Shumica e llojeve ngjitëse të hepatitit kanë një simptomatologji klinike që zhvillohet ngadalë, si për shembull: diskomfort abdominal (parehati në zonën e barkut), të përziera dhe të vjella, lodhje e përgjithshme, si dh zverdhje e lëkurës dhe e mukozave.

Kur nis shfaqja e simptomave të dukshme?

Në përgjithësi, periudha e inkubacionit nga koha e infeksionit fillestar viral deri në zhvillimin e simptomave klinike varion gjerësisht nga rret dy javë, deri në gjashtë muaj. Edhe në rastin e hepatiteve jo-ngjitëse simptomat klinike mund të jenë të ngjashme me ato që përmendëm më sipër. Në rastin e hapatitit alkoolik, koha për shfaqjen e simptomave klinike mund të zgjasë për muaj dhe vite dhe në rastin e hepatitit nga toksinat mund të zhvillohet shumë shpejt, brenda disa ditëve. Po ashtu pacientët me hepatit mund të kenë rritje të madhësisë së barkut dhe grumbullimin e lëngjeve brenda kësaj hapësire.

Po format më të rënda të hepatitit nga çfarë simptomash karakterizohen?

Si simptoma serioze të formave të rënda dhe agresive të hepatitit (për të gjitha llojet e tij) mund të përmendim: konfuzionin mendor, gjakderdhje në pjesë të ndryshme të organizmit (veçanërisht në rrugët e aparatit tretës), gjendje komatoze, si dhe vdekje e shpejtë në rastin e hepatitit fulminant (forma më e ashpër dhe fatale).

Deri në sa kohë mund të jetë ngjitës hepatiti?

Shumica e individëve janë ngjitës rreth një deri në dy javë para shfaqjes së simptomave klinike. Gjithmonë në varësi të llojit të hepatitit, ata mund të mbeten ngjitës për një kohë të zgjatur. Për shembull, njerëzit me hepatit viral A janë ngjitës për të paktën edhe dy javë pas shfaqjes së shenjave klinike por, për hepatitin viral C, ose format e tjera, individët mund të mos shërohen nga hepatiti dhe vazhdojnë të jenë akoma ngjitës nëse nuk marrin trajtimet e duhura specifike.

Çfarë masash duhet të marrim?

Masa më e mirë parandaluese dhe e sigurt ndaj hepatitit viral B është vaksinimi. Për hepatitin viral A është e rëndësishme higjena e lartë. Kujdes i veçantë duhet treguar siç e theksuam edhe më lart gjatë marrëdhënieve seksuale (të përdoren masa mbrojtëse veçanërisht në marrëdhëniet me disa partnerë), në përdorimin e shiringave njëpërdorimëshe, gjatë tatuazheve gjithashtu duhet kujdes i madh, veglat e dentistit janë gjithashtu një mundësi, transfuzioni i gjakut, dializa.

 

Pranvera Kola\Dita

May 8, 2020 10:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim