A i shkruan vetë deklaratat Argita?

Nga Mero Baze January 9, 2013 11:24

A i shkruan vetë deklaratat Argita?

Ka një pikëpyetje të madhe në botën e gazetarëve dhe reporterëve të rinj mbi faktin nëse Argita i shkruan apo jo vetë deklaratat për shtyp. Në fushatën disavjeçare të mitizimit të saj si një njeri që di të bëjë para me metoda “të holla”, dhe mbi të gjitha nga fakti se shumica e medias kontrollohet nga pushteti, tashmë shtypi po ndeshet me dilemën që ka prodhuar vetë për aftësitë e rralla të së bijës së kryeministrit. Me dhjetëra apartamente me qira nga ata që janë 3 mijë euro metri katror, me qindra miliona të fituara në një vit nga ‘mësimdhënia’ dhe me miliarda të padeklaruara, Argita që gazetarët shikojnë tani pas hijes së deklaratave që nisen nga e-maili i saj, nuk u ngjan me atë që kanë pasur në mendje.

Si një shoqëri e frustruar nën trysninë e adhurimit të atyre që bëjnë lek nga pushteti, shumica e shoqërisë shqiptare jo vetëm që e fal hajdutin e pushtetit, por e adhuron dhe e ka atë motiv për të shkuar drejt modelit të tij. Si në rastin klasik të Barjabës, linçimi dhe urrejtja shpërtheu ndaj dikujt që vodhi shumë pak, shumë larg dhe u kap. Për ata që janë këtu, vjedhin milionat tona dhe kur kapen bëjnë si të fortë nga pushteti, në vend të linçimit krijohet prej pushtetit një aureolë adhurimi.

Ky është fenomeni që ka rrethuar deri më sot Argitën, Shkëlzenin dhe gjithë pjesëtarët e Familjes që po bëhen milionerë pa NIPT dhe taksa, por vetëm me shpërblime të majme.

Ajo që po ndodh tani është mospërputhja mes adhurimit për njeriun që po bënte lek në heshtje, me atë që po flet publikisht. Kjo që po flet publikisht, edhe pse nuk del me zë dhe figurë para kamerave për shkak të komplekseve të saj, po ju duket të gjithëve shumë e shëmtuar, e ligë dhe trutharë. Bile për shkak të klasifikuarit si gjinia femërore, po duket dhe më e shëmtuar se i ati, në gojën e të cilit fjali të tilla janë bërë banale dhe askush nuk i dëgjon më.

Për shkak të këtij profili të ri të Argitës në opinionin publik, bota e medias duket e hutuar dhe ndër tavolina debati kryesor është nëse ajo i shkruan vetë këto deklarata apo thjesht i ati e trajton sikur të jetë Erla dhe nis deklarata në emër të saj?

Pyetja ka ende rëndësi për median, sidomos për median e pushtetit, e cila nuk do ta besojë që kanë të bëjnë me një femër kaq vulgare, kaq të pacipë dhe të lig, kaq të paditur dhe hakmarrëse, dhe sidomos kaq të ndryshme ngase e kishin përfytyruar, herë- herë dhe si pasardhëse të pushtetit të babait.

Është një dilemë normale, njerëzore dhe njëkohësisht thelbësore për të krijuar një përfytyrim të ri për të, tashmë jo nga ato që dëgjojnë nga të tjerët për të, por nga ato që dëgjojnë nga goja e saj, ose në emër të saj. Dhe kjo ka të bëjë mbi të gjitha me pafuqinë e saj për t’u përgjigjur. Ajo është i vetmi personazh publik në Shqipëri që pyetjet i quan akuzë dhe përgjigjet i ka pyetje për kundërshtarët e babait. Ajo pyetet të tregojë se kush e ka paguar me qindra milionë lekë në vit për mësimdhënie, duke ia kaluar dhe pedagogut më të paguar në botë, dhe ajo thotë kjo është akuzë, pasi unë jam paguar në rregull. Ajo pyetet përse i ka kërkuar tre përqind të investimit një biznesmeni të huaj për firmën e babait, e cila mund të shkonte si vlerë nga 3 milion euro në dhjetë milion euro në varësi të fuqisë së TEC-it, dhe ajo thotë nuk ia mora dot lekët, ndaj s’kam faj. Ajo pyetet pse shet pushtetin e babit, dhe në vend të përgjigjes dëgjojmë shpifje për gruan e kryeopozitarit, e cila ka biznesin e saj 14- vjeçar të dokumentuar, pa qenë më parë  gruaja e ndonjë politikani.

Në stilin e saj ofendues, mediokër dhe të lig, duket sikur janë mbledhur gjithë gëlbazat e Saliut që shtyhen tutje nga fuqia e një femre të xhindosur dhe të kompleksuar për pafuqinë e saj për të fshehur duart e futura në pasuritë e shqiptarëve.

Pyetja që bëjnë gjithandej njerëzit, nëse kjo i shkruan apo jo vetë deklaratat për shtyp, në të vërtetë nuk është pyetje, por një përpjekje e fundit për ta shfajësuar atë si një femër që po vuan pasojat e pushtetit të babait mbi jetën e saj. Ajo ka hyrë në vitin e tetë të vjeljes së të mirave financiare të pushtetit, për të mos thënë që këtë punë e ka nisur qysh në opozitë duke shitur frikën e ardhjes së babait të saj në pushtet. Nuk bëhet fjalë as për ndonjë intelektuale, as për ndonjë femër klasi, as për ndonjë avokate apo pedagoge, as për ndonjë biznesmene. Thjesht  është e bija e babait kryeministër! Ndaj dhe deklaratat s’mund të jenë ndryshe.

Nga Mero Baze January 9, 2013 11:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*