A jam akoma e virgjër? (+16)

April 19, 2018 11:16

A jam akoma e virgjër? (+16)

Lexoni letrën e kësaj vajze të shqetësuar.

Përshëndetje doktor,

Jam një vajzë 20 vjeçe dhe jam shumë e shqetësuar. Ti je i vetmi që mund të më ndihmosh. Lexova të gjitha materialet që ke shkruar në blog. Por kam besim tek ti dhe shpresoj të më kthesh një përgjigje.

Unë si shumica e vajzave shqiptare kam një problem te cilin dua ta ndaj me ju dhe te marr ndonjë përgjigje. Unë kam patur një të dashur të cilin e kam dashur shumë. Njëherë ishim bashkë dhe s’kishim plan të bënim gjë, por vetëm ashtu të rinim se ndjenim kënaqësi. U zhveshëm, u puthem dhe i dashuri im filloi të më puthte nëpër trup pastaj më puthi atje poshtë. Unë ndjeva shumë kënaqësi.  Ai donte të penetronte brenda meje. Më dhëmbi, e shtyva dhe pata një lloj paniku.  Këtu ku jetoj ta humbësh virgjërinë të nxihet jeta. U vesha shpejt dhe ika qe aty. Ai idioti as nuk më merrte me të mirë e të më thoshte ndonjë gjë. 

Ai nuk u shqetësua  dhe pas pak kohe u fejua me një  tjetër. Kjo nuk më intereson fare, dua ta shoh të vdekur. Unë dua të di se a jam e virgjër?. Në qofte se nuk jam e virgjër nuk kam për të patur jetë të lumtur.   Unë e di me milion%, që nuk e kam lejuar të penetrojë. Pa dëshirën time deshi të penetrojë, ndjeva dhimbje.  Kam kërkuar nëpër internet. Kam parë foto si duhet të jetë ai dreq himeni. Kam marë një pasqyrë dhe kam shiku si është himeni im. I shkatërruar?! O zot, unë s’kam bërë seks! E gjitha ç’ka ndodhi është kjo që të thashë.

Të lutem të më ndihmosh, të lutem. 

Letra si kjo unë marr çdo ditë nga vajza dhe djem të shqetësuar për virgjërinë e humbur. Kjo është arsyeja që më nguci të shkruaj për disa çështje që lidhen me virgjërinë.

Çfarë është himeni?

Është mbeturinë e një flete indore, që shërben për të ndarë gjenitalet e brendshme nga gjenitalet e jashtme, përpara se hapja vaginale të formohet. Vrimat në qendër të himenit  janë hyrja për në vaginë.

Himeni është si një perde e vendosur në një portë e cila tregon se ku mbarojnë organet e jashtmet dhe ku fillojnë organet e brendshme. Ju nuk mund të kaloni nëpër këtë portë, pa përshkruar këtë perde, që është himeni. Ai është pjesë e portës së vaginës. Asgjë nuk hyn ose del nga vagina pa kaluar nëpër të.

A kanë të gjitha gratë himen?

Shkenca mjekësore mendon se shumica kanë. Kërkuesit kanë gjetur se rreth 0.03% e grave kanë lindur me më pak ind të mbetur në hyrjen vaginale. Ky ind i pakët është vështirë të konsiderohet himen. Kjo tregon se tek këto gra, procesi i formimit të hapjes vaginale është kryer me një shmangie të vogël nga norma.

Përse duhet himeni?

Ne nuk e dimë se pse gratë kanë himen. Duket sikur ai nuk ka asnjë funksion për ato. Himeni tek femra e guinea pig shkrihet në periudhën kur ajo është fertile. Kjo gjë lejon mashkullin të çiftëzohet me të. Pas çiftëzimit ai rritet përsëri dhe e mbyll komplet vagjinën, kur guinea pig femër nuk është më në ashk. Shkencëtarët  nuk janë të sigurtë se çfarë të mirë ka guinea pig prej kësaj, por, padyshim, kjo është një lojë e shkëlqyer për takimin seksual. Çdo grua do të dëshironte të ishte virgjëreshë në çdo takim dashurie.

Çfarë lidhje ka himeni me virgjërinë?.

Kjo lidhje nuk është e domosdoshme. Himenet mund të prishen, ose mund të mos prishen, gjatë aktit seksual.

Njerëzit gjithmonë janë çuditur nga fakti që shumë gra ndjejnë dhimbje, ose kanë hemorragji nga vagina, herën e parë që bëjnë interkursë penetrante vaginale.  Ky fakt i ka detyruar njerëzit të mendojnë se duhet të ketë ndonjë pjesë të vaginës, që me të vërtetë “shkatërrohet” nga penisi, herën e parë që vagina penetrohet.

Tani, çfarë ka të bëjë himeni me virgjërinë? Ka rreth njëmijë vjet që njerëzit i kanë dhënë himenit reputacionin si pjesa e vaginës që shkatërrohet gjatë interkursës së parë.

Ideja e virgjërisë i ndihmon apo i dëmton njerëzit?

Mendoj se kjo varet shumë, nga kuptimi që njerëz të ndryshëm kanë për atë që quhet “virgjëri”. Në qoftë se dikush mendon se “virgjëria” është vetëm një emër, që nënkupton gjendjen seksuale në të cilën personi nuk ka pasur asnjëherë dhe me asnjë person aktivitet seksual,  unë them se kjo është krejt neutrale dhe nuk ka arsye ta vlerësojmë pozitive ose negative. Në këtë rast, fjala “virgjëri”, është një mënyrë e vlefshme për të përshkruar historinë seksuale të dikujt, qoftë grua ose burrë.

Kur me fjalën “virgjëri” nënkuptojmë një “kualitet”  të veçantë,  që gratë duhet ta kenë patjetër kur martohen, dhe po qe se nuk e kanë atë natën e parë të martesës, ne i vrasim, i përbuzim, i abandonojmë, nuk i vlerësojmë dhe nuk martohemi me to; kjo, them unë,  është shumë e dëmshme.

Kur themi që kjo vajzë ose grua është e “virgjër” dhe me këtë  nënkuptojmë dhe vlerësojmë se këto gra e vajza që nuk kanë bërë seks para martesës janë më të mira, më të bukura dhe më të ndritura se të tjerat që kanë bërë seks, unë mendoj se edhe kjo është e dëmshme.

Pse mendoj kështu? Sepse historia seksuale e një personi, grua ose burrë qoftë ai, nuk është një bazë e mjaftueshme dhe shumë e qëndrueshme, mbi të cilën të vendosim se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët.

A duhet ta ruajmë apo ta flakim idenë e virgjërisë?

Mendoj se ashtu si për shumicën e gjërave, edhe për virgjërinë nuk ka gjithmonë vetëm një zgjedhje. Me këtë dua të them se nuk mund t’u themi vajzave: Ruajeni virgjërinë deri në martesë, por as nuk duhet t’u themi flakeni idenë e virgjërisë.  Gjithmonë duhet të kapemi fort pas ndryshimit që ndodh në jetën e të rinjve, kur ata kalojnë nga periudha që nuk bëjnë seks me të tjerë, në një periudhë që bëjnë seks. Siç kuptohet në një periudhë të caktuar të jetës gjithkush është i virgjër. Ajo është një nga  momentet e mëdha jetësore që lidhet me seksualitetin e gjithkujt. Virgjëria është një pjesë e jetës e cila merr fund, për pjesën më të madhe të njerëzve të planetit tonë. Dikush e humbet më herët dikush e humbet më vonë, por të gjithë e kanë deri në një moment të jetës dhe pastaj e humbasin. Kjo është arsyeja që ne të gjithë dhe gjithmonë, do të flasim për të.

A ka ndonjë gjë të keqe që një virgjëreshë të ndjehet krenare?

Absolutisht JO. Në qoftë se virgjëria është pjesë e identitetit të saj dhe kjo e bën të ndjehet mirë, unë them që ajo ta rruajë virgjërinë. Ajo mund të ndjehet kështu çdo ditë të jetës së saj deri në martesë. Por, natyrshëm, mund të ndodhë që në një moment ajo vendosë të mos jetë më e virgjër.  Mendoj se të dyja variantet janë krejt në rregull.

Këshilla ime gjithnjë ka qenë: Vajza që dëshiron të hyjë në jetën seksuale me dashuri dhe dinjitet, duhet të mbetet virgjëreshë deri sa të takojë djalin e duhur.

Koha në të cilën virgjëreshat ndjejnë se janë gati të fillojnë seksin  përcaktohet nga nga vetëbesimi i tyre.  Disa njerëz janë të pjekur dhe me vetëbesim në moshën 18 vjeç, të tjerë zhvillohen më ngadalë, por shumë rrallë më shpejt.

Virgjëreshat e mençura e dinë, se eksperiencat seksuale të hershme, zakonisht, nuk janë perfekte. Ato e dinë se marrëdhënia seksuale është më e mirë kur e krijon së bashku me dikë që e do dhe me të cilin mirëkuptohesh. Deri sa seksi harbut rastësor (siç është seksi që të rinjtë bëjnë para se të gjejnë një dashnor serioz e të përkushtuar), nuk është më i miri, virgjëreshat, preferojnë të mos bëjnë fare seks deri në kohën e duhur dhe me njeriun e duhur.

Arsyet për të ruajtur virgjërinë, padyshim, burojnë nga personaliteti dhe emocionet. Por ka edhe arsye të tjera më kokëforta  dhe këto janë arsye të plota për vajzat dhe për djemtë. Vajza që është shumë e interesuar për mësimet dhe aktivitetet e ndryshme, ndonjëherë është e keqkuptuar nga njerëzit. Ata do të donin  që dhe ajo ta “gëzonte rininë”. Por ajo dëshiron të mos përfshihet në seks dhe ta lejë atë për më vonë, kur të ketë kohë të lirë, si për të gjitha interesat e saj të tjera.

Nuk do të mjaftonim këto që sapo thamë, po të mos flisnim edhe për vajzat e virgjëra që e kanë zgjedhur këtë rrugë jo nga frika, as pse janë shumë të preokupuara, por për arsye të edukimit të tyre familjar dhe fetar. Ka plot djem e vajza, akoma sot, që kanë mësuar të qëndrojnë të virgjër deri sa të martohen. Ata edukohen për këtë që në moshë të re. Jeta e tyre, në të vërtetë, nuk është aq e vështirë sa mendojnë të tjerët nga jashtë. Ata kanë mbështetjen dhe aprovimin e familjes, të miqve dhe të besimit të tyre. Abstenimi nga seksi është një jetë e disiplinuar. Ata kanë më shumë vetëkontroll nga sa kanë moshatarët e tyre. Të jetosh me rregulla, për shumë njerëz, është më komforte, nga sa të rrosh me impulse. Kjo ka shumë rëndësi të dihet, veçanërisht, nga ata që influencojnë në rregullat e jetës tonë.

A janë të virgjër ata që kanë bërë seks oral ose anal?

Për këtë pyetje vështirë të jepet përgjigje, që të konsiderohet përgjigje e drejtë, ose përgjigje e gabuar. Do t’i konsiderojmë të virgjër ose jo, personat që janë përfshirë në këto aktivitete seksuale, kjo varret nga definicioni që përdorim për virgjërinë. Gjatë historisë njerëzore janë përdorur shumë definicione, por  nuk ka një definicion të saktë e të vërtetë.

Përgjigja për këtë pyetje varet nga gjykimi i  çdo personi. Me këtë rast dëshiroj të theksoj se lidhur me virgjërinë nuk ka rëndësi të dorës së parë fakti fizik (është shkatërruar ose jo himeni !). Më shumë rëndësi ka ajo që gjithkush ndjen në veten e tij, pra efekti psiko-emocional. Rëndësi ka sesi gjithkush i përgjigjet pyetjes: është apo nuk është  i/e virgjër.

Një vajzë që e ka shkatërruar himenin duke bërë ushtrime baleti dhe nuk ka kryer marrëdhënie seksuale, është  një vajzë e virgjër.

Ndërsa një vajzë që ka kryer marrëdhënie seksuale pa fund dhe vazhdon ta ketë himenin të paprekur,  sepse e ka atë shumë elastik, nuk mund të konsiderohet një virgjëreshë.

A mund të rikthehet virgjëria?

Po e them edhe një herë, kjo varet nga mënyra se si e përcaktojmë  “virgjërinë”. Në qoftë se dikush do të dijë nëse mund të kthehet përsëri në gjendjen para eksperiencës seksuale me partner, përgjigjja është  pa ekuivok : “Në asnjë mënyrë nuk mund ta rikthejë virgjërinë”.

Por, në qoftë se doni të dini nëse  është e mundur që me mënyra kirurgjikale ta bëni himenin të duket si një figurë në një tekst anatomie?, ose në qoftë se doni që askush të mos jetë i zoti t’u thotë, pasi ta shohë himenin tuaj, se ju keni bërë seks penetrant?, këtu puna ndryshon. Përgjigjja është një “Po” e madhe. Çdo kirurg mund ta bëjë këtë. Por disa kirurgë plastikë i kryejnë këto në mënyrë të përsosur.

Procedurat quhen hymenorraphy dhe hymeoplasty. Doktori rikrijon himenin duke qepur së bashku pjesët e mbetura nga himeni i shkatërruar. Operacioni mund të përfundojë me vendosjen e një kapsule xhelatinoze të mbushur me një lëng që ngjan si gjak. Kjo kapsulë do të çahet gjatë interkursës për të simuluar gjakderdhjen. Kur nuk ka mbeturina himeni të mjaftueshme, ose në rastet kur gruaja ka lindur pa himen, një pjesë nga mukoza e murit të vaginës përdoret për të krijuar këtë ind që mungon.

Mendimet e mjekëve janë të ndryshme lidhur me kryerjen e operacionit. Disa e konsiderojnë procedurën një formë të kirurgjisë plastike dhe kundërshtojnë ta bëjnë. Të tjerë mendojnë se operacioni përkrah pabarazinë gjinore, ndaj janë kundër kryerjes së operacionit. Të tjerë e konsiderojnë si jo etike kryerjen e operacioneve vetëm për shqetësime kulturore ose sociale.

Hymenorraphy-ja, në përgjithësi, është ilegale në vendet ku traditat kulturore i japin shumë rëndësi virgjërisë së nuses para martesës. Në këto vende procedura kryhet në mënyrë ilegale dhe me çmim të lartë. Nuk di si eshtë në vendin tonë, por deri sa mjekët gjinekologë thonë se e bëjnë hapur, atëherë, është ndërhyrje e lejuar nga ligji.

Para se një vajzë të bëjë këto operacione është mirë t’i bëjë vetes këto pyetje dhe të mundohet t’u japë përgjigje:

-Sa e sigurtë është ajo se burri i ardhshëm pret që ajo të jetë e virgjër?

-A i ka thënë ai me gojën e tij se e do gruan të virgjër?

-Çfarë rëndësie ka virgjëria fizike, kur ajo ka humbur virgjërinë etike dhe morale?

-A e di ajo se ka shumë gra që nuk gjakosen dhe nuk kanë dhimbje gjatë interkursës së parë seksuale.

Në qoftë se ajo e di me siguri që ai pret të jetë e virgjër, vajza ka disa opsione:

a- Të vendosë të kryejë operacionin. Ta gënjejë atë, të heqë zemërimin e tij e të familjes dhe të ruajë martesën dhe veten e saj.

b-Ta rishikojë martesën me një burrë që pret i bindur, të martohet me një vajzë të virgjër.

c-T’i thotë atij të vërtetën (në se ndjen se mund të ndodhin gjëra të papëlqyera) dhe të presë çfarë do të ndodhë.

Ndryshon puna në qoftë se të dy kanë bërë një marrëveshje që të jenë të dy të virgjër në martesë. Vajza nuk do të ishte e ndershme dhe do ta gënjente me një operacion që do ta bënte fshehurazi. Ta fillosh martesën duke gënjyer, është sikur ta ndërtosh atë mbi themele që lëkunden.

Këto çështje janë të komplikuara dhe marrja e vendimeve lidhur me to shkakton ankth. Derisa operacionet kryhen në sekret dhe për të nuk flitet hapur, padyshim, që ka probleme. Një vajzë që mendon të kryejë një operacion për zëvendësimin e himenit, provon shumë emocione konfliktuale. Të kërkosh “vërtetim fizik” për virgjërinë, është moment shqetësues. Ky është vërtetim për besimin tënd, për besnikërinë dhe për respektin reciprok me bashkëshortin.  Këto, siç dihet, janë guri i qoshes për një marrëdhënie të shëndetshme. Vajza që rreket të marrë vendimin për operacion provon një gjendje stresore të rëndë.

Sot ka shumë vajza, por edhe djem, që pasi kanë filluar të bëjnë seks vendosin të kenë më shumë kontroll për jetën e tyre seksuale. Kështu ata  heqin dorë nga jeta seksuale për disa muaj ose vite, deri sa ndjehen më të zotë që ta ujdisin atë sipas dëshirave të tyre. Kjo është një mënyrë e mirë dhe e përgjegjshme. Kjo quhet kthim në virgjërinë sekondare. Kjo do të thotë bëjini vetes një favor: Ndalo menjëherë të bësh seks. Kthehu tek virgjëria sekondare. Kthimi tek virgjëria sekondare është, padyshim, vendimi më i mirë që një vajzë mund të ketë marrë ndonjëherë. Të gjitha marrëdhëniet e tjera do të ndryshojnë për mirë. Ajo tani do të bisedojë dhe do të qeshë lirisht. Tensioni dhe faji do të largohen prej saj.

Kuptojeni mirë integriteti  juaj moral është më me rëndësi se virgjëria. Kur e “humbisni “ virgjërinë, ju nuk duhet të humbisni integritetin. Ju duhet të jeni të ndershëm me veten dhe partnerët tuaj seksualë. Shpresoj, që ju do t’i diskutoni,ndershmërisht, këto që sapo lexuat, me shokët tuaj, me ata që takoheni, me prindërit tuaj dhe me të rritur të tjerë.

Dr. Adem Harxhi

 

April 19, 2018 11:16
Komento

1 Koment

  1. Vvvvv July 11, 10:13

    Ju lutem me ndihmoni jam nje vajz 19 vjeqe kam provuar mardhenje me parnerin tim dhe me ka futur gishtin nuk kam pasur gjakderdhje dhe me ka then se sjam e virgjer dhe ma provuar me penis por penisi nuk ka hyr
    Gjithashtu vagina me merr ajer
    Dua ta di gjendjen time jam apo sjam e virgjer tani me pasi me ka hyr gishti ?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*