A ka folur me Metën për prokurorin? Kryemadhi: Kam 12 ditë që nuk e shoh…

December 13, 2017 12:58

A ka folur me Metën për prokurorin? Kryemadhi: Kam 12 ditë që nuk e shoh…

 

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një bashkëbisedim me gazetarët dha mendimin e saj në lidhje me çalimin e procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

E pyetur nëse ishte koha që Presidenti Ilir Meta duhet të thërriste një tryezë zyrtare bashkë me Bashën dhe Ramën për zgjidhjen e kësaj çështje, Kryemadhi tha se kishte 12 ditë që nuk e kishte parë bashkëshortin e saj.

“Me thënë të drejtën kam nja 12 ditë që nuk e kam parë, se unë erdha mbrëmë në darkë, ndërsa ai është larguar në mëngjes herët kështu që për çështjen e reformës nuk kemi folur”, tha Kryemadhi duke buzëqeshur.

Sakaq ajo shtoi setë jem e sinqertë nuk më intereson fare se çfarë bën Presidenti i Republikës përsa i përket Reformës në Drejtësi.

Presidentit të Republikës, Kushtetuta me 140 vota ia ka hequr të drejtën që të merret më këtë gjë. Unë mendoj se kjo është një sjellje e klasës politike që duhet të ndryshojë sjelljen e saj, duke filluar nga mazhoranca e para”.

Kryetarja e LSI tha se “kemi tre muaj që opozita e ngre çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe vetëm ditën që i mbaron mandati Prokurorit të Përgjithshëm kemi një të ashtuquajtur ftesë për bashkëpunim të z. Rama për z. Basha, që edhe kjo ftesë është më shumë për të goditur besimin e z. Basha në opinionin publik, për të thënë që jo jam takuar, jo s’jam takuar, jo folën, jo nuk folën sesa ka sinqeritet për të zgjidhur çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Nëse z. Rama do që të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm në mënyrë legjitime dhe e ka të sinqertë zbatimin e reformës në drejtësi që klasa politike të eci përpara hajde të ulemi të ndryshojmë nenin për shoqërinë civile.

Duke qenë se shoqëria civile për disa vite nuk është e gatshme të japë një kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë ta ndryshojmë për aq kohë sa ata mendojnë për 5 vite, 10, për 2 vite, derisa të jetë shoqëria civile gati për të qenë pjesë e reformës. Por ne nuk mund të presim shoqërinë civile deri sa të jetë e gatshme për të na dhënë një kandidat për të ngritur Këshillin e Lartë të Prokurorisë”.

 

 

December 13, 2017 12:58