A ka marrë kush 150 mijë euro?

July 11, 2016 10:20

A ka marrë kush 150 mijë euro?

Para pak ditësh, më 7 korrik, u arrestua Jurgen Molla, pronar i kompanisë “Molla/L shpk” dhe ndërtues i disa komplekseve banimi në Shëngjin dhe Tiranë, bashkë me gjashtë persona të tjerë si pjesë e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës, me anëtarë në shumë shtete të Ballkanit.

Sipas hetimeve, rezulton se në dhjetor 2015, kreu i dyshuar i organizatës, Molla, u përgjua teksa mburrej në telefon se kishte luajtur fijet për transferimin e një prokurori të Krimeve të Rënda nga Tirana. Biseda mes Mollës dhe nënës së një korrieri të arrestuar me emrin Arben Prendi u përgjua më 10 dhjetor 2015 dhe kishte në fokus ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini. Në bisedë, Molla deklaronte se kishte paguar 150 mijë euro për transferimin e Martinit nga Tirana në Shkodër. Edhe pse ky pohim nuk është provë, përgjimi hedh hije dyshimi për procedurën e transferimit të prokurorit dhe një ndikim të mundshëm të krimit të organizuar në këtë vendimmarrje.

Hetimet kundër kësaj organizate kriminale nisën në mars 2015, nën drejtimin e prokurorit Anton Martini. Në dhjetor 2015, Martini u transferua në Shkodër, ndërsa hetimi për organizatën e drejtuar nga Jurgen Molla u çua përpara nga prokurori Eugen Beçi. Sipas një investigimi të BIRN, vendimi për transferimin e prokurorit Anton Martini nga struktura elitë e Krimeve të Rënda drejt prokurorisë së Shkodrës u mor në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë së 10 dhjetorit 2015. Më 14 dhjetor 2015, transferimi i tij mori fuqi nga dekreti i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Transferimi erdhi pas një kërkese që Martini kishte dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme për të kandiduar për postin vakant të drejtuesit të Prokurorisë së Shkodrës. Përkundër kësaj ambicieje, vendimi i transferimit në një pozicion më të ulët i la atij shije të hidhur.

I kontaktuar nga BIRN, prokurori Anton Martini refuzoi të komentonte mbi përgjimin e Jurgen Mollës, ku ai pohonte pagesën 150 mijë euroshe për largimin e tij nga Krimet e Rënda.

“Bëhet fjalë për një dosje që nuk është më e imja dhe unë nuk mund të komentoj mbi këtë,” tha Martini gjatë një interviste telefonike. Ai e cilëson megjithatë të parregullt procedurën e transferimit të tij.

“Këshilli i Prokurorisë vendosi të më transferojë prokuror të thjeshtë, jashtë dëshirës sime,” tha ai.

 

Reagimi i prokurorisë

Pas mediatizimit të çështjes “150 mijë euro” dhe përgjimit të Jurgen Mollës, prokuroria e Përgjithshme reagoi me një deklaratë. Sipas Prokurorisë:

“Prokuroria për Krime të Rënda ka drejtuar hetimin e zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe me partnerë ndërkombëtarë, gjatë të cilit u zbuluan dhe arrestuan disa persona. Ky hetim

Prokuroret e krimeve te renda, duke folur gjate nje seance gjyqesore ne Gjykaten e Krimeve te Renda

Prokuroret e krimeve te renda, duke folur gjate nje seance gjyqesore ne Gjykaten e Krimeve te Renda

është zhvilluar fillimisht nga prokurori Anton Martini, i cili më pas u transferua ne drejtim të Prokurorisë së Shkodres, me kërkesë të tij. Kërkesa për transferim është dorëzuar në Shtator 2015 dhe, në përfundim të procedurave, ai transferohet pranë Prokurorisë së Shkodrës, me dekret të Presidentit të Republikës, në Dhjetor 2015.

Sa i përket personit për të cilin pretendohet se është paguar një shumë e caktuar parash për “lëvizjen e prokurorit”, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se Anton Martini nuk ka qenë prokuror i asaj çështjeje. Hetimi ndaj shtetasit Arben Prendi është drejtuar nga një prokuror tjetër dhe çështja ndaj tij ka përfunduar në gjykatë disa kohë më parë. Çdo aludim apo pretendim tjetër, mediatik apo publik nuk përputhet me faktet”.

Sipas prokurorisë, vetë fakti që Operacioni “Ballkan”, finalizuar pak ditë më parë, ishte ndër më të suksesshmit dhe është zhvilluar në konspiracion të plotë me arrestimin e thuajse gjithë personave të përfshirë, është dëshmi se në prokurori nuk ka infiltrime të tilla.

 

Transferimet

Operacioni Ballkan

Operacioni Ballkan

Me një karrierë 18 vjeçare në Prokurori Anton Martini nuk ishte i vetmi i transferuar përmes një procedure të kontestuar në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë së 10 dhjetorit 2015. Gjashtë prokurorë të tjerë karriere, mes të cilëve edhe ish-shefi i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari u ulën në detyrë ose qarkulluan. Hajdari, i cili ka pasur një histori konfliktuale me Prokurorin e Përgjithshëm Llalla gjatë dy viteve të fundit dha dorëheqjen nga detyra pas transferimit në Shkodër dhe denoncoi në një intervistë për Zërin e Amerikës “situatën alarmante në Prokurori të emërimeve dhe shkarkimeve të paligjshme”.

Ndryshe nga Hajdari, Anton Martini nuk e apeloi vendimin e Këshillit të Prokurorisë dhe iu bind atij duke shërbyer prej gjashtë muajsh në Prokurorinë e Shkodrës. “Nuk bëra ankesë, pasi besova se mund ta korrigjojnë vendimin,” i tha ai BIRN. Më 7 korrik 2016, Këshilli i Prokurorisë është mbledhur sërish dhe votoi pro kthimit të Martinit në pozicionin e tij të mëparshëm në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. “Është vendosur rikthimi im në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe tani mbetet në vullnetin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Presidentit të Republikës ta zbatojnë këtë propozim,” tha ai.

July 11, 2016 10:20
Komento

5 Komente

  1. saimir July 11, 10:28

    Duhet se pergjimet nxjerrin Shum dallavere. 150 mij euro nui Jane Shum per qeramudinerit. Thjesht nje kafe. Rasti I tridhjet mije euro ne nje ceinxh eshte I zakonshem. Nuk u hapen kamerat e kesaj pike per Te pa Sa Te there e kan perdor Si pike konrakti

    Reply to this comment
  2. Arber Iliri July 11, 12:39

    Nga dora e marre me duket si dora e Llalles.Qe leket jane marre kjo duhet hetuar dhe s’ka te beje me suksesin e operacionit Balkan, jane pa lidhje.

    Reply to this comment
  3. gjyshi July 11, 15:37

    cfare thote prokuroria?donte vete transferim?kurse vete personipaska thene ndryshe ne interviste per BIRN.Kujt duhet ti besosh tani?

    Reply to this comment
  4. Hani pak mos hani shume m.... July 11, 16:52

    Prokuroria ka dhene urdher per pergjim, por kane harruar per njr moment qe keta jane te lidhur e bashkepunojne me kriminelet dhe ne cdo kohe dalin lidhjet e tyre me krimin.
    Nuk ka anje DYSHIM qe 150 mije eurot nje shume e vogel qe duket sia aperitiv i ka marre Kosi+Uje (Llalla), emerimet dhe largimet jane kopetence e tij duke u mbeshtetur nga Presidenti Jar Sakati.

    Reply to this comment
  5. ShkoDrani July 12, 01:34

    Ne rast se akuzohet prokuroria, qofte edhe indirekt, ajo duhet te lejoje hetimin e paanshem, dhe po te ishte e paster duhej te kembengulte qe ti dilet te vertetes. Por zgjedh te hesht, ose te dredhoje me nje tymce, deri sa nje lajm tjeter te mbushe faqet e medias se blere.
    Shqiperia eshte mbushur me krim e korrupsion. Diku duhet filluar, dhe ashtu sic qendrojne punet ne Shqiperi ka ta kthesh kryt, vec plehna ka. Prandaj gjithsecili mund e duhet te futet ne site, duke filluar me Piktorin e Doktorin, Hollandezin Futurues dhe Peshengritesin, Kapterin me mustaqe (te rruara) dhe Kapterin me mustaqe te reja, e te akuzuar per bashkepuntor bandash kriminale. Nje hetim i vertet e ndan shapin press sheqerit. Megjithse besoj se tane jane zeher e helm!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*