Një plan për pushtimin e Polonisë ?

March 20, 2017 13:06

Një plan për pushtimin e Polonisë ?

Qeveria polake ka ngritur një mekanizëm propagande, me ndërmarrje sulmesh agresive dhe të gënjeshtra ndaj Gjermanisë.

Ky është alarmi, që vjen së fundmi nga shoqata e gazetarëve në Poloni.  Ata, i kanë drejtuar një letër të hapur opinionit publik në Gjermani, ku theksojnë se partneriteti dhe miqësia mes Polonisë dhe Gjermanisë po rrezikohet nga një valë propagande mashtruese anti-gjermane, që ka nisur qeveria polake dhe që fatkeqësisht të kujton propagandën komuniste të viteve ’60, në Poloni.

Në letrën e tyre ata theksojnë se, faqet e para të gazetave pro qeveritare, hapen me imazhet e drejtuesve aktualë të Gjermanisë dhe të Bashkimit Evropian me uniforma të Vermahtit, me sfonde të Luftës së Dytë Botërore. Se, politikanë të rëndësishëm nga kampi qeveritar, po akuzojnë Gjermaninë, se planifikon të dominojë dhe të imponojë vullnetin e saj në Evropë. Dhe se, zëdhënësi i partisë në pushtet, në programet kryesore të televizioneve që zotëron shteti, ka akuzuar Gjermaninë se, po ndërhyn në punët e brendshme të Polonisë, duke ngritur publikisht pyetjen: “ A jemi ne një vend i lirë, apo një koloni e Gjermanisë ?!”

“Të dashur miq gjermanë,

Ne e dimë, se sa të dhimbshme dhe të padrejta janë këto gënjeshtra dhe akuza. Ne ju garantojmë, se këto akuza, edhe neve, që mbrojmë sundimin e ligjit dhe të demokracisë në Poloni, na shkaktojnë dhimbje. Edhe pse, ne nuk jemi personalisht përgjegjës për këtë fushatë propagande, nga ku dhe ne jemi gjithashtu viktima, ju kërkojmë ndjesë dhe ju shprehim keqardhjen tonë.

Nënshkruesit e kësaj letre janë gazetarë, opinionistë dhe redaktorë në media, që mbështesin demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ne e admirojmë shoqërinë gjermane dhe Shtetin e saj, për respektimin që tregon për standardet morale dhe demokratike dhe për solidaritetin, që shfaq ndaj atyre, që vuajnë persekutimin. Ne jemi të bindur se, shumica e opinionit publik polak, e refuzon propagandën anti-gjermane, të përhapur në një keq-besim të plotë. Ne jemi të sigurt se, ky nuk do të jetë veçse një episod i dhimbshëm dhe i turpshëm në historinë e miqësisë polake-gjermane.”

Pas ardhjes në pushtet, populistët në Poloni, filluan të rrisin autoritarizmin qeveritar, duke shtrirë kontrollin në Presidencë, në gjyqësor, si edhe në media. Me rritjen dhe përqendrimin e pushtetit në duart e tyre, filluan gradualisht të përplasen edhe me Brukselin. Duke mos pranuar, asnjë prej rekomandimeve të tij, për të rregulluar dhe kthyer në shinat e së drejtës, sundimin e ligjit. Por, kjo nuk do të mjaftonte, pasi paralelisht me shtrirjen e kontrollit mbi pushtetet e tjerë, do të fillonte edhe një filozofi propagande dhe cilësimi që veçse do të rritej, ndaj “armiqve të shumtë” të Polonisë.

Në sytë e autoriteteve polake, përplasja me Brukselin shikohet si një imponim, që vjen nga pushteti që ushtron Berlini në BE. E tillë u konsiderua edhe rizgjedhja e Donald Tusk, në postin e Presidentit të Këshillit Evropian, kundër vullnetit qeveritar. Në një përpjekje për të bllokuar rezultatin, kryeministrja polake, do të refuzonte të nënshkruante konkluzionet e Samitit. Në një akt, që e izolonte edhe më tej qeverinë e saj, teksa edhe tre aleatët e Polonisë në grupin e Vishegradit, Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, i dolën kundra. E pozicionuar në një izolim të plotë, kryeministrja polake do të vazhdonte të qëndronte në linjën refuzuese, duke shantazhuar gjithashtu, me bllokimin e projektit të Evropës së disa shpejtësive.

Dhe vetëm pak ditë, pas dështimit në Samitin e Brukselit, dhe rikonfirmimit të Tusk në krye të Këshillit Evropian, qeveria polake do të fillonte “gjuetinë juridike” kundër tij. Prokuroria polake kërkon të marrë në pyetje, kreun e sapozgjedhur të Këshillit Evropian, Tusk, në kuadrin e hapjes së një hetimi mbi një dosje të vjetër, për “bashkëpunim të paautorizuar me një fuqi të huaj.”

Paralelisht me propagandën anti-gjermane, qeveria polake po përgatitet të kërkojë ekstradimin e një nazisti në Amerikë, i akuzuar se ka urdhëruar vrasjen e 44 personave në vitin 1944, ndërkohë që drejtonte një njësi ukrainase, në bashkëpunim me nazistët. Bëhet fjalë për 98-vjeçarin me origjinë ukrainase Jaçek Novakovski, që jeton në Minesota.

Të rrethuar nga puçet dhe komplotet

Opozita në Poloni etiketohet rëndom si “partia e të huajve”. Tusk, në shërbim të interesave të huaja. Gjermania armike. Rusia, po e po. Edhe media dhe gjyqësori ishin të tilla, para se të futeshin nën kontrollin qeveritar. Ndërsa në Hungarinë e autoritaristit Orban, armiku i radhës është shoqëria civile, e cila po akuzohet si armike, por edhe si sorosiane. Pushtetet e tjera tashmë “mirë-kontrollohen”. Por, çfarë ndodh tek këta individë politikë dhe përse në vend që të qeverisin në forma demokratike, fillojnë rrëshqitjen drejt autoritarizmit, duke kërkuar mbajtjen e pushtetit me çdo kusht ?

Ajo çka tërheq vëmendjen, është se profilizues të ndryshëm politikë, në tërësi veçojnë tre karakteristika patologjike, që i kanë vërejtur si të përbashkëta tek një numër i lartë drejtuesish politikë: mania e madhështisë, paranoja dhe psikopatia. Përtej shpjegimit, të psikologut Pascal de Sutter (2007) mbi këtë trilogji, se: “Duhet të jesh mjaftueshëm megaloman, për të synuar majat, disi paranojak për të përballuar tradhtitë dhe pak a shumë psikopat, për të eliminuar kundërshtarët”, problematika qëndron në domosdoshmërinë e pasjes së një kufiri. Pra, që çdo gjë duhet të qëndrojë brenda masës dhe kufirit të lejuar, asaj çka ndan demokracinë nga sundimi autoritar i përshkallëzuar.

Dhe në këtë trilogji, ajo që shfaqet si më problematikja është paranoja. Pasi, deliri i paranojës, vlerësohet nga specialistët e fushës, si një sëmundje psikiatrike e rëndë, që bën pjesë tek psikozat ku personi, që është prekur nuk e kupton sëmundjen e tij.

Dhe shenja kryesore e saj, është humbja e kontaktit me realitetin.

Kryesisht deliri i paranojës, shfaqet i organizuar rreth një teme kryesore, që prek personin dhe në bindjen se, ndaj tij po komplotohet. Dhe i sëmuri, fillon të interpretojë të gjithë elementët e jetës së përditshme, duke u nisur nga kjo bindje dhe duke e riorganizuar realitetin e tij në mënyrë delirante, shpesh me një ekzaltim të madh dhe duke besuar në mënyrë hermetike dhe të palëkundur tek interpretimet e tij.

Por, vëmendja e ekspertëve të psikiatrisë, bie mbi Paranojakët e Mëdhenj, pasi ata figurojnë mes kategorisë më të rrezikshme, të të gjithë të sëmurëve mendorë. Dhe sipas tyre, bëhet fjalë për individë të kthjellët, me një inteligjencë mbi mesataren e përgjithshme, të bindur se roli i tyre është të sundojnë në tokë, të prekur nga një delir intensiv persekutimi dhe që e kalojnë kohën, duke mbledhur prova rreth komplotit imagjinar. Çdo element i së përditshmes, fillon të interpretohet në funksion të kësaj bindje. Në këtë tip deliri, i sëmuri përdor gjithë inteligjencën e tij, me synim që të pasurojë elementët e delirit. Shpeshherë ai arrin të bindë edhe rrethin e tij mbi realitetin e persekutimit, edhe pse dyshon se edhe brenda rrethit të tij, gjenden komplotistë. Shpeshherë, arrin edhe t’i maskojë këto qëllime, ndaj rrethit të tij të ngushtë, duke përgatitur njëkohësisht në mënyrë metodike hakmarrjen e tij. “Një ditë, do të vrasë persekutuesin e tij, një ditë ndoshta të afërmin, një fqinj, një polic, një gjykatës, apo edhe një familje të tërë, duke shkuar drejt vrasjes kolektive.”* Kjo pasi, sipas specialistëve, sa më i lartë të jetë fiksimi i ideve deliruese, aq më shumë rritet edhe risku i agresivitetit të personit të prekur. Ky është dhe momenti i kapërcimit të kufirit, të asaj që ndan demokracinë nga sundimi autoritar i përshkallëzuar, Akti i Agresionit. Pasi ekspertët vlerësojnë se, në rast të një agresioni ndaj një individi, apo individëve të caktuar, atëherë i Prekuri nga kjo sëmundje, duhet të shtrohet në mënyrë të pashmangshme, në një spital psikiatrik! Për t’iu nënshtruar mjekimit psikoterapeutik! Pasi shërimi i kësaj diagnoze kërkon detyrimisht mjekime, që i përkasin fushës së neuroleptikëve, që veprojnë mbi trurin, duke ndihmuar që të zvogëlohet deliri.

Ky është edhe kufiri, që ndan të Çmendurin nga Qeverisja !

Historia botërore, ajo kontinentale, ballkanike, si edhe rajonale, njeh plot shembuj të tillë.

Histori popujsh të qeverisur nga të Çmendur!

DITA

 

 

 

*R. Duguay, H.F. Ellenberger et Coll., Précis pratique de psychiatrie, 1981, France

March 20, 2017 13:06