A ka sakrificë që nuk e bëjnë prindërit për të arsimuar fëmijët e tyre? (FOTO)

Mustafa Nano March 12, 2014 20:50

A ka sakrificë që nuk e bëjnë prindërit për të arsimuar fëmijët e tyre? (FOTO)

Ai quhet Yu Xukang, është një dyzetvjeçar nga Kina jugore, është i divorcuar, ka një fëmijë ulok, dhe tabloidi britanik ‘Daily Mail’ e ka shpallur si babain e vitit. Nuk ka bërë gjëra heroike të tipit, “është hedhur në zjarr, apo ka dhuruar një shpretkë, apo … për të shpëtuar të birin”. Jo, ai ka bërë një gjest më të thjeshtë e më të pabujë, sidoqë më pas, pa e kërkuar, ai është gjendur në mes të bujës.

I biri i Yu Xukang-it, 12 vjeçar me një trup të imët (është vetëm 90 cm i gjatë), nuk është në gjendje të ecë. Por ai është i pasionuar pas shkollës, dhe shkolla më e afërt me fshatin e tyre, për dreq, është në një distancë prej 7 km. Për të shkuar atje nuk ka rrugë, ku mund të kalojnë ‘furgona’; ka vetëm rrugë pa rrugë. Dhe në këtë pikë të fabulës hyn në lojë babai i tij, i cili çohet çdo mëngjes në orën 5.00, përgatit sillën për vete e për të birin, vishet e mbathet, e vendos të birin në një kanistër, e ngjesh dhe e lidh këtë të fundit pas shpine (shihni foton), dhe … frymën e mban te shkolla. Pastaj bën rrugën e kthimit për t’u kthyer në punë, e pasi rropatet për orë të tëra që të nxjerrë bukën e gojës, në orën e duhur, niset për të marrë të birin, që është nxënësi më i mirë i shkollës. Shtatë kilometrat e fundit të ditës i bën sërish me të në shpinë. Janë gati 30 km në ditë, dhe sipas llogarive, Yu Xukang ka bërë deri më sot 1600 km. Por nuk i janë rëndur asnjë çikë. Jeton me ëndërrën që ta çojë djalin në universitet. “Do t’ia dal”, ia bën.

Në perëndim, për arsye që merren me mend, mbeten të topitur e pa fjalë përballë ngjarjesh të tilla. Por ne shqiptarëve nuk na bën ndonjë përshtypje kushedi se çfarë. Nuk di a mund të gjendet këtyre anëve një baba i tillë i devotshëm (ka ende disa mijra fëmijë, të cilëve u duhet të bëjnë disa kilometra në ditë për të shkuar në shkollë), por di që sakrificat e prindërve në emër të arsimit të fëmijëve të tyre janë ‘një zë’ i njohur në preventivin e jetës së çdo shqiptari.

Duhet thënë se këto sakrifica nuk janë një gjë e këtyrë e ditëve. Jo, janë të qëmotshme. Dhe nuk është se e dimë vetëm ne. E kanë vënë re pa asnjë mundim dhe të tjerët. Në më shumë se një rast, udhëtarë e vëzhgues të huaj të fillimshekullit të kaluar (e nuk është fjala veç për njerëz si Edith Durham-i, të marrosur pas sojit tonë) nuk kanë mundur të mos vënë re në këtë botë tejet primitive një gjë që i ka kapur në befasi: dëshirën e shqiptarëve për t’u dhënë arsim fëmijëve të tyre. Sa për ilustrim, në një libër mbi Shqipërinë që e kam momentalisht nëpër duar, autori francez Albert Mousset, historian e diplomat që ka vizituar Shqipërinë e viteve ‘920, i mësuar me sa duket me shqiptarët që nuk i kanë qejf rregullat, ligjet, taksat, shtetin, qytetërimin, etj, bën i çuditur vëzhgimin: “Ligji për arsimin e detyrueshëm për fëmijët deri në moshën 13 vjeç [i miratuar nga parlamenti shqiptar i atyre viteve] ka pasur kundërshtimet më të pakta në Shqipëri”.

Ka dhe rrethana më domethënëse që demonstrojnë dëshirën e shqiptarëve për të arsimuar fëmijët e tyre. Dhe një rrethanë është dhe kjo ‘modernja’. Janë të panumërt shqiptarët që vijojnë të bëjnë me pahir emigrantin, dhe kur i pyet se “pse dreqin kanë zgjedhur të vuajnë, e ta çojnë dëm jetën, në dhé të huaj, larg njerëzve të tyre të dashur”, të japin një përgjigje standarde: “Po e bëj për fëmijët; dua që të marrin një shkollë e një edukatë të mirë”.

Afërmendsh, ky është një lloj heroizmi, gjithashtu. Nuk ka lidhje me gjestin e fortë të Yu Xukang-ut, por është një nga ato sakrifica që në perëndim kanë harruar, apo refuzojnë, t’i bëjnë për fëmijët. Refuzojnë t’i bëjnë, ngaqë nuk u duhet t’i bëjnë. E kështu, nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të mrekullohen nga gjesti i i Yu Xukang-it.

foto 7

FOTO 1FOTO 2FOTO 3FOTO 4FOTO 5

Mustafa Nano March 12, 2014 20:50
Komento

12 Komente

  1. drejtesi March 12, 20:59

    perpjekje titanike te nje njeriu te vogel por vetmohues ,shembull frymezimi per kedo

    Reply to this comment
  2. ermal March 12, 20:59

    Ky eshte hero, jo thjesht nje baba! Uroj qe sakrificat e tij te shperblehen nje dite me se miri nga i biri i tij!

    Reply to this comment
  3. ili March 12, 21:00

    Kjo eshte shprehja sublime e dashurise prinderore per femijen.

    Reply to this comment
  4. tanino March 12, 21:24

    jam pa fjale

    Reply to this comment
  5. Hilmi March 12, 21:32

    Ma beri mishin mornica. Ky eshte hero. E prandaj ecen Kina.

    Reply to this comment
  6. mato March 12, 21:39

    Krahas sakrificave te babait per arsimimin e femijes, pas sensibilizimit mediatik, kane reaguar autoritetet kineze per t’i dhene nje banese prane shkolles.

    E theksova kete per te thene qe autoritetet vepruan menjehere.Tek ne ndodh kjo ?!…

    Jooo, tha …

    Reply to this comment
  7. Rezi March 12, 23:05

    Mirenjohje perjete prinderve te tille!

    Reply to this comment
  8. LORA March 12, 23:32

    Patjeter qe “do t’ja dale”,,,,,,ky baba ne perpjekjen e tij per ta cuar djalin ne universitet.Vec bekim paste nje Baba i tille.

    Reply to this comment
  9. Bato Mokra March 13, 07:49

    Me vjen mire, qe “sillemi neper bote” dhe, ne vorbullen e te cuditurve perendimore perfshihen edhe shqiptaret, me shembuj te tille. Nje mik i imi, shkrimtar e studiues, ka vite qe punon per librin “Heronjte e kulturimit”, dedikuar zellit te pashoq te popullit tone per t’u arsimuar e kulturuar. Nje rast tipik, qe i dha impulse te reja punes se tij te deritanishme ishte ai i nje gjyshi rreth 80 vjecar nga Juglindja, i cili “u zhduk” papritur. E konsideruan te humbur. me duket edhe e qane, pa “varr”. Po c’kishte ndodhur? Gjyshi kishte patur nje mbese te shkelqyer (mgjth menyren narrative nuk eshte perralle, ne liber jane me emra konkrete) ne mesime, po nuk kishin mundesi per te ndjekur universitetin. “I zhdukuri”, mgjth moshen e thyer vete ne Greqi dhe punesohet coban ne fshatrat e grekut, punon dhe mbledh parate per shkollimin e mbeses dhe behet i “gjalle”. Vajza sot punon ne nje institucion te rendesishem. Ky eshte shembulli me tipiket. Si babai i ketij shkrimtari per te cilin tregova, shkoi ne varr me arrna ne rroba, po ama te gjithe femijet i shkolloi dhe deri ne ditet e fundit te jetes, si per te kompensuar ate qe s’kishte patur mundesi, lexonte vepra te rendesishme si te Kadarese etj. Nderim per te gjithe gjeneratat qe u mekuan me kete ndjenje te shkelqyer dhe TURP per SRB-in, TURP i madh, qe e rrenoi me “politiken e tij te eger” hanibale kete ndjenje te flakte per arsimim e kulturim per interesa te qelbta te Familjes mafioze, rrenjosi kollajllekun e diplomes, rriti ushtrine e te “shkolluarve” analfabete, krijoi kaos ne tregun e punes, duke shmangur talentet etj.

    Reply to this comment
  10. Xhorxhi March 13, 10:01

    Mbeta thjesht pa fjale dhe syte mu mbushen me lote… Me pak fjale HERO…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*