A ka vdekje të bukur?!

October 30, 2017 15:38

A ka vdekje të bukur?!

Ka më shumë se 24 orë që rrjetet sociale janë mbushur me fotot e Adelës, gazetares që u nda nga jeta një ditë më parë.

Ishte shumë e re! 31 vjeçe! Ishte e bukur! E guximshme! Luftëtare! Në një kohë kur ishte e vështirë të luftoje me një person të vetëm, edhe me familjarët e tu, në një moment të jetës së saj, 9 vite më parë, kur ishte 22 vjeçe, Adela luftoi me gjithë botën. Me mentalitetin e vendit nga vinte, por edhe me mentalitetin e vetë Shqipërisë, i cili në tërësinë e tij nuk ndryshon shumë nga ai i Kavajës.

Vetëm po ta imagjinosh se sa ka vuajtur shpirtërisht, për t’ia dalë në një botë që të dikton të sillesh sipas rregullave të saj, vetëm po ta imagjinosh se çfarë kostoje ka mbajtur familja e saj në ato vite, kosto të cilën jemi të bindur, Adelës i ka kushtuar dy-fish, të bën të trishtohesh se përse ky njeri ka një fund të tillë!

Këto orë, përveçse më kanë mbushur me dhimbje, më kanë ngjallur një ndjenjë të çuditshme, që besoj se ka ardhur si pasojë e reagimeve që kam lexuar në rrjet.

Kam lexuar fjalët më të bukura për Adelën. Përshkrime të cilat do të doja të kishte një përcjellës për tek ajo, në mënyrë që ta kuptonte se sa shumë e donin njerëzit. Ndoshta, po t’i dëgjonte sado pak, do të zgjohej!

E kotë!

Nuk funksionon. Nuk ka funksionuar për askënd!

Pastaj mendova: mos është kjo një vdekje e bukur?! Qindra njerëz do të flasin, shkruajnë, të njohur e të panjohur, do e shohin me një sy tjetër punën tënde, përpjekjet drejt një jete më të mirë…

Po që qenka qejf! Është qejf i madh të dëgjosh kaq shumë njerëz që flasin kaq mirë për ty.

Hej, po pse nuk vdesim ne?!

Mos do të ishte më e udhës që këtë mirësi ta derdhnim sa i kemi njerëzit afër e gjallë?!

A mos do të ishte më e udhës që mos të fusim shkopinj nën rrota dikujt, kur ata përpiqem për një punë më të mirë?

A mos të ishte e udhës që t’i thonim çdo ditë dikujt sa e mirë dhe e bukur je? Sa e/i talentuar je. Sa mirë e ke bërë këtë punë, edhe pse mund ta bëje më mirë. Po të paktën ta nxirrnim një fjalë pozitive. Pra, t’i jepnin zemër, ta bënim që zemra mos të ndalojë, por të gjejë forcë për të luftuar.

Por jo, duhet të vdesësh, që dikush të kujtohet për mirësinë dhe ambiciet e tua.

Zemra e Adelës, po ta kishte ditur gjithë këtë mirësi, ndoshta do ishte bërë më e fortë dhe nuk do të kishte ndalur mëngjesin e 29 tetorit. Dhe jo vetëm zemra e Adelës dhe shumë zemra të tjera që ndalojnë së rrahuri çdo ditë në vendin tonë.

Stresi i përditshëm po bën që shumë zemra të ndalen!

Zemrat duhen “pompuar” sa janë duke rrahur, në të kundërt… do të themi, ishte njeri i mirë. E pastaj?! e.resuli/dita

October 30, 2017 15:38
Komento

3 Komente

  1. Bukur ...rrespekt October 30, 16:26

    Me titullin ,
    s’do filloja asgje .
    Fjalia e fundit eshte mjaft domethenese ,”Zemrat duhen pompuar ” qe te sprucojne Jete …

    Nji shkrim ne kerkim te asaj ndjenje pozitive ,ne nji shoqeri te rraskapitur nga cdo Vlere e princip ,nga cdo ndjenje e shpirti njerezore ,rendur si te marre mbas pasurise ,duke shkelur mbi jeten.

    Reply to this comment
  2. Jimi October 30, 19:38

    Sot u nda nga jeta njeriu i madh i skenes shqiptare Mihallaq Luarasi!

    Reply to this comment
  3. Arber October 30, 22:49

    Per mua, “Vdekje e bukur” eshte vdekja nga mbidoza e cocaine-s…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*