A mban Banka e Shqipërisë përgjegjësi për ato që thotë?

October 9, 2019 21:52

A mban Banka e Shqipërisë përgjegjësi për ato që thotë?

Nga Evarist Stoja

 

Me vapën ikën edhe turistët. Ky ishte momenti kur kursi i këmbimit të lekut me euron u kthye në ekuilibër. Të paktën kështu parashikonin ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Në fakt, kjo nuk ka ndodhur. Gjatë periudhës Qershor-Gusht, që është edhe kulmi i sezonit turistik, një euro këmbehej përafërsisht me 120-122 lek. Aktualisht një euro këmbehet përafërsisht me 121-122 lek. Normalisht ekspertët e Bankës së Shqiperisë do të duhej të dilnin në konferenca shtypi e të shpjegonin me kujdes përse parashikimet e tyre dolën kaq larg realitetit. Kjo nuk po ndodh dhe është alarmuese. Ndërkaq, sipërmarrësit shqiptarë që po e vuajnë këtë mbiçmim të lekut vazhdojnë ankohen por njeri nuk ja u ve veshin mjaftueshëm për të bërë dicka konkrete. Ne Shtator inflacioni ishte 1.3% me një tendence për ulje të mëtejshme dhe Banka e Shqipërisë është aq larg objektivit të inflacionit 3% sa kjo situatë është kthyer në enigmë: çfarë po pret Banka e Shqipërisë për të ndërmarrë veprime energjike për të kthyer inflacionin në objektiv?

Në një artikull që u botua te “Dita” në Shtator, shpreha shqetësimin që fundi i sezonin turistik mund ti gjente ekspertët e Bankës së Shqipërisë me faqe te skuqura nga sikleti i parashikimeve të bëra për të kaluar radhën. Them ‘për të kaluar radhën’ sepse mendoj që ekspertët e Bankës duhet ta kenë ditur që pak ose aspak mundësi kishte që parashikimet e tyre rreth dobësimit të lekut pas sezonit turistik të materializoheshin. Ka arsye ekonomike të forta që këto parashikime janë pothuajse gjithmonë të kota. “Çmimi i tregut në të ardhmen nuk mund të parashikohet” përmblidhet thjesht, pa ekuacione dhe zhargon, ideja. Profesori Eugjen Fama që e propozoi dhe zhvilloi këtë ide, që pa frikë mund të thuash se është baza e financës moderne, mori çmimin Nobel para disa vitesh.

Si simotrat e veta Europiane në të tilla raste, Banka e Shqipërisë mbajti një heshtje solemne. Në kundërshtim me ç’do të bënin simotrat Europiane pas evidentimit të gabimit, askush nga Banka e Shqipërisë nuk e ndjeu të nevojshme të jepte shpjegime të detajuara jo përse parashimet nuk ishin të sakta – parashikimet ekonomike rrallë janë sakta – por përse parashikimet e tyre dolën kaq larg realitetit.

Po jap një shembull nga banka qendrore tek e cila kam eksperiencë. Vështirë të gjesh një vend në Europë që po kalon një krizë më të madhe se Britania në këtë periudhë. Por nëse një parashikim me rëndësi i Bankës së Anglisë do të dilte tërësisht i gabuar, një kor i tërë në median e shkruar, vizive dhe atë sociale do ta harronte për pak krizën që ka kapluar vendin dhe do të turrej të kërkonte llogari me zë të lartë, do të bënte akuza me e pa bazë për shpërqendrim, përgjumje a mungesë përgjegjësie. Brenda Bankës, drejtuesit e saj do të urdhëronin një hetim të detajuar të arsyeve pse ndodhi ky gabim. Gjetjet do të kontrolloheshin e rikontrolloheshin, do të publikoheshin me detaje dhe drejtuesit e bankës do tu përgjigjeshin pyetjeve të sikletshme të gazetarëve në konferenca shtypi. E gjitha kjo për ruajtur dhe forcuar besueshmërinë e bankës qendrore te njerëzit. Nuk e sjell këtë si shembull për të nënvizuar ndonjë paralelizëm bosh me Shqipërinë – krahasimi i Shqipërisë me vendet e zhvilluara të Europës është pothuaj gjithnjë i pavend – por thjesht për të nënvizuar që ekonomia, sëbashku me drejtësinë, është themeli i një shteti. Por ndërsa reforma në drejtësi po merr me të drejtë shumë vëmendje, kjo mungon thuajse totalisht për një nga institucionet ekonomike kryesore të vendit, bankën qendrore.

Shqiptarët shquhen për cinizëm ndaj institucioneve të veta. Analiza e shkaqeve dhe pasojave të këtij cinizmi, nëse është i tepruar apo tërësisht i justifikuar, u takon politologëve por ajo që është shqetësuese është mungesa e cinizmit, madje me pak guxim mund të thuash indiferenca totale ndaj Bankës së Shqipërisë. Kjo vihet re si te bisedat e njerëzve ashtu edhe në media ku lajmet rreth Bankës janë të rralla dhe përgjithësisht pasqyrojnë atë që thotë Banka pa e analizuar thelbin në mënyrë kritike. Banka e Shqipërisë duket sikur është mësuar me këtë mungesë vëmendje. Kjo duket qartë te deklaratat e shtypit që lëshon të cilat janë jo rrallë kontradiktore. Për të dhënë një shembull, përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë në një konferencë për shtyp në 7 Gusht deklaruan se “Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës po shfaqet në ngadalësim të vazhdueshëm, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të induktojë pasiguri…”

Ndërkaq, në një prononcim për mediat në 19 Shtator “Banka e Shqipërisë vlerëson se niveli aktual i kursit të këmbimit, ku Leku edhe përgjatë kësaj periudhe ka patur një mbiçmim në raport me Euron, lidhet me shkaqet e hyrjeve të ofertës së valutës për disa arsye; rritja e investimeve të huaja direkte, rritja e remitancave dhe një sezon shumë i mirë turistik.”

Me ç’duket, Banka e Shqipërisë nuk sheh ndonjë kontradiktë në këto dy deklarata që do të ish e nevojshme të sheshohej me shpjegime të kujdesshme e të detajuara. Nuk është nevoja të jesh ekonomist – mjafton një lexim i kujdesshëm i tekstit – për të nxjerrë në shesh kontradiktën. Në deklaratën e parë përmendet ngadalësimi ekonomik i Eurozonës si rrezik material. Tërësisht i vërtetë. Ekonomia e Eurozonës po ndadalësohet dhe Banka Qendrore Europiane ka në plan një valë tjetër masash stimuluese përpara përfundimit të mandatit të presidentit të saj Mario Draghi. Ndërkaq, ekonomistë e analistë, gazetarë e përfaqesues të institucioneve të ndryshme Europiane janë përfshirë në një debat të ethshëm me argumenta e kundraargumenta, me shembuj e kundrashembuj për mençurinë ose jo të këtij plani. Ajo që nuk diskutohet është ngadalësimi ekonomik i Eurozonës. Në praktikë ky ngadalësim manifestohet në më pak investime, më pak vende pune, mossrritje rrogash për punonjësit, ndoshta mbyllje biznesesh e humbje vendesh pune. Dihet ndërkaq se shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë jeton në Eurozonë.

Ajo që nuk është e qartë – dhe askush në Bankën e Shqipërisë nuk e ndjen të nevojshme të shpjegojë me detaje – është si janë rritur këto investime të huaja direkte kur aktiviteti ekonomik i partnerëve tregtarë kryesorë të Shqipërisë ka pësuar një tkurrje siç u tha në deklaratën e parë. Dhe për më tepër, si janë rritur remitancat kur të pakta janë mundësitë që emigrantët të paguhen më shumë në këtë situatë ekonomike të vështirë? Në rastin më të mirë do të ishin në të njëjtin nivel si më parë.  Për të mos thënë që duhej të ishin ulur sipas logjikës ekonomike e cila argumenton që kur vendi i punës është në rrezik, gjëja e parë që një person bën është të ulë shpenzimet e të rrisë kursimet.

Para disa vitesh Banka e Shqipërisë u përfshi në një skandal të turpshëm e të rrezikshëm kur punonjës të saj vodhën miliona lekë që i nxorën nga Banka në mënyrë sistematike, të pashqetësuar nga shërbimi i sigurisë së institucionit apo auditi i brendshëm. I rrezikshëm jo aq prej shumës, e cila ishte gjithsesi e konsiderueshme, por sepse cënonte thellë besimin e shqiptarëve te banka e tyre qendrore. Titullarët e Bankës me të drejtë vendosën si prioritet kthimin e besimit te Banka pas këtij skandali të turpshëm. Por deklaratat e turbullta e parashikimet në tym si këto rreth dobësimit të pritshëm të lekut nuk e ndihmojnë fare forcimin e besimit të shqiptarëve te Banka e tyre. Edhe sa do të vazhdojë kjo situatë?

 

*****

Botuar në Dita. autori është Profesor Finance – Universiteti i Bristolit, Angli / Keshilltar Akademik – Banka e Anglise

 

October 9, 2019 21:52
Komento

10 Komente

  1. h October 9, 22:30

    Një vend ku guvernatori vjedh bankën që drejton,
    nuk mund të ketë orjentime dhe politika mbi inflacionin.
    Euro ulet sepse hyjnë paratë e drogës pa kontroll.
    Guvernatori është kukull pa dinjitet në duart e korrupsionit.

    Reply to this comment
  2. Glaukias October 9, 22:58

    Z.Stoja,
    është mjaft e thjeshtë, ne çdo ditë kur zgjohemi, kemi mediat që na bëjnë “larje truri” ! Çdo mëngjes në çdo media, gazetë, portal, ke lajme e shkrime vetëm për vrasje, kërcënime dhe aksidente, edhe këto tregohen aq në imtësi, sa vjedhjet dhe korrupsioni të duken gjërat më normale në botë. E njëjta gjë për pjesën e moralit, çdo ditë shkruajnë rreth tradhëtisë, rreth vulgaritetit, rreth “të fortëve” e “miss-eve” të tyre, aq sa virtyte si, thjeshtësia, devotshmëria, kultura, sinqeriteti etj, nënkuptohen si vese të këqija. Ndaj edhe shkrimi juaj z. Stoja, që në një shoqëri funksionale duhet të rrëzonte një qeveri, nuk do të marr vëmendjen e duhur e më së shumti do të ketë rreth 15-20 komente. Fatkeqsisht, sistemi ka dal fitimtar në Shqipëri !

    Reply to this comment
  3. Vlora October 9, 23:04

    Banka mban pergjegjesi aq sa mbajti Fullani.

    Reply to this comment
  4. demo October 10, 03:14

    Une s`marr vesh nga bbankat,por them qe, po te jete i biri i Stsavrit,ky Stoja duhet degjuar sepse i ka pasur prindet shume te ditur.
    Dardha bie nen dardhe.

    Reply to this comment
  5. Arben October 10, 06:34

    Se mos mban per ato qe ben, qe te mbaje per ato qe thote

    Reply to this comment
  6. On October 10, 08:09

    Banka e Shqiperise eshte e mbushur me cunat e gocat e politikaneve te cdo krahu…eshte vend qokash….ndaj mos prisni gje..zoti I ruajte Shqiptaret

    Reply to this comment
  7. Ing. October 10, 08:43

    O Stoja, ta s’qaruam heren e pare qe
    1.ekonomia shqiptare eshte nje ekonomi e vogel
    2. kursi i kembimit eshte fyksion i tregut te lire
    3.per te patur kurs fiks kalojme ne ekonomine socialiste
    4.Ai subjekt qe mardheniet e kapitalit i ka te shprehur ne euro (sic mund t’i kesh ti) pa dyshim qe forcimi i lekur nuk i pelqen, por ama kush subjekt mardheniet e kapitalit i ka te shprehur ne lek (sic i kam une dhe shumica e shqiptareve} forcimi i lekut na pelqen.
    5. Si koke e madhe qe te duket vetja na percakto shifrat optimale qe rrjedhin nga analiza jote per
    a. vleren e kursit te kembimit Lek / euro
    b.vleren e inflacionit
    Ne rast se nuk i percakton keto dy shifra, leri pordhet dhe mos shkruaj me

    Reply to this comment
    • Qerim October 10, 09:51

      Ing, po ca thua o derdimen, e dini ju ustallaret e Bankes se Shqiperise tregun e lire dhe nuk e di ai?! Nejse ti mire e ben qe ke dale qe ne mengjes per te share se te presin rrogen…

      Reply to this comment
  8. Aleko October 10, 09:10

    Z. Stoja, a e shikon cfare kaqoli eshte “vene” ne krye te BSH-se. Mendon se eshte rastesi?
    Sa pislleqe te tjera kalojne pa u vene re… kjo qe thoni ju nuk eshte asgje.
    Merr e analizo aktivitetin e nje banke cfaredo te nivelit te dyte e do dale e qarte cfare pacavure eshte bere BSH.

    Reply to this comment
  9. Gzim Kulufi October 10, 12:09

    Sic duken bathet, euro do te vazhdoje te bjere ne krahasim me lekun edhe per vitet ne vazhdim, apo ndryshe, leku do te vazhdoje te mbivlersohet pergjate kembimit me euron. Emigranteve shqiptare kjo situate i demton, ndaj ata do te shohin pergjate 2020-es vende te tjera per pushime. Ndersa shqiptaret e Shqiperise kjo situate i favorizon, duke i bere ata turiste (te lire) ne vendet europiane. Mallrat e huaja do te shtohen ne importet shqiptare, mallrat shqiptare do te penalizohen ne eksportet e tyre jashte. Kaq i kupton dhe bufi!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*