A mund të mposhtet Angela Merkel?

September 2, 2013 11:35

A mund të mposhtet Angela Merkel?

Vetëm tre javë e ndajnë Gjermaninë nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme dhe sondazhet tregojnë se e majta ka gabuar me kandidatin e saj, liberalët janë në krizë dhe piratët janë shumë mbrapa

Zgjedhjet e ardhshme gjermane do të mbahen më 22 shtator dhe në listën e garuesve janë 34 parti të ndryshme. Një nga sondazhet e fundit, e institutit gjerman “Forsa” thotë se koalicioni CDU/CSU i drejtuar nga kancelarja në ngarkim, Angela Merkel, është në avantazh me 40%, socialdemokratët (SPD) me 23%, Partia e gjelbër me 14%, partia e majtë “Die Linke” me 7%, liberalët (FDP) me 5% dhe Piratët me 3%.

Ndërsa për figurën politike që votuesit e shohin më mirë në rolin e kancelarit rezultati sondazhit është edhe më i qartë: 55% janë për Angela Merkelin, ndërsa vetëm 21% vlerson sfiduesin e saj kryesor, Peer Steinbrück nga SPD.

Pra rezultatet tregojnë se qeveria në ngarkim po ecën mirë, ndoshta sepse situata ekonomike e vendit është e qëndrueshme dhe si rrjedhojë nuk ndihet nevoja urgjente për ndryshime.

Kanditatët kryesorë

Problemi i SPD-së që në sondazhe është rreth 16 pikë mbrapa aleatëve CDU/CSU, sipas analaistëve qëndron pikërisht në faktin se nuk kanë gjetur një kandidat me të vërtetë bindës dhe karizmatik. Steinbrück, ish-ministër i Financave në qeverinë e 2005-2009 (e drejtuar po nga Angela Merkel), është i njohur për pozicionin e tij politik disi të moderuar.

Pas një fillimi shumë shpresëdhënës për qendrën e majtë në fund të 2012-s, Steinbrück i kaloi muajt pasardhës duke koleksionuar një seri gafash dhe deklaratash të gabuara, fryt i karakterit të tij energjik. Në dhjetorin e vitit të kaluar tha për shembull se paga e kancelarit ishte shumë e ulët: një pozicion jo shumë popullor ky. Gafat e njëpasnjëshme i shkaktuan disa probleme brenda SPD-së. E kaluara e tij e freskët si konferencieri më i paguar në Gjermani dhe lidhjet me disa nga industritë më të mëdha gjermane i kanë shtuar bindjet se ai është një zgjedhje e gabuar.

Nga ana tjetër është Angela Merkel, pa shumë rivalë brenda partisë së saj. Është lidere e CDU-së prej 10 vitesh, e vlersuar për mënyrën se si i ka drejtuar çështjet evropiane dhe për heshtjen e saj për t’iu kundërpërgjigjur kritikave. Aftësia e saj e njohur “për të pritur pa u përgjigjur, doli se ishte një nga cilësitë më të mira të saj, përtej ndonjë akuze se kështu shfaqte dobësi.

Aleancat

Dhe një nga çështjet kryesore mbetet ajo e aleancave, të cilat kanë qenë gjithnjë të nevojshme për shkak të ligjit elektoral proporcional pa një premisë mazhorance, me pragun e 5% të nevojshme për ta futur një parti në parlament. Aleancat post-elektorale në të kaluarën jo të largët kanë qenë afërsisht tre: dy përfshinin liberalët si aleatë alternativë të SPD-së dhe të CDU/CSU dhe e treta ishte një akord midis socialdemokratëve dhe të gjelbërve. Por gjatë viteve të fundit panorama politike gjermane ndryshoi, numri i partive u shtua shumë duke mos lejuar sot asnjë nga këto tre zgjidhje.

Në një intervistë për të përditshmen “FAZ”, Steinbrück deklaroi se partia e tij do të aderojë në një koalicion të madh bashkë me CDU/CSU-në, vetëm nëse qeveria nuk do të drejtohet nga Angela Merkel. Një aleancë e tillë është realizuar vetëm një herë në historinë e Gjermanisë: 40 vjet më parë, në fund të viteve ’60.

Nga ana tjetër është “Die Linke”, partia e majtë e formuar në vitin 2007 nga përzierja e një grupi të larguarish prej SPD-së dhe trashëgimtarët e partisë komuniste të Gjermanisë Lindore. SPD e ka refuzuar gjithmonë një aleancë “me Die Linke”, pikërisht për shkak të së kaluarës së saj komuniste dhe të pozicioneve politike ekstreme. Por një sondazh i publikuar pak ditë më parë në tabloidin “Bild” se një aleancë e mundshme SPD-Linke-Të gjelbër, sado politikisht heterogjene do të ishte përpara me një pikë në përqindje ndaj koalicionit të qendrës së djathtë (në raportin 46 me 45). Lideri i Linke-s, Gregor Gysi, iu ka kërkuar socialdemokratëve të rimendojnë mbi refuzimin e tyre për t’u bërë aleatë. Por zërat për një koalicion të mundshëm midis këtyre tre partive janë përgënjeshtruar javët e kaluara nga kreu i SPD-së, Sigmar Gabriel./D.Gjuzi

 

September 2, 2013 11:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*