A mund të parandalohen sëmundjet e zemrës?

December 6, 2018 10:11

A mund të parandalohen sëmundjet e zemrës?

Kufizimi i marrjes së kripës në ushqim përgjatë ditës, konsumi i alkoolit në normat e lejuara, shtimi i konsumit të perimeve dhe frutave, dieta pa yndyra, reduktimi i peshës, si dhe kryerja e aktivitetit të rregullt fizik, luajnë një rol tepër të rëndësishëm në reduktimin e sëmundjeve të zemrës.

Si shkak i ndryshimit të stilit të jetesës, ku më shumë po tentohet drejt ushqimeve të thata dhe të pasura në yndyrë, si dhe mungesa e aktiviteteve fizike, po bëhen shkak për shtimin e ndërlikimeve të sëmundjeve të zemrës.

Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se cilat janë sëmundjet më të shpeshta kardiovaskulare, çfarë i shkakton, si dhe masat që duhet të merren për t’i parandaluar.

Çfarë janë sëmundjet e zemrës (sëmundjet  kardiovaskulare)?

Zemra përfaqëson një organ vital të përbërë nga muskuj. Si çdo organ muskulor në trup, ka nevojë për furnizim adekuat me gjak për të siguruar oksigjen në mënyrë që muskujt të mund të kontraktohen dhe të pompojnë gjakun në drejtim të gjithë trupit. Zemra nuk pompon (hedh gjak) vetëm në drejtim të organizmit, por furnizon edhe veten e saj me gjak nëpërmjet arterieve koronare.

Këto arterie dalin direkt nga baza e aortës (që është ena më e madhe e gjakut që mbart gjakun e oksigjenuar nga zemra) dhe pastaj degëzohen përgjatë sipërfaqes së zemrës. Kur një, ose më shumë arterie koronare ngushtohen, vështirësojnë qarkullimin e gjakut në zemër, veçanërisht gjatë aktivitetit fizik.

Kjo bën që muskujt e zemrës të vuajnë si çdo muskul tjetër kur nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak. Nëse arteriet vazhdojnë të ngushtohen mund të nevojitet kufizimi i aktivitetit fizik për të provokuar më pak simptoma. Simptomat klasike të kësaj situate janë dhimbjet e gjoksit në formë presioni, ose gulçimi që përhapen në supe, krahë, mjekër dhe shpinë.

Kjo situatë emërtohet “angina pektoris”. Dhe nëse arteria koronare bllokohet plotësisht atëherë në atë pjesë të zemrës humbet qarkullimi i gjakut. Kjo quhet sulm në zemër ose “infarkt miokardi“ (vdekje e indit të zemrës).

A shfaqen këto simptoma tek të gjithë pacientët që kanë probleme koronare?

Jo të gjithë pacientët me probleme koronare kanë këto simptoma. Shumë prej tyre kanë çrregullime të aparatit tretës apo djersë të ftohta. Trajtimi për problemet koronare varet nga ashpërsia e tyre.

Çfarë duhet bërë në këto raste?

Shumë herë ndryshimet e mënyrës së jetesës, dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt, ndalimi i alkoolit dhe duhanit, kontrolli i vazhdueshëm i presionit të gjakut, kolesterolit (yndyrnat në gjak), kontrolli i diabetit, mund të kufizojnë ngushtimin e arterieve. Në jo pak njerëz, kirurgjia, ose procedura të tjera mund të jenë të nevojshme.

Çfarë ndërlikimesh të tjera përfshihen në këtë grup?

Përveç arterieve koronare që janë patologjitë më të shpeshta të sëmundjeve kardiovaskulare, në këtë grup bëjnë pjesë edhe sëmundjet e valvulave të zemrës (funksioni i valvulave rregullon rrjedhjen e gjakut brenda dhe jashtë zemrës). Kardiomiopatitë që ndikojnë në funksionimin e muskujve të zemrës, çrregullimet e ritmit të zemrës (aritmitë), si edhe infeksionet e zemrës.

Cilët persona janë më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare?

Ka shumë faktorë rreziku që rrisin ndjeshëm potencialin për të zhvilluar sëmundje të zemrës dhe të enëve të gjakut. Ndër to po përmendim më të shpeshtat që hasim e që janë: pirja e duhanit, tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni), niveli i lartë i kolesterolit në gjak (yndyrnat), historia familjare me probleme të zemrës dhe enëve të gjakut, veçanërisht infarkti dhe arterioskleroza, si dhe diabeti.

Cili është qëllimi i trajtimit të sëmundjeve kardiovaskulare?

Qëllimi kryesor i trajtimit është zgjatja e jetës, por edhe përmirësimi i cilësisë së jetës. Parandalimi është çelësi për të shmangur sëmundjet kardiovaskulare, por edhe për të arritur rezultate optimale gjatë trajtimit.

Përveç një stili të shëndetshëm jetese që është gjithmonë i vlefshëm, përdorimi i dozave të vogla të aspirinës në mënyrë të rregullt luan rol të rëndësishëm si antikoagulant (pengon ngjitjen e trombociteve të gjakut dhe formimin e trombeve) duke zvogëluar rrezikun e sulmit në zemër.

Vendimi për të përdorur Aspirinë rutinë varet nëse faktorë të tjerë rreziku për sëmundjet e zemrës janë të pranishëm.

Prandaj ato duhen përdorur vetëm me këshillën e mjekut specialist kardiolog pasi janë të njohura edhe efektet anësore të aspirinës, veçanërisht në aparatin tretës (si rritja e aciditetit të stomakut, ulcerat e deri të çarjet e mukozës që mund të rrezikojnë edhe jetën).

Medikamente specifike përshkruhen nga mjekët specialistë në varësi të rastit të paraqitur. I rëndësishëm është edukimi i hershëm i publikut për qasjen e hershme në shërbimin e urgjencës kur pacienti zhvillon dhimbje në gjoks, gjë që mund të ndihmojë në shpëtimin e jetës.

A mund të merren masa parandaluese?

Që nga fillimi i formimit të pllakave sklerotike në muret e arterieve e deri në ngushtimin, apo bllokimin e tyre mund të duhen 10 ose 15 vjet, që do të thotë se kemi kohë të marrim masa në këtë drejtim. Vëmendje e madhe i kushtohet rolit të reduktimit të peshës, dietës, stërvitjes së rregullt dhe përdorimit të medikamenteve specifike për reduktimin e kolesterolit në gjak.

Parandalimi i sëmundjeve kardiovaskulare nënkupton një angazhim të përjetshëm për të kontrolluar tensionin e lartë, diabetin, yndyrnat në gjak dhe kujdesin me duhanin dhe alkoolin. E rëndësishme është të kryhen kontrolle të rregullta pranë mjekut të familjes edhe pa patur shenja klinike.

Këto kontrolle (check-up) ndihmojnë shpesh në diagnozën fillestare të sëmundjeve të zemrës si edhe për të minimizuar faktorët potencialë të rrezikut për sëmundje të zemrës, në mënyrë që të mos zhvillohen ose nëse tashmë janë të pranishme të minimizohet përparimi i bllokimit të arterieve.

Këshilla që nuk duhen neglizhuar:

  • Rekomandohet ulje e sasisë së kripës në dietë, 5-6 g në ditë, duke përfshirë kripën në bukë dhe ushqimet e konservuara e të përpunuara. Përdorni kripë të jonizuar.
  • Modifikimi i konsumit të alkoolit, në jo më tepër se 20-30 g etanol në ditë te burrat, si dhe jo më tepër sesa 10-20 g etanol në ditë te gratë.
  • Rekomandohet konsumi i përditshëm i shtuar i perimeve, frutave dhe produkteve me përmbajtje të ulët të yndyrave.
  • Rekomandohet reduktimi i peshës në BMI 25 kg/m2 dhe i perimetrit të belit që tek burrat duhet të jetë më i vogël se 102 cm, ndërsa tek gratë jo më shumë se 88 cm.
  • Rekomandohen ushtrime të rregullta fizike, të paktën 30 minuta me ushtrime dinamike të moderuara në 5 deri 7 ditë në javë.
  • Rekomandohet që të gjithë duhanpirësve t’u jepen këshilla për të hequr dorë nga duhani dhe t’u ofrohet asistencë.

DITA

December 6, 2018 10:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*