Emigrantët, çelësi i suksesit të Francës, Belgjikës dhe Anglisë në Botëror?

July 11, 2018 11:44

Emigrantët, çelësi i suksesit të Francës, Belgjikës dhe Anglisë në Botëror?

Tre nga katër semifinalistët e Kupës së Botës 2018 kanë më shumë të përbashkëta se thjesht afërsia gjeografike mes vendeve të tyre.

Franca, Belgjika dhe Anglia kanë një numër të madh lojtarësh që janë fëmijë të prindërve emigrantë.

Kështu, 16 nga 23 lojtarët e Francës kanë të paktën një prind që ka lindur jashtë vendit. Dy të tjerë kanë lindur në ishujt e Karaibeve franceze, të cilat konsiderohen pjesë e Francës.

11 lojtarë të Belgjikës dhe 6 të Anglisë janë fëmijë të të paktën një emigranti dhe 4 lojtarë të tjerë nga Anglia kanë prejardhje afro-karaibiane më të largët. Njëri prej tyre, është Raheem Sterling, që ka lindur në Xhamajka.

Që Franca është ekip multikulturor nuk duhet të jetë diçka e habitshme tashmë.

Ekipi francez që fitoi Kupën e Botës në Francë në vitin 1998, e vetmja fitore e vendit deri më tani në një Kampionat Botëror, është konsideruar simbol i integrimit të suksesshëm në shoqërinë franceze, aq sa është quajtur “Ekipi ylber”.

Megjithatë, katër vjet më vonë, lojtarët “e huaj” kërcënuan me bojkot në shenjë proteste ndaj suksesit të kandidatit të ekstremit të djathtë Jean-Marie Le Pen në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2002 (edhe pse Le Pen u mund lehtë në raundin e dytë).

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, e djathta ekstreme pati sërish sukses kur vajza e Le Pen, Marine fitoi 33,9% të votave, por u mund nga Emmanuel Macron.

“Është e famshme shprehja e Marine Le Pen, e cila tha se kur shikon “Les Bleus” (pseudonimi i ekipit) nuk njeh as Francën dhe as atë vetë”, thotë Afshin Molavi, nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.

Megjithatë, këtë herë nuk ka pasur kërcënim për bojkot dhe me fitoren e djeshme Franca është favorite për të ngritur trofeun në Rusi.

     

Rasti i Belgjikës

Ekipi belg ka 11 lojtarë me të paktën një prind emigrant, pwrfshirw edhe lojtarët si Romelu Lukaku dhe Vincent Company, të cilët kanë prindërit me origjinë kongolase. Babai i Lukakut ka luajtur për ekipin kombëtar të Zairit në vitet ’90.

Aktualisht Belgjika një vend me dy rajone dhe gjuhë kryesore: Walloon (Franceze) dhe Flanders (flemisht) ndodhet në një situatë ndarjeje të thellë politike, sociale dhe kulturore.

Tensioni mes dy rajoneve ka çuar në tendenca separatiste dhe në zgjedhjet federale të 2010-ës fitorja e Aleancës Neo-flamande shkaktoi një bllokim politik që la vendin pa qeveri për 541 ditë.

Prandaj, një ekip që ka lojtarë nga të dy rajonet, dhe një trajner spanjoll, është demonstrim i unitetit. Përveç kësaj, për shkak të anëtarëve të ekipit që luajnë në Angli, gjuha e Shekspirit është bërë gjuha e përbashkët për të gjithë.

“Nuk jam në Kupën e Botës për të folur për politikë. Ky turne është një mundësi për të festuar si një komb dhe për të mbështetur një ekip që përfaqëson tërësinë e shoqërisë belge”, tha një fans belg për BBC para fitores së “Djajve të Kuq” kundër Brazilit në Kazan.

Karaibet dhe Afrika në ekipin anglez

Fëmijët e emigrantëve përfaqësohen më së miri edhe në ekipin anglez. Suksesi i papritur i skuadrës së trajnerit Gareth Southgate, që ka gjashtë lojtarë me të paktën një prind emigrant ka magjepsur fansat.

“Jemi një ekip ndryshe dhe i ri që përfaqëson Anglinë moderne. Në Angli kemi kërkuar pak kohë për sa i përket identitetit tonë modern. Natyrisht, në parim do të gjykohemi nga rezultatet në futboll, por ne kemi mundësi që të ndikojmë edhe në gjëra të tjera që janë shumë më të mëdha”, tha Southgate.

Si ndihmojnë emigrantët

Por si mund të shpjegohet apo matet ky lloj suksesi?

Në një artikull akademik të publikuar në vitin 2015, një vit pasi Gjermania mori titullin e katërt në Botëror me shumë lojtarë të natyralizuar dhe fëmijë emigrantësh, ekonomisti Wolfgang Fangler bëri një analogji me “botën reale”.

“Për të qenë konkurrues, dhe jo vetëm në futboll, Gjermania ka nevojë për njerëz të talentuar”, shkroi ai.

Titulli i artikullit? “Nëse ju pëlqen futbolli, duhet të mirëpritni emigrantët”.

Më pas politologët Edmund Malesk dhe Sebastian Saiegh shkuan më tej dhe studiuan performancën e ekipeve nga pesë ligat e mëdha evropiane (Angli, Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë) në Ligën e Kampionëve të UEFA mes viteve 2003 dhe 2012.

Dhe ata gjetën se ka “një lidhje të fortë dhe pozitive midis diversitetit dhe suksesit”.

“Ekipet që injorojnë talentin ndërkombëtar për të kultivuar ekskluzivisht atë lokal kanë më shumë gjasa të dështojnë në skenën më të madhe në botë”, – shkruan ata.

Malesk dhe Saiegh gjithashtu besojnë se efekti pozitiv në ekipet kombëtare rritet nga prania e lojtarëve që konkurrojnë në ligat e karakterizuara nga diversiteti.

Kjo do të thotë që Belgjika dhe Anglia favorizohen edhe nga fakti që shumica e yjeve të tyre luajnë në Premier Ligë, ku lojtarët e huaj të sezonit të kaluar pothuajse përbënin 70% të të gjithë lojtarëve./Burimi BBC – Përshtati në shqip DITA

o.j/dita

 

July 11, 2018 11:44
Komento

3 Komente

  1. Arben July 11, 13:09

    Kolonizimi eshte fjala e duhur

    Reply to this comment
  2. S July 11, 15:27

    Qe sa fillon shkrimi eshte e shkruajtur : “Tre nga kater semifinalistet…”
    Mund te me shpjegoj dikush cfare do te thote semi se finalistet e mora vesh. Shkruani sa me shqip dreqi e mori.

    Reply to this comment
    • Bureto July 11, 17:46

      Por edhe ‘finalist’ puro shqip nuk është. Mirë do të ishte që të shkruajmë sa më pastër shqip, por edhe gjuhë pa ndërhyrje nga ato të tjera nuk ka. As ne nuk bëjmë përjashtim.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*