A po luan Edi Rama me kartën nacionaliste?

November 27, 2017 13:24

A po luan Edi Rama me kartën nacionaliste?

Bedri Islami

Edi Rama është sot lideri më i votuar dhe më i besuar në Shqipëri. Ndryshe nga sa mund të ishte menduar, edhe në Kosovë e në viset e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, autoriteti i tij është rritur, megjithëse prej ditës së parë pluraliste në Kosovë ka ekzistuar gjithnjë një lob i fuqishëm proserb , që, me gjithë mjetet e mundshme, ka qenë egërsisht kundër linjës socialiste në politikën shqiptare. Si duket, qëndrimet e Edi Ramës, sidomos për ngjarje, fakte dhe konkretësi historike e të tashme, i kanë zënë në një befasi të çuditshme lobistët shqiptarë proserb në Kosovë dhe në viset e tjera, e duan apo duan, tani lideri i së majtës në Shqipëri e ka përmbysur fantazmën politike që qëndronte mbi kryet e politikës në Kosovë, asaj të Berishës.

Si dihet, sot, e hënë 27 nëntor, në Korçë do të fillojë mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, e para e këtij lloji pas ndërtimit të kabinetit Haradinaj dhe ringritjes së qeverisë Rama 2.

Zgjedhja e datës 27 nëntor, është krejt e mundshme, është bërë me kujdesin më të mirë të mundshëm, aq më tepër se, të nesërmen, mbledhja e përbashkët qeveritare, ku priten të nënshkruhen katër marrëveshje, do të zhvendoset në qytetin e Vlorës, që përkon, po ashtu jo rastësisht, me 105 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Kabinetet qeveritare, nga Korça do të udhëtojnë drejt Vlorës, jo me pajtonë, si paraardhësit e tyre 105 vite më parë, por me makina luksoze, shoqërues, media nga dy shtetet shqiptare, ndoshta edhe të huaj, e ndoshta , ndonjëri prej tyre, edhe me sekretare. Në vend të baltrave të Myzeqesë ata do të përshkojnë udhët e reja, disa të pambaruara, por gjithsesi të këndshme. Vargani do të jetë i gjatë, nëse në çastin e fundit, Edi Ramës nuk i mbushet mendja dhe i fut në dy autobuzë, pasi t’i ketë mbledhur në pallatin e sportit, për të bërë solemnisht, jo ngritjen e flamurit, por koshin e radhës në një fushë basketbolli, ku mund të jenë të hedhur në eter dhjetra flamurë kombëtarë. Në këtë rast Edi Rama do të jetë në rolin e Ismail Qemalit, në të vërtetë ka përngjasim portreti; Ramush Haredinaj në pozitën e Isë Boletinit, dhe kësaj here krahasimi nuk është i padrejtë, një tjetër në rolin e Gurakuqit, dhe mbetet për të parë se cili do e kishte marrë mbi vete, qoftë edhe për hatër të kryeministrave, rolin e përkohshëm të Esat Pashës. Po të kishte qenë nga kabineti i mëparshëm i Kosovës do e kisha ditur…

Por t’i lëmë të gjitha këto, në një krahasim që çalon dhe përtej asaj që mund të quhet humor i padëmshëm.

Ka disa kohë që shteti londinez shqiptar ka në thelbin e paraqitjes së tij dy linja të cilat duket sikur e përjashtojnë njëra-tjetrën, por që në fundin e tyre duket sikur bënë një rrugë e përbashkët.

Linja e parë, më e dukshme dhe më e rrahur nga politika është ajo e trajtesës evropiane, duke ndjekur një rrugë që është ëndërruar prej kohësh, është hedhur në tregun e ideve dhe të shpresave si e vetmja rrugë shpëtimi dhe shumë pritje të së ardhmes lidhen me të. Edi Rama është paraqitur kampioni i kësaj rruge, duke hapur një linjë të re komunikimi me përfaqësuesit e lartë të shtetit serb, duke hedhur në tregun e vizioneve paraqitje tej asaj që është quajtur tipike ballkanike apo ngushtësisht shqiptare, duke tejkaluar normat e vendosura nga një politikë e ngushtë e jo serioze. Për këtë, sa herë që është lakmuar në perëndim, aq herë është mallkuar nga opozita e dyfishtë: brenda parlamentit të tij dhe në parlamentin tjetër me shumicë shqiptare. Kjo linjë e politikës së drejtuar nga Edi Rama ka gjetur mbështetës në perëndim, sidomos nga Kancelarja Merkel dhe shtetet e tjera, të cilat, të lodhura nga mëritë dhe brengat e pashëruara ballkanike, që shpesh herë kanë qenë fatalisht të përgjakura, kanë menduar se kanë gjetur njeriun e duhur të detantës politike ballkanike.

Por edhe atëherë, kur qendra e vëmendjes po drejtohej nga qetësia relative e politikës, Edi Rama ka gjetur momentin për të dëshmuar se pak gjë ndryshon ai nga linja e vjetër kur është fjala për qëndrime , të cilat të çojnë drejt nacionalizmit, dhe do të thoja një nacionalizmi modern dhe shumëplanësh. Kështu ndodhi në Beograd, kur befas, haptas dhe në praninë e liderëve të shtetit serb, ai kërkoi pranimin e pavarësisë së Kosovës, çka e bëri atë aq popullor dhe të pakundërshtueshëm nga lobi serb në në Prishtinë.

Kur gjithçka mendohej se ai do të jetë njeriu i hapjes së ideve, si ndodhte në ndërtimin e marrëdhënieve më shtetin italian, vinte përplasja me shtetin grek, të cilat çonin drejt akullzimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por që, dashje apo pa dashje, gjenin miratimin e duhur në shumicën e njerëzve që ishin lodhur me tundjet e vitheve të politikës greke, ndërsa tundte edhe kërbaçin.

Nuk është e papritur deklarata e ish shefit të qeverisë, në të vërtetë politikanit me dy nënshtetësi, shqiptare dhe të Kosovës, Pandeli Majko, për hapjen e plotë të kufijve, që u prit në Prishtinë me duartrokitje të zgjatura, deri frenetike, megjithëse ishte një mjedis i njerëzve që duartrokasin rallë herë.

Mbledhjet e përbashkta mes dy qeverive, që fillojnë sot, 27 nëntor e vazhdojnë edhe nesër, kanë në vete jo vetëm datën e 28 nëntorit, që u shpall festë zyrtare edhe në Kosovë, por edhe simbolika të tjera, që kushdo mund t’i trajtojë si nacionaliste. Të dy shefat e qeverive do të ngrenë së bashku Flamurin Kombëtar, mbledhja e dytë do të zhvillohet në Shtëpinë Muze të Pavarësisë, do të ketë deklarata të përbashkëta dhe, nga Vlora, si shenjë sinjifikative, dy kryeministrat dhe presidenti Meta, të cilit mund t’i bashkohet edhe presidenti Thaçi, do të shpallin Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Të gjitha këto janë nën sfondin e një tablloje që askush nuk do të kishte dashur të ishte në Shqipëri, por në përmasa thuajse të njëjta edhe në Kosovë. Qeveria Rama 2, si është bërë zakon të thirret, ndodhet para shumë problemeve të hapura më parë, por edhe të çështjeve të tjera që mund të hapen, njëra pas tjetrës dhe që kanë të bëjnë  jo vetëm me aferat që presin të sqarohen, por më shumë me mundësinë e realizimit të objektivave që janë vënë, Vetingun e shumëpritur etj.

Asnjëra prej tyre nuk mund të zgjidhet përmes mbledhjeve bashkëqeveritare, pasi, edhe gjatë kthimit nëpër zyrat e tyre, secili qeveritar do të mendojë për hallet e tij dhe të kabinetit që drejton.

Nëse të gjitha këto që ndodhin janë të nevojshme dhe herë pas here, edhe të domosdoshme, po aq e rëndësishme është që zgjidhjet të jenë të përhershme dhe jo të çastit.

Media pranë shtetit serb dhe, sidomos kohët e fundit, pranë qeverisë greke, e kanë ritur dozën e shfaqjeve nacionaliste të Edi Ramës. Edhe në shtetin maqedon, në ditët e fundit të qeverisjes Gruevski, deri nga presidenti kukull i këtij vendi, u rrit trysnia mbi ndërkombëtarët, pikërisht për atë që ata e quajtën nacionalizmi i shefit të qeverisë shqiptare.

Në fakt, shteti shqiptar si kurrë më parë ka bërë lëshime të ndjeshme ndaj pakicave që jetojnë në Shqipëri, duke e shtuar nganjëherë edhe artificialisht numrin e tyre. Ndoshta ashtu i është dashur ose, si mund të jetë më e mundshme ka dashur të lëshojë sinjalet e tij ndaj ndërkombëtarve se, ndërsa është rritur qëndrimi ndaj atyre që quhen çështje kombëtare dhe janë shtuar shfaqjet ndaj tyre, edhe në kahun tjetër shteti është po aq modern, liberal dhe proevropian sa është pritur.

Çështja nacionale shqiptare kalon edhe përmes mbledhjeve të përbashkta qeveritare. Por ajo më shumë kalon përmes gjërave të përditshme, zgjidhjes së hallkave që na janë ngatërruar keqas nëpër këmbë, nga ndasi që nëpërkëmbin idenë e kombit dhe keqojnë ndërlidhjen e natyrshme mes njerëzve të një kombi, pavarësisht se ku i ka rënë fati të jetojnë.

Në të vërtetë, si e kam shkruar edhe më herët ajo që mungon tek shqiptarët nuk është asgjë tjetër, veçse mungesa e nacionalizmit, ndjenjës së kombit.

Nëse Edi Rama e zgjon më tej këtë ndjenjë, kjo nuk na bën më pak evropianë. Përkundrazi.

Por nëse kjo kartë përdoret si fanti spathi për të hequr vëmendjen nga ajo që e rëndon një ditë politike, askush të mos mendojë se pas saj nuk vjen një ditë tjetër.

Kjo është edhe e keqja për secilin njeri të politikës: dita e ardhshme.

November 27, 2017 13:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*