A po na përsëritet historia në variantin më tragjik?!

August 31, 2016 10:41

A po na përsëritet historia në variantin më tragjik?!

Nga Jakup Krasniqi
Që nga viti 1878, sa herë që na janë rrëmbyer pjesë të rëndësishme të trojeve etnike, si nga Traktatii Shën-Stefanit dhe Kongresi famëkeq i Berlinit, nuk kanë munguar jo pak shqiptarë lakmitarë të pushtetit që të thoshin: “S’ka gjë”, se kështu po thotë: “Baba Mbret”. Madje kjo “s’ka gjëja”, shqiptarëve u është përsëritur jo më pak së pesë herë (1878, 1913, 1925, 1945 dhe, së fundmi në 2015).

Ç’prej atëherë shqiptarëve u janë përsëritur mbase katër llahtari të mëdha, u janë përsëritur katër periudha gjenocidi (1876/78, 1912/1913, 1944/45 dhe ai i vitit 1998/99). Problemi nuk është vetëm pse ndodhen këto shkëputjesh të mëdha territoresh (në mesin e këtyre territoreve ishte dhe Çamëria), por pse në kontinuitet nuk kanë munguar përpjekjet nga vetë shqiptarët, madje në kohën tonë edhe “akademikë” e ”shkencëtarë”, se për “politikanë” të mos flasim, që t’i rehabilitonin dhuruesit e hapësirave shqiptare, armiqve të Shqipërisë! Ky fenomen është shfaqur edhe në mileniumin e ri (shek. XXI)!

Nuk ka dyshim se rastet më eklatante ishin ai i vitit 1925, kur Zogu ia fali Vermoshin e Shën-Naumin Serbisë dhe tani, kur Thaçi e Mustafa po ia falin hiç më pak se mbi 8200 hektarë tokë (nga më strategjiket!) Malit të Zi! Veprime të tilla sikur janë kthyer e po trajtohen si normalitet për një pjesë të shqiptarëve. Se herave të tjera “disi” mund të arsyetohemi, se ishin vendimet e Fuqive të Mëdha!

Herën e parë, në 1876/78, nga forcat e Princ Millanit, është zhbërë Shqipëria e Toplicës, nga ku janë zhbërë (shkatërruar) mbi 500 vendbanime shqiptare, të cilat veprime u legjitimuan nga Traktati i Shën-Stefanit dhe Kongresi i Berlinit. Madje nga ky i fundi, Mali i Zi në përbërjen e tij gëzonte 50 për qind toka të shqiptarëve! Kështu ishte, kur Fuqitë e Mëdha të Evropës në emër të dobësimit të Perandorisë Osmane, tokat shqiptare ua dhuronin të krishterëve shovinistë (me gjuhën e sotme mund të thuhet edhe ekstremistë!) të Ballkanit. Nuk duhet mohuar fakti, se në letër, vendimet e Kongresit të Berlinit i obligonin shtetin e Serbisë e të Malit të Zi, që t’i rikthenin të shpërngulurit në trojet e tyre dhe t’i respektonin të drejtat e pakicave, por në praktikë një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë! Përkundrazi, përpjekjet serbe për shkatërrimin e dëbimin e shqiptarëve nuk pushuan kurrë, madje as sot e kësaj dite!

Herën e dytë, në1912/13, në Luftën e Parë Ballkanike, kur ushtritë e Serbisë e të Malit të Zi, ushtruan gjenocidin e radhës, të dytë, mbi popullsinë shqiptare të Kosovës e të Maqedonisë. Në vitin 1913, të dielën e Pashkëve, në prag të Luftës së Parë Botërore, shkrimtari vienez, izraeliti Leo Frojndlih (Leo Freundlich), e kishte botuar një libër që jo rastësisht e kishte titulluar: “Akuza që ulërijnë”). Në atë libër autori rrëfen për “Golgotën shqiptare” ose holokaustin shqiptar siç e ka cilësuar gjermani Hans Peter Rullman në parathënën e librit “Golgota shqiptare”, botuar në HAMBURG 1992 (shih, Leo Frojndlih: Golgota shqiptare, “Lilo”, Tiranë 1995, f. 10), gjermanisht, anglisht dhe kroatisht.

Në faqen 39 të librit, izraeliti Leo e tregon qëllimin e librit të tij. Ai thotë: “Qëllimi i këtij botimi është ngritja peshë e ndërgjegjes së popullit Evropian. Raportet e përmbledhura këtu në vetvete përmbajnë disa nga ata që kemi mundur të grumbullojmë. Tjetër.

Materiali është i njohur nëpër qeveritë e Evropës përmes konsujve të tyre zyrtarë, si dhe nga artikujt e bollshëm që janë pasqyruar në shtyp.”  Në të njëjtën faqe, gjithnjë sipas të dhënave të kohës, autori kishte argumentuar me të dhëna të shumta se Serbia dhe Mali i Zi kishin ardhur në përfundimin se: “Shqiptarët duhet shfarosur”.

Sipas autorit, kjo politikë e gjenocidit, kishte shkaktuar shumë reagime, me ç’rast sjell reagimin e francezit Pierre Loti, i cili kishte shkruar: “Një popull trim, një popull të shquar, po e torturojnë të mbërthyer në kryq përpara syve të gjithë botës. Por Evropa, Evropa Kristiane, Evropa e civilizuar, nuk po flet qoftë edhe një fjalë për këtë.

Me dhjetëra-mijëra numërohen njerëzit e pambrojtur, të cilëve u ka kaluar qafa nëpër tehun e thikës e të bajonetës, gratë e përdhunuara, pleqtë dhe fëmijët e mbytur, me qindra fshatra të djegura e të rrafshuara për tokë; priftërinjtë të lënë pa frymë. Por Evropa vazhdon të heshtë”. (Po aty, f. 39).

Për të realizuar politikën “shfarosëse (shkatërruese – J. K.)”, shtetet e përmendura e kishin vetëm një gjuhë dhe ajo ishte, gjuha e çizmes me gozhdë, e çizmes më çnjerëzore të ushtarit të shfaqur në mënyrën më të llahtarshme të mundshme dhe të paparë në Evropën e kohës. (Po aty). Ato llahtari Evropa do t’i shihte vetëm në kohën e nazi-fashizmit, në Luftën e Dytë Botërore.

Ato llahtari e kishin shtyrë, njohësen më të mirë të popujve të Ballkanit, Edit Durhramin që t’ia dorëzonte Medaljen e Florinjtë Kral Nikollës dhe t’i thoshte: “… tani e di mirë se Kral Nikolla dhe pasuesit e tij, janë shumë më mizorë sesa Turku dhe nuk mund ta mbaja qoftë edhe një çast më tepër dekoratën e tij të përlyer me gjak”. (Po aty, f. 30). Edhe në luftën e fundit, regjimi i Beogradit ka ndjekur të njëjtën shkollë. Me këtë rast po e shkëpusim një përshkrim te intelektualit e gazetarit serb, Mirosllav Filipoviq.

Ai thotë: ”Jo vetëm që kam plotësisht të drejtë, por ato ngjarje që i kam përshkruar në rrëfimet e mia, janë lodra fëmijësh në krahasim me atë që u kanë bërë djelmoshat tanë civilëve kosovarë. Gjatë kohës që isha në burg më shkruanin edhe priftërinjtë dhe murgjit që kishin shërbyer në Kosovë. Në ditarët e këtyre etërve përshkruhen, nga dita në ditë, mëkatet që bënin policët dhe ushtarët tanë. Ditarët e këtyre priftërinjve dhe murgjve janë plot me shqiptarë të vrarë, shqiptare të dhunuara, fëmijë të vdekur dhe të djegur (…).

Politikanët tanë, as që i komentojnë këto ngjarje e lëre më t’i dënojnë (…). Sado që dikush mendon se ky operacion ishte i justifikueshëm dhe i duhur në planin kombëtar, ose ‘kombëtarisht i nevojshëm’, qëllimi i operacionit «Patkoi» është kriminal”. (Mirosllav Filipoviq: “Dugi marš ka istini o zlocinima”, Marsh i gjatë drejt së vërtetës për krimet, Revista Republika nr. 263).

E njëjta logjikë, me atë që e thoshte serbi Filipoviq para shumë viteve, po vazhdon edhe sot nga qeveritarët e Beogradit, madje edhe pas pesë viteve të bisedimeve me ndërmjetësimin e Brukselit! Qeveritarët serbë planifikojnë t’i ngrenë Përmendore edhe Millosheviqit! Kjo i bie sikur gjermanët e italianët t’iu ngrenë përmendore Hitlerit e Musolinit?! Mbase edhe më keq! Po të vepronin kështu evropianet në vitet e ’50-ta, a thua do të kishte BE?

Herën e tretë, në 1925, pasi Zogu ishte kthyer në pushtet me ndihmën e qeverisë serbe të Pashiqit dhe si shpërblim, qeveria e Zogut ia dha Serbisë Vermoshin dhe Shën-Naumin në rajonin e Ohrit. Më pas Zogu e filloi masakrimin e patriotëve shqiptarë. Ndonëse, çuditërisht, sot e gjithë ditën, bëhen përpjekje për ta arsyetuar Ahmet Zogun! Po, shqiptarët sipas Fallmerajerit (Jacob Philipp Fallmerayer), “tradhtinë e marrin si diçka normale”. Kjo, mbase na ka mbetur që nga koha e Skënderbeut.

Hera e katërt, në 1944/45, kur ndodhi një terrori egër i ushtruar nga partizano-çetniket e Tito-Rankoviqit, dhe me mbështetjen e disa “shqiptarëve”. Madje, në verën e 1945-ës vendosen që Kosova t’i aneksohej Serbisë! Edhe kësaj radhe, si zakonisht pati shqiptarë që thanë: “S’ka gjë!”. Ndashtë ishte bërë refren i një kënge që përsëritej sa herë shqiptarëve iu shkëputej një copë tokë!

Hera e pestë, në 2016! Dy njerëz, kanë vendosur që Serbinë ta bëjnë hisedare në sovranitetin e shtetit përmes Listës Serbe (që vazhdojnë të mos e njohin Kushtetutën, ligjet dhe simbolet e Republikës së Kosovës, pra, që nuk e njohin shtetin e Kosovës!) dhe Malit të Zi t’ia falin mbi 8200 hektarë të tokës stërgjyshore, se kështu po e kërkon interesi i pak njerëzve që kanë grabitur pushtetin. “Po na thonë miqtë”, deklarojnë paturpësisht këta qeveritarë!!! Dhe për hatër të tyre përsëri s’ka gjë! -Jua falim malazezëve “do bakrrina  në Bjeshkët e Nemuna”, po mëshirohen Isa e Hasha!

Është ky një refren tepër i njohur vite e vite për çdo shqiptar të vëmendshëm!

Përfaqësuesit e popullit shqiptar të Kosovës kanë rastin ta vazhdojnë pambarim refrenin… apo, shkurt, t’i thonë një Jo të madhe! Le të shpresojmë se një refren ndryshe do ta këndojnë DEPUTETET e Kosovës!

Historia është duke na u përsëritur në variantin më tragjik të mundshëm.

August 31, 2016 10:41
Komento

6 Komente

  1. Alban August 31, 14:00

    Lavdi Enver Hoxhes qe nuk shiti asnje pellembe toke.
    Nuk me vjen aspak keq per europen qe Po shkaterohet se na shkateroi, por pse amerika ?
    Kjo tregon se duhet te bashkohemi por jo me keta politikane maskarenj qe kemi.

    Reply to this comment
  2. E po kjo pune! August 31, 14:57

    He mor Andrea analisti, per keto bej artikuj dhe boll u more me ate diktatorin qe nuk fali nje pellembe toke por sa pati fuqi, e mbajti te paprekur kete vend.

    Reply to this comment
  3. Aa August 31, 15:06

    A I ka lexuar Veliu keto? Me duket se ainpo ben lojen e djallit me ata te ashtuquajtura Shqiperi te Madhe….. Kosova I fal 8200 km2 Malit te Zi. Shqiperia u fal po kaq det Gresise?
    Me thoni zoteri po tkurren apo po zgjerohen kufijte e Shqiptareve deri ne kufijte e Ilirise?

    POSHTE TRADHETARET DHE SEKSERET E TROJEVE DHE KOMBIT SHQIPTERE.
    SHQIPTARE ZGJOHUNI, BASHKOHUNI, DHE NGREHUNI NENMBROJTEJE TE TROJEVE TONA, FAMILJEVEVTONA, FEMIJEVE TANE NGA USHTRITE MALAZEZE QE NA KANE ARDHUR TE ARMATOSUR NE KUFIRIN TONE DHE ME FORCE DUANBTE NA SHQYEJNE PERSERI GJITHECKA QE NA KA MBETUR.

    AH ENVER KU JE????

    Reply to this comment
  4. Cobani August 31, 15:59

    Duket se populli yne nuk jetuaka dote pa “Baballare te kombit-tradhetare”. Vetem shikoni nje gje-pasuria e tyre personale (e lujtshme dhe e palujteshme) rritet e rritet pa mbarim ndersa trojet shqiptare tkurren e tkurren ne tejskajshmeri! Turp e faqja e zeze edhe e jona qe pranojme ende “baballare” te tille!

    Reply to this comment
  5. Liri nga mafia qeveri August 31, 16:23

    Keto jane pasoja te fares me te keqe turke qe Na la kokoshi nje thele
    Ku je Skenderbeg, se qeveritaret te dyja vendet e Shqiponjave po bojne pazare te rujne ckan vjedh, kjo eshte aresyja vetem

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim