A po prodhojnë universitetet shqiptare një “bombë sociologjike” me sahat?

Fatos Tarifa August 14, 2013 13:58

A po prodhojnë universitetet shqiptare një “bombë sociologjike” me sahat?

Dëshiroj ta nis këtë analizë duke venë në dukje qysh në fillim, se unë udhëhiqem nga ideali demokratik se prodhimi i dijes duhet të jetë i pakufizuar dhe aksesi ndaj saj duhet të jetë universal. Unë nuk besoj se ka gjëra, të cilat do të ishte më mirë të mos i dinim, ose gjëra, të cilat duhet t’i dinë vetëm disa njerëz, njëlloj siç nuk besoj se ka pikëpamje, të cilat nuk duhen shprehur. Sa më shumë ide dhe sa më shumë informacion që ne prodhojmë, aq më të mëdha janë mundësitë që ne të marrim vendime të drejta. Në këtë kuadër, unë e shoh arsimin e lartë jo si një privilegj për një pakicë të shoqërisë, por si një të mirë publike, të cilën ka të drejtë dhe duhet të ketë mundësi ta gëzojë një pjesë gjithnjë e më e madhe e shoqërisë.

 

Një dukuri globale

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe, sidomos, duke nisur nga mesi dhe fundi i viteve 1960 dhe fillimi i viteve 1970, masivizimi dhe demokratizimi i arsimit të lartë janë bërë jo vetëm një dukuri globale, por edhe një prej faktorëve me ndikim më të madh në sistemin e arsimit universitar, madje “forca më kritike me të cilën përballen universitetet në kohën tonë”,  ose “revolucioni” i sotëm në arsimin e lartë. Mjafton të përmendim se, vetëm gjatë 25 vjetëve të fundit të shekullit të kaluar, numri i njerëzve me arsim universitar në vendet e OECD-së thuajse u dyfishua, nga 22 për qind që ishte në vitin 1975, në 41 për qind në vitin 2000. Shtimi i popullsisë studentore vihet re edhe më shumë në vendet në zhvillim. Në Kinë, fjala vjen, në fund të viteve 1990, numri i studentëve universitarë u dyfishua me qëllim për të stimuluar zhvillimin e ekonomisë së atij vendit. E njëjta dukuri ndodhi edhe në Indi. Në shumë prej vendeve në zhvillim janë krijuar megainstitucione të arsimit të lartë, të cilat numurojnë dhjetëramijëra, ose qindramijëra studentë, si Universiteti Nacional i Meksikës, i cili ka mbi 200,000 studentë, apo Universiteti Anadolu në Turqi, që numuron sot mbi gjysmë milionë studentë.

Askush nuk e mohon se masivizimi i arsimit të lartë ka luajtur dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e social të një vendi. Banka Botërore vlerëson se arsimi universitar është esencial për procesin e formit të një kombi, si edhe për promovimin e një kohezioni më të madh social, për rritjen e besimit në institucionet shoqërore, si edhe për inkurajimin e pjesëmarrjes demokratike përmes debatit të lirë. Në nivel kombëtar, arsimi i lartë ka qenë dhe mbetet një ndër faktorët kryesore për zhvillimin e kapitalit njerëzor, pasi ai krijon dhe zgjeron resurset e ekspertizës njerëzore të domosdoshme për rritjen e qendrueshme ekonomike dhe për ristrukturimin e shoqërisë, duke mundësuar mobilitet social dhe një farë “carte blanche për t’u ngjitur në shtresat e larta të shoqërisë”. Sa më shumë që një shoqëri mbështetet në dijen, duke u bërë një “knowledge society”, aq më shumë rritet roli i arsimit të lartë.

Oportunitete dhe sfida

Sidoqoftë, jo vetëm vendet në zhvillim, por edhe shumica e vendeve të pasura e të zhvilluara kanë pasur dhe kanë vështirësi për të absorbuar shtimin e madh të numrit të studentëve dhe për të siguruar punësimin e tyre pas përfundimit të studimeve universitare. Një rrethanë e tillë na bën të reflektojmë në mënyrë kritike mbi një sërë problemesh që lidhen me shkallën e zhvillimit dhe, sidomos, me masivizimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Që në krye dëshiroj të theksoj se masivizimi i universiteteve publike në Shqipëri nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, nuk duhet t’u shërbejë politikave populiste dhe as të pengojë konkurrencën e bazuar në vlera midis universiteteve publike dhe atyre private, siç ka ndodhur deri më sot. Edhe pse të drejtën për të ndjekur arsimin e lartë e ka çdo njeri, jo çdokush meriton të regjistrohet në universitet dhe jo çdokush meriton të diplomohet. Kjo vlen njëlloj si për universitetet publike, ashtu edhe për ato private.

Para viteve 1990, pothuajse kudo në Europë, si në vendet demokratike, edhe në ato socialiste (përfshirë edhe Shqipërinë), arsimi i lartë karakterizohej nga dy dukuri esenciale: (1) ai ofrohej dhe rregullohej nga shteti dhe (2) për të, konkurrenca dhe fitimi ishin koncepte të panjohura. Për shkak se i tërë sistemi arsimor financohej nga shteti, shteti kishte fjalën e fundit në atë se çfarë mësohej në universitete, si edhe për numrin e studentëve që pranoheshin në to. Në Shqipëri, shteti vendoste madje edhe se cilët individë duhej të shkonin në universitet dhe çfarë ata duhej të studionin. Duke filluar nga vitet 1990, situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike në të gjithë Europën Qendrore e Lindore. Shqipëria nuk mund të mbetej pas vendeve të tjera të rajonit dhe, në një masë të madhe, ka ndjekur shembullin e tyre. Edhe këtu, si kudo në vendet që dolën nga sistemi i socializmit shtetëror, diversifikimi dhe masivizimi i arsimit të lartë u panë si një nevojë urgjente për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të shoqërisë.

Megjithatë, institucionet publike të arsimit të lartë, pothuajse kudo në Europë, vazhdojnë të jenë të varura financiarisht në një shkallë të madhe nga shteti. Kjo i bën ato të varura nga qeveritë edhe përsa i përket politikave arsimore dhe vendim-marrjes. Duke qenë se shumica e shteteve nuk investojnë mjaftueshëm në sektorin e arsimit të lartë (pjesa më e madhe e buxhetit të tyre për arsimin shkon për sistemin e arsimit fillor dhe atij të mesëm), dëshira për masivizimin e mëtejshëm të arsimit të lartë ndesh në pengesa që e bëjnë të vështirë realizimin e saj. Masivizimi i universiteteve publike nuk do të kishte kuptim dhe as do të sillte dobi nëse universitetet do të detyroheshin të mbaheshin me një “starvation diet”. Zgjidhja e kësaj kontradikte përbën një ndër dilemat dhe sfidat më të mëdha për zhvillimin e arsimit të lartë në kohën tonë. Një studim i revistës The Economist në vitin 2005 vinte në përfundimin se “edhe pse shumë qeveri e kanë bërë masivizimin [e arsimit të lartë] pjesë të politikave të tyre, pak prej tyre kanë vullnetin të nxjerrin konkluzionin e duhur nga entuziazmi i tyre: se ato ose duhet të ofrojnë fondet e domosdoshme (siç bëjnë vendet skandinave), ose duhet t’i lejojnë universitetet [publike] të caktojnë tarifa realiste [për pranimin e studentëve të tyre]”. Në instancë të fundit, një prej sfidave më të mëdha për sistemin e arsimit të lartë, si kudo, edhe në Shqipëri, është që bashkë me masivizimin e universiteteve dhe të institucioneve të tjera të arsmit të lartë, të mos ulet, por të rritet cilësia e arsimit të lartë. Sasia më e madhe me një cilësi më të dobët do të kishin pasoja negative serioze.

 

Gjermania, një “republic of education”; po Shqipëria?

Presidenti Barack Obama ka shpalluar si një ndër synimet e administratës së tij që Amerika të bëhet “the most college-educated country in the world by 2020”, pra që brenda këtij dhjetëvjeçari, ky vend të ketë përqindjen më të lartë të popullsisë me arsim universitar. Nga ana e saj, kancelaria Angela Merkel, në një fjalim shumë të publikuar, mbajtur në vitin 2008, premtoi se Gjermania do të bëhet një “republic of education”, pra një republikë e njerëzve të arsimuar. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë dy ndër fuqitë eknonomike më mëdha të globit dhe dy ndër vendet më të zhvilluara që mund t’i përballojnë e t’i përmbushin këto synime.

Po Shqipëria? Sa realiste dhe sa e dobishme është për një vend të vogël dhe ende pak të zhvilluar, si vendi ynë, që ta masivizojë arsimin e lartë pa asnjë kriter? Pavarësisht dëshirës së mirë për të pasur sa më shumë njerëz me arsim universitar, cilat janë, realisht, nevojat tona për njerëz me këtë nivel arsimor? Sa e zhvilluar dhe sa e diversifikuar është ekonomia shqiptare për të justifikuar një masivizim të mëtejshëm të arsimit të lartë për nevojat sotme e të nesërme të saj? Sa e përgatitur është shoqëria shqiptare, në përgjithësi, për të absorbuar në treguan e punës ata dhjetëramijëra kuadro e specialistë që diplomohen çdo vit në shkollat e larta të saj? Ç’kapacitete pedagogjike, shkencore e infrastruktururore dhe ç’kushte fizike kanë, në fund të fundit, vetë universitetet dhe shkollat tona të larta për të akomoduar dhe përgatitur cilësisht, siç kërkohet sot e për të ardhmen, një popullsi me arsim universitar numerikisht më të madhe se deri më sot?

Le të jemi realistë dhe ta themi troç. Ne nuk i dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve. Ne nuk dimë se ç’përqindje e GDP-së sonë kombëtare prodhohet nga sektori i dijes, në ç’masë, pra, ekonomia shqiptare është sot një “eknomi e dijes”. Fjala vjen, sot llogaritet se rreth 50 për qind e GDP-së së Shteteve të Bashkuara prodhohet nga “knowledge economy”; për vendet e Bashkimit Europian kjo përqindje varion nga rreth 42-45 për qind e GDP-së së tyre (vendet nordike, Gjermania, Hollanda, Britania e Madhe dhe Franca), në rreth 30-35 për qind e saj (Italia dhe Austria). Për Kinën, kjo përqindje është shumë më e ulët. Kush mund të thotë se sa është, madje qoftë edhe se si llogaritet se ç’përqindje e GDP-së sonë kombëtare investohet për zhvillimin e dijes (SHBA investon mbi 6.6 për qind të GDP-së së saj për zhvillimin e dijes; për Gjermaninë kjo shifër është 3.9 për qind e GDP-së së saj, për Francën dhe për Britaninë e Madhe 3.7 për qind, për Italinë 2.4 për qind). Ne nuk dimë se ç’nevoja ka sot, dhe ç’nevoja do të ketë vendi ynë 10, 20 ose 30 vjet më vonë për mjekë, për inxhinierë ndërtimi, inxhinierë gjeologë, mekanikë, elektrikë apo elektronikë, për informaticienë, sociologë, arkitektë, agronomë, dentistë dhe juristë, për specialistë të financës, për mësues të matematikës, të historisë apo të letërsisë etj.

 

Një argument pa analizë

Ka njerëz që mendojnë se, edhe pse shoqëria shqiptare nuk është në gjendje aktualisht dhe, ndoshta, asnjëherë nuk do të jetë në gjendje t’i punësojë në profesionin ose në specialitetin e tyre të gjitha ata individë që mbarojnë studimet universitare ose pasuniversitare, përsëri është më mirë të kemi sa më shumë qytetarë me arsim të lartë, sesa të kemi më pak të tillë. Sipas tyre, arsimi sjell zhvillim dhe qytetërim dhe shoqërinë s’e gjen asgjë e keqe nga njerëzit e arsimuar në universitete. Një argument i tillë duket bindës kur e dëgjon, por s’është aspak i tillë nëse kjo dukuri i nënshtrohet analizës sociologjike. Madje, shtimi pa kriter i numrit të universiteteve (publike e private) dhe masivizimi përtej mundësive e nevojave reale të një shoqërie, herët ose vonë, mund të shndërrohet në një “minë sociologjike me sahat”, me pasoja të rënda e afatgjata për shoqërinë.

Që pohimi i mësipërm të mos krijojë ndonjë keqkuptim, dëshiroj të bëj të qartë atë çka unë nuk mendoj dhe nuk them. Unë nuk mendoj dhe nuk them se arsimimi masiv, në nivel universiter dhe pasuniversitar, i një pjese gjithnjë e më të madhe të popullsisë është, në vetvete, diçka e padëshiruar dhe e keqe. Jo, ajo që unë them është se masivizimi pa asnjë kriter i arsimit të lartë, në mungesë të kushteve njerëzore e materiale për një arsimim modern dhe në përputhje me nevojat e vendit e të kohës, përmban një rrezik potencial për shoqërinë shqiptare.

Unë nuk mendoj aspak se është më mirë për shoqërinë tonë që kamarieri që më shërben kafenë e mëngjesit është i diplomuar në filozofi, por nuk gjen dot punë si mësues në një shkollë të mesme, ose që një tjetër kamarier që njoh në një restorant ka diplomën e juristit, dhe një tjetër atë të inxhinierit të ndërtimit, por kjo shoqëri “e mirë” dhe “e qytetëruar” e jona nuk i mundëson dot as njërit, as tjetrit, ushtrimin e profesioneve të tyre si edhe shpërblimin që meriton arsimi i lartë që kanë marrë.

Unë nuk mendoj se shoqëria shqiptare është më e civilizuar nëse vajza apo djali që më informojnë në një agjenci imobilare për të blerë një shtëpi të re, ose për të marrë një zyrë me qera, janë diplomuar për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci, por vendet e punës që ata mund të kishin në shërbimin diplomatik i zënë fëmijët, nuset e dhëndurët e njerëzve në pushtet, ose militantët e partisë që fiton në zgjedhje.

Është absurde të mendosh se shoqëria shqiptare ka ndonjë dobi kur një pjesë e anëtarëve të saj që kanë kryer arsim të lartë bëjnë punë të pakualifikuara, ose bëjnë punë që nuk përputhen me arsimimin dhe kualifikimin e tyre universitar ose pasuniversitar. Sesa dobi kanë nga kjo vetë këta individë është mëse e qartë. Unë nuk mendoj se një i papunë me shkollë të lartë ndjehet më mirë sesa një i papunë që s’ka diplomë universitare dhe se një shoqëri që prodhon të papunë të arsimuar është më e mirë dhe më e civilizuar se ato shoqëri që përpiqen t’i njohin mundësitë dhe nevojat e tyre dhe ta zgjerojnë e strukturojnë arsimin e lartë në përputhje me to.

 

Argumente për një analizë

Numrat e studentëve që ndjekin ose mbarojnë shkollat e larta kanë, pa dyshim, rëndësi, por efektet e tyre mund të jenë pozitive ose negative; ato mund të sjellin dobi shoqërore, por mund edhe të krijojnë probleme të mëdha shoqërore. Më poshtë përpiqem të evidentoj e të analizoj shkurtimisht disa prej problemeve dhe rreziqeve që përmban një qendrim tërësisht laissez-faire përsa i përket masivizimit të arsimit të lartë në përgjithësi dhe, në kushtet e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë.

 

Skarcitet kulturor dhe ekspertizë fiktive

Nëse vazhdohet edhe më tej, si deri më sot, që të licensohen e të akreditohen shkolla të larta private që nuk përmbushin as kriteret më minimale për të qenë të tilla, nëse lejojmë të rritet përtej kritereve, mundësive dhe nevojave numri i studentëve në universitetet publike dhe nëse nuk mendojmë seriozisht e nuk marrim masa për ta modernizuar stidtemin e arsimit të lartë, rrezikojmë (madje edhe kemi filluar) të prodhojmë, përveçse kapital kulturor dhe ekspertizë profesionale, edhe mjaft skarcitet kulturor dhe ekzpertizë fiktive. Si në shumë prej vendeve në zhvillim, edhe në Shqipëri po shohim dita-ditës të shtohet numri i studentëve të pamotivuar, të zhveshur nga çdo kuriozitet intelektual, krejtësisht të pakualifikuar dhe gjysmë-analfabetë. Për këto arsye, një pjesë e mahd e tyre janë të papunësueshëm.

 

Standarde të ulta mësimdhënieje dhe kërkimi

Masivizimi pa kriter i arsimit të lartë ka pasoja negative serioze në cilësinë e mësimdhënies, të kërkimit shkencor dhe të mësimnxënies. Edhe pse thuajse çdo universitet privat në Shqipëri pretendon se është një  institucion që ofron “ekselencë” (shihni reklamat e tyre në shtyp, në televizion dhe në stendat e rrugëve), shumica e tyre janë të standarteve nga më të ultat, ose nuk plotësojnë as edhe standardet minimale të mësimdhënies. Nëse shtimi i numrit të studentëve në universitete nuk shoqëroret me rritjen e financimeve dhe të investimeve publike ose private për arsimin e lartë, do të kemi një raport gjithnjë e më negativ të numrit të studentëve për një pedagog, gjithnjë e më pak vëmendje individuale ndaj studentëve, vështirësi më të mëdha në përdorimin e metodave efektive të mësimdhënies dhe kushte fizike (salla leksionesh, laboratore, biblioteka, bazë materiale) gjithnjë e më të pamjaftueshme e më të këqia. Qysh sot, Universiteti i Tiranës ndjen se ka nevojë për të dyfishuar numrin e pedagogëve në të gjitha fakultetet e tij. Fakulteti i Ekonomisë, më i madhi në këtë universitet, ka sot mbi 10,000 studentë (më shumë se Universiteti i Princtonit, një prej universitete të Ivy League në SHBA, me rreth 7,500 studentë). Dhe ndërsa 7,500 studentëve të Princtonit u japin mësim mbi 1,170 pedagogë (pra 1 pedagog për 6-7 studentë), 10,000 mijë studentëve të Fakultetit Ekonomik të UT-së u japin mësim vetëm 150 pedagogë, pra 1 pedagog për më shumë se 65 studentë. Ky raport është tipik për universitete të “Botës së Tretë”.

 

Inflacion dhe çvlerësim i diplomës universitare

Nëse numri i njerëzve të diplomuar në universitete është shumë më i madh se mundësitë shoqërore për punësimin e tyre, diplomat universitare, njëlloj si paraja “e tepërt”, në treg krijojnë inflacion. Masivizimi përtej mundësive dhe nevojave të shoqërisë pengon edhe vetë arritjen e qëllimeve që kanë institucionet e arsimit të lartë për të formuar njerëz të ditur dhe ekspertë në fusha të ndryshme të ekonomisë e të veprimtarisë shoqërore. Përveç kësaj, çvlerësimi i diplomës nxit korrupsionin në sistemin e arsimit të lartë duke e bërë më të lehtë marrjen e një diplome universitare në mënyrë të pamerituar, në kurriz të atyre që e fitojnë atë me aftësi dhe përpjekje serioze.

 

Shpërdorim i resurseve publike dhe pengesë për zhvillimin e talenteve të vërteta

Më pak universitete dhe universitete publike më të mira do të thotë një shpërndarje dhe përdorim më efektiv i fondeve publike për zhvillimin e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor. Nëse resurset e pakta të shoqërisë në dispozicion të arsimit të lartë “shpërdorohen” për arsimimin e një numri shumë më të madh studentësh nga sa janë nevojat e shoqërisë, ne u heqim mundësinë që të përfitojnë më shumë arsim të lartë pikërisht atyre që përpiqen dhe meritojnë më shumë. Në këtë mënyrë pengohen zhvillimi i talenteve të vërteta dhe zhvlerësohet parimi i meritokracisë.

 

(vijon nesër)

Fatos Tarifa August 14, 2013 13:58
Komento

3 Komente

  1. Martini August 14, 20:14

    Po…padiskutim…

    Reply to this comment
  2. Po si nuk ia thote kush... August 15, 03:25

    Po nuk paska nje njeri,
    nje te vetem qe ta doje me sinqeritet,
    ne kete bote, nuk e paska nje njeri te vetem,
    qe te dilte,
    dhe t’i thoshte: pusho, pusho te lutem…
    hesht me mire,
    nuk ke asgje tenden per te thene, te lutem…

    Reply to this comment
  3. arsimtari August 15, 07:30

    E tore shume gjate zoti Fatos,dhe ne fund nuk na sqarove se cduhet bere, duhet hequr dore nga masivizimi i arsimit apo duhen rritur fondet qe te rritet cilesia e mesimdhenies.un mendoj se asnje nga keto nuk ka vlere nese nuk hiqet dore nga korrupsioni qe ka mbethyer drejtuesit e universiteteve publike e private,.nuk mund te kemi edukim me rektore xhambaze si ai i Tiranes apo me klane qe i kane marre frymen arsimit.Zoti Fatos, lufta per edukim nuk eshte ne hava me ide dhe fluturime,kozmike por eshte konkrete me emra dhe klika qe sundojne kudo ne shkolla e fakultete…..a ke burreri te besh nje lufte te tille ore Fatos ose mos derdellis kot…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*