A po tenton Berisha një takim në Shtëpinë e Bardhë para zgjedhjeve 2013?

Nga Eduard Zaloshnja November 9, 2012 14:41

A po tenton Berisha një takim në Shtëpinë e Bardhë para zgjedhjeve 2013?

Për zgjedhësit e vendosur nuk është e nevojshme të harxhohen para, kohë, dhe energji në fushatat elektorale – ata votojnë për partinë e tyre sido që të venë punët. (Të paktën 35% e votave të 1997-ës në Shqipëri, për shembull, shkuan për PD-në, edhe pse ajo nuk mundi të zhvillonte fushatë në pothuaj gjysmën e vendit dhe shumica e shqiptarëve i kishin lënë paratë e tyre në skemat piramidale.) Shënjestra e vërtetë e fushatave elektorale të një partie janë votat e zgjedhësve të lëkundur e të vakët. (Të lëkundur janë zgjedhësit që në zgjedhjet paraardhëse kanë votuar për një parti, por mund të votojnë për një parti tjetër në zgjedhjet e radhës; ndërsa të vakët janë ata që kanë pas votuar me gjysmë zemre dhe mund të mos votojnë më për partinë në fjalë, ose që nuk kanë votuar në zgjedhjet paraardhëse, por mund të votojnë për të në zgjedhjet e radhës.)

 

Në kushtet kur ekonomia shqiptare është ngadalësuar kaq shumë dhe buxheti i shtetit po kalon vështirësitë e shkaktuara nga ky ngadalësim, duken të vogla shpresat e Berishës që të bindë të votojnë për të zgjedhës që kanë votuar për koalicionin e udhëhequr nga Rama në zgjedhjet e 2009-ës. Gjithashtu të vogla duken edhe shpresat e Berishës për të bindur të votojnë për të zgjedhës që nuk kanë votuar fare në 2009-ën, ndonëse e kishin moshën e duhur për votim. (Votuesit e rinj përbëjnë një histori më vete – ata, në përgjithësi, ndjekin shembullin e prindërve të tyre).

 

Zgjedhësit që Berisha ka shpresë se mund t’i sugjestionojë me fushatën e tij elektorale, janë ata që kanë votuar vaktësisht për të në 2009-ën dhe mund të mos marrin fare pjesë në zgjedhjet e ardhshme, ose ata që po mendojnë të votojnë për ndonjë nga partitë e reja të djathta. Se sa votues janë të tillë në të gjithë Shqipërinë vetëm i madhi Zot mund ta dijë, por në qoftë se rreth 7% e elektoratit të 2009-ës largohet nga treni i famshëm me 17 vagona i koalicionit që Berisha udhëhoqi në ato zgjedhje, atij nuk i bën dot më derman as Lleshi i KQZ-së dhe as Ristani i Ministrisë së Brendshme.

 

Për t’iu shmangur kësaj katrahure, Berisha, ashtu si Fatos Nano para zgjedhjeve të 2005-ës, po punon që të realizojë një takim sado të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë, para zgjedhjeve të 2013-ës. Nëpërmjet këtij takimi ai synon t’u japë votuesve të vakët e të lëkundur mesazhin se ka mbështetijen e plotë të Uashingtonit për një mandat të tretë, prandaj ata duhet t’ia bashkojnë votën e tyre koalicionit fitues. (Se sa efikas do të ishte një mesazh i tillë nuk mund ta parashikojmë, sepse Nano nuk na e krijoi një precedent që mund ta mernim si shembull studimi – ai, pavarësisht përpjekjeve të ethshme, nuk e realizoi dot një takim të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë para zgjedhjeve të 2005-ës.)

 

Në strategjinë e Berishës për realizimin e takimit në Shtëpinë e Bardhë para zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm, një fitore e Romney-t përbënte një nga armët më të forta. Kryestrategu i fushatës së Romney-t, Stuart Stevens (majtas në foton shoqëruese), ka qenë konsulent i fushatës që risolli Berishën në pushtet në vitin 2005. Ndërmjetës për ardhjen e tij në Shqipëri ishte famëkeqi Damir Fazlliç, i cili është një mik i ngushtë i familjes Berisha dhe njeri me lidhje të afërta me qarqet republikane që kanë ndihmuar Romney-n në ngjitjen e tij meteorike. Dhe me Romney-n në Shtëpinë e Bardhë, këta miq të Berishës mund ta kishin më të lehtë realizimin e një vizite të tij atje.

 

Ndërsa me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, trokitja në atë portë vështirësohet shumë për Berishën. Administrata Obama, nëpërmjet amabasadorit të saj në Tiranë, i tha Berishës në televizionin proberishian ABC Neës këto fjalë : “Në një shoqëri demokratike, një prej detyrimeve, një barrë është që duhet të qeverisësh, të marrësh vendime të vështira, të bësh dialog me dikë që mund të doje edhe ta mbysje fare, por prapë e ke detyrim [të dialogosh], je zgjedhur për këtë – nëse vihesh kaq shumë në siklet, atëhere hiq dorë nga pozicioni që mban, atëherë ik, lëre ta bëjë dikush tjetër”.  Ndërsa disa muaj më parë, Departamenti i Shtetit i paraqiti Kongresit të SHBA-së raportin vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës dhe, në përmbledhjen ekzekutive të raportit (e cila ka të koncentruar qendrimin politik të Departamenit të Shtetit), thuhet për Shqipërinë se “një ambjent i polarizuar zgjedhor, i karakterizuar nga incidente manipulimi dhe numërim të kundërshtueshëm votash, minuan të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar pushtetin në mënyrë të lirë”.

 

Pas qëndrimeve të tilla të ashpra të administratës Obama ndaj Berishës, mund të bësh pa mëdyshje hamendjen se ky i fundit do ta kishte patur më të lehtë trokitjen në Shtëpinë e Bardhë, në qoftë se në të do të futej Romney në 20 janar të 2013-ës…

Nga Eduard Zaloshnja November 9, 2012 14:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*