A po u kërkohen para mësuesve në mënyrë abuzive?

July 20, 2018 15:41

A po u kërkohen para mësuesve në mënyrë abuzive?

Entela Resuli

Ditën e djeshme, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ngriti një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj Ministrisë së Arsimit.

Sipas tyre kjo e fundit kërkon para nga arsimtarët për trajnimet që kryejnë, në formë abuzive, duke i vënë në vështirësi.

Konfederata mendon se “arsimtarët duhet të jenë shtylla më e fortë e zhvillimit të një shteti”, pasi e ardhmja është në duart e tyre, por sipas saj, “Ministria e Arsimit e kthyer në një strehe militantësh me tesera partie e doktorë shkencash të diplomuar në Kioskat Private të Tiranës, Fierit e Shkodrës nuk e mendon kështu”.

Ajo në kundërshtim më ligjin për profesionet e rregulluara zvarrit prej vitesh miratimin e “Urdhërit të Arsimtarit” si e vetmja shpresë për t’i rikthyer dinjitetin punonjësve të arsimit.

Duke iu referuar Konfederatës mësojmë se “Ministria e Arsimit përmes disa pseudo-sindikatave fantazmë më të cilat ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi dhe kontratat kolektive kanë krijuar shoqata dhe fondacione që kanë marrë të drejtën nga Ministria e Arsimit për trajnuar dhe për të dhënë kredite për arsimtarët”.

“Ky është një skandal i paprecedentë që nëpërkëmb dinjitetin e arsimtarëve dhe vë në dyshim aftësinë e tyre në punë, teksa shumë arsimtarë janë të shkolluar përpara viteve 1990 kur nuk ekzistonin ende kioskat private. Arsimtarët detyrohen të paguajnë nga rroga e tyre e vogël për të marrë pjesë në këto trajnime ku në fund, marrin kredite nga disa njerëz anonime me aftësinë e vetme teserën e partisë”, thuhet në denoncimin e bërë për Ministrinë e Arsimit.

Në fjalën e tyre Konfederata e Sindikatave tregon se është një skemë e pastër vjedhjeje dhe krimi ekonomik duhet të vihet në lëvizje.

Kjo e fundit fton mësuesit të denoncojnë faktin se detyrohen të marrin pjesë këto trajnime fiktive, që rëndojnë edhe ekonominë e familjeve të tyre.

Në lidhje me këtë akuzë të Konfederatës ne u interesuam pranë Ministrisë së Arsimit duke kërkuar një reagim për këtë çështje, por zyra e shtypit na pohoi si Ministria nuk ka asnjë koment ndaj deklaratave të tyre.

Pas deklaratës së KSSH, ne kontaktuam me Kol Nikollaj.

Ai është kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë dhe në këtë në këtë intervistë për Dita-n tregon më tepër për problemet e arsimtarëve dhe ngërçin që kanë më Ministrinë e Arsimit.

-Z. Nikollaj sot (dje) keni dalë me një deklaratë ku keni paraqitur një denoncim kundër Ministrisë së Arsimit. Sipas jush kjo e fundit kërkon para nga arsimtarët për trajnimet që kryejnë, duke vënë në dyshim aftësinë e tyre në punë. Nuk mendoni se po akuzoni rënd një institucion shtetëror?

Ashtu si në çdo vend të botës, e veçanërisht në vendet e qytetëruara dhe demokratike, sistemi arsimor është shtylla kryesore e zhvillimit, konsolidimit dhe civilizimit të një shteti. Kjo sepse arsimi nëpërmjet dijeve ju paraprin të gjitha fushave të tjera të zhvillimit social, ekonomik dhe shoqëror në tërësi. Pikërisht për këtë investimi në arsim është i domosdoshëm dhe duhet kohë që ai të kthehet ne resurs. Fatkeqësisht në vendin tonë nga të gjitha qeveritë e radhës gjatë këtyre 27 viteve, sistemi arsimor nuk është vlerësuar sa dhe si duhet, si në aspektin e politikave prioritare të vendit ashtu edhe në aspektin e sportit ekonomik që atij i është dhënë. Çdo vit kur miratohet buxheti shohim që investimet në arsim janë më pakë se gjysma e atyre që duhen për të qenë minimalisht në radhën e shteteve europiane ku ne synojmë. Arsimin në Shqipëri e ka dëmtuar edhe mohimi i gjithçkaje që është krijuar nga qeveria paraardhëse, edhe nëse një forcë politike ka qeverisur dy mandate rresht, në emër të reformës ajo zhbën edhe arritjet e saja jo më të qeverive paraardhëse. Me keqardhje ne konstatojmë se sistemi arsimor në Shqipëri po bëhet si “Qeni i Pavllovit”, ai është kthyer në një fushë eksperimentale pa mjetet dhe qëllimet e duhura.

-Ministria e Arsimit ka hapur edhe një portal, bëhen edhe provime për të kuptuar se në cilën gjendje janë arsimtarët, a nuk mendoni se këto janë hapa pozitive apo për ju nuk funksionojnë këto hallka?

MASR në zbatim të politikës qeverisëse “për të ulur korrupsionin dhe influencat politike” ndërmori nismën e hapjes së një portali, me qëllim që të vendoste në një rresht ushtarak arsimtarët që kërkojnë punë. Ideja ndoshta ka qenë dhe mbetet pozitive, por legjitimiteti i kësaj nisme ka qenë i munguar, dhe pikërisht për këtë, këto ditë qeveria po përpiqet të kaloj në parlament disa ndryshime ligjore, për ta bërë me ligj portalin dhe krahas kësaj në bashkëpunim me një fondacion OJF Amerikan po fut me ligj edhe një shkollë për drejtorët e shkollave. Ne nuk e kuptojmë se si një ent publik të financohet nga një OJF ent privat, dhe ky ent publik të përgatis drejtues dhe menaxher publik për drejtimin e shkollave, në një kohë kur universitetet tona në kutikulat e tyre përgatisin drejtues dhe menaxher qoftë për drejtimin e arsimit apo fushave të tjera të shërbimit publik. Ne nuk e kuptojmë se kjo shkolla e drejtorëve nga cili institucion do të ketë varësi, dhe nëse ajo do të ketë varësi nga qeveria apo MASR, atëherë ajo nuk është gjë tjetër përveçse një shtratifikim militantësh dhe politikanësh të rinj që duan të uzurpojnë drejtimin e arsimit dhe të cenojnë pavarësinë e tij politike.

Krahas portalit në mënyrë paralele dhe të mbivendosur gjoja në emër të gjetjeve të pikave të dobëta MASR zhvillon edhe testim të arsimtarëve pa folur këtu për testimet periodike që arsimtarët i nënshtrohen për karrierën e tyre dhe nivelin e pagesës. Kjo kakofoni testimesh dhe provimesh më shumë ka krijuar një shpërndarje përgjegjësie dhe mosinteresim për rezultatin duke e kthyer në formalitet procesin se sa ka ndihmuar në kualifikimin e vazhdueshëm të arsimtarëve e rritjen e cilësisë të mësimdhënies e të perfeksionimit të shërbimit të tyre ndaj fëmijëve apo komunitetit në tërësi.

-Ju thoni se ministria zvarrit prej vitesh miratimin e “Urdhërit të Arsimtarit”, pse ndodh kjo?

Që në vitin 2009 nëpërmjet ligjit Nr. 10171 datë 22.10.2009 Parlamenti Shqiptar ka miratuar Ligjin “Për Profesionet e Rregulluara ne R.SH. Të gjitha profesionet e rregulluara me ligj, qoftë ato të shërbimit publik apo edhe privat si sistemi shëndetësor mjekësor, shërbimi psikologjik, avokatia, shërbimi farmaceutik, arkitektura e deri tek zanatet dhe zejet, tashmë kanë miratuar dhe vazhdojnë të funksionojnë urdhrat e tyre profesional. Nga ky ligj në mënyrë të qëllimshme dhe me ndikimin e disa pseudo-sindikatave që në vite më shumë i kanë robtuar arsimtarët se sa i kanë mbrojtur, vazhdon të mbetet i përjashtuar sistemi arsimor.

Duket qartë qëllimi që për aq kohë sa nuk funksionon “Urdhri i Mësuesit” në sistemin arsimor lulëzon tregtia e shitblerjeve të kreditove profesionale. Misioni i këtij urdhri profesional është që ti krijoj kushte të favorshme për ushtrimin normal të profesionit të mësuesit, për edukimin e tij të vazhdueshëm dhe përparimin e tij në këtë aspekt. Urdhëri i mësuesit duhet të synoj për të bërë realitet rritjen e standardeve profesionale në fushën e arsimit dhe edukimit nëpërmjet hartimit dhe implementimit të programeve të edukimit në vazhdim. Ai bën të mundur garantimin e kritereve ligjore për lejen e ushtrimit të profesionit të mësuesit, garanton rruajtjen dhe rritjen e niveleve profesionale nëpërmjet sistemit të edukimit në vazhdim si dhe në kuadër të liçensimit dhe riliçensimit të mësuesve.

-Si është e vërteta e këtyre sindikatave fantazmë që kanë marrë të drejtën nga Ministria e Arsimit për trajnuar dhe për të dhënë kredite për arsimtarët?

Siç thamë prej vitesh dy sindikatat që kanë ushtruar aktivitet në fushën e arsimit duke u shkëputur nga kupolat konfederative dhe duke i vendosur anëtarët në shërbim të interesave të tyre personale, të joshur nga punëdhënësit me disa kontrata kolektive të “verdha” e formale asnjëherë gjatë këtyre viteve ato nuk e kanë kryer misionin e tyre si avokate të arsimtarëve, por nëpërmjet tangjenteve financiare dhe lobingjeve politike ato janë kthyer në vasale të MASR dhe në vend që të ishin pjesë e zgjidhjes së problemeve ato fatkeqësisht janë kthyer në pjesë të problemit të arsimtarëve.

Këto sindikata në bashkëpunim me ministrat e radhës janë përpjekur që ta “unifikojnë” fushën e marrëdhënieve të punës me atë të profesionit, për këtë para disa vitesh ato janë paguar nga MASR për të hartuar një “Libër të arsimtarëve” që kjo ishte një shpikje e radhës dhe asgjë nuk kishte lidhje me urdhërin profesional të mësuesit.

Urdhëri i mësuesit duhet të marrë të gjithë kompetencat ligjore të një urdhri profesional dhe jo të dëmtohet procesi nga organizma të tjerë fallco të cilët mundohen të luajnë rrolin e urdhërit të mësuesit. Miratimi i urdhrit të mësuesit do t’i japi një dimension të ri profesional mësuesit, duke i trajtuar ata denjësisht me një kualifikim në vazhdimësi në profesion, por njëkohësisht ky urdhër do të bashkëpunoj me MASR si një partner dinjitoz i krijuar dhe që vepron me ligj dhe jo si një vasal dhe i nënshtruar që janë aktualisht sindikatat apo disa fondacione të ndryshme në formën e OJF-ve që shërbejnë si sipërmarrëse për të shitur kreditë.

-Në këtë rast, pas këtij denoncimi që ju bëni, cilat janë masat që duhet të merren?

Ne mendojmë që përfshirja e mësuesit tek profesionet e rregulluara nuk duhet të vazhdojë të jetë formale, por ata urgjent duhet të organizojnë dhe institucionalizojnë urdhrin e mësuesit sipas dispozitave ligjore në fuqi. Mungesa e këtij urdhri e ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtoj cilësinë e trajnimit të mësuesve. Liberalizimi në mënyrë kaotike dhe i pakontrolluar e rakorduar i trajnimeve, është kthyer në një treg kreditosh dhe nuk ndihmon në programet, kutikulat, kriteret dhe kreditit e duhura apo te kërkuara.

Kriteret e vlerësimit nga entet e liçensuara janë krejtësisht subjektive, informate dhe te paunifikuara. Si përfundim duhet pranuar se realisht mungon një politik vizionare e MASR për zhvillimin e kualifikimin profesional të mësuesve. Strukturat e MASR, si IZHA etj janë shkëputur nga realiteti dhe janë kthyer në robot përkthimesh dhe burokrat shkresash e udhëzimesh pa i identifikuar qartë nevojat dhe mënyrat e trajnimit dhe kualifikimit të mësuesve. Po përmend vetëm rastin e fundit ku ata kanë nxjerr disa udhëzues për oficerët e sigurisë në shkollë megjithë se as 5 për qind e shkollave nuk plotësohen me oficer sigurie dhe në të njëjtën kohë kemi mbi 50 për qind të rojeve të sigurisë aktuale që punojnë pa figuracione, në të zezë dhe me paga të dyshimta që paguhen nga të famshme “Bordet e Shkollave”.

-Z. Nikollaj, ju që jeni në kontakt të vazhdueshëm më sindikatat, mund të na thoni se në ç’gjendje është arsimi në Shqipëri?

Pavarësisht përpjekjeve të kësaj qeverie arsimi mbete pika më e dobët e saj. Akoma në këtë fushë vazhdon të ndihet arroganca e pushtetit dhe nuk po shkëputet dot nga përdorimi klientelist, farefisnor e shpesh dhe politik.

Sistemi arsimor akoma po vuan nga mungesa e inteligjencës menaxhuese. Akoma kemi shpërfillje në masë të mësuesit dhe një kakofoni udhëzimesh, urdhëresash, emërimesh, çemërimesh, transferimesh jo të sistemuara konform ligjit, por më shumë të lëna spontanitetit.

Sistemi arsimor ka nevojë për mbështetjen dhe kontributin e të gjithëve, por së pari ka nevojë për pranimin e gabimeve dhe eliminimin e tyre, qoftë edhe kur janë sporadike apo minore siç ishte rasti i fundit me dëftesat. Në sistemin arsimor duhet krijuar një frymë pozitive transparence e gjithëpërfshirje me qëllim që të motivohen mësuesit në përmbushjen e detyrës së tyre dhe ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe pjesë e strategjisë së MASR.

Problemi i veprimeve dhe i mosveprimeve në përputhje me ligjin si dhe arsimi i shpeshtë i ligjeve dhe akteve nënligjore, e kanë vështirësuar dhe rrudhosur rezultatin arsimor. Po kujtoj këtu problemin e diplomave të mësuesve të arsimit fillor që kanë mbaruar studimet nga viti 1985-2008 që quhet Bachelor, duke i’ua mohuar këtyre mësuesve punësimin apo ripunësimin në arsimin fillor sepse kjo kërkon master profesional. Ky problem është edhe për mësuesit e edukimit fizik, muzikës, praktikave mësimore si edhe të 4000 infermier të cilët qeveria i trajton me standard të ndryshëm nga mësuesit, pasi mësuesit që janë në sistem, nëpërmjet një akti nënligjor do të qëndrojnë në punë dhe nuk ju lëviz paga, por këta nuk kanë të drejtë të ripunësohen apo të transferohen pasi po dolën nga sistemi nuk mund të futen më në sistem. Ndryshe nga mësuesit infermierët nuk e kanë këtë favor, por atyre ju kërkohet që t’ju ulet paga e marrë gjatë 5 viteve për punën e kryer.

-Cilët janë rrethet që kanë më shumë probleme?

ka probleme në tërësi që kanë të bëjnë me politikat vizionare dhe cilësinë e menaxhimit të drejtimit të tij, por situata është problematike në zonat e thella dhe rurale ku mungojnë kushtet e punës, infrastruktura edhe nxënësit, pasi në disa vende ka klasa kolektive ku përfshihet edhe gjithë cikli fillor në një klasë.

Pagat e mësuesve janë të pamjaftueshme që ata të përballojnë jetesën në këto zona, ndaj ata qëndrojnë në zona urbane duke ndryshuar edhe profesionin. Në këto zona mungojnë laboratore, bibliotekat, mjetet didaktike mësimore, transporti edhe kur ai sigurohet, është i pa garantuar nga ana teknike. Në këto zona nuk mund të flitet për kualifikim, trajnim, të mësuar gjatë gjithë jetës etj pasi atje është e pamundur që mësimi të bëhet krijues. Mësuesit e zonave rurale janë kthyer në nxënës kopjac duke marrë shabllone nga interneti dhe asgjë me shumë, i cili edhe ky në shumë zona të vendit mungon.

– Për çfarë ankohen më shumë arsimtarët tek ju?

Janë të shumta ankesat individuale dhe kolektive që ne marrim çdo ditë, përpiqemi t’i zgjidhim apo t’i orientojmë mësuesit për zgjidhjet e duhura.

Ka pasur kërkesa për largime nga puna, emërime drejtuesish shkollash pa kritere, për shkelje të kontratave individuale të punës, për mos sqarim kompetencash me pushtetin vendor për emërime dhe trajtime të mësuesve të kopshteve dhe çerdheve si edhe drejtuesve të tyre për keqpërdorime të fondeve publike dhe të parave të buxhetit, ku MASR vetëm për dy sindikatat që ka nënshkruar me to kontratën kolektive të paligjshme të vitit 2016 apo ajo e këtij viti, ka ulur normën mësimore për drejtuesit e këtyre sindikatave në rreth 100 paga (d.m.th paguhen 100 punonjës nga buxheti i shtetit për t’i shërbyer 2 sindikatave), megjithëse kontrolli i shtetit e ka orientuar MASR që ky veprim nuk është ligjor dhe duhet ndërprerë, sepse dëmton buxhetin dhe cilësinë e mësimdhënies.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë më datë 16.05.2016 ka vendosur “konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës kolektive të datës 16.12.2015 midis MASR dhe FSASH/SPASH”. Jo vetëm që kjo nuk u anulua, por MASR me këto dy klient të përjetshëm, po në kundërshtim të plot me ligjin nënshkroi një kontratë të re kolektive më datë 05.06.2018 duke i dhënë asaj kohëzgjatje të përjetshme për më shumë se 5 vite. Edhe kjo është ankimuar nga ne në Gjykatë dhe jemi të bindur që do të anulohet dhe në fillimin e shtatorit arsimtarët e Shqipërisë do të kenë një kontratë të re kolektive të nënshkruar sipas legjislacionit në fuqi, por edhe ne përputhje të plotë më interesat e tyre social ekonomike, me qëllim që mësuesit ti jepet dinjiteti i duhur, të respektohet inteligjenca e tij, të lartësohet figura e tij që ai të jetë kryelartë si një profesion i nderuar që ka në duart e tij të ardhmen e vendit dhe jo ai të jetë në duart e politikanëve delirantë të radhës.

July 20, 2018 15:41
Komento

6 Komente

  1. Artemisa July 20, 16:21

    E njejta metode perdoret edhe me mjeket, infermieret, stomatologet dhe farmacistet.
    Po pse te mos e bejne kur ka VKM me firmen e Rames, e cila nuk te jep te drejten te ushtrosh profesionin pa paguar per numrin e caktuar te krediteve.

    Reply to this comment
  2. Faleminderit, per...NDERSHMERINE tende . July 20, 16:47

    NIKOLL…je i vetmi, qe fjalet e ngrohta njerezore, qe perdoreshin nga NJEREZIT e ndershem, ne kohen e pushtetit te “klases punetore”, TI….i perdor edhe SOT .

    Reply to this comment
  3. Arben July 20, 17:51

    Pse vetem mesuesve?????!!!!

    Gjithe punonjesit e administrates paguajne gjoba

    Me vend e pa vend, nga rroga e Tyre mizerabel.

    Reply to this comment
  4. foti July 20, 17:54

    Marrja e krediteve tek keto subjekte private rendon padrejtesisht pagen e punonjesve te arsimit.Kete kualifikim duhet ta organizoj Ministria eArsimit nepermjet zyrave teD.A R -ve.Ne shume raste keto kredite jane jo te sakta ne aspektin e vleres kualifikuese dhe abuzive.

    Reply to this comment
  5. naim dimashi July 20, 22:46

    E cfare pret tjeter nga Arsimi te cilin Ministrja injorante Nikolla e ka kthyer ne stan privat dhe ben vetem show neper ekrane. Me ca portale pacavure mundohet te mbuloje korrupsionin e saj,se tere ministrine e ka mbushur me injorante, dhe te gjitha emerimet i ben vete, qw nga drejtoret qw e ushqejne me puthje e para e deri tek rojet e pastrueset e shkollave. Dhe mos kujtoni se jane militante,jo or jo,janw nga ata qw u mbushin xhepat e u mbajne xhaketat. Edhe Kryeministri ben sikur nuk e sheh dhe i ferkon shpatullat Lindites,se i leverdis. Kane mbi pese vjet qe drejtojne DAR drejtore te korruptuar dhe te pafte te cilet vete rama i nxorri si te korruptuar ne listen e tij te zeze.

    Reply to this comment
  6. Kopi Nishku dora vete July 21, 01:19

    O Shqiptare kot kapeni me Lindita Nikollen.Ajo eshte vecse nje rrogtare eEdi Rames dhe ben cfare e urdheron ai.Ndryshe i pret buken e kalamajeve.O do behet si urdheron ai o ndryshe fluturon ne rruge Enveri te vriste me plumb prapa kokes e smerrje vesht.Saliu te digjte ky derdimeni ti le kalamajt te vdesin per buke.Kundershtoje po deshe ti shohesh kalamajt te ngordhin.Pastaj vrit veten po deshe.Ai eshte Snobi i Shqiperise se varfer.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*