‘A vdiq ai?’ Shfaqja e fundit në Teatrin Kombëtar, regjisori e aktorët pro godinës së re

June 29, 2018 17:07

‘A vdiq ai?’ Shfaqja e fundit në Teatrin Kombëtar, regjisori e aktorët pro godinës së re

“A vdiq ai?”, kjo komedi e Mark Twain do të jetë shfaqja e fundit që do të ngjitet në godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, e cila me këtë premierë do të mbyll edhe misionin e saj historik. Ndërsa pritet të vihet në jetë zbatimi i projektit për Teatrin e ri Kombëtar i arkitektit të famshëm danez Bjarke Ingels, shfaqjet do të vendosen tek Qendra e Artit TURBINA.

Trupa e kësaj komedie e përjeton me nostalgji kujtimin e fundit nga “shtëpia e vjetër” e teatrit shqiptar, por regjisorin e komedisë Andis Gjoni nostalgjia nuk e pengon që të ëndërroj një godinë të re teatri.

Kjo pjesë përkon edhe me humorin e pjesës dhe të komedisë që titullohet “A vdiq ai” i shkrimtarit të famshëm Mark Twain. Kështu që do të jetë një moment nostalgjik ndoshta për dashamirësit e teatrit, para se të shkojmë në një teatër të ri. Dhe po ngjitet në skenë në një moment kur po diskutohet shumë për shembjen e teatrit të vjetër dhe ngritjen e një teatri të ri. Do jetë një moment nostalgjik ndoshta për dashamirësit e teatrit, që ta shohin këtë shfaqje përpara se teatri të mbyllet dhe të jenë gati për shfaqjen e parë në një teatër të ri.

“Unë jam pak për ruajtjen e traditave, për ruajtjen e memories arkitekturore të kryeqytetit, megjithatë ky teatër është kombëtar, është i të gjithë kombit dhe nëse shumica janë dakord që të ngrihet një teatër modern, nuk është problem. Unë e kam nisur punën time si skenograf në këtë teatër dhe tashmë jetoj në Amerikë, ku edhe atje ushtroj profesionin e skenografit. Por unë jam i lidhur me këtë teatër dhe kur të shkoj sërish do të ndjek me interes zhvillimet e reja për Teatrin e ri Kombëtar”, u shpreh regjisori Andis Gjoni.

Aktori Roland Saro shprehet se ka një ndjesi të mirë dhe përvojë pozitive prej çasteve kur ka përjetuar më herët ngjitjen e skenave të reja teatrore në Tiranë. “Unë me thënë të drejtën nuk është se kam ndonjë emocion shumë të madh, sepse jam mësuar me këto lloj emocionesh, sepse kam shijuar të gjitha skenat e reja të bëra në Tiranë, si Teatri i Metropolit, Teatri i Komedisë, qoftë edhe Teatri tek Pishinat. Kështu që Teatrin Kombëtar, megjithëse nuk e inagurova dot, se ishte periudha  e Duçes atëherë dhe nuk isha gjallë (qesh), kam fatin të jap shfaqjen e fundit në këtë teatër”, tha Roland Saro.

Cubi Metka ka pasur fatin të luajë në skenën e vjetër të Teatrit Kombëtar me aktorë të mëdhenj. Ka kujtime të përmallshme, por për të e shkuara nuk ka dobi, nëse nuk i shërben zhvillimit të jetës teatrore.

“Unë sigurisht jam aktore e re, por jo dhe aq e re sepse kam interpretuar me artistë të shquar. Gjithsesi, ky teatër për ne mbetet shtëpia jonë e dytë. Unë kam luajtur në këtë skenë me Margarita Xhepën, me Fatos Selën, që nuk jeton më, me Mirush Kabashin, Tinka Kurtin. Në momentin që kujton se spunton e ke marrë nga ata aktorë krenohesh, sepse kam pasur fatin të luaj në këtë skenë edhe me ikona” tha aktorja Cubi Metka

Pyetjes se çfarë do të donte të realizohej me ngritjen e teatrit të ri aktorja Cubi Meta shprehet: “Që të kishte pa diskutim kushte si për anën e aktorëve, të spektatorëve dhe për prapavijën, sepse kushtet janë vërtetë për të ardhur keq. Teatri është mbajtur e mbahet me këmbët e veta gjithsesi, por me paterica. Kështu që edhe publiku edhe aktorët e meritojë një teatër më të mirë”.

E fundit shfaqje në Teatrin Kombëtar ka qëlluar të jetë një komedi plot satirë, që ka si tematikë vuajtjet e sakrificat e artistëve që i kanë kushtuar jetën artit dhe të një shoqërie që i jep para dhe famë vetëm pas vdekjes së tyre. Në këtë komedi interpretojnë aktorët: Donald Shehu, Gentian Zenelaj , Cubi Metka, Roland Saro, Suela Konjari, Erblin Bajko, Albi Dhima,Sokol Angjeli, Erjon Hodo, Algiona Aga, Margent Caushi e Brunilda Borova. Komedia do të ngjitet ne skenë në datat 30 qershor e 1 korrik.

o.j/dita

June 29, 2018 17:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*