Abaz Hoxha: Enveri preu shiritin, Mehmeti nuk shkeli në Kinostudio

October 31, 2018 17:27

Abaz Hoxha: Enveri preu shiritin, Mehmeti nuk shkeli në Kinostudio

Abaz T. Hoxha, ish-kryeinxhinieri i Kinostudios “Shqipëria e Re” rrëfen historinë e prodhimit tw filmit shqiptar. Enver Hoxha preu shiritin e inaugurimit me gërshërët që i dha Xhanfize Keko. Si shpëtuan tre filma amerikanë nga censura. Orientimi për blerjen e filmave që transmetoheshin në kinematë shqiptare

Nga Leonard Veizi

Makineria propagandistike u ndërtua në Shqipëri, me donacione miqsh jetëshkurtër e para kursimtare nga buxheti i shtetit. Për shumë vende të tjera, prodhimi i filmit ishte luks, ndërsa në periferi të Tiranës, do të lulëzonte një projekt sovjetik për kinema pa kufi. Gjithçka që do të funksiononte për 40 vjet me radhë kishte motivin kryesor: “Pasqyrimin e jetës së lumtur në vend”…

…Kinooperatorët e kinoditarëve, kronikave dhe filmave dokumentarë duhej detyrimisht të merrnin miratimin e drejtuesve të pushtetit dhe partisë në fshat, kooperativë, shkollë e kudo për çdo njeri që xhirohej në film që të ishte “i pastër” politikisht. Pa miratimin e sekretarit të partisë, kryetarit të Këshillit ose kooperativës nuk mund të xhirohej askush mbasi i vinte prapa operatorit ankesa drejtuar Komitetit të Partisë. Këto dhe të tjera të këtij lloji,  rrëfen Abaz Hoxha, si kryeinxhinier e ish drejtor i Arkivit të Filmin gjatë kësaj interviste:

Si do të ishin fillimet e Kinostudios

Fillimet e saj mund të konsiderohen menjëherë pas çlirimit në vitin 1945, por gjithsesi një shtytje të madhe dha Bashkimi Sovjetik, më ndihmën e të cilit u ngrit ndërtesa e qendrore e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Kinostudio ishte konceptuar për filmin kronikal e dokumentar. Ajo u projektua nga një arkitekt rus dhe filloi në vitin 1948 dhe në 1952 u inaugurua. U ndërtua në periferi të qytetit edhe për arsye që ajo të ishte sa më larg zhurmave. Direkt me të u mor Spiro Kokela si zv/kryeministër e meqenëse ishte dhe inxhinier.

Kur do të bëhej inaugurimi dhe kush do të merrte pjesë në të?

Inaugurimi u bë më 10 korrik 1952 nga vetë Enver Hoxha, bashkë me Hysni Kapon dhe anëtarë të tjerët të rëndësishëm të byrosë Politike e Qeverisë. Gërshërët e prerjes së shiritit, Enver Hoxhës ia ka dhënë Xhanfize Keko, e cila është gjithashtu dhe një nga themelueset e Kinostudios. Drejtori i parë i kinostudios u emërua Nesti Zoto, Ai kishte qenë zv/ministër i Jashtëm. Ishte njeri me kulturë të madhe. Por nuk qëndroi dot gjatë në këtë detyrë pasi, u shkarkua dhe u internua pas Konferencën e Partisë së Tiranës në vitin 1956, sepse ishte një nga krerët e tij.

Cilët ishin kuadrot e para që formuan Kinostudion?

Unë kam qenë i pari kuadër me arsim të lartë që erdha në Kinostudio. Të tjetër ishin me kurs dy vjeçare që i kishin bërë në studiot e filmave dokumentar në Moskë. Ata ishin si Endri Keko regjisor, Jani Nano operator, Petraq Lubonja për truke e titrat, Koço Tolloko operator zëri, Xhanfize Çipi, për montazhin dhe Mihal Çarka që ishte fotograf amator por që ngriti laboratorin. Kinoopetarorët e parë ishin Mandi Koçi dhe Hamdi Ferhati. Pastaj erdhën Sokrat Musha dhe Agim Fortuzi. Por në xhirimet e para mori pjesë dhe Mehmet Kallfa. Inxhinieri rus qe drejtonte Kinostudion qëndroi deri ne 1953 dhe pas tij vajta unë, fillimisht si inxhinier e një vit më pas u emërova kryeinxhinier.

Cili ishte prodhimi i parë artistik i Kinostudios?

“Skënderbeu”, ishte një film që u konsiderua si bashkëprodhim, sepse kishte komponentë të përbashkët. Ai filloi realizimin në vitin 1952 dhe përfundoi në 1953. Pjesërisht u xhirua në terrenin pranë Kinostudios, por pjesa me e madhe u realizua në Krime. Ai u konsiderua si film i përbashkët edhe se në Shqipëri ishte formuar ndërmarrja shtetërore kinematografike. Asistent i regjisor rus ishte Viktor Stratobërda që studionte në Moskë për regji dhe u atashua në film për të marrë përvojë. Në skenar merrte pjese si konsulent Aleks Buda. Çesk Zadeja gjithashtu si bashkautor në muzikë. Stavri Rafael mori pjese si asistent në skenografi. Nga e gjithë trupa vetëm tre aktorë ishin shqiptarë. Naim Frashëri luante Palin, Besa Imami Donikën dhe Adivije Alibali interpretonte Mamicën. Por në një rol episodik është dhe tenori i famshëm shqiptar Luk Kaçaj, që luan në rolin e këngëtarit të verbër.

Projekti i Kinostudios ishte i mjaftueshëm për të punuar?

Kinostudio ishte një ndërtesë e madhe. Madje u hodh ideja që aty të vinte dhe Lidhja e Shkrimtarëve. Ndërsa unë propozova që aty të ndërtohej televizioni shqiptar. Kjo ishte një përvojë që unë e mora në Gjermani. Aty, filmi dokumentar e televizioni, që ishin pjesë e propagandës, ishin të instaluara në një vend. Këtë propozim ia parashtrova Liri Belishoves, me qëllim që përvoja e teknikës të lidhej me atë të gazetarisë së radios. Atëherë më thirri Thanas Nano që ishte zv/drejtor i propagandës me porosi të Liri Belishovës. Pasi diskutuam disa probleme filloi puna dhe në vitin 1960 Republika Demokratike Gjermane e Çekosllovakia morën përsipër të ngrinin stacionin e parë televiziv në Shqipëri me fuqinë 1 vat. Por si godinë u zgjodh një tjetër që ishte përballë radio-Tiranës, së vjetër.

Sa ishte ndikimi politik në Kinostudio?

Kinostudio u krijua kryesisht për efektin propagandë. Por përveç se regjistroheshin mbledhjet dhe fjalimet e udhëheqësve kryesorë, gjithsesi jepej edhe situata në vend. Kjo ekzistonte në të gjithë Lindjen ku në ishim pjesë e kampit Socialist, por duhet ditur se me Kinemanë, dokumentare dhe artistike, bëri propagandë të fuqishme Hitleri në Gjermani dhe Duçja në Itali. Pra nuk mund të themi se ky ishte një fenomen shqiptar.

Po censura…?

Që ka pasur censurë nuk diskutohet. Kishte dhe për filmin shqiptar dhe për atë të huaj. Censura ekziston kudo. Askush nuk bën çfarë t’i dojë qefi. Në filmin shqiptar ishte më e fortë se në filmin e huaj. Operatorët kur filmonin, një ndërmarrje a kooperativë bujqësore duhet të merrnin leje nga Sekretari i Partisë, e kryetari i kooperativës. Përgatitej vend e xhirohej aq sa duhej për të treguar një pamje sa më të mirë, të gëzueshme. Madje në këto filma, në kemi fshatarë që punonin në arrë me veshje që kishin për raste festash.

Si veprohej me filmin e huaj?

Filmat filtroheshin. Shikoheshin 100 të tillë dhe përzgjidheshin 15. Kur drejtori ishte Vaskë Aristidhi, ai konsultohej drejtpërdrejt me Ramiz Alinë për marrjen e filmave, ndoshta edhe pse e kishte shok të vjetër e kishin punuar bashkë. Ne merrnim filma nga Franca, Italia Egjipti. Por ndodhi që morëm nëpërmjet Francës vetëm tre filma amerikan. “Helena e Trojës”, “Roftë Zapata” dhe “Spartaku”. Edhe për këto filma është bërë shumë debat derisa u hodhën në rrjetin e kinemave.

***

Prodhimi i filmit

Kinostudio “Shqipëria e Re” u përurua më 10 korrik 1952. Realizimi i parë i saj është “Skënderbeu”, një bashkëprodhimi shqiptaro-rus. Në vitin 1957 daton filmi i parë i një regjisori shqiptar, Hysen Hakani. Prodhimet në masë fillojnë rreth viteve ’70. Në vitet ’80 Kinostudio “Shqipëria e Re” prodhon rreth 14-15 filma në vit, tematikat janë nga më të ndryshmet. Ndryshimi i sistemit politik dhe kriza ekonomike e viteve ’90 sjell transformimin e saj në “Albafilm” dhe në vitin 1996 edhe kjo e fundit mbyll ekzistencën e saj. “Shqipëria e Re” la në trashëgiminë e saj rreth 200 filma.

 

Shkurt për një veprimtari të gjatë

Ai është inxhinier elektronik, studiues e historian i i kinematografisë. Abaz Hoxha u lind në Vlorë më 14 prill 1930. Njihet si një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare dhe kuadri i parë i lartë me arsim profesional i saj. Pas çlirimit të vendit, Abaz Hoxha kreu studimet e larta në kryeqytetin Çek, Pragë dhe u diplomua si inxhinier elektronik në vitin 1954. Paralelisht kreu një kurs pasuniversitar dy-vjeçar për Teknikën e Studiove të Radios, Filmit dhe Televizionit e posaçërisht për optikën dhe akustikën. U emërua fillimisht si inxhinier zëri dhe për 10 vjet kryeinxhinier i kinostudios “Shqipëria e Re”. Më vonë, për 7 vjet, si drejtues i sektorit të kinemave, të distribucionit, përkthimit dhe shpërndarjes së filmave. Nga viti 1972-1990 themeloi dhe drejtoi Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

 

Filtri politik në celuloid

Abaz Hoxha thotë: “Fushata së spastrimeve politike, arrestimeve dhe dënimeve të ndryshme, anëtarë të Byrosë Politike e të Komitetit Qendror të partisë e qeverisë e deri te njerëz të thjeshtë në bazë, solli vështirësi dhe rreziqe të mëdha për personelin e sektorit të kinefikimit e sidomos për mua që e drejtoja atë sektor. Më i vështirë u bë xhirimi dhe sidomos qarkullimi i kronikave dhe filmave dokumentarë të cilat duhej të kontrolloheshin pa-ndërprerje që të “spastroheshin” nga personat që ishin dënuar, shkarkuar nga detyra ose arrestuar. Programimi dhe qarkullimi i tyre sillte vazhdimisht viktima në qendër e bazë. Çdo njeri që xhirohej në film duhej të kalonte në filtrin politik”.

 

 TVSH djeg vetveten

Festivalin e 11-të e ruajtëm në arkivin e Kinostudios

Të vetmet pamje që na sjellin në mend atmosferën e festivalit të 11-të në RTSH janë ato të xhiruara në pelikulë, nga operatorët e Kinostudios. Bobinat e shiritave që mbante arkiva e televizionit ku ky festival ishte i plotë, janë asgjësuar. I pyetur rreth këtij fakti, Abaz Hoxha, ish kryeinxhinier, por dhe ish Drejtor i Arkivit të Filmit për 17 vite me radhë thotë: “Kronika rreth Festivalit të 11 është e ruajtur në arkivin e kinostudios. Televizioni ka bërë shumë gafa të mëdha me djegiet. Ka një rregull të përgjithshëm që dokumentet nuk digjen, ato ruhen, madje me fanatizëm. Nuk ka rëndësi në përdoren apo jo. Ishte koha kur Televizioni drejtohej nga Çajup Rusmajli. Ishin ditët kur sapo kishte ndodhur vetëvrasja (sipas versionit zyrtar) e Mehmet Shehut. Atëherë më merr në telefon drejtori i arkivit të televizionit e më thotë: Ke filluar nga puna për seleksionimin e fondit sepse ke shumë filma ku ka dalë Mehmet Shehu?”. I shpjegova qetësisht se nëse do të vepronin në këtë mënyrë nuk na mbetej gjë në arkiv. Më pas fola dhe me vetë Çajupi e i thashë: “Ne kemi në arkiv Hrushovin e Çu En Lain dhe i ruajmë, ju mos bëni të kundërtën se do t’u dënojë historia”. Edhe në një rast tjetër, drejtori e televizionit kërkonte të asgjësonin 1200 metra me regjistrime ku në qendër të tyre ishin pamje e koncerte nga vendet e kampit socialist. Edhe për to u bë debat. “Nuk kanë çfarë na duhen se nuk i përdorim”, u justifikuan. Por ndërhyra unë dhe ua mora. Bashkë me Robert Radonë, për pjesën e muzikës, i kartelizuam dhe i ruajtëm në arkiv. Arkivi pasurohet nuk asgjësohet. Madje në Kinostudio ruheshin dhe provat e aktorëve”.

 

Dëshmia

U hoqën filmat lindorë e perëndimorë, mbetën ata kinezë

“Në vitin 1966 u ngarkova të drejtoja sektorin e kinemave ku zinte një vend të madh ngarkesa e furnizimit me filma të rreth 450 qendrave kinematografike që vepronin në gjithë Republikën. Mbingarkesa e mungesa e përvojës në këtë sektor të ri për mua u rëndua nga shumë faktorë të tjerë politikë, ideologjikë, ekonomikë e shoqërorë. U vështirësua procesi i furnizimit me filma të kinemave mbasi çdo gjë duhej të kontrollohej me imtësi se ndryshe të merrte lumi. Numri i premierave që blinim jashtë po pakësohej në mënyrë drastike. Prerja e marrëdhënieve me ish-BS e gradualisht edhe me vendet e tjera ish aleate, bënë që premierat të ulen nga rreth 100 në vit më 1960 në rreth 15-20 në vit. Fondi i filmave në qarkullim ishte i vjetruar teknikisht, i copëtuar dhe amortizuar nga ana e përmbajtjes. Filmat qarkullonin në kinema disa vjet me radhë në vizione të pesta, gjashta, të dhjeta e më tej duke u bërë të mërzitshme për spektatorin. Shkeleshin kontratat e blerjes së filmave me të huajt, nuk raportohesh ose raportohej fallco asgjësimi i kopjeve të blera mbasi u skadonte afati i përcaktuar në kontratat. Përveç kësaj mbyllja e vazhdueshme e Shqipërisë karshi botës, masat drastike të izolimit bënë që fondi i filmave në qarkullim të ngushtohej përherë e më tepër. Në vitin 1966, kur e mora unë sektorin e kinemave, ishin hequr nga qarkullimi mbi 480 filma Perëndimorë e Lindorë dhe numri i premierave kish rënë në 15-20 në vit. Në qarkullim ishin shumica e filmave kinezë, vietnamezë, koreanë, kryesisht filma kronikalë e dokumentarë politikë ose që dënonin imperializmin amerikan dhe social-imperializmin sovjetik. Nga Perëndimi merreshin vetëm pak filma francezë e italianë dhe tek tuk nga vendet ameriko-latine ose të ashtuquajtura të botës së tretë: Egjipt, Algjeri, Indi e ndonjë japonez. Blerja e filmave amerikanë nuk diskutohej, edhe ndonjë film i prodhimit amerikan që qarkullonte ose i ndërrohesh titulli dhe blihesh nëpërmjet shoqërive kinematografike franceze ose italiane. Nga vendet e Lindjes filmat rusë nuk diskutoheshin fare, por më vonë edhe nga vendet e tjera se ishin filma “revizionistë” ose që “ishin të përshkuara nga libertizmi erotik”. Për një kohë bliheshin pak filma rumunë dhe ndonjë film bullgar dhe kryesisht filma të Lindjes së largët (kinezë, vietnamezë etj). Problemi i furnizimit me filma të kinemave u bë një çështje tepër serioze dhe e vështirë sidomos për arsye të gjendjes politike në vend”.

 

 

October 31, 2018 17:27
Komento

6 Komente

  1. pak durim October 31, 18:32

    Ky na tha ca gjera qe nuk i dinim. Pse nuk degjuam nje here nje fale qe eshte bere ndonje pune e mire, qysh ta nxijne. Po sot, ore zoteri, çfare behet?!

    Reply to this comment
  2. MH October 31, 21:41

    Te dy komentuesit bajne vrejtje me vend.
    te shuash arkivin e filmit asht nji gabim trashanik qe nuk i gjindet shoqja.Ato duhet te ruheshin ne arkiv.Sepse plotesojne historikun e kinostudios shqiptare.
    Qe politika e asaj kohe kishte gabime sa te duash. E ne vecanti per goditjet per ato qe beshin me dashje apo pa dashje agjitacion e propogande.Nga ky informim qe lexova me vjen keq sepse ne ate kohe te femijeris time shikonim mjaft filma te bukur nga vendet socialiste qofshin historike apo artistike me mjaft edukim e ne vecanti ato te kinostudios (Ruse)sovjetike.Po nuk ke cfare te korigjosh e te shpetosh mbasi arkivi asht rreduktue simbas konstatimeve nga ky informacion qe edhe sot ne keto vite te demokracise njerez me te njejtin mentalitet kane kerkue qe te shuhen te digjen te gjithe filmat e kohes moniste.E kjo tregon kanibalizmin kulturore te nivelit intelektual te njeriut ton si te ri aq dhe te vjeter.
    Pavarsisht se cfare materiali negativ apo pozitive ka ekzistue ne cdo kohe.Duhet detyrimish te ruhet e kjo tregon nivel kulturet per cdo arkive.Sepse asht pasuri qe ia rrite vlerat institucionit,cdo institucionit ne perpjestim me kohen.

    Reply to this comment
  3. Dhimiter M Xhoga.(Guri Naimit D.) November 1, 02:09

    Me Kinostudion”Shqiperia e Re”eshte bere nje krim.
    1952 peruruar,tjetresuar,pas viteve 91-97te.. .

    *Faleminderit atdhetri gazetarLeonar Veizi,sa na sillni permes inerviste me z.Abaz Hoxha,qe e pershendes.

    ** Thuaj cfare te duash po Kinostudio dhe punonjesit e saj ne bashkepunin me istitucionet kulturore arsimore te asaj kohe, kane bere maksimimin e mundeshem,me gjithe situatat politike te krijuara per ate sektor. Mjafton te shikojme shtririen e rjetit Kinematografik sado te thjeshte,deri ne fshatrat me te largeta. Mbaj mend se ne vitet pas 1964 ne malesine e Tiranes une pergjegje kulture sa Drejtor shkolle,(shengjergj Shupal), ,qe ne ate kohe,shkonin filma me grafik te caktuar,deri me autokinema. Ne Shenmeri,ku kishe drita qe nga mezi viteve 50t,ka pas aparat kinemaje e, pas viteve 70t u bane masive ne qendra lokalitetesh a kopperativa bujqesore. Nje fjale popullore thote:-“E ke inat tjetrin mos ia haj hakun”(regjimin) dhe puna ne kinostudio,qe eshte bere shume.Me ndienje rrespekti kujtoj ata punonjes realizuaes,qe nga te paret,siZnj Keko, Fortuzi me shoke,qe permenden ne shkrim e deri me i fundit , ndare nga jeta, nje nga veteranet Kinostudios, kinooperatorin,Ilia Terpini, ndiere paste,sot dy vjet ndare nga jeta,sa Vasil Rrapi qe dhe ne moshe kaluar nuk heq dore nga filmimet dokumentare e tj.
    Keq me vjen,qe ai istutucion i pare si Kino Studios, te katandiset deri ne ate gjendie,nga vete,pseudo drejtuesit e arsim-kultures dhe artit ne vend. Nuk ju falet sa vepruar dhe per ish Kinemate e qytetit…
    Faleminderit i nderuar Leonard Veizi sa na percillni.
    Si dashamires dhe fansar i saj ketu ne Toronto,mar mbresa nga Tv”Pasqyra shqiptare” me Ilir Lenen,sa Operator,regjizor,realizues e te gjitha.
    Eshte per t’u falenderuar e pare nga shteti shqiptar, per ta finanxcuar e ndihmuar,sa ben Ai, per emigracionin,jo vetem ne Toronto…
    E befte kete mire dhe ne prag te festave te NENDOREVE qe presim. VO:- Ministria e Kultures,te dergoje dhe nonje grup artistik apo operatore levizes , per kete jubile te “TRE NENDOREVE.” e 550 vjetorit te Herroit Kombetar,Gj.Kastrioti-Skenderbe,qe dhe ketu, po zhvillohen aktivitete..
    Lavdi festave te “TRE NENDOREVE” te Pv e Clirimit!
    Pasues Vetreran.

    Toronto31-10-2018 Dhimiter. Xhoga(Guri Naimit D.)

    Reply to this comment
  4. demo November 1, 08:37

    Ruaj nje nga botimet e para sovjetike per Shqiperine,i titulluar:Ne vendin e shqiponjave! Eshte nje liber i Ilustruar me fotografiqe hapet me inaugurimin e Kinostudios nga shoku Enver.Kjo vajza bukuroshe ne profil,duke i dhene gersheret(sot e marr vesh,qe paska qene plaka e shemtuar Xhanfise,koha ben te veten!).Ne faqe te tjera duken vajzat e fshatrave te Korces qe kane mesyre Kombinatin e textileve,nje Pandora Tase,mashallah faqe gurabie,brigadjere dalluar,qe bente dy norma,Pas saj duket nje marinar sovjetik i flotes luftarake te Balltikut,i rrethuar me dashuri nga vajzat e Durresit.Ne fund eshte Stakanovisti i naftes Petro Olldashi,qe kishte zbuluar aq e kaq puse nafte kur ishte nje cope katunar pa shkolle,,kur u be inxhenier,nuk zbuloi me,i shteroi nuhatja per nafte.

    Reply to this comment
  5. Guri Naimit D November 1, 23:40

    O Ti qofsh; “demo”! qe na pergojon ate”idhulle”nga kuadrot e para te kinematogrfise shqiptare,sa nje grua Zonje.qe ka rrenje nga “Dangellis Naimjane”e “Vellezerve Frasheri”,perfaqesuar me dinjitet,me sa dhene shoqerise.
    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  6. MiraTirana November 2, 17:17

    I nderuar z. Abaz!Me kujtimet tuaja me kthyet pas ne kohe .Kur ne shtepi e kishim nje katalog te filmave sovjetik te cilin nuk duhej t’ja tregonim askujt,nuk duhej te. bisedonim me askend sepse mund te futej babai ne burg per agjitacion e propagande.Ai punonte ne Kinostudio derisa doli ne pension.Une kam lindur ne vitin 1961 por aktoret e medhenj te BRSS si Sergei Bondarcuk,artistja e popullit Tatjana Samoilova etj. do mbeten ne kujtesen time te paharruar .Me gjithe respektin qe kam per Ju ,per punen t’uaj me duhet t’ju them te verteten:ne Kinostudio jane djegur me kilometra shirita filmi(negativet) me urdher nga lart nuk e di por di qe babai im me ka treguar se jane asgjesuar she kjo eshte e sigurt.Mirenjohje pafund per te gjithe Ju qe jetoni por edhe per ata kineaste,prapavijen e tyre te cilet nuk jetojne me,i keni rene Atdheut kryqeterthor, pa pyetur per veshtiresite,larguar nga familja me muaj te tera me xhirime.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?