Abdulla Kapidani, boshnjaku që do më shumë Shqipërinë

August 5, 2018 13:17

Abdulla Kapidani, boshnjaku që do më shumë Shqipërinë

 

Nga Bashkim Koçi

Nuk e kisha ditur dhe nuk më ishte dhënë rasti asnjëherë që të mësoja  se ish pedagogu im i nderuar i Entomologjisë, Prof.As. Abdulla Kapidani, të ishte me origjinë boshnjake. Mund ta kasha besuar nëse dikush do të më thoshte se ai ishte me origjinë gjermane apo austriake, duke gjykuar nga  ca “shenja” të dukshme në sjellje, që ishin cilësitë e tij njerëzore e profesionale, por për boshnjak, jo. Ne studentët e tij dinim që ai kishte mbaruar Universitetin në Laipzig, në Gjermani, që zotëronte gjermanishten dhe disa gjuhë të tjera perëndimore në mënyrë të shkëlqyer dhe që na zhvillonte e jepte leksione “ndryshe nga të tjerët”.  Dinim, gjithashtu, diçka nga punët e tij të suksesshme kur kishte kryer detyrën e inspektorit të mbrojtjes së bimëve bujqësore në Shkodër dhe në bazat eksperimentale të NB-së së Kamzës dhe Institutit Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i Kamzës. Kaq.

Kapidanët e Bosnjes janë vendosur në Shqipëri më shumë se 130 vjet më parë. Zbritën nga Mostari për shkaqe që janë “tretur” në rrugëtimin  njerëzor më shumë se një shekull. Por ajo që ka mbetur e që është transmetuar nga gjyshërit deri tek brezat e sotëm, ka qenë jeta e vështirë, të cilën ua  bënë të  padurueshme pushtuesit që, me hir apo me pahir, i detyruan të shtegtonin si fis, me kuç e me maç, pa ditur se ku do të qëndronin për të filluar një jetë krejt tjetër, në vende të panjohura. Të moshuarit mbajnë mend, për aq sa u kanë treguar prindërit e tyre, se gjyshërit ishin nisur me një anije nga Kotorri, pa ditur se ku do të zbarkoheshin për t’u sistemuar përfundimisht diku në një cep të botës.  Tek Kapidanët mësuam që ky komunitet u vendos në Durrës fare rastësisht, vetën ngaqë një nga anijet që transportonte njerëz, kishte pasuar difekt të rëndë dhe i duhej që të qëndronte një kohë të caktuar për t’u riparuar e sjellë në gjendje lundrimi. Anija u ankorua në Durrës dhe në kohën që ajo rregullohej, një nga oficerët më të lartë vendas, me origjinë boshnjake, iu rekomandoi të qëndronion këtu, duke patur parasysh rrethinat e Durrësit, kënetën dhe zonën përqark Shijakut, zonë me pyje të dendur e që në atë kohë nuk përbënte problem nëse zaptohej nga dikush, qoftë edhe të ardhur nga një vend tjetër, siç ishin në këtë rast boshnjakët.

Por le të qëndrojmë diçka më shumë tek fisi i Kapidanëve, tek ata nga ku ka “rrënjët” edhe Profesor Abdullai. Gjyshi i tij, Abdulla Kapidani, prej të cilit ai ka trashëguar edhe emrin, ka qenë njeri i virtytshëm, punëtor që nuk i gjendej shoku,  me sedër të madhe. Ai paska qenë nga ata burra që edhe pas më shumë se një shekulli, banorët e zonës së Sukthit dhe Shijakut, nuk e veçojnë dot nga ata “të tyret”, të cilët kanë lënë emër për atë çka i  dhanë vendit. Shkurt, ai ka qenë më shqiptar se shqiptarët. Dhe kur “guxojmë” që këtë boshnjak ta radhisim në listën e shqiptarëve me kontribute të veçanta, ka një arsye të fortë. Është arsye e fortë, madje paksa heroike, sepse ai ka marë pjesë në luftën për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës nga malazestë dhe e ka dhënë jetën atje, duke luftuar kundër pushtuesve. Ky fakt është i madhërishëm ua ngre shumë lart vlerat njerëzore këtij komuniteti që guxoi të flijohej për dikë tjetër, për të mbrojtur një truall që zemra e kishte bërë të sajën. Ne dimë që për të mbrojtur Shkodrën shkuan me qindra luftëtarë vullnetarë nga zonat e Shqipërisë së Mesme, por që këtyre vullnetarëve t’u bashkangjitej edhe një boshnjak, siç ka qenë Abdulla Kapidani (i vjetri), është pak e habitshme. Apo jo? Ç’e lidhte këtë njeri  me një qytet si Shkodra, me Shqipërinë, ai ishte boshnjak?! Ç’territor i atdheut të tij rrezikohej nga pushtuesi, ndërsa vendi i tij i lindjes, Bosnja, nuk kishte asnjë lidhje me ta? Kjo është një çudi për t’u çuditur, por ja që është një realitet, që ka ngjarë dhe s’ka asnjë arsye të mos e vlerësojmë si të tillë.

Në këtë realitet “çudirash boshnjake” u rrit Profesori ynë, Abdulla Kapidani. Babai i tij, Aliu, ishte arsimdashës, që ngrysej e gdhihej me ëndrrën  se si të shkollonte fëmijët, që ata të bëheshin të zotët e vetes, që të kontribonin për vendin që u kishte hapur derën, që u kishte dhënë strehë, Shqipërinë. Dhe gjëja më e vështirë tek njeriu është vendimi për të vepruar, pjesa tjetër është thjesht këmbëngulje dhe vullnet për të bërë më të mirën.  Atij i ish dukur më e mirë, më afër dëshirave të tij për të bërë karrierë profesionale, shkolla e mesme bujqësore e Golemit, për të cilën kish dëgjuar se kishte kërkesa të larta, se kishte mësues që kishin studiuar në perëndim dhe, e fundit, por më e rënësishmja, se ishe më i garantuar për të vijuar studimet e larta në fushën e bujqësisë. Dikush, rastësisht, takon fatin e tij dhe kjo gjë ndodhi edhe me Abdullanë. Ai u regjistrua dhe vijoi rregullisht për katër vjet teknikumin bujqësor të Golemit, ngritur qysh në vitin 1926 nga amerikanët. Shkollë me shumë përvojë. Ai që mbaronte këtë shkollë me emër të famshëm për bujqësinë, ndjehej shumë më i përgatitur, shumë më lart se të tjerët, nga ata që vinin nga teknikume të hapura rishtaz pas çlirimit. Madje kur fillonte viti akademik në Institutin e Lartë Bujqësor, pyetja e parë që të bënin profesorët ishte: “i kujt shkolle je, nga vjen”. Kur ishe prodhim “made in Golemi”, shumë gjëra mernin rrugë për mirë për trajtimin dhe vlerësimin në lëndët e shumta që zhvilloheshin për t’u përgatitur si specialist i lartë bujqësie. Një ndër këta të priveligjuar do të ishte edhe Abdulla Kapidani.

Por ky njeri me plot pasion për të studiuar  e mësuar shkencën e bujqësisë, nuk e la  gjithçka në dorë të fatit. Përkundrazi, ai fatin e konsideronte si diçka që është dhuratë për njerëz me karakter të fortë, që nuk dinë ç’është frika, e që shpesh e konsideron si terrorizues të frikacakëve.

Abdullai, njeri këmbngulës e me vullnet të fortë, e përfundoi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera. Po tani? Mendja i shkonte për mirë dhe ish i prirur për t’i besuar fjalës së babait se njeriu sa më shumë punon, aq më me shumë me fat është. Në atë kohë, që mua më duhej të vazhdoja shkollën e lartë, nuk bëheshin pazare e allishverishe si sot, thotë Profesori. Unë isha boshnjak, por mendja nuk më shkonte kurrë, asnjëherë, që të më trajtonin si të tillë, të më diferenconin nga të tjerët, demek nga shqiptarët. Sapo mbarova teknikumin, ditët e pushimeve verore, na kish rënë në vesh që disa nga nxënësit me rezultate të shkëlqyera do të vinin për studime jashtë shtetit, por unë, të them të drejtën, mendoja se nuk ishte “thelë” për mua. Jo se i përkisja komunitetit boshnjak, kurrë nuk e mendoja këtë gjë, por thosha me vete që “ka të tjerë” për të studiuar jashtë. Pastaj ai thotë se fati nuk është i rastësishëm, por është mundim, është sakrificë për të arritur tek suksesi. Buzëqeshja e suksesit, kudoqoftë, fitohet-thotë Profesori. Studentit Abdulla Kapidani i doli e drejta e studimit, me bursë nga shteti, për në Laipzig të Gjermanisë. Ishte krenari për të, por edhe për Shqipërinë kur ai në krye të përfundimit të studimeve për entomologji, shkenca më e vështirë në fushën e bujqësisë, të mbaronte shkëlqyeshëm, me të gjitha notat në maksimalen e mundshme. Po sjellim vetëm një fakt për të ilustruar këtë çka po  them. Unë, student i tij, jam dëshmitar që edhe tani ish-bashkëstudentë të tij, të cilët tani, pikërisht tani, janë profesorë të nderuar në fushën e mbrojtjes së bimëve në Gjermani, e përmendin emrin e Abdulla Kapidanit si personalitet, si student që ata e cilësojnë ende si të “jashtëzakonshëm” për vitet që studjuan së bashku.

Tani më duhet të trajtoj një fenomen i cili  u bë  shkas për të shkruar për Profesorin tim Abdulla Kapidani. Ai ka të bëjë me një sjellje sa fyese, po aq edhe denigruese për një personalitet pedagogjik, për një shkencëtar, për një “gur të rëndë”, siç është prof. Abdulla Kapidani. Për këtë çka po them i përket viteve të largëta dhe “dikushi” mund ta quajë kohë të humbur, mund ta konsiderojë edhe “lajthitje” që të harxhosh letër e bojë për ca gjëra të dhimbshme, por “të shkuara e të harruara”. Sipas mendimit tim ca  “të shkuara” nuk duhet të harrohen kurrë, madje iu duhet rikthyer e analizuar me kujdes e logjikë të ftohtë, për të nxjerrë mësime për sot e për të ardhmen. Pse? Sepse ajo marrëzi e të sjellurit vite të shkuara me shkencëtarin Abdulla Kapidani, jo rrallë ngjajnë si dy pika uji me çka ndodh edhe tani, madje përditë, duke i sjellë dëme të pariparueshme zhvillimit të ekonomisë, të arsimit, të zbatimit të të rejave të shkencës, të gjithçkaje progresiste.

Prof. Abdullain, fiks më 14 shtator të vitit 1992, pasi e kishin shkarkuar nga detyra e zv/rektorit të Universitetit Bujqësor, i dhanë vendimin që e nxirrte në asistencë me motivacionin “për shkelje të procedurave!”. E kuptoni, e merrni vesh? Profesorin, atë portretin e të cilit si student e bëra pak më sipër, e nxorën në asistencë “për shkelje procedurash”. Nuk ia vlen të sjellim në këto radhë “shkeljet e procedurave” të Abdulla Kapidanit, sepse qametet që janë bërë në ata vite nuk mund t’i mollois dot kush, por na duhet të themi se ai atëherë ishte në moshën më produktive për shkencat bujqësore, vetëm 54 vjeç. S’kishte ç’të bënte, e kishte hedhur në rrugë injoranca. Por, sipas këtij njeriu të ditur e fisnik, s’paskësh asgjë më të tmerrshme së injoranca në veprim. Ajo ishte ngritur në sistem, bënte ligjin kudo e ngado që gjente terren për të vepruar. Dhe “ligji” i injorancës  nuk të falte, duhej zbatuar. Kam lexuar një letër dëshpëruese të Profesorit, të cilën ia drejtonte Presidentit të atyre viteve, Sali Berishës, por “për fat të mirë do të thoshte Filip Çakuli”, nuk u komunikua kurrë për t’i shpjeguar  e qartësuar “shkeljen e procedurave”.

Çfarë bëri, ç’rrugë gjeti shkencëtari i bujqësisë për të nxjerrë bukën e fëmijëve. Është diçka që të dëshpëron dhe që të detyron të ulësh kokën, por ca të vërteta, të cilat na ndëshkojnë moralisht si shqiptarë, duhen thënë. Profesori im paskësh gjetur material të lirë dhe të mirë me të cilin bashkëshortja, Nadirja, mund të qepte e të përgatiste kanatjere e të brendshme burrash, aty në shtëpi, e më pas t’i shiste Profesori tek firma Gabi. E kuptoni, e merrni vesh?! Profesori që i kishin dhe e kanë ende zili gjermanët do të shiste “me shumicë” të brendshme tek Gabi! Pikë e zezë!, do të thoshte poeti Xhevahir Spahiu.

Por Abdulla Kapidani dinte ca gjëra që injoranca nuk kishte si t’i dinte. Ai e kishte të ngulitur në mendje e në ndërgjegje se kur e keqja vjen drejt teje, mos e humb shpresën. Iniciativa është një aventurë dhe si çdo histori e bukur ka uljet dhe ngritjet e saj. Profesori  e gjeti zgjidhjen te iniciativa e lirë, por shumë i brengosur për atë që i kish bërë injoranca, shumë i dëshpëruar për qëndrimin indiferent të institucioneve shkencore në Universitetin Bujqësor të Tiranës  e më tej. Sepse bota vuan shumë, jo për shkak të dhunës së njerëzve të këqij, por për shkak të heshtjes së njerëzve të mirë.

Profesorin e ngrohu ideja për t’u mbështetur  tek pasioni i tij, tek ai pasion që ia kishte falur të gjitha ndjesitë  më të mira si njeri e si studjues, tek profesioni i një fermeri të thjeshtë, por shumë kompetent për të realizuar projekte nga më fitimprurëset në një ekonomi tregu. Dhe ky projekt, kjo ëndërr,  që dikujt iu duk “marrëzi profesorësh”, mund të gjente zbatim, mund ta shihje e ta prekje me dorë vetëm në fshatin e tij të lindjes, në Borakë të Sukthit. Atje e priste vetëm toka djerrë e trashëguar nga babai dhe një shtëpi e vjetër ku nuk mund të jetoje dot normalisht, ashtu si në Tiranë.

Nëse dikush do të interesohet dhe të pyesë se ku jeton dhe ku punon prof, Abdulla Kapidani do të marrë informacionin më të çuditshëm se ai, pra informacioni, është rezultat e punës të një punëtori të palodhur dhe shkencëtari të vërtetë. Jo i ndonjë shkencëtari që filozofon e paguhet për marrëzitë e tij, siç ndodh këtu tek ne, por i Abdulla Kapidanit, i cili “ca me inat e ca me takat”, për çka ka realizuar në “tokën e braktisur”, të lënë djerrë e pa ujë, të lë pa mend. Aty gjen konvejerin, siç thonë agronomët, e të gjithë frutave e luleve që kultivohen në vend. Aty, në atë mjedis fermeri të zakonshëm, ai la  “pa gojë” edhe ish bashkëstudentët e tij, të cilët, para ca kohësh, i erdhën për vizitë posaçërisht nga Gjermania. Pastaj Profesori flet paksa “në intimitet” kur thotë: Unë jetoj këtu se kam mall për këtë vend, por edhe sepse paguhem me një pension qesharak, diçka më shumë se njëqind euro. Në një qytet si Tirana për të krijuar marrëdhënie të mira e të jetosh normal s’është e lehtë. Ndoshta edhe për këtë erdha këtu. Kam gruan, kam dhe djalin me vete dhe punojmë, sa kemi fuqi, në rrugë të ndershme. Djali ka mbaruar dhe është inxhinier druri. Kurse unë me bashkëshorten e djalit, e cila vazhdon për kopshtari, pa shkëputje nga puna, kujdesemi për të gjithë këtë teritor ku kultivojmë bimë bujqësore nga më të ndryshmet, aq sa na duket sikur ngushëllohemi e se merremi gjoja me shkencë.

Nëse Profesori fillimisht u hutua, dhe për hir të së vërtetës iu krijua bindja se demokracia nuk mund të vinte kurrë nga injorantët, erdhi një ditë që të mençmit, njerëzit e ditur e me vizion, e gjetën. E gjetën aty në fshat, në Borakën e tij, dhe iu lutën t’u “shiste mend” për ca këshilla që i duheshin bujqësisë intensive. Që nga ajo ditë Abdulla Kapidani u bë pjesë e “Shërbimit Këshillimor” privat, me qendër në qytetin e Durrësit dhe i mbështetur nga qeveria holandeze. Çuditërisht ai sot është shumë i kërkuar, por, pavarësisht moshës, mendon dhe këshillon se mendja e njeriut e ka të gjithë fuqinë për të kaluar çdo sfidë, sado e vështirë në dukje.

Profesor Abdulla Kapidani zgjidhjet në jetë i ka bërë duke pranuar përgjegjësitë, duke vënë në themel të të gjithë veprimtarisë në jetë, ndershmërinë. I ndershëm në familje, i ndershëm me bashkëpunëtorët, i ndershëm edhe në punën si shkencëtar në fushën e bujqësisë. Të tjerët nuk u treguan të ndershëm më të, ndaje dhe këtë e ka brengë sa të jetë gjallë.  Në këto rradhë kushtuar veprimtarisë së tij si pedagog dhe si njeri i lidhur me shkencën duhen përmenduar ca punë nga veprimtaria e tij, të hedhura në botime të ndryshme. Nga viti 1966 dhe deri më sot ka botuar 14 libra, 41 artikuj shkencorë dhe 13 botime që janë përdorur për skenarë filmash apo dokumentarë shkencorë në fushën e mbrojtjes së bimëve bujqësore. Për të gjitha këto punë si intelektual  dhe punonjës shkencor ka marrë vlerësime të shumta nga institucionet shtetërore të vendit tonë dhe nga ato ndërkombëtare. Me Dekretin Nr. 6954, datë 6.3. 1985 i është dhënë Urdhri  “Naim Frashëri” i Klasit të III-të. Një vit më pas,  me Dekretin Nr. 7084, datë 25.11. 1986, është dekoruar me Urdhrin “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore” të Klasit të I-rë. Ndërsa “Urdhri “Naim Frashëri” i Argjendtë, me nr.Dekreti 3882, datë 10.7.2003.i është akorduar nga presidenti Alfred Moisiu.Por ajo që të lë pa mend, e që është edhe një goditje e pamëshirshme për injorancën shqiptare, në kohën që Prof. Abdulla Kapidani ishte flakur si një gjë pa vlerë për shkak “të shkeljeve proceduriale”, ka ardhur vlerësimi i lartë, duke e shpallur “Njeriu i vitit 2002” me këtë motivacion: Për arritjet dhe kuntributin e tij në shkencën e Mbrojtjes së Bimëve dhënë nga “ Qendra Biografike Ndërkombëtare në Kembrixh të Anglisë”. Tani më thoni, dëshiroj të pyes: cilët jemi Ne dhe cilët janë Ata që gjykojnë për aftësitë shkencore të Prof. Abdulla Kapidanit?

Një vendim injoranti i dha goditje gati të pariparueshme Profesorit, por një hap, vetëm një hap, i ndërmarrë guximshëm nga ai, ia ndryshoi drejtimin e jetës. Ai e trajtoi jetën sikur të ishte një copë argjili dhe, duke punuar e punuar me shumë kujdes me këtë copë argjili, i dha formën që dëshironte. Këto ditë ai feston 80 vjetorin e lindjes dhe kur e shikon jetën që ka kaluar nga ky “kat”  marramendës, thotë se ndjehet mirë. Një pjesë e imja, thotë disi dhimbshëm profesori,  dyshon se unë jam një i humbur, ndërsa pjesa tjetër mendon që ia kam dalë me shumë sukses.

Ai në gjak është puro boshnjak, nga babai dhe nga nëna, por kur flet me të dhe futesh në jetën e vërtetë, të halleve, të vështirësive të jetës, të politikës e gjithçfarë çështjes që përgojon njerëzia, të duket se ke përpara një shqiptar njëzetekatër karatsh. Druaja ta pyesja, por gjeta  një çast dhe guxova: Kë do më shumë, kë ke më për zemër Profesor, Bosnjën apo Shqipërinë? Nuk u mendua, nuk priti asnjë sekondë për të më thënë: Unë jam boshnjak, por dua më shumë Shqipërinë.

August 5, 2018 13:17
Komento

7 Komente

  1. Flatun Ramadani August 6, 01:34

    BRAVO, z. Bashkim Koçi!
    Nderim dhe mirenjohje per profesorin e nderuar, Abdulla Kapidani!
    Sa e sa intelektuale te talentuar mori me qafe injoranca “demokratike” e tranzicionit, qe per inspirues ka patur sali veremin… Ekspertet e injorances benin lista dhe hiqnin nga puna specialistet intelektuale, duke i zevendesuar me mitingashe te bindur te partise, ndersa justifikimet per largimin nga puna ishin nga me banalet. Ky eshte nje dem i pallogaritshem, qe i eshte bere administrates shteterore dhe vendi do t’i vuaje pasojat per vite e vite me radhe.
    Urime profesor Abdulla Kapidani ne 80 vjetorin e Tij per jete te gjate dhe te shendeteshme sebashku me familjen.

    Reply to this comment
  2. perkthyesi August 6, 12:54

    I vetequajturi “sjelles i demokracise”, i babezituri Sali Berisha, duhet te konsiderohet si Neroni i ketij vendi. Fakti i mesiperm, eshte nje nga mijra te zezat qe pllakosen Shqiperine prej ketij te lajthituri dhe maniaku karierist, ku edhe pa te, capaculet e PD, nuk bejne dot dhe clirimin e gazrave (te me falin lexuesit e nderuar dhe te respektuar te kesaj gazete per termin jo te pershtatshem), por qe , cuditerisht ende vegjeton ne politike (?!).

    Reply to this comment
  3. Alban August 6, 13:55

    Keto jane budalliqe e demokracise qe vetem ne Shqiperi i gjene! Ne Gjermani ka mbi 10 milion cek, polak, hungarez etj, po s’kujtohet njeri pas 100 vjetesh te thote s’jam gjerman. Kurse ne Shqiperi ne kete demokracine e dhjere, sa per te dukur interesant, te gjithe po dalin tani si njerez skizofrene me shume personalitet, pra dhe boshnjak dhe shqiptar, dhe bullgar dhe shqiptar etj ejt.

    Ku ka ekzistuar ‘boshnjaket’ apo ‘maqedonasit’ ne Perandorine Osmane? Ky fare mire mund te jete shqiptar i Bosnjes. Sidoqofte pas mese 100 vjeteve plani i Perandorise Osmane dhe Kishes Greke per te hapur shkolla ne gjuhe te huaja, dhe per te ndaluar shqipen ka dhene rezultat. Sot nese gjyshja i mesonte Greqisht e Vllahisht ne kishe apo turqisht ne xhami thote jam grek e turk etj ndonese s’ka pike lidhje as me greket as me turqit.

    Reply to this comment
  4. Fatmiri August 6, 19:21

    Pershendetje Bashkim Koci! Ky shkrimi yt sepse me kujtoi “Oret e Kremlinit” luajtur me mjeshteri nga aktoret e teatrit te dikurshem Popullor. Ne nji nga pjeset e kesaj cfaqie inxhinieri elektrik shiste “shkrepse” ne tregun e Moskes , kur vendi po zbatonte planin e elektrifikimit dhe inxhinjeret elektrik kerkoheshin per ta vene ne jete kete plan!Por kjo perndjekje nuk iu be vetem profesorit te nderuar Abdulla Kapidani te cilin me kete rast e pershendes por edhe qindra specialisteve te tjere te bujqesise e fushave te tjera te ekonomise . Ne Institucionin ku punoja une jane pushuar me liste brenda nji dite 25 punonjes , nder ta 15 specialiste te larte! dhe cudia ishte se i ra per pjese qe ti pushonte nga puna per ti zevendesuar me 25 te tjere te PD, nji ministri bujqesie qe edhe ai vete kishte qene agranom .Keto ishin dhe jane bemat e tranzicionit shqiptar qe nuk paska fund!
    Te pergezoi per shkrimin.
    Fatmir Xhamallati

    Reply to this comment
  5. Rmadani August 6, 20:10

    Ta gezosh 80 vjetorin i dashur koleg, njeriu i mire Abdulla. Te uroj shendet e gjithe te mirat familjarisht. Pergezime Bashkimit qe kujtohet te shkruaje.

    Reply to this comment
  6. Nesti August 6, 22:12

    Profesor Abdulla Kapidani model i pedagogut , shkencetar ne fushen e entomologjise , i drejte , i sinqerte dhe shume i sjellshem e komunikues me studrntet. Puna e tij me autoritet , shembull per tu ndjekur ne jeten e punen e perditshem per gjithesecilin.

    Reply to this comment
  7. Nesti August 6, 22:22

    Profesor Abdulla Kapidani model i pedagogut , shkencetar ne fushen e entomologjise , i drejte , i sinqerte dhe shume i sjellshem e komunikues me studrntet. Puna e tij me autoritet , shembull per tu ndjekur ne jeten e punen e perditshem per gjithesecilin.
    Urime dhe gjithe t emirat e u befsh 100 vjet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*