Abramoviç, arrestim dhe përgënjeshtrime

Redaksia Online March 25, 2013 23:12

Abramoviç, arrestim dhe përgënjeshtrime

Media ruse shkruan për ndalim nga FBI në Nju Jork, bosi i Çelsit mohon lajmet

Roman Abramoviç është ndaluar nga FBI në Nju Jork. Lajmi bëhet i ditur nga media ruse, e cila i referohet një deklarate të bërë nga Aleksander Dobrovinski, avokati i Boris Berezovskit, miliarderi rus që u gjet i vdekur në banesën e tij në Londër të shtunën. I ndjeri ka qenë më parë ortak biznesi me bosin e Çelsit. Pyetjes nëse ndalimi i Abramoviçit ka pasur lidhje me vdekjen e Berezovskit, avokati iu përgjigj negativisht, duke shtuar se ndalimi ka të bëjë me dyshimet për pastrim parash. Por menjëherë pas përhapjes së lajmit për arrestimin e tij, manjati rus i naftës dhe aluminit përgënjeshtroi nëpërmjet zëdhënësit të tij. “Asgjë s’është e vërtetë. Abramoviç ndodhet vërtet në Nju Jork, por as është arrestuar dhe as është pyetur nga FBI”, deklaroi zëdhënësi Xhon Man. Lajmi për ndalimin e tij është përgënjeshtruar edhe nga klubi i futbollit Çelsi. Tymnajës së krijuar nga media ruse i ka vënë kapak edhe vetë FBI. Zëdhënësi i saj, Paul Breson, mohoi informacionet se Abramoviç është arrestuar, ndaluar apo të ketë pasur kontakte me agjentë të FBI-së. Sipas revistës “Forbes”, Abramoviç ndodhet në Nju Jork me jahtin e tij “Eclipse” që prej muajit shkurt, për të qenë pranë të fejuarës shtatzënë, Daria Zhukova, e cila ka dashur që ta lindë në Nju Jork fëmijën e saj.

 

Redaksia Online March 25, 2013 23:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*