Abuzimi me pronat në Karaburun, Prokuroria ankimon vendimet në Apel

April 20, 2018 21:54

Abuzimi me pronat në Karaburun, Prokuroria ankimon vendimet në Apel

 

Skandali i tjetërsimit të mbi 340 hektarëve tokë në brigjet  Karaburunit, Palasës dhe Zvërnecit tashmë do të zhvendoset në Gjykatën e Apelit. Prokuroria nuk është pajtuar me vendimet e dhëna në shkallën e parë dhe për pasojë ka çuar çështjen në apel.

Në një dosje voluminoze me 70 faqe, prokuroria rendit disa fakte pse sipas saj vendimi i shkallës së parë është i padrejtë dhe nuk merr në konsideratë shumë prova. Po ashtu prokuroria argumenton se vendimi në shkallën e parë shkel disa ligje dhe nuk bazohet në rrethanat e skemës së abuzimit.

Në mënyrë të veçantë kundërshtohet pafajësia që Gjykata e Vlorës i dha avokatit Enkes Hysendhima, të cilin organi i akuzës e cilëson si person kryesor në të gjitha skemat e tjetërsimit të pronësisë të mbi 340 hektarëve truall pranë bregdetit në Karaburun, Palasë dhe Zvërnec.

Për përfitimin e këtyre sipërfaqeve janë falsifikuar tre vendime gjyqësore të Gjykatës së Vlorës, falsifikime të cilat janë vërtetuar edhe nga dëshmitë e gjyqtarëve që u ishte shënuar emri në vendime.

Madje, një prej vendimeve gjyqësore mbante emrin e gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, që u ekzekutua me eksploziv në automjetin e tij.

Një tjetër provë e pakontestueshme sipas prokurorisë është edhe fakti që përfituesi kryesore i tokave, punonjësi i varrezave të Vlorës Raimond Mezi, ka deklaruar se ai nuk ishte në dijeni të asnjë procedure dhe se me kërkesë të avokatit Enkes Hysendhima kishte firmosur në disa letra të bardha.

Mezi ka deklaruar gjithashtu se kishte marrë nga avokati Hysendhima edhe një shumë prej katër milionë lekësh, të dhëna në disa këste, si të ardhura nga shitja e disa pronave.

Por, pavarësisht këtyre fakteve, Gjykata e Vlorës nuk u bind te implikimi i avokatit Hysendhima në këtë skemë falsifikimi, duke e shpallur të pafajshëm.

Sipas Prokurorisë, në skemën e falsifikimit të dokumenteve, përveç avokatit, Hysendhima janë të përfshirë edhe ish-arkivistja e Gjykatës, Donika Besimaj, e cila ka futur këto vendime në arkivën e gjykatës dhe ish-punonjësja e ZVRPP të Vlorës Blerina Dhrami, e cila ka regjistruar pronat me dokumente të falsifikuara.

Edhe pse të dyja punonjësja janë dënuar respektivisht me 2 vjet me kusht dhe katër vjet burgim, prokuroria pretendon se masat e dënimit janë të ulëta në krahasim me veprën penale dhe pasojat që kanë shkaktuar.

Tanimë pritet që këto pretendime të organit të akuzës t’i vlerësojë Gjykata e Apelit të Vlorës.

l.h/ dita

April 20, 2018 21:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*