Administrata, fytyra e Qeverisë

July 17, 2017 19:37

Administrata, fytyra e Qeverisë

 

Ismet Isufi      

Ja ku jemi, pas 25 vjetësh! E shikojmë, ndjejmë, e heqim në kurriz çdo gjë që ka të bëjë me Shtetin, Qeverinë dhe administratën. Prej “elitës” politike, gjithçka ka ecur për keq e për dreq, në dëm të Shqipërisë e të shqiptarëve. Nëse ka vend se ku duhet të bjerë tërmet, për gjendjen katastrofike të krijuar në vite, më së pari është në gjykatë dhe në administratë, për shkak të degradimit e degjenerimit të tyre. Këtë e di i madh e i vogël në Shqipëri.

Gjithë lumenjtë e Shqipërisë, të derdhen mbi to, është tepër e vështirë të pastrojnë mal-plehun e grumbulluar në Hauret e Avgjisë, pikërisht në gjykatë e në administratë. Këtë situatë  dramatike e komike, e qëndis bukur rapsodi vlonjat Feti Brahimaj: “Hidhuni vetë, çaje detin,/ s’e nuk ke punë me Shtetin!/ Se Shteti, që ta marrësh vesh,/Nuk të jep, por t’i shpiesh!”

Në zyrat e shtetit  e të administratës qyqarët qytetarë i çon halli e jo malli. Po ç’e do, halli zvogëlohet aq shumë ndaj përballjes që të gjen me nëpunësit e administratës. Të duhet të kesh nerva të çelikta, të jesh pa gojë, pa vesh, i paditur, dhe të presësh me gojë hapur gjithçka që del nga goja e tyre, edhe kur të shesin sapunin për djathë, apo ta shesin për flori, kur ajo është jo baltë, por llucë-kënete.

Varin turinjtë, ulin sytë, të flasin me tangarllëk, të sorollasin, të gënjejnë, të mërzisin; zhbëjnë edhe shqipen e  nuk dinë as aritmetikën elementare. Në keni inat ndonjërin, mallëkojeni “Paç hall, e shkofsh në dyert e gjykatës e të administratës! Me siguri e keni marrë të plotë hakun, për padrejtësitë  e vuajtjet që i shkaktohen!

Kryeministri në detyrë, premtoi se do ta bëjë administratën të thotë: ”Të lutem!”.  Bukur! Shpresojmë! Nuk kam takat t’a kundërshtoj. Jo se nuk kam guxim çfarë t’i them, por më shumë mua dhe shqiptarëve u intereson nëse ai me ekipin realisht e jo formalisht dëgjon ato që i thonë njerëz të thjeshtë e të mençur, nevojtarë, përtej të majtës e të djathtës, dhe mendojnë e veprojnë  shpejt në drejtim të përmirësimit të gjithçkaje, në detyrën e lartë të besuar, të qeverisjes së shqiptarëve.

Them e ndjej kështu, se në këto 27 vjet, jo vetëm që jemi ngopur, por jemi velur e ndjejmë neveri nga premtimet e elitës politike. Mirë le të dëgjojnë, të mbajnë shënim si përherë, por edhe të veprojnë sa më parë e në heshtje, pa zhurmë e bujë. Flet vetë puna. E shikojnë vetë qytetarët e Tiranës e të Shqipërisë e përtej saj, se si punon Bashkia dhe Kryetari i saj.

Reforma në administratë është domosdoshmëri jetike! Ka rëndësi dhe etika, jo thjesht të ngrihet nëpunësi në këmbë, të thotë “Mirëmëngjes, Mirëdita, Mirëseerdhe”. Por kryesisht, mbase më mirë, “Mirseadhët,për çfarë mund t’iu shërbej! Për çfarë mund t’iu vij në ndihmë!” Pra, të kryejë detyrën, në funksion të zgjidhjes së hallit, në pajtim me ligjin.

Lista e zezë e publikuar dha efektet e saj. Shumë mendojnë për mirë. Të tjerë për keq, sidomos nga ata që kanë mizën në kësulë. Por presioni dhe kontrolli duhen dhe lypset të jenë real, jo formal, si ai i brendshëm dhe ai i jashtëm. Kontrolli duhet të funksionojë në të gjitha institucionet e organet shtetërore; madje edhe mbi kontrollin, të ketë kontroll.

Reforma ose ndryshe pastrimi i gjithçkaje që pengon e kutërbon në administratë duhet bërë sa më parë. Na duhen njerëz që të zgjidhin hall, e jo nga ata që të lidhin me njëmijë litarë e zinxhirë e të bëhesh skllav i tyre. Ne duam që nëpunësit, të shtetit a administratës t’i shërbejnë popullit, jo t’i rrinë si shushunja e telvik në qafë. Pastrimi radikal i administratës, ngritja nga gjoli kutërbonjës i 25 viteve, është jetike për Shqipërinë e shqiptarët!

Por kush do ta bëjë edhe aty “vettingun”? Pyetje e vështirë për përgjigje të saktë. Më e vështirë se përgjigja është  puna për ta bërë realitet.

Dihet se një rrezik që u vjen qeverive, që ikin e vijnë, është dhe vetë administrata e saj. Siç është vetë Qeveria, të tillë ka dhe administratën, krijuar me dorë e vulën e saj. Ajo është fara e mbjellë dhe rezultati i korrur, po me dorën e saj. Ja ku jemi! Ku ishte e ku është Partia-Shtet Demokratike! Nuk u dënua, vetëm më 25 qershor, por ka vite më parë dhe midis shumë arsyeve është edhe nga administrata që ideoi e realizoi në 25 vite! Kot ankohet, që i iku pushteti, se i vodhën votat! I madh e i vogël e di, se sado që të vidhet, prapë po ai rezultat do jetë. Përgjithësisht, shqiptarët votojnë drejt, edhe pse i kanë vjedhur. Po vjedhjen e votës s’e shpikën votuesit, por qeveritarët, madje këta që sokëllasin për vjedhje e kthyen atë në ligj e në moral të Partisë-Shtet e të administratës militante të saj.

Gjithë shqiptarët, të majtë  e të djathtë e duan ndryshimin rrënjësor në administratë. Sot e ndjen dhe e thekson me forcë Kryeministri në detyrë, ku premton një ndryshim radikal të saj në shërbim të qytetarëve. Por këtë nuk e kemi dëgjuar vetëm sot, por plot 25 vjet. Sidoqoftë, shumica e shqiptarëve, i besoi për herë të dytë Kryeministrit dhe forcës që ai udhëheq. Dhe mirë bëri! HALLALL E PAÇ! po e bëre realitet këtë premtim madhor, të dobishëm për çdo shqiptar, me e pa teserë partie! Por tre milionë e ca më shumë herë “HARRAM E PAÇI! nëse zhgënjen shqiptarët, pasi tani timonin e kini vetë në dorë.

July 17, 2017 19:37
Komento

3 Komente

  1. zekthi July 22, 19:58

    Ne dëgjesat qe bëhen me popullin e thjeshte neper qytete,ngrihen shume probleme per administraten pothuj ne te gjitha hallkat e saj. Njerez hallexhinj e kane hequr ne kurriz arrogancen e njerzve te punesuar nga partite ( pa perjashtim perfshi edhe PS ).Prandaj ngrihen edhe probleme direkt.
    Pas verifikimit keto dalin te verteta.
    Por nga denoncimi qe u be ne Berat nga nje zonje per hipotekimin e shtepise, pas shkarkimit te drejtorit dhe shkrirjes sezyres , u shkrua se ajo zonja ishte kercenuar apo kishte frike nga hakmarrja ndaj saj dhe familjes.
    Pra ,Te miren qe ka kjo menyre denoncimi hapur ka nje te keqe te madhe pasi ekspozohesh dhe ne keto kohra fillon hakmarrja me heqie qafe nga te fortet qe kane bere para me korrupsion dhe me karriken e zyres.
    Ne se nuk do te ndertohet nje administrate e afte, serioze qe punon dhe jo qe perkeledhet nga partia, NUK NDERTOHET shteti sado reforma te behen.
    REFORMA ME E MADHE DUHET TE BEHET NE ADMINISTRATE.
    Ka dhjetra inspektoriate nga te gjitha Ministrite me dhjetra te punesuar qe jane militant partie dhe marrin rrogen nga shtepia sidomos nga LSi-ja. Pushteti lokal i ” reformuar ” puneson neper njesite administrative dhe ndermarrjet varese njerz qe nuk shkojne fare ne pune ose qe merren me biznese tere diten.
    DUHET RISTRUKTURUAR QE NGA MINISTRITE ADMINISTRATA DHE ZYRAT E SHTETIT TE BEHEN EFEKTIVE.
    Qeveria te veje ne levizje sa me pare organizmat kopetente te kontrollit dhe do te shikoje :
    -si eshte zbatuar organika, si eshte shpenzuar fondi i pagave. Jetojne ne nje qytet dhe marrin paret ne bankomat ne qytete te tjera pa u paraqitur.
    – Jane punesuar te gjithe anetaret e disa familjeve ( ka edhe nga 2 e tre drejtora e pergjegjesa zyrash nga keto familje) Burri,gruaja,kunata,nusia,dhenderri,vajza,vjerri,vjerra etj. Punesohen biznesmene ne prag pensioni ne zyrat e bashkive. Punesohen pensionist qe bejne organikat e zyrave te shtetit per llogari te Partise LSi-se. ( Nga nje here edhe me metoden e Shykriut te Peshkopise ).
    Njerez te thjeshte nuk kane asnje te punesuar me gjithese te arsimuar .
    – Ne dogana,tatime etj disa jane mykosur dhe jane renduar nga paret e ” pastra “.
    -Neper zyrat e sigurimeve shoqerore ( pensioneve,si ne Gjirokaster p.sh ) kur te vjen koha e daljes ne pension, neper zyrat e ngjeshura ne personel partiak,eshte e pa mundur te zgjidhesh probleme. Te shuajn edhe vitet e punes qe ke mbi baze dokumentash dhe do bredhesh gjyqeve.
    -Ne punesimet ne aresim jane bere norme 5000 Eura per te marre vendin e punes, apo 100-200 Euro per provim.
    Dhe ne shume raste nuk duhet mjaftuar me Doreheqie ose largime por me pergjegjesi ligjore.
    Qeveria duhet te funksionoje ne te gjithe zinxhirin e saj. Levizja qe ka marre kryeministri eshte positive. Vetem z. Kryeminister nuk ja del dot kesaj pune !
    Vur ne eficence hallkat Z, Kryeminister!

    PA ADMINISTRATE TE SHENDOSH NE SHERBIN TE QYTETARIT, NUK KA SHTET !

    Reply to this comment
  2. Lepjeta July 22, 22:29

    Hallall per kete shkrim te sakt

    Reply to this comment
  3. Nene Pashako D. August 11, 23:49

    Degjo “zekthin”z.kryeminister dhe verpo.Mos harro;Trimi i mire me shoke shume.
    Nene Pashako D

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*