Admiruesit e Zoran Gjingjiçit vajtojnë për zbehjen e ndikimit të tij

March 13, 2016 18:30

Admiruesit e Zoran Gjingjiçit vajtojnë për zbehjen e ndikimit të tij

Njëzet e tre-vjeçarja Anka Gjuriçiç ka marrë pjesë deri më tani pesë herë në një konkurs të përvitshëm të titulluar “Fjalime në nder të Zoranit”.

Herën e parë ajo doli para audiencës në qytetin e saj në Kragujevc në Serbinë qendrore, sapo kishte mbushur 18 vjeçe. Ajo tha ajo e pa atë si një mënyrë për të re për t’u shprehur lirshëm, “pa censurë dhe frikë”.

Por me kalimin e viteve, motivet e saj kanë ndryshuar.

“Këtë vit, ndjeva detyrimin të aplikoja për të marrë pjesë në konkurs. Idetë e Zoranit po veniten në shoqërinë tonë. Dhe kjo nuk është e mirë,” tha Gjuriçiç për BIRN.

Ajo është një nga disa qindra njerëz – kryesisht adoleshentë dhe studente – që kanë marrë pjesë në konkursin e përvitshëm, të organizuar nga ish-Partia Demokratike e kryeministrit të vrarë dhe Fondacioni Zoran Gjingjiç, i cili u themelua në vitin 2006.

Disa raunde të konkursit zhvillohen në qytete në të gjithë Serbinë para finales, e cila zhvillohet gjithmonë në përvjetorin e vdekjes së Gjingjiçit, më 12 mars.

Gjuriçiç, tani një studente për drejtësi, tha se ajo është frymëzuar nga idealet e Gjingjiçit. Gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi dhe deri në vrasjen e tij nga një snajper në vitin 2003, Gjingjiç ka mbetur një lider pro-europian, i cili kërkonte të mbështeste vlerat demokratike në Serbi.

“Është një privilegj të flasësh në nder të tij,” tha Gjuriçiç.

Ndryshimi i kohëve politike

Gjingjiç ishte kryeministër nga 2001 ne 2003. Foto: BETA.

Gjingjiç ishte kryeministër nga 2001 ne 2003. Foto: BETA.

Gjingjiç ishte ndër 13 themeluesit e Partisë Demokratike, e cila drejtoi një revoltë kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit në tetot 2000. Ai u bë kryeministër në vitin 2001.

Pas marrjes së postit, ai luajti një rol të rëndësishëm në arrestimin dhe ekstradimin e Millosheviçit në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte, duke shkaktuar një armiqësi të gjatë me nacionalistë të vijës së ashpër.

Në vitet pas vrasjes së tij, peizazhi politik ka ndryshuar në mënyrë drastike në Serbi.

Partia e tij Demokratike u mund bindshëm në votimet e vitit 2012, duke u rikthyer në opozitë dhe më pas duke u ndarë mes radhëve të saj.

Disa prej ish-aleatëve të Millosheviçit, si kryeministri Aleksandër Vuçiç, tani mbajnë pushtetin.

Edhe përkujtimorja e përvitshme e vdekjes së tij në Beograd më 12 mars reflekton ndarjet që dolën në pah pas vdekjes së tij.

Sfondi politik për një vrasje të pazgjidhur

Në një gjyq që përfundoi në vitin 2007, Gjykata Speciale për Krimin e Organizuar dënoi 12 persona me një total prej 378 vjet burg për vrasjen e Zoran Gjingjiç.

Milorad Ulemek, i njohur ndryshe si “Legija”, ish-komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale të Ministrisë së Brendshme, JSO, u shpall fajtor për organizimin e një grupi që thuri komplotin për ta vrarë atë dhe u dënua me 40 vjet burg.

Zvezdan Jovanoviç, në shërbim aktiv me JSO-në në kohën e vrasjes, u shpall fajtor se qëlloi plumbat që vranë kryeministrin dhe u dënua gjithashtu me 40 vjet burg.

Dhjetë të mbeturit, duke përfshirë ish-burra të JSO-së, ish-policë dhe pjesëtarë të të ashtuquajturës banda “Zemun”, një klan i organizuar krimi që mbante emrin e një lagje të Beogradit, u dënuan me nga 30 dhe 35 vjet burg.

Megjithatë, sfondi politik në këtë vrasje ende mbetet i paqartë me gjithë përpjekjet e familjes së Gjingjiçit për ta bindur prokurorinë të hetojë plotësisht rrethanat që sollën vrasjen dhe personat që e urdhëruan atë.

Partia Demokratike dhe dega e saj, Partia Liberale Demokratike, LDP, më pas organizojnë marshime në të gjithë qytetin, me njerëz që mbajnë lule, trëndafila dhe qirinj, por e bëjnë këtë më vete.

Pjesa e madhe e marshuesve janë anëtarë partish, jo qytetarë të zakonshëm.

Që nga viti 2003, shumica e administratave të mëvonshme e kanë përkujtuar atë duke vendosur kurora para ndërtesës së qeverisë në rrugën Nemanjina në qendër të kryeqytetit, ku ai u qëllua për vdekje.

Kryeministri aktual dhe ministrat e tij e përkujtuan gjithashtu vdekjen e Gjingjiçit vitin e kaluar, me Vuçiçin që bëri thirrje për t’i dhënë fund ndarjeve brenda shoqërisë.

“Një shtet i mirë, normal dhe i rregulluar, ku mendimet kundërshtuese shkaktojnë debat dhe jo vdekje, ishte gjithashtu ideali për Zoran Gjingjiçin,” tha Vuçiç.

Zyra e shtypit e qeverisë tha për BIRN se zyrtarët ndoshta do ta nderonin Gjingjiçit përsëri në përkujtimoren e të shtunës.

Por admiruesit e tij, si Anka Gjuriçiç, druhen se idealet e tij do të harrohen përsëri për një tjetër vit, deri kur të afrojë përvjetori i vitit të ardhshëm.

Ratko Bozoviç, një profesor serb sociologjie i dalë në pensin, sugjeroi lënia pas dore për kujtimin e Gjingjiçit ishin rezultat i ndryshimit të kohëve politike.

“Kultura e përkujtimit në Serbi formësohet nga palët e regjimit dhe mediat që janë zëdhënëset e tyre,” tha Bozoviç për BIRN.

Një reformator progresiv si Gjingjiç është jashtë modës politike tani dhe disa nga njerëzit që ai kundërshtoi diku tani janë në pushtet, tha Bozoviç, duke e përshkruar situatën si “një absurditet historik”.

Një statujë e vetme

Funerali i Gjingjiçit ne Beograd, 2003. Foto: BETA

Funerali i Gjingjiçit ne Beograd, 2003. Foto: BETA

Që pas vrasjes së Gjingjiçit, disa qytet në të gjithë Serbinë i kanë vënë emrin e tij rrugëve apo shesheve. Kryeqyteti e quajti një bulevard në bashkinë e Beogradit të Ri në nder të tij. Novi Sadi, Nisi, Kragujevci dhe Novi Pazari kanë ndjekur këtë shembull.

Dy sheshe kanë marrë gjithashtu emrin e politikanit të vrarë – një në qytetin verior të Zrenjaninit në vitin 2010, tjetri në qytetin qendror të Pancevos një vit më vonë.

Por deri tani, vetëm një qytet në Serbi, Prokuplje, e ka nderuar Gjingjiçin me një monument, dhe disa shprehen se kryeqyteti, Beogradi, nuk ka arritur ta nderojë si duhet njeriun që ishte kryebashkiaku i tij në vitin 1997.

Vendimi për të ngritur një monument u miratua nga autoritetet e qytetit në vitin 2013, por që atëherë nuk ka ndodhur asgjë.

Gorica Mojoviç nga Partia Demokratike është ankuar se kur u zgjodhën autoritetet e reja, procesi ndaloi.

“Ishin bërë disa hapa të rëndësishëm. Gjetja e një vendi, hapja e një konkursi ndërkombëtar… Madje, ishte zgjedhur edhe një juri për të vendosur mbi ofertën,” tha Mojoviç për mediat.

“Dhe pastaj erdhën zgjedhjet dhe riorganizimi i autoriteteve të Beogradit dhe nuk kam më shumë informacione rreth monumentit,” tha ai.

Menaxheri i Qytetit të Beogradit , Goran Vesiç, ka premtuar se qyteti në fund do ta zbatojë vendimin për të nderuar Gjingjiçin me një statujë, por ai nuk e di se kur – “me shumë gjasa, në periudhën në vazhdim”, tha ai. / BIRN

March 13, 2016 18:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim