Afatet dhe kriteret për regjistrimet në çerdhet e Tiranës

June 2, 2018 08:59

Afatet dhe kriteret për regjistrimet në çerdhet e Tiranës

Pranvera Kola

Për të siguruar një vend pranimi për fëmijët e tyre në çerdhet publike të kryeqytetit, prindërit duhet të kryejnë procedurat e regjistrimeve në afatet e caktuara. Për këtë vit është menduar që procesi i pranimeve të zhvillohet në mbyllje të këtij muaji.

Qendra Ekonomike e Edukimit dhe Zhvillimit të Fëmijëve në Bashkinë e Tiranës bën me dije se: “Aplikimet zyrtare për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet  e Tiranës do të kryhen në datat 25-29 qershor. Pranimi i dokumenteve të kërkuara për secilën kategori do të bëhet nga ora 09:00-14:00”. Gjithashtu janë përcaktuar edhe kriteret, si dhe dosja e dokumenteve që duhet të dorëzoni gjatë kësaj faze. Duke qenë se fluksi i kërkesave për regjistrime të reja edhe këtë vit pritet të jetë shumë herë më i lartë se sa kapacitetet e mundshme të pranimit, disa kategori fëmijësh do jenë prioritet në regjistrime. Sipas autoriteteve të kësaj qendre, përparësi në përzgjedhje do u jepet fëmijëve familjet e të cilëve aktualisht trajtohen dhe janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, fëmijëve me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike, fëmijëve që janë me status jetimi, fëmijëve që rriten nga një prind, fëmijëve të nënave kryefamiljare dhe nënave të veja, si dhe kategorive të tjera me probleme apo vështirësi social-ekonomike.

Në vijim të shkrimit do të gjeni dosjen e detajuar të dokumenteve që duhet të dorëzoni për secilin rast në afatet e përcaktuara. Për të lehtësuar procedurat, autoritetet e kësaj qendre sqarojnë për prindërit se: “Dokumentacionin e kërkuar ju mund ta shkarkoni nga sistemi elektronik e-albania, si posedues të kodit personal me kartë identiteti. Në rastet kur kjo nuk është e mundur, duhet që të dorëzoni pranë komisionit një fotokopje të kartës së identitetit, si dhe të plotësoni deklaratën personale në zbatim të ligjit për “Mbrojtjen e të dhënave personale”.

Për të shmangur mbingarkesat, edhe për pranimet e këtij viti është menduar që regjistrimet e fëmijëve të lejohen vetëm sipas vendbanimit. Çka do të thotë se prindërit nuk mund të kërkojnë që fëmija i tyre të regjistrohet në një kopsht të preferuar, që nuk i përket njësisë ku dhe ka vendbanimin. Për vite me radhë kjo problematikë ka bërë që në shumë çerdhe të Tiranës të ketë një mbingarkesë shumë të madhe regjistrimesh.

Po sipas drejtuesve të kësaj qendre, çerdhet do të vijojnë të qëndrojnë të hapura edhe gjatë verës, kjo me qëllim për t’u ardhur në ndihëm prindërve që janë në punë. Duke nisur nga përvoja e vitit të kaluar, fluksi i kërkesave për regjistrime të reja në çerdhet publike pritet të jetë tepër i lartë. Përgjatë vitit të shkuar janë paraqitur rreth 7 mijë kërkesa aplikimi, por vetëm një pjesë e tyre kanë mundur të regjistrojnë fëmijët. Kjo për shkak të kapaciteteve të kufizuara.

 

Dokumentacioni i duhur për secilën kategori

Për fëmijët me statusin e jetimit kërkohet:

  • Libreza e statusit të jetimit.
  • Certifikata personale e fëmijës, si dhe ajo familjare.

 

Për fëmijët që vijnë nga familje ku kujdestari ligjor ka status jetimi kërkohet:

  • Libreza e statusit të jetimit të kujdestarit ligjor.
  • Certifikata personale e fëmijës, si dhe ajo familjare.

 

Për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore, fizike, apo me sëmundje të rënda duhet që të dorëzoni:

  • Raportin mjeko-ligjor të fëmijës.
  • Certifikatën personale dhe atë familjare të fëmijës.

 

Për fëmijët , familjet e të cilave trajtohen me ndihmë ekonomike kërkohet:

  • Certifikata personale dhe ajo familjare e fëmijës.
  • Vërtetimi nga Njësia Administrative për trajtimin me ndihmë ekonomike të kujdestarit ligjor të fëmijës.

 

Për fëmijët nga familjet monoprindërore, ku kujdestari e ka pagën nën nivelin e pagës minimale kërkohet:

  • Certifikata personale dhe ajo familjare e fëmijës.
  • Vërtetim page i kujdestarit ligjor, i cili duhet të jetë nën vlerën minimale të pagës minimale të përcaktuar në Republikën e Shqipërisë ( që aktualisht është 24,000 lekë).
  • Vërtetim për kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore për individin e siguruar si kujdestar ligjor.

 

Për fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor i fëmijës është i divorcuar, ose i ve, sipas certifikatës familjare, por që është nën pagën minimale në shkallë vendi kërkohet:

  • Certifikata personale dhe ajo familjare e fëmijës.
  • Vërtetim page i kujdestarit ligjor i cili duhet të jetë nën vlerën e pagës minimale të përcaktuar në Republikën e Shqipërisë (24,000 lekë).
  • Vërtetim për kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore për individin e siguruar si kujdestar ligjor.

 

Dokumentacioni për të gjitha kategoritë e tjera social ekonomike duhet të përfshijë:

  • Certifikata personale dhe ajo familjare e fëmijës.
  • Vërtetim pune me pagë mujore të pasqyruar të kujdestarit ligjor (të prindërve).
  • Vërtetim për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të kujdestarit ligjor të fëmijës.

 

DITA

June 2, 2018 08:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*