Afatet dhe kriteret për të fituar bursën e studimit

March 8, 2019 16:16

Afatet dhe kriteret për të fituar bursën e studimit

Kanë nisur tashmë aplikimet për bursat e studimit në programet e nivelit të dytë “Master” dhe ciklit të tretë “Doktoraturë” në institucionet e arsimit të lartë francez. Autoritetet e këtij shteti  në vendin tonë kanë bërë publike procedurat dhe afatet që duhet të ndjekë çdo student shqiptar që është i interesuar për të vijuar studimet universitare në Francë, duke përfituar nga programi i bursave. Aplikimi zhvillohet me anë të dosjes. Çka do të thotë se çdo kandidat i interesuar për këto cikle studimesh duhet të përgatisë dosjen e dokumenteve të kërkuara dhe ta dorëzojë atë pranë Ambasadës Franceze në vendin tonë, sipas afateve të përcaktuara.

Afatet dhe kushtet e aplikimit

“Ambasada e Francës në Shqipëri mbështet studentët shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet në një universitet francez, duke u akorduar bursa studimi për nivelet “Master” dhe “Doktoraturë” (tezë në cotutelle). Dosja duhet dërguar ose depozituar para 31 majit 2019 në Ambasadën e Francës në Shqipëri”, bëjnë me dije autoritetet e Ambasadës Franceze në vendin tonë. Dosja e aplikimit për secilin cikël studimesh duhet të ketë në përmbajtje të saj formularin e kandidaturës sipas ciklit ku aplikohet, kopjen e pasaportës, kopjen e diplomës më të lartë dhe listat e notave (dokumente të përkthyera dhe të noterizuara). Një ndër dokumentet bazë duhet të përfshini në dosje është edhe dokumenti që vërteton njohjen e gjuhës frënge (B2) ose angleze sipas Masterit, ose tezës së parashikuar. Gjithashtu dosjes së aplikimit duhet që t;i bashkëngjisni edhe Curriculum-vitae në frëngjisht (në anglisht vetëm për shkollimin në anglisht), letrën e motivimit në frëngjisht për të prezantuar projektin e shkollimit në Francë (në anglisht vetëm për shkollim në anglisht), marrëveshjen për tezën e “doktoraturës në cotutelle”, letrën e rekomandimit nga drejtuesi,ose një pedagog i institucionit nga vjen kandidati, si dhe vërtetimin e regjistrimit ose kopje të korrespondencës së shkëmbyer me universitetin francez.

Kushtet për t’u zgjedhur

Sa i takon fushave të studimit bëhet e ditur se përfshihen të gjitha disiplinat. Megjithatë, prioritet do të kenë fushat në vijim: klima, biodiversiteti, mjekësi, energji, migracioni. Për të siguruar këto bursa kandidati duhet të ketë shtetësi shqiptare. Bursat do t’u akordohen vetëm kandidatëve që kanë një regjistrim në një universitet francez. Dosjet shqyrtohen nga Shërbimi për Bashkëpunim dhe Veprimtari Kulturore. Çdo dosje e paplotë ose jashtë kritereve nuk pranohet. Për kandidatët, dosjet e të cilëve do të paraseleksionohen, do të ketë edhe një intervistë. Lidhur me afatet e shpalljes së vendimeve  mbi kandidatët e përzgjedhur bëhet e ditur se: “Vendimet e jurisë do t’u komunikohen kandidatëve gjatë muajit korrik 2019. Juria është e pavarur dhe vendimi i saj është përfundimtar”.

Çfarë përfshin bursa

Për nivelin master, kandidaturat për “Master 2” do të jenë prioritare dhe bursa nuk mund të jetë më shumë se 10 muaj (shtator 2019 – qershor 2020). Në këto raste bursa përfshin një pagesë mujore 700 euro , përjashtim nga tarifa e regjistrimit në institucionet publike të arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Arsimit të Lartë, Kërkimit dhe Inovacionit, mbulim të shpenzimeve për formim sipas tavanit të përcaktuar, një shumë prej 700 euro për shpenzime për formim, sigurim shoqëror, si dhe asistencë për të kërkuar strehim.  Ndërsa bursa për “doktoraturat në cotutelle “bursa përfshin15 muaj mobilitet të shpërndara në 3 vite akademike të njëpasnjëshme, sigurim shoqëror, si dhe pagesë mujore 1060 euro. Në të dyja rastet bëhet e ditur se bursat nuk mbulojnë blerjen e biletave të avionit për kandidatët që shpallen fitues për të vijuar studimet në këto dy cikle universitare. Kjo kosto mbulohet nga vetë studenti.

Dosja e kandidaturës duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:

  • Formularin e kandidaturës për Master (Word – 44,5 ko) ose për Doktoraturë (Word – 44,5 ko).
  • Kopjen e pasaportës.
  • Kopjen e diplomës më të lartë dhe listat e notave (dokumente të përkthyera dhe të noterizuara).
  • Dokumentin që vërteton njohjen e gjuhës frënge (B2) ose angleze sipas Masterit ose tezës së parashikuar.
  • Curriculum-vitae në frëngjisht (në anglisht vetëm për shkollimin në anglisht) .
  • Letrën e motivimit në frëngjisht për të prezantuar projektin e shkollimit në Francë (në anglisht vetëm për shkollim në anglisht).
  • Marrëveshjen për tezën e doktoraturës në cotutelle.
  • Letra/te rekomandimit nga drejtuesi ose një pedagog i institucionit nga vjen kandidati.
  • Vërtetimin e regjistrimit ose kopje të korespondencës së shkëmbyer me universitetin francez. Bursat do t’u akordohen vetëm kandidatëve që kanë një regjistrim në një universitet francez.

p.k/ dita

March 8, 2019 16:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*