Hiqet pezullimi i qumështit, Ministria: Analizat në Itali, të njëjta me ISUV

Redaksia Online March 5, 2013 10:00

Hiqet pezullimi i qumështit, Ministria: Analizat në Itali, të njëjta me ISUV

Hiqet pezullimi i tregtimit të qumështit për sasitë e bllokuara. Ministria e Bujqësisë ka bërë me dije se rezultatet e laboratorit të akredituar në Itali janë të njëjta me ato të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, duke theksuar se konsumi nuk paraqet asnjë rrezik.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë me përgjegjësi të plotë garantojnë publikun se përdorimi i qumështit nuk parqet asnjë rrezik për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Sipas tij, pjesa më e madhe e kampionaturave të qumështit të marra në tregun shqiptar kanë dalë në nivele më poshtë normativës së Bashkimit Europian, por ka pasur kampionatura që kanë dalë mbi këtë normativë. Sipas ministrisë, në analiza kanë rezultuar lloje të qumështit me përmbajtje të aflatoksinës 2 deri në 3 herë më shumë se niveli që rekomandohet në Bashkimin Europian, por  këto nivele janë rreth 7 apo 8 herë më të ulta se niveli që lejohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe shumë vende të tjera të zhvilluara.

“Rezultatet e analizave, tregojnë që prania e Aflatoksinës te qumështi prodhim shqiptar është pak a shumë në nivele të njëjta dhe në qumështin që prodhohet në vendet fqinjë dhe në rajon. Këto rezultate rikonfirmojmë faktin që prania e shtuar e Aflatoksinës në qumësht, në të gjitha vendet e rajonit është e karakterit sezonal, dhe se mendohet që ky lloj myku ta ketë prejardhjen nga ushqimi i kafshëve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

 

Qumështi kancerogjen, Ruli e Panariti, sulm Kosovës: E bëri për konkurrencë

Ndërsa konsumatorët shqetësohen për qumështin e konsumuar, që më pas rezultoi se kishte sasi të lartë aflatoksine (toksinë kancerogjene), dy ministra shqiptarë sulmojnë Kosovën, duke thënë se krijoi pështjellim vetëm për shkak të konkurrencës.

Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, thotë se çështja e afklatoksinës u bë publike për shkak të luftës së pandershme tregtare mes vendeve të rajonit.

“Duke kuptuar qartë se çështja e aflatoksinës nuk lindi si një problem dhe përkujdesje ndaj mbrojtjes, shëndetit të konsumatorit, por si një luftë e pandershme tregtare mes vendeve të rajonit ne kemi për detyrim politik, por dhe profesional të mbrojmë nga goditje të tilla jo vetëm thjesht industrinë tonë moderne të përpunimit dhe të ambalazhimit të qumështit, por çka është më e rëndësishme të mbrojmë dhe interesat e jo më pak se 20 mijë fermerëve shqiptarë”, tha Ruli.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, tha se çështja e aflatoksinë nuk është gjë tjetër veçse një pengesë artificiale, pasi u bë për qëllime tregtare.

“Javën që vjen kam ndërmend që me ministrin Hoxhaj të nënshkruaj një protokoll të bashkëpunimit ekonomik me Republikën e Kosovës. Qëllimi është që ne të krijojmë hapësira sa më të mëdha të një tregu të përbashkët, ku te kemi qarkullim të lirë të mallrave, përfshirë këtu edhe produktet me origjinë shtazore, pa pengesa artificiale, siç ishte kjo pengesa e fundit, e cila ishte bërë thjesht për qëllime tregtare“, tha Panariti.

Pak ditë më parë, ishin pikërisht autoritetet kosovare ato që urdhëruan heqjen nga tregu i disa markave të qumështit, përfshirë këtu dy marka që importoheshin nga Shqipëria. Vendimi erdhi pasi në këto lloje qumështi u konstatua nivel i lartë i një substance kancerogjene me emrin aflatoksinë. Autoritetet në Shqipëri pranuan fillimisht se niveli i aflatoksinës në këto produkte ishte mbi normën e lejuar, por një ditë më pas Ministria e Bujqësisë bëri të ditur se qumështi ishte i sigurt dhe i ftoi qytetarët ta konsumojnë pa u shqetësuar.

 

Redaksia Online March 5, 2013 10:00
Komento

2 Komente

  1. Vezhguesi March 5, 13:19

    Ruli tha gje kush eshte standarti shqiptar?

    Reply to this comment
  2. eda March 5, 13:44

    Ruli mund te te thote sakte vetem sa leke duhen paguar per te manipuluar analizat qe te dalin gjithmone brenda normave.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*