Agjenti Sokol Haxhia: Jam gati të sjell trajnerë si De Biazi, ja ku çalon Shqiperia

April 25, 2015 19:28

Agjenti Sokol Haxhia: Jam gati të sjell trajnerë si De Biazi, ja ku çalon Shqiperia

Nëse sot të gjithë janë gati t’i bëjnë një “bust” Xhani de Biazit, sikur Shqipëria të kualifikohej për të parën herë në histori në një kampionat evropian, përpara katër vjetësh ishin në pikëpyetjet e njohura tashmë: “kush është ky, një Dosena i ri?!”… Ishte koha kur agjenti i njohur i licencuar prej disa vitesh nga UEFA, Sokol Haxhia, kontaktoi me italianin që prej dy vjetësh ishte pa punë dhe kishte nevojë për stimuj të rinj, duke ia këshilluar Federatës Shqiptare të Futbollit. Një bast mëse i fituar, sepse De Biazi jo vetëm që tashmë është bërë një nga trajnerët më të suksesshëm kuqezi, por është pajisur edhe me pasaportën shqiptare, raporton Sportekspres.

Veç De Biazit, Haxhia ka kryer edhe disa operacione të ndryshme, i fundit në rend kronologjik Vajushi tek Kievo, por sidomos në fushën e të rinjve, që xhirojnë nga një Akademi në një tjetër. Madje, edhe Etrit Berisha në Itali ishte pikërisht një bast i menaxherit shqiptar që jeton në Itali prej shumë vitesh, pavarësisht se më pas ishte Lacio që ndërhyri dhe të gjithë e dimë se si shkoi historia… Por, Sokol Haxhia është gati të bashkëpunojë me klubet shqiptare dhe ideja e tij është më e rëndësishme, për të ringritur futbollin kuqezi në vend.

Keni sjellë De Biazin dhe doli një bast i fituar, por a jeni gati që të sillni të tjerë si “Xhani” për të kuruar plot probleme të futbollit shqiptar?

Sigurisht që po. Duke qenë se jetoj në Itali e kam edhe më të lehtë që të bëj sondazhe të “terrenit” në fjalë, duke kontaktuar me disa trajnerë, por duhet parë edhe vullneti i shumë klubeve shqiptare, që vërtet duan të investojnë qindra mijëra euro në merkato për plotësimin e skuadrës. Pastaj, duhet parë se çfarë projekti dhe planesh kanë…

Në çkuptim e keni?

Mesa kam kuptuar, është krijuar një ide se ndoshta mjafton pjesëmarrja në Kupat e Europës dhe kaq… Po pastaj, a nuk duhet që investimet e bëra të kenë edhe frytet e tyre, sepse ashtu rrezikohet që të hidhen para më kot.

Cila është zgjidhja që paraqisni?

E qartë, jam i gatshëm të bashkëpunoj me klubet shqiptare, në çdo formë, në mënyrë që në Shqipëri të vijnë trajnerë cilësorë dhe me një cv të rëndësishme pas tyre, ashtu si ishte edhe me Xhani De Biazin

Por, kosto mund të bëhet pengesë, pasi rroga është problem…

Atëherë, nga përvoja që unë kam, trajnerët e mirë janë ato që çmojnë më shumë vlerën e futbollistëve që stërvisin dhe që kanë ardhur në merkato. Nëse investon mbi 500 mijë euro, s’mund të marrësh një trajner të nivelit të ulët, sepse është në dëmin tënd. Duhet të kesh një projekt afatgjatë. Mund të them se vetëm pak kohë më parë kisha një emër të rëndësishëm, si Marko Rosi, që sot drejton Budapest Honved dhe e dini se sa kërkonte rrogë?

Jo, sa?

Gati 5000-6000 euro, që nuk janë ndonjë gjë e madhe. Po ashtu, shembuj ka të shumtë. Por, ka edhe një problematikë tjetër që në Shqipëri nuk e vlerësojnë aq sa duhet

Ku e keni fjalën?

Tek të rinjtë, që janë edhe “ajka” e futbollit dhe pikërisht investimi për të ardhmen. Ka klube që jetojnë me rritjen dhe “kultivimin”. Kam parë tentativa kohët e fundit për binjakëzime, por duhet që edhe Akademitë të jenë të suksesshme. Ndoshta nënvlerësohen Akademitë, por ato janë më të rëndësishme dhe duhen njerëz tepër të përgjegjshëm në këtë fushë

Cila është ideja juaj?

Qoftë edhe binjakëzimi me Akademi të tjera dhe klube të nivelit të dytë si në Itali, apo edhe vende si Bullgari, Hungari e Slloveni. Çdo skuadër në botë ka binjakëzime, pikërisht për të pasur mundësi shkëmbimi lojtarësh dhe për t’i dhënë hapësira. Edhe trajnerët e Akademive duhet të jenë shumë cilësorë.

Po sa i përket futbollistëve shqiptarë të talentuar, pse hasin vështirësi që të “çajnë” qoftë edhe në Superligën shqiptare?

Motivi është i thjeshtë, ajo që ju thashë pak më parë. Akademia duhet të luajë një funksion të rëndësishëm në rritjen e tyre profesionale. Të kujtojmë që Shqipëria është një vend që lindin shumë talente, por duke qenë se mungon kultura e rritjes dhe e menaxhimit karakterial të tyre, ndodh që të mbeten në vend. Mjafton të shihni se ekipet e moshave të Kombëtares kanë futbollistë shqiptarë, por që kanë lindur dhe janë rritur jashtë vendit.

April 25, 2015 19:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*